E enjte, 22.04.2021, 03:41 AM (GMT+1)

Mendime

Eshref Ymeri: Pandeli Majko në vazhdën e tradhtisë së Enver Hoxhës

E diele, 21.02.2021, 10:21 AM


Pandeli Majko në vazhdën e tradhtisë së Enver Hoxhës dhe të Hysni Kapos

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri

Në faqen e internetit të gazetës “Bota Sot” të datës 19 shkurt, lexova shënimin me titull “Dy gracka për Albin Kurtin”, me autore publicisten e shquar Kimete Berisha, e njohur për brumosjen e saj me frymën e nacionalizmit, e mbrojtjes së dinjitetit tonë mbarëkombëtar.

Në atë shënim, për të cilin zonja Kimete ka marrë shkas nga ideja e Albin Kurtit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ajo është ndalur në këndvështrimin e Pandeli Majkos, i cili qenka shprehur kundër bashkimit në fjalë. Ajo thekson:

“Pandeli Majko mendon se ideja e “bashkimit kombëtar” është ide e vjetruar, e shekullit të kaluar, prandaj, sipas tij, Albin Kurti nuk duhet të merret më me të.Rrush prej mendve, Pandeli Majkos prej se i kanë shkuar shokët në hapsane, ka harruar që është shqiptar”.

Në respekt të veçantë ndaj publicistes dinjitoze Kimete Berisha, dëshiroj të theksoj se Pandeli Majko nuk është shqiptar, sepse në damarët e tij rrjedh gjak bullgar. Shumë miqësisht, i rekomandoj zonjës Kimete të lexojë informacionin me titull “Origjina e Pandeli Majkos, ky socialist “i shquar””, të botuar në faqen e internetit“fv.al” të datës 27 mars 2009.

Në deklaratën e Pandeli Majkos kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, nuk ka asgjë befasuese. Sepse Pandi është pjellë e Partisë së Punës, e cila më 12 qershor 1991 u vetëquajt “Socialiste”. Dhe dihet që Partia e Punës është Partia Komuniste e Shqipërisë, e cila, e themeluar më 08 nëntor 1941 si agjenturë e Beogradit, e ndërroi emrin në vitin 1948. Prandaj në qëndrimin e Pandeli Majkos kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë del në shesh vazhdimësia e tradhtisë së Enver Hoxhës dhe të Hysni Kapos ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Le të flasim me gjuhën e fakteve, mbështetur në materialin në vijim.

“Në delegacionin e parë të shqiptarëve të Kosovës, i cili shkoi në Beograd te Josip Broz Tito më 4 prill 1945, merrte pjesë edhe Halim Spahia. Ai shprehu haptas mospajtimin dhe kundërshtoi vendosmërisht me fakte aneksimin e Kosovës nga Jugosllavia dhe hyrjen e KosovësSerbinë Federale, duke kërkuar njëherit mbetjen e saj në përbërje të Shqipërisë etnike. Ai këtu, në zemër të Serbisë, në prezencën e J.B. Titos dhe të udhëheqësve më të lartë jugosllavë e të Serbisë, kërkoi përfilljen e së drejtës për vetëvendosje të shqiptarëve, të garantuar me Kartën e Atlantikut dhe Rezolutën e Konferencës së Bujanit, për realizimin e së cilës ishte garante edhe Jugosllavia e Re, pra, kërkoi bashkimin e pjesës së ndarë me Amën e tyre.

Përgjigje të rrepta të Halim Spahisë pas arsyetimit të J.B. Titos “Se ishin marrë vesh (J.B. Tito) me Enver Hoxhën, që, për shkak të rrezikut që do t’u kanosej fryteve të LNÇL nga reaksioni shqiptar në Kosovë dhe Shqipërinë Veriore, të mbetet përkohësisht Kosova në përbërje të Jugosllavisë së Re”.

Atëherë, Halim Spahia parashtroi kërkesën për krijimin e një Republike të veçantë unike për shqiptarët e mbetur në Jugosllavi. Mirëpo edhe kjo kërkesë hasi në kundërshtim të J.B. Titos dhe të udhëheqësisë më të lartë Jugosllave e të Serbisë, me motivacionin se shqiptarët nuk kanë të drejtë që të kenë republikën e tyre në Jugosllavi, pasi nuk janë komb, por pakicë kombëtare. Pas këtyre replikave të rrepta të Halim Spahisë me udhëheqësinë më të lartë Jugosllave e të Serbisë, ky e lëshoi këtë takim, duke deklaruar në dalje publikisht para tërë asaj turme që priste para rezidencës rezultatet e këtij takimi historik për ardhmërinë e Kosovës, me këto fjalë:

“Po ju njoftoi se prej sot e pati Kosova, sepse ajo është shitur”.

Kryetari i delegacionit të shqiptarëve të Kosovës, renegati Mehmet Hoxha, u mundua që të bindë Halim Spahinë për të shkuar bashkërisht në Presidiumin e Serbisë që të nënshkruajnë hyrjen e Kosovës në Serbinë Federale. Mirëpo, Halim Spahia, pa u hamendur, iu drejtua anëtarëve të delegacionit që gjendeshin aty me këto fjalë:

“Ne erdhëm te J.B. Titoja që t’i parashtrojmë kërkesat tona të vendosura që nuk u morën në shqyrtim dhe nuk kemi pse të shkojmë në Presidiumin e Serbisë, apo gjetiu në Beograd. Ejani, burra, të shkojmë sa më parë në Kosovën tonë, se na presin punë të mëdha dhe tejet urgjente për ardhmërinë e kombit tonë” (Nga deklarata e anëtarëve të delegacionit: Qamil Luzha, Vesel Rexhepi dhe Ukë Sejdi Grabanica).

Menjëherë pas largimit nga rezidenca e J.B. Titos, Halim Spahia, së bashkut me Qamil Luzhën, vajti në ambasadën e Shqipërisë në Beograd, ku bisedoi haptas me ambasadorin e atëhershëm të Shqipërisë - Hysni Kapon, Ramadan Çitakun (atashe ushtarak) dhe Vasil Konomin (sekretarin e parë të ambasadës shqiptare në Beograd). Ambasadori Hysni Kapo, me këtë rast, i tha Halim Spahisë:

“Halim, pse kërkoni të bashkoheni me ne (Shqipërinë), kur Shqipëria së shpejti po hyn në përbërje të Jugosllavisë së Re si Republikë e Shtatë”.

Me këtë rast, Halim Spahia reagoi shpejt dhe shumë ashpër me këto fjalë:

“Shiqo Hysni Kapo, së parit të bashkohemi të gjithë shqiptarët në një Shqipëri unike, dhe pastaj të shkojmë ku të shkojmë bashkërisht e jo kurrsesi kështu të copëtuar”.

Në të kthyer nga Beogradi në Gjakovë e Prizren, ku kishte takime sekrete me anëtarët e KQ të LNDSH dhe patriotë të njohur, udhëtoi për në Tiranë për t'u takuar me Enver Hoxhën (me të cilin njihej mirë qysh më herët). Në këtë takim me Enver Hoxhën, në prezencën edhe të sllavomaqedonit Koçi Xoxe, kërkoi përkrahjen e Enver Hoxhës për këtë çështje me rëndësi jetike për ardhmërinë e Kosovës dhe të kombit shqiptar, por pa dobi, pasi nuk gjeti mirëkuptim dhe as mbështetje të duhur” (Citohet sipas: “Halim Spahia - Uikipedia”. Marrë nga faqja e internetit, 07 shtator 2010).

Siç dihet, nacionalisti i shquar Halim Spahia, gjatë kohës që ndodhej në Shqipëri, arrestohet me urdhër të Enver Hoxhës dhe u dorëzohet autoriteteve jugosllave, të cilat e pushkatuan në vitin 1946, bashkë edhe me disa nacionalistë të tjerë.

Po cila ishte arsyeja që fill pas çlirimit të vendit, pikërisht Hysni Kapoja emërohet ambasador në Beograd? Njëri nga udhëheqësit me shumë peshë në hierarkinë komuniste të Tiranës?

Përgjigjen e kësaj pytjeje e gjejmë në materialin e mëposhtëm.

“Njëri prej udhëheqësve komunistë, me lidhje edhe të mëparshme me agjenturën serbe, nëpërmjet xhaxhait të tij Murat Tërbaçi, ishte edhe Hysni Kapo. Nga fillimi i vendosjes së regjimit komunist e deri më 27 shkurt 1947, ai do të ishte ministër (ambasador) i Shqipërisë në Beograd…

Një rol të madh në forcimin e “miqësisë së madhe” luajti edhe Hysni Kapo. Gjatë mandatit të tij në Beograd u nënshkruan marrëveshjet skllavëruese me Jugosllavinë dhe u zhvillua vizita e kryeministrit Enver Hoxha në Jugosllavi”(Citohet sipas: Kastriot Dervishi. “Flagranca e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave në vitet 1944-1948”. Marrë nga faqja e internetit. 15 korrik 2009).

Në Konferencën e Paqes në Paris të vitit 1946, u paraqit një rast ideal që Kosova të bashkohej me Shqipërinë. Shefi i misionit amerikan në atë konferencë, Jakobs, duke e njohur në heshtje Enver Hoxhën si argat në shërbim të Beogradit, iu drejtua me një pyetje-kurth, për çka hidhet dritë në materialin në vijim:

“Ai e pyeti Hoxhën, se cili do të ishte reagimi i tij, në qoftë se Shqipëria do të kërkonte futjen në axhendën e Konferencës së Paqes të kërkesës për rajonin e Kosovës, dhe në rast se  Delegacioni i SHBA do të votonte kundër së drejtës së Shqipërisë për ta diskutuar këtë kërkesë në Konferencë. “A nuk mendoni ju se, të paktën, kërkesa juaj duhet të diskutohet dhe të studiohet?” - kishte pyetur Jakobsi. Kësaj pyetjeje E. Hoxha iu përgjigj në një mënyrë të turbullt dhe mohuese. Ai i tha përfaqësuesit amerikan se “kjo nuk përbën një rast analog, sepse ne nuk jemi duke shtruar kërkesën për rajonin e Kosovës nga aleatja jonë, Jugosllavia””(Citohet sipas: Prof.dr. Beqir Meta. “Tensioni greko-shqiptar 1939-1949”. GEER. Tiranë 2002, f. 516).

Sigurisht që, në atë konferencë, argati i Beogradit Enver Hoxha nuk mund ta shtronte kurrsesi kërkesën për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, sepse një vit më vonë, më 15 dhjetor të vitit 1947, në mbledhjen e Byrosë Politike, ai do të kërkonte me ngulm bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, për ta shndërruar në koloni tësaj, nën maskën e republikës së shtatë. Ja thirrja e tij:

“Duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejt bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë socializmin pa u bashkuar me Jugosllavinë…” (Citohet sipas: Mërgim Korça. “Çështja kolaboracionizëm e të tjera. T’i gjykojmë”. Detroit 2014,f. 105).

Me sa duket, Pandeli Majko, i cili nuk ia ka fare haberin se si fitohet buka e gojës me djersën e ballit, sipas diplomës që ka marrë në universitet, sepse nga bankat e universitetit përfundoi në kolltukun e deputetit, kolltuk që s’e ka lëshuar për asnjë çast që prej vitit 1992, flet me gjuhën e shefit të tij Rama kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Se jo më kot Rama, në bashkëpunim të ngushtë me Vuçiçin, si dikur Enver Hoxha me Titon, kërkon të rikrijojë Jugosllavinë e Re dhe Shqipëria me Kosovën, nën maskën e të ashtuquajturit minishengen, të përfundojnë në neokoloni të sllavoserbizmit.Domosdo që Pandeli Majko me gjuhën e heshtur të Ramës do të flasë kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Sepse mbarë opinioni publik shqiptar atë e njeh si kryeservil të regjur të tij. Në shënimin e vet, publicistja Kimete Berisha përmend edhe Elisa Spiropalin, e cila paska bashkuar zërin e vet me zërin e Pandeli Majkos kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, sepse, siç shkruan publicistja e nderuar, “… edhe Elisa Spiropali po shqetësohet sa herë po e përmendin bashkimin.Milionerja zhelane, i tha Albinit “s’ka cicmic””.

Kur deklaron kështu edhe Elisa Spiropali, e cila njihet si “uni i dytë” (alter ego) i Ramës, si më kryeservilja e tij, s’ka më asnjë fije dyshimi se Rama, autori i trarit në hyrje të tunelit të Kalimashit, qëndron fort në barrikadën e Partisë Komuniste-së Punës-Socialiste kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

S’mund të ndodhë ndryshe, sepse Partia Komuniste e Shqipërisë, e krijuar nga emisarët e Titos, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, me në krye argatin e Beogradit, njeriun “askushi” me emrin Enver Hoxha, dhe me emra të ndërruar në Parti e Punës dhe Parti Socialiste, që prej 08 nëntorit 1941 deri në ditët tona, nuk ka lëvizur kurrën e kurrës nga shinat e servilizmit dhe të mercenarizmit në shërbim të grekoserbizmit, armikut të betuar të kombit shqiptar. Kjo dëshmon më së miri se fara e tradhtisë që mbolli Enver Hoxha në tokën shqiptare, vështirë se mund të çrrënjoset në shekujt e ardhshëm.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora