E premte, 26.04.2024, 02:18 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Si u vranë inxhinierët e shkëlqyer pas letrës anonime të një roje

E enjte, 27.11.2008, 01:08 AM


Nga Aurora Damini

Tregon inxhinieri Vangjush Kokonozi: Çfarë di unë rreth atyre ngjarjeve. Ende e pashpjegueshme barbaria e Enver Hoxhës ndaj këtij sektori

Vitit 1975/ Grupi armiqësor i naftës

FIER - Inxhinier i vjetër, që ka mbaruar studimet e larta për shfrytëzimin e vendburimeve të naftës në universitetin e Bukureshtit, i cili punoi për më shumë se 50 vjet në sektorin e naftës, që nga inxhinier i thjeshtë deri në postet më të larta drejtuese të sektorit të naftës, rrëfen gjithë atë dramë të ndodhur në vitin 1975. Pas mbarimit të studimeve me nota të larta, Vangjushi emërohet në Patos, më pas në Kuçovë në laboratorin qendror, në Institutin e Naftës në Fier, më vonë nëndrejtor i Institutit të Naftës, pastaj, kur Instituti i Naftës erdhi në Fier e Piro Gusho ishte sekretar i parë i rrethit të Fierit, e çuan në këtë qytet si sekretar i sektorit të naftës. Ishte viti 1972, koha e “grupeve armiqësore” në sektorin e naftës. Më pas ai do të shikonte me sytë e tij dramën e ndodhur në vitin 1975, ku fill pas kësaj do t’i vinte edhe atij radha. Për fat, ai vetëm sa dërgohet në sektorin e largët të Qafës së Kashit, nëpër puset e largëta të Hekalit e Romsit. U përjashtua nga partia dhe u cilësua anëtar i “grupit armiqësor të naftës”. Por jo i cilësuar për krime aq të rënda. Si sekretar i përgjithshëm i naftës në rrethin, nga ku dilnin armiqtë e pushtetit, Vangjushi edhe sot pranon se ai do të merrte plumbin, por e shpëtoi Haki Toska, me të cilin ai kishte një miqësi të hershme familjare. Inxhinieri i gjysmëshekullit të sektorit të vështirë të naftës thotë se e gjithë kjo rrëmujë politike mban ende edhe sot e kësaj dite një mister për barbarizmin që tregoi Partia e Punës për inxhinierët e talentuar dhe punëtorët në këtë sektor të vështirë, për denigrimin që u bëri ajo bijve të saj më të mirë, deri në eliminimin fizik të tyre.

Parë nga këndvështrimi juaj, pse gjithë ajo egërsi për atë plejadë inxhinierësh dhe specialistësh të lartë dhe të mirarsimuar në universitetet e huaja?

Edhe pse kanë kaluar mbi 30 vjet dhe kemi kaluar sisteme të ndryshme politike, ende pyes veten time: “Pse gjithë ajo egërsi e Partisë së Punës për njerëzit e saj?” Them kështu pasi më shumë se 80% e punonjësve në sektorin e naftës ishte tërësisht e majtë, me teserë dhe bindje, pasi punonjësit e këtij sektori jetik për kohën kalonin në sitën e Komitetit Qendror të PPSH-së. Ushtria, inxhinierët e naftës, agronomët dhe mësuesit kanë qenë ushtarët e PP-së dhe provën e kishin kaluar në biografinë e dokumentacionit për shkollën e lartë. Mbase jam i gabuar, por unë kam nxjerrë një përfundim: përveç natyrës së egër që kishte qeveria dhe aparatçikët e kohës, ishte një periudhë mediokre, kur fati, qoftë edhe i një specialisti të talentuar, mbetej në dorën e një aparati që luante rolin e shtrigave të Salemit. Atje ku kishte kundërshti mendimesh dhe oponencash, atje ku nuk realizohej plani i prodhimit, duhej të kishte patjetër sabotatorë. Kishte njerëz që influenconin tepër në KQ vetëm nga letrat anonime që bënin, ku përshkruanin “sabotimet” në fushën e naftës ose të gazit. I afti dhe punëtori nuk kishte vlerë. Jo rastësisht drama e 1975-s lindi në qytetin e naftës, në atë të Patosit, i cili në atë kohë ishte qyteti i intelektualëve. Mirëpo ajo ishte një shportë karavidhesh. Në atë kohë në sektorin e naftës ishin dy rryma të kundërta, të cilat u përplasën në pikëpamje teknike dhe që çuditërisht mori edhe ngjyrimin e përplasjes politike. KQ i PPSH-së eliminoi njërin krah dhe pas 3 vjetësh eliminoi edhe krahun kundërshtar, atë të Kadri Ramës, që ishte kundërshtar i grupit “armiqësor” të naftës më 1975-n, i kryesuar nga Lipe Nashi. Ky ishte edhe paradoksi. Në atë kohë të turbullt nuk kuptohej kurrë se cili ishte njeri i mirë dhe cili i keq, shkaktari i shumë tragjedive. Sepse që kishte njerëz të këqij dhe në atë kohë nuk diskutohej. Në ambientin punëtor ishte shumë më ndryshe. Kur dikush përfaqësues i Komitetit Qendror i PPSH-së sillte mes tyre “për edukim” ndonjë inxhinier të dënuar, ata ditët e para e shihnin me egërsi, por kur të njihnin mirë në frontin e punës, atëherë linin kokën për filan inxhinier dhe i bënin kushedi sa herë pyetje vetes: “Pse partia e ka dënuar këtë shpirt njeriu? Edhe unë atëherë pas 1975 shkova në Qafën e Kashit mes gjirit të klasës punëtore si një inxhinier i dënuar. Pasi jo të gjithë u burgosën, u internuan apo edhe më keq u pushkatuan.” Kishte dhe shumë të tjerë që patën më shumë fat, si puna ime. Mua nga sekretar i ekonomisë në KQ të rrethit Fier, më dërguan si inxhinier i thjeshtë në Kash, rreth 3 km larg Ballshit, pasi më mbajtën më shumë se 2 javë rresht në hetuesi. Nuk pranova fajësinë time. Nuk e kuptoj as vetë si shpëtova. Çudirat ishin shumë të mëdha. Kashi 20 vjet rresht ishte “lule”, pas tmerrit dhe shokut traumatik që pësova unë dhe të tjerët. Pas çdo mëngjesi pyesje veten: “A do të më thërrasin sërish në hetuesi dhe të pranoj një faj që se kam bërë?” “Sabotim”, “armik i Partisë dhe popullit”, “tradhtar” ishin fjalët që lëshoheshin pa dorashka në atë kohë nga aparatçikët e KQ-së

Cilat ishin këto çudira?

Çudira kishte shumë. E para, kishte filluar analiza e parë, u bë mbledhja e Byrosë Politike. Unë rastësisht, kur mbaroi mbledhja e Byrosë Politike, isha në Tiranë në Komitetin Qendror. Ishte një instruktor shumë i mirë dhe i ndershëm. Dhe unë po prisja përfundimin e mbledhjes. Kur mbaroi mbledhja, që zgjati me orë të tëra, për veprimtarinë në sektorin e naftës, instruktori erdhi dhe më puthi e më tha: “Mbaroi kjo punë, shpëtuam të gjithë.” Deri atëherë ishin bërë 3-4 aktive, në Patos, Fier, e Tiranë. Sipas instruktorit, Enver Hoxha i kishte thënë në mbledhje Koço Theodhosit: “Për këto që kanë ndodhur, ata që punojnë në KP të rrethit, minimalisht duhet të përjashtohen nga partia, por të mos i krijojmë partisë një traumë të re, pasi boll na krijuan këta të ushtrisë. (Bëhej fjalë për grupin armiqësor të ushtrisë.) Prandaj unë them ta mbyllim këtë punë me një vërejtje të rëndë gjithë juve përgjegjësve të sektorit të naftës. Ti Koço shlyeja Partisë këtej e tutje me punën tënde.” Kështu menduam se u mbyll mbledhja e Byrosë, pas shumë analizave që ishin bërë deri atëherë. Ishte dhjetori i vitit 1974. Ndërkohë në Institutin e Naftës në Patos ishin bërë disa mbledhje të përgjithshme dhe përfundimet e këtyre mbledhjeve kishin vajtur në Komitetin Qendror të PPSH-së. Madje, Avdyl Këllezi kishte bërë një raport shumë negativ, ku shkruante se gjendja në naftë ishte shumë e vështirë, bëhej punë armiqësore, në Institut punonin vetëm armiq, ndaj duhej bërë një analizë e përgjithshme. Por fatmirësisht edhe mbledhja e Byrosë Politike u mbyll mirë. Por këtu nis çudia. Një mediokër, një i çmendur nga Patosi, me origjinë himariote, teknik i mesëm, që nuk bënte asgjë veç shkruante letra në KQ, i shkruan një letër Enver Hoxhës. Ai ishte dezhurn, dispeçer dhe si profesion dispeçerët mbajnë shënim. Ngaqë nuk kishte punë ai, rrinte pranë sobës dhe i shkruante letra Komitetit Qendror. Nga 10 letra dërgonte në javë dhe i bënte në 3 kopje. Një KQ, një Ministrisë së Brendshme dhe një kryeministrit. Ai shkruante në letër se në naftë në Patos kishte një çorganizim të organizuar dhe mbaj mend atëherë se u kap pas një elementi që në atë periudhë të pavolitshme i shërbeu atij. Lipe Nashi, drejtor i përgjithshme i naftës, që ishte një njeri i zoti, tepër korrekt dhe punëtor, vendosi në relacionin që i dërgonte KQ të PPSH-së për realizimin e planit 200 000 tonë, që në të vërtetë nuk mund të realizohej, edhe nëse të gjitha puset ishin prodhimtarë. Kjo për puset e naftës në Sarandë. Saranda doli keq, sepse puset jepnin vetëm gaz dhe jo naftë, dhe kjo u cilësua sabotim shumë i madh. E vërteta ishte që kjo i shërbeu ngatërrestarit të letrës dhe nuk e kuptoj ende pse Enveri e cilësoi sabotim shumë të madh. Enveri rihapi “dosjen” e sektorit të naftës. I pamoralshmi i letrës, bënte garë me një kolegun e tij në Vlorë kush do t’i dërgonte me shumë letra KQ të PPSH-së. Ta mallkoj atë njeri tashmë, nuk ia vlen, por ai mori më qafë dhjetëra e dhjetëra njerëz të shkëlqyer. Enveri mblodhi sërish Byronë Politike dhe e cilësoi si një veprim armiqësor tepër të sofistikuar, prej nga ku do të merreshin masa në mbledhjen e qeverisë. Mbledhja e përgjithshme me përfaqësues të qeverisë u bë më 6 shkurt 1975. Unë isha vetëm, Piro Gushoja kishte shkuar në Pukë për një problem familjar. Instruktori i KQ të PPSH-së më porositi që t’u thosha inxhinierëve përgjegjës që të merrnin përsipër gabimin, por me masë që të mos cilësohej si faj apo sabotim. Unë vajta dhe i porosita, edhe Lipen, edhe Beqir Alinë dhe Myzafer Trebeshinën. Në pritje të kësaj mbledhjeje, ku kish ardhur Mehmet Shehu, mua më informonte sekretari i Mehmetit, Kiço Kasapi, ish-nëndrejtor i përgjithshëm i naftës në Kuçovë, burrë shumë i mirë, sekretar i përgjithshme i Kryeministrisë. Deri nga dreka mbledhja shkoi mirë, me kritika të ashpra, por gjithsesi mirë. Nga ora 12:00 mbledhja u ndërpre dhe Mehmet Shehu shkoi te Enver Hoxha. Kur rifilloi mbledhja, më marrin në telefon dhe më thonë se mbledhja është kthyer në gjyq. Shkova me një frymë. Mehmeti i tha shprehimisht Lipe Nashit: “Dëgjo këtu Lipe, kur ke shkuar në Kinë, ke bërë një udhëtim me tren nëpërmjet Moskës, jo drejtpërdrejt. Në tren je takuar me një shok të shkollës së partisë që ishte ne nivelet e KQ të BS-së. Nuk them se çfarë keni thënë me njëri-tjetrin, por ky detaj tregon diçka, se ti ke të bësh me agjenturën ruse.” Beqir Alisë i tha: “Për ty Beqir nuk kam ndonjë fakt konkret, por e vërteta është që ti ke pasur grua ruse, djemtë i ke në Moskë dhe gruaja juaj ruse është agjente e KGB-së, ajo mban ende mbiemrin tënd edhe pas divorcit. Unë nuk kam kompetencë t’ju shkarkoj, por ju pezulloj nga detyra.” Myzaferit i tha diçka që tani tingëllon qesharake: “Për ty Myzafer nuk kam ç’të them, ti me fekalet merresh, nuk merresh me punët e naftës.” (Myzaferi ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Fierit). Unë jam befasuar kur kam dëgjuar këto fjalë. Nga Fieri (mbledhja bëhej në Patos). I dërgoj një radiogram Pirro Gushos dhe i them të vinte urgjent në Fier. Ai ishte nisur nga Puka me gjithë Mihal Bishën (drejtor i Drejtorisë së Kuadrit në KQ). Ai e nuhati që situata ishte shumë e rëndë, ndërsa Mihali na këshilloi që të qetësoheshim dhe ta merrnim qetësisht. Duhej të lidhesha unë me KQ të PPSH-së dhe konkretisht Haki Toskën (sekretar i KQ-së, që mbulonte ekonominë, nga i cili varesha unë), ndërsa Pirro Gusho të lidhje me Hysni Kapon. Pirroja e provoi tel. e shtëpisë, por Hysni Kapo e ngriti tel. dhe ia mbylli menjëherë. Vjen Pirroja tek unë i verdhë dyllë, nga ku kuptova saktësisht se gjendja ishte shumë e rëndë. Pastaj pas vendimit që mori Mehmet Shehu për pezullimin e tyre nga puna, u zhvillua aktivi në Patos. Ne u përgatitëm për këtë aktiv. U dyndën instruktorët e KQ të PPSH-së. Në krye ishte Nimet Cani. Ai më kërkoi mua një listë të “atyre që do të jepnin llogari”. Të them të drejtën, nuk e vlerësova, ose nuk e konceptoja dot se do të vinte puna në arrestim, por si gjithnjë në mbledhje të stërzgjatura, me kritika të ashpra dhe me vendime për vërejtje të rëndë. I porosita ata të tre, Lipen, Myzaferin dhe Beqirin, që të mendoheshin dhe të sillnin emrat e inxhinierët përgjegjës për mos realizim të planit të naftës. Të nesërmen më thonë nga KQ i PPSH-së se ata listën e kishin gati dhe kjo listë do të paraqitej në aktiv. Shikoj unë listën: në krye Lipja dhe 50-60 veta, të gjithë inxhinierë. Pyes njërin prej instruktorëve të KQ-së: “Me kë biseduat që bëtë gati këtë listë?” Më tha:”Ashtu janë punët, kemi biseduar dhe me sigurimin e naftës në Fier.” Atë çast e kuptova se ata çdo gjë e kishin përgatitur “lart” dhe mendimi ynë as që merrej parasysh. Kishte vënë dorë sigurimsat. Erdhi 3-4 ditë para aktivit Adil Çarçani. E vura në dijeni për listën dhe ia tregova. Më tha shprehimisht kështu: “Ore, keni shkalluar ju të gjithë?! Pse, ore, gjithë naftën do të fusim në burg ne?!” Ngriva. Atëherë e mora vesh: ajo fjala që më gënjyen duke më thënë se “do të jepnin llogari”, ishte ekuivalente me burgun. Mbaj mend se më tha shprehimisht kështu: “Pirroja nuk është mirë me shëndet dhe ti do të merresh me organizmin e këtij aktivi. Është shumë i rëndësishëm. Atje do të ketë arrestime. Arrestime do të ketë edhe në sallë. Por ne kemi eksperiencë nga ai aktivi i Durrësit dhe atje u binte të fikët njerëzve në sallë. Thirrjet e forta: tradhtarë, sabotatorë, ndikonin negativisht në shëndetin e atyre që akuzoheshin. Kështu, - më tha Adili, - do të sjellësh dhe mjekë, përveç kësaj do të incizohen. Adil Çarçani dhe Haki Toska ishin ngarkuar nga Byroja Politike që të organizonin aktivin e naftës në Patos. U morën masat, u përgatit salla. Filloi aktivi dhe absolutisht asnjë nga ne të bazës, nuk e dinte se do të shpallej publikisht “grupi armiqësor”, apo ç’kishte ndodhur në KQ të PPSH-së. Menduam se do të lexohej letra e shokut Enver për problemet ne naftë dhe pastaj do të kalohej në diskutime ku do të jepej llogari nga përgjegjësit sipas listës. Unë u befasova kur dëgjova fjalët e Enver Hoxhës që citohej nga Adili: “Është grup armiqësor i drejtuar nga Lipe Nashi.” Ata që do të jepnin llogari ishin ulur jo bashkë, por një këtu e një atje në sallë, ku gjithsecili prej tyre ishte i ulur me 2 komunistë “të ndershëm”, të pacenuar, d.m.th. Nuk mungonin edhe oficerët e Sigurimit. Pas kësaj filluan të japin llogari inxhinierët e listës. Në përgjithësi pranonin se kishin bërë gabime gjatë punës. Lipja jo se bëri ndonjë gabim, por ai thoshte se të gjitha çka thuheshin në letrën e Enverit ishin të vërteta (për pjesën e mosrealizimit të planit), por nuk pranonte që gjërat ishin bërë fshehurazi, nën rrogoz. “Kemi vënë në dijeni Ministrinë, - tha Lipja, - dhe kemi vënë në dijeni edhe Partinë.” Erdhi radha e Protoko Muratit, i cili ishte shef i sektorit në Institutin e Naftës. Por organizata e Partisë së Institutit nuk e përjashtoi nga Partia, por i bëri një relacion KQ të PPSH-së, ku thuhej se ata e veçonin Protokon nga të tjerët. Protokoja ishte njeri i komunikueshëm, ndërsa kishte dhe një lloj arrogance. Milto Gjikopulli në fjalën e tij tha një fjalë që e rëndoi veçanërisht atë. “Nëse është bërë punë armiqësore dhe Partia e vërteton këtë gjë, atëherë ju nuk keni punë me të tjerët t’i merrni më qafë, se atë punë e kam bërë punë, pasi përgjegjësia është imja. Të tjerët kanë zbatuar ato që u kam thënë unë.” Miltoja ishte shef i projektimit të puseve të shpimit. Kjo frazë e fundosi atë, se këtë deklaratë e bëri edhe në gjyq, ku unë merrja pjesë si dëshmitar. Protokoja kishte një avantazh për të shpëtuar dhe këtë e kishte Haki Toska. Hakiu i tha në aktiv: “Dëgjo Protoko, ne e dimë që ti nuk je shok me ta, ti je njeriu ynë, por këtu ke rastin që ti ta vërtetosh këtë duke i stigmatizuar shokët.” Mbaj mend që Protokoja tha në aktiv: “Pse ti marr më qafë njerëzit? Si kam punuar unë, ashtu kanë punuar dhe të tjerët. Unë nuk kam ndryshim nga ata.” - “Paç veten në qafë, unë të dola borxhit”, - i tha Hakiu. Ndërkohë unë isha në sallë dhe nuk i pashë, por mësova se jashtë kishte ardhur urdhri dhe forcat për t’i arrestuar të gjithë inxhinierët. Kishte ardhur djali i Hysni Kapos. Në sallë erdhi një biletë. Bileta iu dha Paskal Sinanit, që drejtonte seancën e aktivit. Ai, pasi lexoi këtë biletë, na u drejtua të gjithëve ne në sallë: “Kam një propozim: pse ti mbajmë këtu brenda të gjithë këta armiq dhe të diskutojmë më tej për problemet e naftës në prezencë të tyre? Unë them ti nxjerrim jashtë.” Haki Toska pranoi. U ngritën të gjithë ata që dëgjuan emrat jashtë. Koço Plaku (njëri prej inxhinierëve të pushkatuar), të cilin unë e kisha fqinj, vuante atëherë nga një hernie diskale. Ishte i kërrusur dhe ashtu i sëmurë e kishin detyruar të vinte në aktiv, koka i takonte te gjunjët. Kështu e mbaj mend portretin e tij. Sa dolën (më saktë i përzunë për t’i arrestuar), të gjithë, drejtuesi i aktivit, shërbëtori i tyre Paskal Sinani, nuk vazhdoi më mbledhjen, siç na tha, por propozoi 10 min. pushim. Dola i dërrmuar me pak vonesë. Një shok imi, që pësoi edhe ai më pas fatin e keq vjen me një frymë dhe më tha: “Vangjush, i morën ata, i futën brenda!” Sapo dilte njëri, sigurimsat e fusnin në makinë. Po kështu edhe të tjerët nëpër makinat “Gaz-59” të Sigurimit. Kështu mbaroi seanca e parë. Në pushim drejtuesi i aktivit tha se ata që do të diskutojnë të japin emrat. Unë isha në mëdyshje. Kisha dhe vëllanë, drejtor në Gorisht dhe që të gjithë e trajtonin si shokun e ngushtë të Lipe Nashit. Shkrova edhe unë emrin, pasi e dija që do të më thërrisnin që të jepja llogari, se isha sekretar i ekonomisë në KP të Fierit. Një dashamirës që ishte sekretar imi, por që në aktiv ishte mbajtës protokolli, kishte parë në listë emrin tim dhe vjen e më kap në seancën e pushimit. Në atë kohë po debatoja ashpër me një rektor të Universitetit, që dikur ishte në pozicionin tim në Fier. Ai kërkonte të më faturonte mua një pjesë të fajit për zbulimin e grupit armiqësor të naftës. Vjen ky sekretari dhe më thotë shprehimisht: “Po ti gomar, veten tënde ke shkruar?! Do të të hanë të gjallë, po diskutove. Do ta shikosh çdo të ndodhë!” Isha në mëdyshje. Ç’të bëja?! “Ik, - më këshilloi miku im. - Gjej një shkak.” Dhe vërtet kështu kam shpëtuar, se me atë egërsi që mori drejtim mbledhja, unë do ta haja edhe më keq. Thirrjet “në litar, të pushkatohet” ishin terma të zakonshme, por që bëheshin realitet. Po të kishe pak pozitë drejtor, nëndrejtor, shef ose si unë, cilësoheshe menjëherë armik, pasi e kishe ti fajin për grupin armiqësor. Haki Toska më nisi në Komitetin e Partisë në Fier që t’u merrja teserat e partisë gjithë të arrestuarve, sepse ishte puna ime. (Në fakt, vetëm 2 prej tyre nuk i kishin dorëzuar, se të tjerëve ua kishin marrë teserat me kohë). Isha në ankth, por më vonë mësova se pati arrestime të tjera, si Jani Konomi, Dhimitër Stefa etj. Duhej shpartalluar i gjithë grupi armiqësor. Madje, ai që e ndiqte çështjen nga hetuesia e përgjithshme ishte një gjeneral, “Hasnedari” e kishte mbiemrin. Ai më kishte piketuar edhe mua, por fati më shpëtoi. Hakiu më hoqi nga lista që ishte çuar në hetuesi. Ka qenë edhe një fakt tjetër, pasi unë kisha dërguar më parë një letër, ku në njëfarë mënyre e kisha parapërgatitur Hakiun për disa probleme në sektorin e naftës, pra Hakiu nuk ishte fare pa dijeni. Por më pas do të pasoja edhe unë. Sigurisht, shumë më lehtë se kolegët e mi, me një “edukim në gjirin e klasës punëtore”, duke më syrgjynosur në puset më të largëta të zonës.

Si mendoni pas kaq e kaq vjetësh, ka qenë vetëm mosrealizimi i planit shkaku?

Jo, kanë qenë edhe ligësitë brenda nesh, kryesisht edhe brenda intelektualëve. Sebepi ishte plani. Por vijmë te plani. Çfarë ishte plani? Është një fat që nafta shkëlqeu pas viteve ’67-68, nafta filloi të ngjitet me shpejtësi. Mirëpo ngjitja me shpejtësi solli edhe atë euforinë e madhe dhe një pjesë e kuadrove, sidomos ata në Komisionin e Planit të Shtetit, dhanë një shifër plani të tmerrshëm. Na vunë ne që duhej të realizonim 4 milionë tonë naftë në vit. Ne arritëm deri në 2.4 milionë tonë naftë në vit. Bëhet fjalë për vitin 1973-1974. Një plan edhe ky i paparë, që flet për punë të mirë tonën. Në fakt, nuk morëm falënderime, por u cilësua si punë e zezë, armiqësore. Plani 4 milionë tonë ishte krejt i parealizueshëm. Madje, në Vlorë, Sarandë Urë-Vajgurore dolëm shumë keq. Vetëm puseve të Gorishtit u kërkuan një shifër plani krejt qesharake.

Këto shifra nuk i jepnin specialistët?

Këtu qëndronte edhe e keqja mes konfliktit të specialistëve lart të KQ të PPSH-së dhe atyre të bazës. Ka qenë një luftë e hapur. Ata lart thoshin se “ne kemi harta, kemi studime dhe plani mund të realizohet”. Në të vërtetë, specialistët e bazës nuk i pranonin dot këto shifra qesharake. Vetë unë, në vend që të gjeja cilat ishin mundësitë reale tonat, merresha si të gjeja argumente teknikë që të rrëzoja poshtë shifrat e dhëna me orientim nga lart. Dhe me këtë merresha gjithë vitin. Në të vërtetë, u krijua një eufori, ku të gjithë ne jemi fajtorë për këtë, sepse e vërteta është që nafta mori ritme të papara dhe ishte fat që vendburimet filluan të zbuloheshin njëri pas tjetrit, por do të vinte një fund. Toka nuk kishte vetëm naftë. Aq ishte. Dhe në Amerikë dalin çdo vit rreth 50000 puse shterpë, ndërsa ne për disa puse shterpë na u quajt sabotim. Ky është karakteri i punës sonë.

Çfarë dini rreth fatit të mëtejshëm të Milto Gjikopullit dhe Koço Plakut?

Miltoja bëri një gabim për veten e tij. Po kështu edhe Koço Plaku. Sipas të dhënave të disa dëshmitarëve, shokë të tij të burgut, kur mësoi se vëllai i tij kishte vdekur në hetuesi kishte thënë se në moment që mësoi për vdekjen e vëllait, kishte vendosur të sabotonte. Sigurisht këto ishin përçartje. Edhe të donte të sabotonte nuk kishte çfarë të sabotonte. Çfarë kishte në dorë? Ndërsa me veshët e mi dëgjova në gjyq që Miltoja tha të njëjtën gjë që tha edhe në aktiv, pra qëndroi burrërisht në fjalën e tij që ishte e vërteta: “Nëse partia e konsideron se puset, projektimi dhe kërkimet janë sabotuar, atëherë sabotimin e kam bërë unë.” Të dy kishin një defekt të madh, sepse e kanë pohuar me gojën e tyre fjalën sabotim, pavarësisht se kjo nuk ishte e vërtetë.

Gjyqi është bërë në Tiranë?

Po, brenda në burg në Tiranë. Gjyqi i dënoi me vdekje, ndërsa Presidiumi i Kuvendit Popullor ua fali duke i dënuar me 25 vjet burg, me përjashtim të Koço Plakut dhe Milto Gjikopullit, pra gjyqi i naftës hëngri 4 koka: dy shokët tanë, Milton dhe Koçon dhe ministrin Avdyl Këllezin zv.kryeministër dhe Koço Theodhosin ministri ynë.

Po rreth pushkatimit të inxhinierëve Milto dhe Koços, çfarë mësuat?

Një i dënuar, pasi doli nga burgu na ka thënë tepër me emocion për një foto makabre, ku duken qartë pamje nga ekzekutimi i Koços dhe Miltos. Ata janë ekzekutuar në Malin me Gropa në Tiranë dhe në 2 lisa afër njëri-tjetrit, me duart e lidhura prapa dhe në ballë currili i gjakut, pasi i kanë qëlluar nga afër me pistoletë në ballë. Hetuesi që urdhëroi ekzekutimin dhe që ishte atje, duhej edhe të fotografonte që të vërtetonte provën e vdekjes së tyre. Fotoja i tregon të rënë më gjunjë të dy, me duar të lidhura pas lisit dhe me currilin e gjakut që u lante fytyrën. Ky ka qenë fundi makabër i tyre.

Në çfarë date është bërë ekzekutimi i tyre?

Ka qenë maji i vitit 1976. Kjo sepse ndenjën gati 1 vit në hetuesi pas aktivit dhe gjyqi është bërë 1976. Dy muaj pas gjyqit janë ekzekutuar. Më pas do të dilnin grupe të tjera armiqësore, çuditërisht oponentët e grupit të parë, pra kundërshtarët e tyre do të kishin të njëjtin fat, më pas edhe grupi tjetër, ku grupet armiqësore do të jepnin shpirt vetëm pas vitit 1981 me grupin e fundit, atë të Petraq Xhaçkës. Ishin kohë të çmendura!… 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora