Mendime
Astrit Lulushi: Edhe kështu mund të ketë ndodhur
E shtune, 19.06.2021, 08:14 PM
Edhe kështu mund të ketë ndodhur
Nga
Astrit Lulushi
Në
kohë zbulimesh të mëdha, shpesh për interesa të ndryshme, fshihen edhe
identitetet e njerëzve që i kryejnë ato. Dhe historia përzihet.
Ndërsa
Kristofor Kolombi është pretenduar prej kohësh nga Italia, ka gjithashtu
spekulime se ai mund të ketë qenë spanjoll, portugez, bask, hebre, kroat,
polak, grek, francez e tjetër. Një studim i ADN-së së tij ka filluar.
A
ishte Kolombi një punues leshi nga Gjenova, apo Princ Bizantin dhe marinar nga
ishulli Kios në atë kohë pjesë e Republikës së Gjenovës?
Gjithashtu,
ka kohë të mjaftueshme për t’u ndalur rastësisht në ndonjë kiosk për të gjetur
një libër të vogël të harruar që mund të ndryshojë mendjen për origjinën e
Kolombit, njeriut që zbuloi Amerikën. Libri është shkruar nga Ruth G
Durlacher-Wolper, themeluese e Muzeut të Botës së Re në San Salvador, Bahamas,
ku anijet e Kolombit zbarkuan për herë të parë në vitin 1492.
Shumë
është shkruar për Kristofor Kolombin, dhe megjithatë e kaluara e tij është
mbështjellë me mister. Të gjithëve na është thënë se ai erdhi nga Gjenova,
qytet në Itali, lundroi për mbretin dhe mbretëreshën e Spanjës, pas shumë vite
përpjekjesh për t'i bindur ata se bota ishte e rrumbullakët, një besim i
pazakontë pavarësisht nga fakti që Aristoteli e kishte thënë mbi një mijë e 500
vjet para Kolombit.
Por
shumica e asaj që dimë për Kolombin është hamendësim; shumë nga historia e tij
u shkrua nga njerëz që nuk e njohën kurrë ose kishin arsyet e tyre për
rishkrimin ose paraqitjen si të vërtetë të diçkaje që ishte thjesht një teori.
Historia e të qenit bir i një leshpunuesi nga Gjenova, për shembull, erdhi
vetëm nga fakti se ishte dikush me emrin Kolombi nga Gjenova i cili ishte
punëtor leshi; dhe kjo është një legjendë që i atribuohet Peter Martyr de
Anghiera, historian italian në shërbim të mbretërisë së Spanjës në kohën e
eksplorimeve. Shkoni në Gjenova dhe do të shihni se ka monumente dhe shfaqje
krenarie që qyteti është vendlindja e Kolombit.
Mbiemri
i Kolombit erdhi nga koha kur Palaiologu i Bizantit rreth vitit 1235 vendosi
arbëreshë në rajonet e pa populluara të Greqisë. Të parët e Kolombit mund të
ishin të vendosur në Kios fillimisht me mbiemrin “Pllumi”, që u bë italisht
“Colomb”, e spanjisht “Colon”.
Origjina
e familjes Palaiologo është gjithashtu e paqartë. Sipas disa traditave gojore,
Palaiologët e kishin origjinën në Itali, në qytetin Viterbo. Sipas këtij
versioni, emri i familjes Palaiologos (Palaios logos, "fjala e
vjetër") ishte përkthim greqisht i latinishtes “vetus verbum”, një
etimologji e Viterbos.
Një
version tjetër i historisë mbi origjinën e Palaiologos pohon se ata kishin
origjinë të lashtë dhe kishin udhëtuar në Konstandinopojë së bashku me
Kostandinin e Madh (ilir), kur qyteti u themelua dhe u bë kryeqyteti i ri i
Perandorisë Romake në vitin 330. Kjo histori e dytë e origjinës është e
ngjashme me traditat e familjeve të tjera fisnike, të tilla si Dukas ose
Phokas, të cilët gjithashtu përdorën histori antike për të forcuar prestigjin e
tyre dhe për të legjitimuar disi pretendimet për fronin e Perandorisë
Bizantine, që ishte vazhdimi mesjetar i Perandorisë Romake.
Libri
i Durlacher-Wolper, pasi e lexon, edhe nëse je i bindur, me siguri që bindjet
do të lëkunden dhe do të bëhesh më pak i sigurt se gjithçka që dije më parë
ishte e vërteta. Për ata që mendojnë historinë bizantine, mund të kujtojnë se
Palaiologët ishin Perandorët Bizantinë që gjurmuan pasardhësit e tyre deri në
Shtëpinë Mbretërore të Davidit dhe ikën në perëndim pas rënies së
Kostandinopojës nën sundimin osman në vitin 1453. Kolombi dhe vëllai i tij
Colon-i Riu shkuan në Francë me familjen e Palaiologëve. Kështu bënë edhe shumë
arbëreshë, prej tyre Kalmirët (Bonopartët), të cilët u vendosën në Korsikë e më
pas u bënë perandorë të Francës.
Pra,
përse mbreti dhe mbretëresha e Spanjës do t'i jepnin tre anije dhe shumë para
Kolombit nëse ai do të ishte djali i një punuesi leshi gjenovez?
Kolombi
kurrë nuk tha se ishte nga Gjenova, por nga Republika e Gjenovës, që është
diçka shumë ndryshe. Ishulli i Kios ishte koloni e Republikës së Gjenovës.
Kolombi kurrë nuk i kërkoi Italisë anije ose ushqime dhe strehim kur kishte
nevojë për ndihmë. Nëse ishte nga Genova, pse jo? As ai nuk e përmend kurrë
familjen Kolombi të Gjenovës me të cilën historia thotë se ishte i lidhur.
Kolombi as fliste dhe as lexonte italisht. Megjithatë, mbi librin e tij të
preferuar Imago Mundi të Kardinalit Pierre d'Ailly, ai shkroi në Greqisht që
ishte gjuha e Bizantit.
Kolombi
u quajt gjenovez sepse vishej sipas modës gjenoveze. Ai nënshkroi emrin e tij
"Columbus de terra Rubra" që do të thotë “Kolombi nga toka e kuqe”.
Ku ndodhej kjo tokë ‘rubik’ që Kolombi përpiqej të mos e harronte?! Edhe zonat
mastike të Kiosit njiheshin për ngjyrën e kuqe të dheut. Kolombi mbajti dy
regjistra në udhëtimin e tij, një të vërtetë dhe një të rremë. Në regjistrin e vërtetë
ai përdori matjet në lega greke dhe në të rremin shënonte matjet në lega
romake. Autorja Durlacher-Wolper përdori regjistrat dhe matjet e vërteta për të
rindërtuar zbulimin e ishullit të San Salvadorit dhe pastroi shumë mospërputhje
në gjeografinë e zonës.
Familja
Kolombi e Gjenovës ishte analfabete dhe Kristofori ishte një leshpunues. Që ky
person të fitojë mësimin, përvojën dhe vullnetin për të bindur një mbret dhe
një mbretëreshë të huaj që t'i besonte një marinë të vogël dhe një pasuri nuk
duket e mundshme. Ndoshta në Amerikën e shekullit XIX, biri i një familje
fermeri të varfër si ajo e Linkolnit mund të rritej për t'u bërë President, por
në Evropën e shekullit XV një leshpunues nuk kishte gjasa për t’u bërë Kapiten,
aq më tepër Admiral në krye të një flote. Ka më shumë të ngjarë që Kolombi, për
të marrë audiencë me një mbret dhe mbretëreshë, duhej të ishte vetë mbretëror
ose të kishte lidhje mjaft të mira.
Djali
i Kolombit, Ferdinandi shkroi se paraardhësit e tij kanë ndjekur gjithmonë
detin. Në qoftë se familja Kolombi e Genovës kishte një histori të gjatë të të
qenit endës pëlhurash ose qethës delesh, ata nuk do të njiheshin. Në fakt edhe
pse jetonin në Genovë në kohën kur Ferdinandi po shkruante për babanë e tij,
paraardhësit nuk përmenden. Ata nuk përmenden as në Testamentin e Kolombit.
Kolombi
nuk ishte një punëtor leshi i goditur në kokë nga Zoti, si Zhan D’Arka, dhe i
mbushur papritur me njohuri të lundrimit, filozofisë, astronomisë,
psikologjisë, gjuhëve dhe fuqisë për të bindur mbretërit t'i jepnin çfarë të
donte. Ai ishte një njeri me arsim, kulturë, përvojë dhe i nisur nga një
ndjenjë fati që e shtynte për ta përmbushur atë.
Banorët
e ishujve Kios janë të njohur për aftësitë e tyre në det dhe për numrin e madh
të kapedanëve të anijeve. Nëse Kolombi do të ishte nga Bizanti, atëherë Kios
është vendi më i mundshëm nga ai do të ishte. Me arkitekturën gjenoveze,
historinë e lundrimeve të largëta, heroizmat e njerëzve, dhe gjithashtu me
provat se Kios ishte vendlindja e Homerit të verbër (O i Mjeri), nga cili vend
tjetër do të ishte Kolombi?