Mendime
Skënder Hoxha: Monografi shumëdimensionale për Deçanin
E marte, 08.06.2021, 06:13 PM
(Recension)
MONOGRAFI
SHUMËDIMENSIONALE PËR DEÇANIN ME RRETHINË
(Më
të lexuar të librit monografik “DEÇANI NËPËR SHEKUJ – PROMOVOM I TRASHËGIMISË
KULTURORE” e studiuesit e publicistit të njohur Faton Mehmetaj. Botoi Instituti
për Studime Gjeopoitike dhe Siguri, Prishtinë, 2020).
Nga
Mr. SKËNDER R. HOXHA
Në
këtë monografi, autori Mehmetaj, vëmendshëm ka filluar me ofriomin e të dhënave
që nga Deçani i vjetër e Lloçani me objekt 200 vjet para Kishës së Deçanit, e
duke vazhduar në mënyrë sistematike me shënime historike të bazuara e të
faktuara për Deçanin dhe katundet që i përkasin administrativisht kësaj
komuneje, me karakteristika të veçanta të “Shtatë copë llukave” e të “Shtatë
copë Voksheve”, me shtëpitë oxhaçe e me atdhetarët e dalluar të tyre. Një
fragment të rëndësishëm të kësaj monografie e përmbledhin Kullat e Deçanit me
rrethinë, që janë pjesë qenësore e trashëgimisë sonë kulturore, të ilustruara
edhe me foto origjinale të disa tipe kullash, e ku ka pasur mundësi edhe me
komplekse kullash, si në Deçan, Llukë të Epër etj. të kësaj treve.Në këto
kulla, vë në pah autori se, dikur janë mbajtur kuvende burrash, janë pleqnuar
punë e vepra të ndryshme të kohës, në to është vendosur drejtësia, është
vendosur për aksione e rezistencë kunër okupatorëve etj. Janë të theksuara këtu
institucionet e kohës që rregullonin sistemin shoqëror të Kosovës së asaj kohe,
si: Oda e Junikut, Bajraku i Junikut, Kreu i Fisit, Pleqtë e Fisit, Aga i
Botushës, mikëpritja shqiptare në këto treva, Sofra tradicionale shqiptare, e
radhazi disa kulte të tjera që lidhen me jetën bujqësore e blegtorale
tradicionale shqiptare që ishin pjesë e organizimit të jetesës në koëto treva.
Autori, të gjitha këto, i ngërthen edhe me botën e florës dhe faunës së këtij
kompleksi natyror me karakteristika të veçanta, përfshirë këtu edhe liqenet e
lumenjtë që kanë rrjedhat nga Bjeshkët e Deçanit dhe vazhdojnë edhe nëpër
rajone të tjera të Kosovës.
Autori
Mehmetaj ka prezantuar në këtë monografi historikun e Kishës së Deçanit, për të
cilën, që në fillim, thotë se “Kisha e Deçanit ishte e besimtarëve ilirë,
arbërorë dhe shqiptarë.”Do të kemi rastin këtu të mësojmë se cilët ishin
mjeshtrit shqiptarë që e ndërtuan kishën e Deçanit, si “trashëgimi kjo e
kulturës iliro-shqiptare dhe thesar i kulturës iliro-shqiptare,” ku, “Fra Vita
Kuçi – Cutii, ishte mjeshtri kryesor që e ndërtoi Kishën e Deçanit, ndërsa
piktori i njohur shqiptar Longini e zbukuroi Kishën e Deçanit me piktura e
ikona.
Doket,
zakonet dhe veshjet tradicionale, me veçantitë e tyre, festat pagane,
mullinjtë, xhamitë, kishat, teçetë, tyrbet janë prezantuar me kujdes në këtë
monografi. Këtu, veë të tjerash, autori thotë se: “Kishat dhe manastiret
mesjetare në Kosovë, nuk kanë qenë të serbëve, por kanë qenë të shqiptarëve;”
për të shtuar, gjithashtu, se: “sundimtarët “serbë” (Stefan Nimani, , Stefan
Deçani, Stefan Dushani etj.) nuk janë serbë, por ishin ilirë-tribalë-shqiptarë
skizmatikë.”, (f. 114). Sikunër edhe kishat e vjetra Dardane që kishin vojvodët
e vet, ashtu i kishte edhe Kisha e Deçanit vojvodët e vet. “Prandaj, edhe
vojvoda i Deçanit e ka përfaqësuar fisin e vet, fisin e gashit, për ta ruajtur
manastirin e vet, pronën e vet, Kishën e Gashit.”, (f. 115), ... Dhe: “Kishën e
Deçanit e ka ruajtur vojvoda i gashit, sepse kisha e Deçanit ka qenë kishë e
Gashit.(...), “Vojvodët e Gashit e kanë ruajtur Kishën e Deçanit që nga ajo
kohë e gjer në ditët tona.” (po aty), siç ishin: Dera e Salih Rrustës, Muhamet
Lani etj.
Kuvendet,
Këshilli i pajtimit, Zona Neutrale e Junikut,artizanatet, turizmi me resurset
natyrore, Arsimimi dhe pishtarët e hershëm të arsimit, shkollat, Historiku i
fshatrave të komunës së Deçanit, shpellat, kalatë, veprimtaria e çetave Kaçake
me disa figura më të dalluara nga Deçani me rrethinë, Aksioni i armëve (1955 –
1956), Demonstratat e vitit 1981 në Deçan me rrethinë, vrasjet misterioze të
veprimtarëve të çështjes kombëtare, rapsodët e njohur të Deçanit me rrethinë,
Të burgosurit politikë, Lufta e UÇK-së, Femrat heroina, Kolonizimi i Deçanit,
fotografitë e shumta të përcjella me legjenda dhe shpjegime etj., janë
tematikat e tjera që autori i trajton në këtë monografi, për t’u formësuar dhe
brumosur shumanshmërisht dhe shumëdimensionalisht si monografi shembull.
E
përgëzoj autorin, duke i dëshiruar shëndet dhe realizim projektesh të tjera
librore.