E premte, 26.04.2024, 08:36 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (XIV)

E hene, 01.12.2008, 01:38 PM


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

 

XIV

 

Nuk ndiehesha mirë me shëndet. Kisha temperaturë të naltë, merrsha frymë me vështirësi, e kollitja më jepte dhimbjet therëse në kurriz që më shkulshin mushknitë. Ushqimi ishte i dobët, por unë nuk isha në gjendje me marrë as ujin e bukën. I shtrimë në krevat gjithë kohën, shokët e dhomës bajshin të pamundunën me lehtësue dhimbjet e mia. Natën nuk flejsha e pagjumësia më lodhi edhe ma shumë. Farmacisti-infermier që kujdesohej, Elezi, nji engjëll mbi tokë e i burgosun bashkë me mue, ishte nji prej shokëve ma të ngushtë. Mbas dy ditë observimesh, ai raportoi se vuejsha nga nji pleuritë e thatë që rrezikonte të keqësohej me shpejtësi. Drejtori më dërgoi në Spitalin e burgut, nji dhomë e ngushtë, dritoren me hekura të trashë mbi oborrin e spitalit, e dy krevate. Nji roje e kuqe qëndronte në hymje. Ditën e dytë, mjeku më pau, urdhënoi radioskopinë, më vuni në nji rregjim ilaçesh, e doli pa thanë asnji fjalë. Mbas derës, ai i tha diçka rojes së kuqe por unë nuk kuptova gja. Dy orë ma vonë hyni në dhomë drejtori i burgut e përshëndeti me njerëzi. Unë nuk fola, por kur pashë fëtyrën e tij dallova menjiherë, se mbas uniformës së oficerit, ishte shoku im i shkollës fillore, ish partizani që banonte pranë shtëpisë sime. Pa dashje, buzëqesha. Më pyeti për shëndetin por nuk isha në gjendje me përgjegje. -Mos fol!” më tha, “tashti do të dërgojmë për radioskopi”, e doli nga dhoma. Kur u kthye ishte i shoqënuem nga nji infermiere që nuk e njihsha mirë e nji roje të armatosun. I mbajtun nga të dy krahët, hyra në sallën e radiologjisë. Kur u ktheva, infermierja më pëshpëriti se burri i saj, Ndoci, ish bashkëpunëtori im që kishte ndihmue të arratisunit me ushqime, kishte vdekë para se të arrestohej. “Ma mirë kështu”, shtoi ajo, Matilda, e u largue. Unë nuk përgjegja. Ditën e tretë, roja më solli ushqimin nga familja si shtesë e racionit që më dha spitali. Në krevat fillova të flej ma qetësisht e me ushqimin e përmirësuem fitova energji. Pak nga pak, u ngrita nga krevati e fillova me ecë nëpër dhomë. Roja më shikonte nga dritorja e vogël herë mbas here, e nuk fliste. Nga nji herë i afrohesha dritores nga ku nuk shihsha gja, e ndigjojsha zanet e kalimtarëve. Lajmi i vdekjes së Ndocit më shkaktoi nji depresion. Punonte si vizatues teknik në Zyrën e Rindërtimit me mue e me Qamilin, nji tjetër shok pune, besnik, i pjekun, e i burgosun me mue. Ndoci ishte i smurë nga tuberkulozi e jetonte nga nji ditë në tjetrën. Grueja, infermiere, nuk kishte lindë fëmij, e dashunia e tyne kishte qenë për njeni-tjetrin. Po ai ishte i vendosun me u aktivizue në rezistencë. Pjesëmarrja e tij në grupin tone ishte e ndërgjegjshme, dhe me entuziasëm. Ai bani shumë me mbledhë ndihma për të “arratisunit”, siç quheshin zyrtarisht luftetarët e lirisë, e me mbajtë kontakte të vazhdueshme. I qetë për natyrë, i dobët me shëndet, e besnik pa kompromis, ai ishte i bindun se jetonte ditët e fundit të jetës, e nuk pranonte me humbë asnji minut pa ba diçka, Shpesh mungonte në zyrë, e grueja na lajmonte se ishte në krevat. Nuk e vizitojshim në shtëpi mos me krijue dyshime. Por kur të tjerët u arrestuen, ai u dërrmue shpirtënisht, nuk shkoi ma në zyrë, e vdiq mbrenda dy javësh. Gjendja e tij shëndetësore ishte aq e dobët sa që Sigurimi nuk e arrestoi, por e izoloi me nji roje të kuqe pranë krevatit. Lajmi i vdekjes tij më solli përsëri, e me forcë, kujtimet e shokëve që u dënuen me vdekje. Njeni nga ata, Fahriu, që na respektojshim për inteligjencën e vendosmëninë e tij me organizue “rezistencën antikomuniste”, siç shprehej ai, më dhimbej ma shumë. Ende i ri, i diplomuem rishtas nga universitetet italiane, punonte si ingjinier pyjesh me entuziasmin e nji të riu që besonte se ishte i pathyeshëm. Vorfënia që dëshmonte në zonat malore të vendit, e sidomos egërsia e ekzekutimeve të asaj popullsie nga forcat e ndjekjes se Sigurimit, e kishin revoltue deri në atë pikë sa të hidhej në krahët e lëvizjes së organizueme kundër regjimit komunist. I thjeshtë, idealist, shikonte çdo gja me nji sy optimist. Në pranverën e vjetit 1946, Fahriu u këthye nga Tirana me lajmin se nji lëvizje kombëtare antikomuniste po fillonte, e se ai do të bashkohej me ata. Grupi jonë respektonte mendimet e tia, e pa mendue si duhet peshën e aktit tonë, pranoi udhëheqjen e tij e vijën e veprimit që na këshilloi. Në këtë situatë ishte e domosdoshme me shtri veprimtarinë tonë mbrenda dhe jashtë qytetit: me të rij, kryesisht studentë, e me të “arratisunit” që na i quejshim “luftëtarët e lirisë”. Ishte vera e vjetit 1946. Ka qenë në këtë periudhë zgjanimi që ngjau “Lëvizja e Postribës” për të cilën na nuk kishim asnji përgjegjësi. Në Shkodër, filluen arrestimet në masë. Njeni nga të arrestuemit kishte shërby si ndërlidhesh i udhëheqsit tonë me grupin e Tiranës. Tortura bani punën e vet, e grupi jonë përfundoi në burg. Fahriu idealist u arrestue, u torturue, u dënue me vdekje e u ekzekutue! Ekzekutimi i tij u ba në të njajtën kohë me atë të nji frati françeskan me të cilin u takova rastësisht në qelitë e Sigurimit vetëm pak muej ma parë. Ai akuzohej për mbajtje armësh në Kishë. Kjo akuzë e vriste shumë ndërgjegjen e këtij shërbestari për damin që mund të pësonte Kisha. E vërteta, ashtu si më tregoi ky bir i Shën Françeskut në çastet ma kritike të jetës, e para vdekjes, ishte se ai kishte ra viktimë e nji gjesti të pamenduem mirë, nji ngjarje banale: katër armë të lanuna aty nga nji seminarist austriak, ushtar gjerman, tue pritë rastin me i hjedhë përjashta pa zhurmë. Frati i pafat ishte denoncue nga nji seminarist i përjashtuem për shkelje të rregullave të Kuvendit. Sigurimi e shfrytëzoi këtë rast me nji propagandë gënjeshtare që kaloi kufijt e vendit tonë, e që reklamonte përgatitjen e nji kryengritje të organizueme nga kleri katolik shqiptar. Mbas nji demaskimi zyrtar të turpshëm e të organizuem, katër klerikë të naltë françeskanë u ekzekutuen, e rreth tridhjetë të tjerë u dënuen me burgime të randa. “Pushteti” kishte gjetë nji rast shume të volitshëm me eliminue klerin katolik në Shqipëni, qendrën ma të fortë dhe ma të përgatitun antikomuniste. “Ajo që më shqetëson pa masë” më thoshte frati para vdekjes, “ashtë mashtrimi i popullit, e kam frikë se ka edhe nga ata që e besojnë...” Mbas “rrëfimit”, frati m’u drejtue me nji lutje që më këputi shpirtin. “Ti je i ri” më tha “e nji ditë, do të lirohesh. Të lutem shumë kurdoherë që të lirohesh tregoje të vërtetën. Ky ashtë amaneti im....Duhet ta dij populli se nuk jemi fajtorë. Të lutem shumë!” përsëriti. I prekun ne zemër, e përqafova këtë viktimë të fatit të keq që nuk trembej nga vdekja, por që tmerrohej nga gënjeshtra e madh që përhapte “pushteti” kundër Kishës Katolike shqiptare. “Pater Ciprian!” i thashë me gjysëm zani por me vendosmëni,” po të dal i gjallë do të tregoj të vërtetën! E tue e përqafue me lotë shtova: “Pater, ka mundësi të mos ekzekutohesh!” Ai buzëqeshi, e shtoi: “Biri im, me vrasjen time komunistët duen me vra të vërtetën!” Emnat e fëtyrët e atyne që gjetën vdekjen në torturë, e që u dënuen me vdekje, filluen me dalë përpara si figura të gjalla që kërkojshin nji spjegim. I shtrimë në krevatin e spitalit, ata më pyetshin: Pse? Pse kjo valë terrori e pamend dhe e pakontrollueshme mbulonte vendin tonë? Pse kjo etje e madhe për gjak shqiptarësh të pafaj, pse ky sadizëm i pafund mbushte zemrat e mendjet e pushtetareve? Pse populli jone, para nji katastrofe të këtillë morale e politike, nuk gjente guximin me u revoltue në masë? Në çdo kand të Shqipënisë, në burgjet e qendrat e tortures të quejtuna “hetuesi” dërmoheshim me dru të pagdhendun trupat e vëllazënve e motrave shqiptare të pafajshëm, të gjithë ata që kërkojshin lirinë për vehte e për të tjerët. Ku ishin të nesërmet që u premtuen me aq entuziasëm e hov rinie për vjete me rradhë? Konflikti ne mes te kujtimeve te mia per kushërinin nandëmbëdhjetë vjeçar të ekzekutuem në kampet naziste, të frymës idealiste që përshkonte ato vjete me mijëra të rij e të reja shqiptare nga njena anë, e nga ana tjetër realiteti i përditshëm që jetojshim e sidomos gënjeshtra e madhe që i shërbehej pa asnji skrupull nji populli të tanë nga “udhëheqsit politikë”, me mbante të ngrimë në vend, paralizue nga përmasat monstruoze të këtij konflikti e rrjedhimet shkaterrimtare që solli në vendin tim. Ishte e vështirë me besue se edhe kushërini i sakrifikuem në altarin e luftës për liri kundër okupatorit e për nji të ardhme ma të mirë për të gjithë, do të kishte pranue realitetin e krijuem në vendin tonë. E kisha njohë mirë atë, e sinqeriteti i tij në mendime e veprim nuk kishte shkaktue asnji dyshim. Ishte inteligjent, e pak nga pak, ai kishte diktue njilloj ndamje në mes të propagandës së hapun për të gjithë, e veprimeve të mbylluna mbrenda grupeve të elementit të besueshëm, e besimi i tij fillestar ishte lëkundë. Çfarë do të thoshte kushërini im sikur të jetonte terrorin që ushtrohej mbi këtë popull që ai adhuronte në fantazinë e tij rinore, sikur të vizitonte qendrat e hetuesisë e burgjet, sikur të dëshmonte egërsinë e torturës mbi të arrestuemet, sikur të numronte vorret e të ekzekutuemeve shpesh herë për çapkënllëkun e oficerëve injorante të Sigurimit, inate personale ose përbuzje fetare e paragjykime krahinore? Çfarë do të thoshte kushërini im sikur të shihte popullin që jetonte me racione buke misri të pamjaftueshme, katundarin që çveshej nga toka që punonte, punëtorin në uzinë e qendra pune që transformohej çdo ditë e ma shumë në robot, i pakënaqun, e studentët që zijshin nga shtypja e padurimi kundrejt nji rregjimi që i kishte kapë për gryke e pengonte frymëmarrjen e tyne të lirë, ndërsa arsimtarët e pedagogët ishin objekti kryesor i dyshimit, e i ndjekjes policore? Çfarë do të thoshte kushërini, sikur të shihte se në vendin tim, “shokët jugosllavë” të luftës sundojshin si pashallarët moderne, e udhëheqja ishte kthye në shërbëtore besnike që zbatonte urdhnat “nga lart”, pa pyetë, pa diskutue, pa hezitim e pa rezerva, dhe këtë gjendje skllavënie të plotë, e quejshin “lidhje vllaznore”? Bisedimi jonë i fundit më vinte tashti si një kujtesë e gjallë. Ai kishte kuptue diçka, kishte ra pré e krymbit të dyshimit, e kishte fillue me mendue me kokën e vet. Në këtë gjendje fluide, ai luftonte me gjetë një farë bashkëjetese në mes të idealizmit që ofronte marksizmi dhe praktikës staliniste, të ushtrueme nga qarqet drejtuese partiake në qytet, e nuk e gjente. Ishte i lodhun nga kjo luftë e brendshme, i pasigurt për rrugën e tij e njëkohësisht, i paaftë me u largue, aq ma pak me marrë një qëndrim kundërshtar. Ku do të ishte sot kushërini im? Sigurisht, jo në rradhën e udhëheqësve partiakë që ishin zhveshë plotvsisht nga çdo ndjenjë njerëzore e kombëtare, e shërbejshin interesat e Partisë Komuniste Jugosllave, me fanatizëm e me çdo mjet: të ashpër, të dhunshëm, me gjak. Ku do të ishte sot kushërini im? Në burg bashkë me mue! Ndoshta edhe ma larg! Sepse urrejtja e pushtetarëve ishte ma e theksueme për ata që ishin zhgënjye nga “eksperimenti”, e kërkojshin me rifitue lirinë. Kushërini im do të ishte arrestue, torturue, burgosë ose ekzekutue, nga vetë shokët e lëvizjes, për të cilën ai dha jetën. Për këtë, unë nuk kisha asnji dyshim! Dalëngadalë po çmendesha: vetëm, i smurë, i dënuem me pesëmbëdhjetë vjet burgim, në moshën njizet e dy vjeçare. Në atë dhomë të vogël spitali, vetëm mendimi më lejonte me thye hekurat e muret që më rrethojshin e me u lëshue pa frenime në qiellin e lirë të spekulimit, ku mendja rreket pa ndërpremje në kërkim të së vërtetës së panjohun, e të së bukurës së përsosun. O mendje njerëzore! Ti je shqiponja e pafrikë, që ngren në naltësitë e pafund të qiellit atë çka ma e shenjtë pushon në zemrat tona njerëzore, ti përfaqëson madhështinë e pranisë hynjore brenda nesh e dëshirën për liri të pakufizueme! Në kohën e drekës, roja më lejonte ushqimin që më sillte nana. Herën e parë, kur ndigjova zanin e saj, më erdhi aq i ambël, aq i afërt, sa më pruni lotët në sy. Nana ishte aty, para derës, pa muejtë me hy, por tingulli i zanit të saj më erdhi i papenguem. U ngrita në kambë nga dëshira me qenë sa ma afër saj, me ndigjue ma mirë, e me shpresën se mund ta shihsha, qoftë edhe për së largu. Nga dritorja shihej vetëm muri i një ndërtese përballë, e një copë qielli. Ajo i bante pyetje të pambarim rojes për shëndetin tim, e merrte përgjigje të thjeshta, pa asnjë shpejtim. Mandej heshtje! Dukej se shpresonte me ndigjue zanin tim, rastësisht.

Takimi ishte i ndaluem!

- Si asht me shëndet. A përmirësohet?

- Po!

- E han ushqimin?

- Po!

- A ka nevojë për ushqim tjetër?

- Jo!

- A ngrihet prej shtratit?

- Po!

Nana heshtte, sikur dëshironte me gjetë pyetje të reja.

- A ka mundësi me e pa?

- Jo!

- Pse?

- Kam urdhër!

Përsëri heshtje! Atëherë, roja urdhnonte me u largue, e plaka merrte rrugën e shtëpisë, me hapa të ngadalshëm e zemër të vrame. M’u kujtue një skenë fëmijnie, kur kisha qa me ngashërim, aq sa deshta vetë. Shpeshherë ma vonë, më solli kujtesa tek ky vajtim që, çdo fshamje më dukej sikur më kishte lehtësue një pjesë të dhimbjes, aq sa më jepte ndjenjën e çlirimit. Atë ditë mendova se nuk kam ma as të drejtën e lotëve, sepse nuk jam fëmij, jam burrnue. Lotët që rrjedhin, si vuejtje e langët që kullon, i kërkoj me shpirt, pa mujtë me i gjetë. Atë ditë, nuk rrodhi loti me lehtësue! Një muej mbas ardhjes në spital, pyeta rojen për takimin mujor, por ai ma preu shkurt: “S’ka takim këtë muaj. Urdhër nga drejtori!” Ky “urdhër” nga drejtori më krijoi hutim, sepse ishte ai që tregoi nje farë keqardhjeje për gjendjen time, e lejoi ushqimin nga familja. C’kishte ngja? Pse më mohonte një të drejtë që më siguronte “ligji” e që gëzojshin të burgosunit e tjerë?! Dyshimi u rrit kur vizitat e drejtorit u ndërprenë krejtësisht. Gjatë qëndrimit në qelitë e burgut të Kuvendit, kisha mundësi me ndigjue disa herë konferencat politike, të mbajtuna nga policët. Zani vinte i dobët nga poshtë, por fjalët kuptoheshin mirë, sa herë që ishte qetësi e plotë. Përmbajtja e raporteve që lexoheshin, ishte monotone, si lajmet e përditshme të fletoreve qeveritare, bajate e gënjeshtare. Por toni që i jepej materialeve të këtilla pa vlerë, e gjuha e përdorun gjatë diskutimeve, sidomos kur ishte fjala për të burgosunit, ishte e nji ultësie të pabesueshme. Çdo fjalë e ndytë e fjalorit rrugaç, përsëritej e ripërsëritej pa pushim, aq sa u bante elementi kryesor i konferencës. Diskutuesit ngriheshin në një garë të pafrenueme shamjesh të ndyta për të burgosunit, pa kursye as nanat, gratë e motrat tona. Fryma hakmarrëse që shprehej e duertrokitej në atë sallë, më friksonte ma shumë se neveritja e paevitueshme që sillte fjalori i policëve. Kërcënime e përsëri kërcënime kundër “armiqve të popullit”, sikur përgatitshin terrenin për shkopij të rij të oficerëve hetues, që bijshin pa mëshirë mbi kurrizet tona. Atje poshtë, në atë sallë konferencash, po gatuhej diçka e rrezikshme. Atje poshtë ishte një “uzinë” që zhvishte njeriun-polic nga gjitçcka, përveç robëve, e fabrikonte robotë të stërvitun me shkaktue vuejtje e poshtnim. Nuk muejsha me parapa një të ardhme normale për popullin tim. Frika se të tjerë, shumë të tjerë mbas meje, do të kalojshin nëpër kalvarin që jetojsha, me coptonte zemrën, Çdo fjalë nga poshtë, çdo britmë e çdo duartrokitje, më vinte si një shkop ma shumë, si një shkelm, një rrokullisje nëpër shkallët e çimentos, sepse nuk kisha asnjë dyshim që fëtyrat e reja monstruoze që po përgatiteshin në uzinën e propagandës partiake, do të kërkojshin tjetër gjak, të tjerë trupa të coptuem, të tjera viktima që do të kënaqshin nevojet e tyne, të krijueme artificialisht për torturë, të shuejnë zjarrin e tyne të ndezun mjeshtrisht nga profesionistë, për hakmarrje shtazarake. Kush tjetër do të jepte gjakun në të ardhmen, në luftë me kulshedrën e kuqe, përveç atyne që andrrojshin një botë të drejtë, të hapët, pa pengesa e të lirë, për vete e për të tjerët?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora