E enjte, 22.04.2021, 03:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Tahir Bezhani: Koha me vulën e një poeti rebel

E shtune, 20.02.2021, 09:30 AM


Vështrim  libri:

ASLLAN OSMANI NJË SHPIRT I TRAZUAR  KOHE OSE KOHA ME VULËN E NJË POETI REBEL....

“Skaj pa skaj”, poezi, 2021

“Vendosa t’i lë poezitë cullak” (Autori)

Nga Tahir Bezhani

Këto ditë të ftohta dimri, më erdhi si sihariq ekzemplari i parë i librit me poezi “Skaj pa skaj”, i  autorit Asllan Osmanaj nga Tropoja. Para pak ditësh, befas   bie zilja e telefonit. Vërejta se nuk ishte numri i mikut tim, por një numër i pa njohur, ku zëri i  Asllanit, kumbon fuqishëm me atë tingullin e ëmbël miqësorë e vëllazëror. “Eja shpejt ta pimë nga një kafe, nuk kam  kohë  për pritje të gjatë. Eja te filan kafeja. Ngutu!” Pas mbylljes së telefonit, vonesa ishe aq sa vishej një xhup dhe mbathjet, u nisa te lokali i preferuar nga miku.

Pas përqafimeve dhe vetjeve  miqësore në këtë kohë pandemie, duke hurbur kafetë e sjella nga kamerieri, për një qastë zgjati dorën nën tavolinë, ku nga një qese, mori disa ekzemplarë të librit të sapo botuar me poezi ”Skaj pa skaj”. Shiko e më dëgjo, më tha, libri i parë vjen për ty ,ndërsa të tjerët, ua ndanë miqve poet këtu dhe në Pejë, duke aluduar në poetin Sejdi Berisha.Të kryer e ke porosinë, i thash dhe pa vonuar shumë, u ndamë. Ai iki për Tropojë,unë vajta në shtëpi i gëzuar për librin më të ri të mikut tim,Asllan Osmanit.

Kam lexuar edhe libra të tjerë nga krijuesi Asllan Osmanaj, si “Makthi”,Apologji fati ”,”Shëmti e risi” etj. por këtë radhë, me librin poetik ”Skaj pa skaj”, sipas bindjes sime,  poeti ka avancuar në çdo kuptim të fjalës  sa i përket artit poetik. Jo se deri me tani nuk  ishte i tillë, por ky libër, me poezi të këtij niveli, ka arritje bashkohore dhe përmbajtjesorë ,ku poeti si rrallë kush, ka ditur të therë në palcë kohën e kaluar  dhe sfidat që po kalojmë tani si shoqëri në këto hapësira. Pra, ky libër me këto poezi, autorin e vendosin në raftet më të larta të bibliotekave  për lexueshmëri.

Duke lexuar librin “Skaj pa skaj”, titull mjaft provokator e filozofik, që nga faqja e parë, ndeshemi me revoltën migjeniane, ku autori nxjerr në sipërfaqe gjithë padrejtësitë, përjetimet e një kohe në ecje pa derëdalje, rrugëve qorre të kësaj bote të verbuar. Për këtë arsye, poeti Asllan Osmanaj, që në poezinë e parë të librit lexuesit i drejtohet si me porosi :

” Ju o lexues të selitur/Pakuptimtës u ngjan ky titull/Këtu rrjedh çiltërsia e shpirtit”.

Një modesti njerëzore dhe krijuese,me specifikat e karakterit individual, apelon që të kuptohet drejt e mirë fjala poetike,duke u prezantuar me mirësi si barazi njerëzore e shoqërore në këto etapa vulgare kohore.  Lexoni këtë madhështi vargu:

” Mes shpirtrave të dëlirë/Ngrihet varri përmendore/Me epitafe hyjnore/Ku frymojnë vargje prore/Kur s’ka varr njeriu të madh/Kur s’ka varr si lypet epitaf?!..”

Për ta lexuar në thellësi dhe kuptuar deri në qartësi një poet mendoj se atë duhet njohur edhe si person, me të gjitha dukuritë që përbëjnë personalitetin e tij. Kokëfortësia, papërkulshmëria, mosserviliteti, janë disa veçori të karakterit personal e intelektual të poetit Asllan Osmanaj, i cili kurrë nuk hamendet të dorëzohet as për vdekje. Prandaj nuk e thotë kot:

”Jetoj se s’kam para për varr”.

Një filozofi e tillë, vjen nga një  shpirt kryeneç, i drejt e i paepur. Pra, është pasqyrë që e personifikon botën personale të një njeriu me karakter të pathyeshëm. Po në këtë bosht jete, fare mirë godet njerëzit  që shtihen engjëj,ndërsa janë maskarenj.:

”Engjëllin e ndyrë me kravatë/Kur s’ja përplasni në surrat/Në këmbë pse po i rrini?!...”

Në librin më të ri poetik ,”Skaj pa skaj”, lexuesi i mirëfilltë e me përvojë, lexon mes vargjeve për ta kërkuar atë që nuk vërehet ,shpirtin e tij, egon e paepur njerëzore . Një poet i cili përjeton kohë të vështira dhe ato i ka ruajtur gjatë në sedrën e tij, në momentin e pëlcitjes, vijnë si një botë tjetër e strehuar brenda vetvetes, ku rrjedha është spontane, por me një forcë me amplituda mahnitëse.

Pra,situatat politike në vazhdim, poetin e kanë lidhur pashmangshëm në krijimtari letrare në tërësi, por në poezi  gjithsesi. Në presione të ndryshme psikologjike, evulon edhe ndjeshmëria, intuita krijuese, poetike.  Nga aspekti historik, gjatë gjitha kohëve, në periudha të ndryshme të pushteteve, poetët (krijuesit) kanë qenë opozita më e fortë brenda një shoqërie. Me krijimtarinë e tyre kanë frymëzuar masën deri në ndryshime raportesh shoqërore.  Për këtë arsye poetët kanë qenë shtresë e ndjekur nga pushtetet sunduese gjatë diktaturave kudo në Evropë e jo vetëm.

Atë që cekem më lartë, lexuesit padyshim se e vërejnë në poezinë e gjatë: ”Krenari e egër” ku poeti shkon “gjak e lak” me “trumykshkëndur” kur poeti Osmani, pamëshirshëm sulmon figura të tilla brenda një shoqërie, duke i quajtur edhe “të çmendur dallkauk dalldi” dhe pozicionohet si i gatshëm për konfliktin e hapur kur thotë:

” Egër përfytem ballafaqe, deri te hiroseni qyqe”.

Te poeti Asllan Osmanaj, kryekëput, vërehen çarje të mëdha raportesh  ku krijohet padrejtësia njerëzore e ku njëherit lëndohet ose privohet nga e drejta e tij njeriu si qenje njerëzore, thyhet egoja shpirtërore. Kjo gamë nuk është vetëm si brengë personale e poetit, por është refleksion i një mendimi të gjerë shoqëror.

Në këso situatash reaksionet e brendshme janë të pa frenuara. Nga ky këndvështrim, kur poeti ngre zërin si individ ,natyrshëm përgjithësohet në shtresa njerëzore, si dalje zot kërkesave kolektive. Padyshim se ngrihet aspekti i një sakrifice personale në emër të humanizmit, për ta luftuar fuqishëm  dogmatizmin shoqërorë .Egoja njerëzore e poetike, me këto elemente ekzistuese në shpirtin e poetit Osmanaj, përbëjnë edhe  karakterin e tij psikologjik, mendimin e pastër për njeriun dhe shoqërinë si tërësi. Ndërsa si filozofi  poetike do thoja, vërejmë mëvetësinë varg-krijues, arsyeshmërinë e të qenit i bashkuar në subkoshiencen njerëzore .Ndërskamca e një jete ndryshe ,të ndrydhur nga shoqëria, ka zanafillën në kohën e ndryshimeve të mëdha në Shqipërinë e  tranzicionit, posaçërisht në vitin rebelimit të masës  në vitin 1997, kur populli u dërmua fort nga ato skena të padëshiruara.  Poeti Osmanaj ,si një intelektual i mirënjohur, dukë bartur edhe gradën e lartë të ushtarakut, duke poseduar kualifikime superiore e shumë kurse të mbaruar, koha e la jashtë loje ,mbeti i papunë, duke bredhur rrugëve të qytetit te Bajram Currit, me gazeta të kohës nënsqetull dhe shpresën prijetare të fatit ,deri te kafshorja e bukës.

Vitet iknin si uji nën urë,ndërsa poeti me një sofër fëmijë,u gjend para shumë sfidave të jetës, deri me imponim te punëve fizike dhe marrjes me bagëti, për të mbijetuar dhe për t’i rritur kalamajtë e tij të dashur.

”Përgjegjësia për vazhdimësinë /Ngarkesë e çmuar për ardhmërinë...”,

thotë poeti Asllan Osmanaj, me pezmin e fshehur brenda.

Mosdorëzimin para sfidave të jetës e thurë akoma më dhimbshëm:

”S’mbete kohë të njoh veten/Nga droja mos dembelosem /Dhe nisem udhës së lehtë/Paditur se në ç’shteg më nxjerr”...

Revolta e fshehur thellë deri në palcë, ku vuajtja psiket, nuk rri e qetë. Ajo vlon edhe pa e pyetur autorin , sepse përzihet me lot e dhimbje. Ja një poezi tejet prekëse ku vërejmë atë poetin e rebeluar pa dashje ,siç cekem më lartë. Poezia ”Mos m’i lexoni poezitë,” është njëra nga ato ku pasqyrohet madhështia e poetit si krijues dhe si personalitet me boten e çuditshme brenda vetës:

“Pas qetësisë së stuhishme /Fshihet dërmimi i dëshirës/Magjia moshore të më laj/Dhe vreri kohor mos më shpërlaj”. Pa koment mbesin këto vargje!.....

Autori i librit ”Skaj pa skaj” Asllan Osmani

Libri poetik “Skaj pa skaj” i poetit Asllan Osmanaj, ka vlera të pakontestueshme  poetiko- letrare, ku lexuesi mund te prehet në kënaqësinë e subjekteve të ndryshme, me rëndësi jetësore që trajton Asllan Osmanaj, me talentin e tij karakteristik. Pos shumë temave në trajtim frymëzues, ai nuk le anash për asnjë moment aspektin familjar, duke ia falur dashurinë ,lavdinë dhe respektin e merituar. Përkushtimet poetike janë mjeshtërore dhe shumë të  valëta e shpirtërore.

Tamam,një kujdestarë (prind) koshient që vuan gjithë jetën për rritjen dhe mirëvajtjen e tyre siç duhet me edukatë të shëndetshme njerëzore e kombëtare.

Është ndër poetët e rrallë  në trojet tona,i cili i kushton shumë kujdes ndërtimit të pastër të vargut poetik, duke përdorur një gjuhë të thekshme e plot neologjizma, të cilat e pasurojnë shumë, jo vetëm poezinë e autorit, por edhe sfondin gjuhësorë në tërësi.

Me aq kujdes i përdor sa të bëjnë të kuptosh se janë gjuhë e metaforës  poetike e jo neologjizma. Këtë do e vlerësojnë edhe lexuesit ,por e mira e gjitha të mirave do ishte që, pasuritë në art, çfarëdo qofshin ato të arrira ,të vlerësohen nga pendët e njerëzve me aftësi diturie, akademik etj....

Krejt në fund tëkëtij shkrimi që nuk di të mbaroi, dua të theksoj se anatomia poetike e poetit tropojanë, Asllan Osmanaj, ka  shkrirë  gjithë përvojën në librin “Skaj pa skaj,” duke i dhënë vlerë e nam vetës dhe  artit poetik .

Gjakovë, 16 shkurt, 2021



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora