Mendime
Idriz Zeqiraj: Kush po e dëshiron ndarjen e Kosovës?
E merkure, 16.06.2021, 06:18 PM
KUSH PO E DËSHIRON NDARJEN E KOSOVËS?
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Pakoja
e presidentit Ahtisari, iu imponua Kosovës, në rrethanat e konsolidimit të
shtetit të brishtë të Kosovës. Favoret për pakicat, ishin enorme, në raport me
pakicat e shteteve të rajonit dhe më gjerë në kontinent. Të paktën, nuk është
ngulmuar, që kjo të ndodhë edhe me pakicën shqiptare në Serbi, përkatësht,
në Kosovën Lindore, të cilën,
paradoksalisht, e tkurrin, cinikisht, në "Lugina e Preshevës", duke
përjashtuar dy komunat tjera: Bujanovcin dhe Medvegjën.
Megjithatë,
pranimi i kompetencave të papara, të panatyrshme, për pakicat, sidmos për
serbët lokal, ishte një tregues se shqiptarët kanë parësinë absolute, në
sjelljen fisnike me pakicat. Por, kjo u keqpërdorë nga Beogradi, i cili, me
qëllim të destabilizimit, të Kosovës, të alarmimit të Qendrave të Vendosjes, se
nuk ka jetë të përbashkët me shqiptarët, organizoi ngjarjet e mars-prillit
2004, nëpërmjet agjentëve të tyre në Kosovë.
Duke
marrë shkas nga një ngjarje e trishtme, me mbytjen e tre fimijëve të Qabrës në
Lumin Ibër, u organizuan protesta të dhunshme, të përgjakshme, kundër serbëve
dhe kishave të tyre në Kosovë. Ishin veprime banditeske, të palogjikshme, larg
çdo kodi shqiptar dhe norme njerëzore. Në krye të këtyre protestave, u vunë
krerët e organizatës të OVL të UÇK-së si
dhe kryetarët e PDK-së dhe AAK-së të komunave.
Në
mbrojtje të serbëve, ndërhynë forcat e sigurisë të UNMIK-ut dhe KFOR-it. U
vranë një duzinë njerëzish, kryesisht, të rinj shqiptarë dhe të moshuar serbë,
qindra të tjerë u plagosën dhe asnjë nga krerët organizatorë të protestave, nuk
pësoi gjë. Shqiptarët u koritën, u turpëruan dhe u fikën, sepse me buxhetin e
Kosovës, u ndërtuan shtëpitë dhe kishat serbe.
Ndërkohë,
me kërkesën e Beogradit dhe aprovimin e ndërkombëtarëve, vuri në tavolinë tezën
e decentralizimit të pushtetit të komunave, ku fituesit e parë ishin pakicat,
përkatësisht, serbët lokalë. Nuk u ndalën me kaq. Kërkuan krijimin e Bashkësisë
të Komunave, me shumicë serbe. Dhe, bënë 10 komuna, fshat e komunë! Dhe, që
këtej u kalua në kërkesën ekstreme, Asociacionin, "Zajednicën", siç e
quajnë ata, me kompetenca ekzekutive.
Ishin,
pikërisht, protestat e dhunshme të mars-prillit 2004, të cilat shërbyen si
preteks që Serbia fitoi status të zonës së mbrojtur, për kishat dhe manastiret
ortodokse. Kulmon Manastiri i Deçanit, i cili zgjeron diametrin e truallit
kishtar për 12 hektarë, duke grabitur pronën shoqërore.
Është
ky pëvehtësim arbitrar, i cili ka bllokuar punimet e autorrugës, e cila do të
lidhte tri shtetet: Kosovë, duke u nisur nga Deçani, për të çarë bjeshkët,
drejt Malit të Zi, Plavës, Gucisë, për të zbritur në Shqipëri, Valbonë dhe për
të vazhduar tutje në Malësinë e Mbishkodrës, duke përfunduar në Adriatik.
Më
2013, Hashim Thaçi e nënshkroi marrëveshjen fatale, për Asociacionin me të
drejta ekzekutive, madje, me praninë dhe garancinë ndërkombëtare! Ishte një
nënshkrim konspirativ, pa e konsultuar asnjë institucion të vendit! Sikur nuk
mjaftoi kjo, më 2015, e bëri nënshkrimin e dytë edhe Isa Mustafa, në cilësinë e
kryeministrit!
Pra,
nuk u gjykuan hafijet e Serbisë, që i "dhuruan" Kosovës
Demarkacionin, decentralizimin të pushtetit komunal, për të ardhur ke
Asociacioni! Dhe, nuk u dënuan as ata, që nënshkruan e vulosën këtë gjëmë, e
cila po e rrezikon Kosovën, të kthehet në një shtet jo funksional, rakitik e
dështak!
I.
Duke mos ndëshkuar argatët e Serbisë, të cilët e realizuan projektin e saj, për
protestat vandale; duke mos dënuar konspiracionët e zyrtarëve, që nënshkruan
Demarkacionin dhe Asociacionin.
I
trimëruar nga veprimet paraprake dhe mosndëshkimi i autorëve, Hashim Thaçi, i
shantazhuar nga Serbia, me dosjen e zezë kriminale, të luftës dhe të pas
luftës, për krimet në Kosovë, kryesisht, kundër kundërshtarëve politikë, nis
lobimin për shkëmbim territorësh, përkatësisht, të ndarjes të Kosovës!
Për
të qenë i shpenguar, në veprimtarinë kriminale të tij, ai shfrytëzoi pazaret e
pista, të kohës së luftës, me Qeverinë në Ekzil, duke zhvatur prej saj
milionat, që kurrë nuk u përdorën për luftën!
Në
gjallje të Presidentit Rugova, Hashim Thaçi u pengua të ngritet në karrierë.
Sepse Dr. Rugova kishte informacion se ai flirtonte me Shërbimin Informativ
francez, të cilin e ndërlidhte edhe me Serbinë. Dr. Rugova ka paralajmëruar, se
"Hashimi nuk duhet lejuar të ngritet në pushtet, sepse është i rrezikshëm
për Kosovën!" Kjo porosi në gjallje, mbeti si amanet, pas shkuarjes së Tij
në amëshim. Por, bastardët e LDK-së, e shkelën amanetin e kryetarit Rugova.
Thaçi,
me SHIK-un e tij, katapultoi në krye të LDK-së, njerëzit e tij. Koalicionet me
LDK-në ishin formale. Realisht, ai e sundonte LDK-në, njësoj si partinë e tij,
PDK-në. Edhe përzgjedhja e ministrave, nga radhët e LDK-së, bëhej me aprovimin
paraprak të Hashimit.
Institucionet
vitale, siç është Gjykata Kushtetuese dhe të gjithë aparatin e drejtësisë, i
kishte "pronë" të tij. Kujtoni eksterritorin e Manastirit të Deçanit,
i nëshkruar nga Thaçi dhe i aprovuar nga Gjykata Kushtetuese dhe, pastaj,
Parlamenti! Ai kishte kapur, komplet, shtetin e Kosovës!
Nënshkrimet
konspirative, për Demarkacionin, Asociacionin, janë veprime fatale të Hashimit
dhe të ministrit e kryeministrit të LDK-së, të dirigjuar nga ai, pa përfillur
fare strukturat e partisë apo institucionet shtetërore!
- V a z h d o n -