E diele, 18.04.2021, 06:52 AM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Njohja nga Izraeli, shqiptarët duhet t’i jenë mirënjohës presidentit Donald Trump

E diele, 07.02.2021, 01:01 PM


Mjerim i politikanëve kosovarë që harrojnë se për njohjen e Kosovës nga Izraeli, Shqiptarët duhet t’i jenë mirënjohës presidentit Donald Trump

Nga Elida Buçpapaj

Më 1 shkurt Kosova dhe Izraeli zyrtarizuan marrëdhëniet diplomatike përmes një ceremonie virtuale nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi ku të dy homologët nënshkruan dokumentin ku shkruhej se Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike.

Pas një periudhe disa vjeçare në një stanjacion të plotë të diplomacisë të Kosovës, falë politikbërjeve krejtësisht të gabuara nga lidërshipi kosovar që vendosi në peshore interesat personale, në 4 shtator 2020, në mes të pandemisë, në mes të Shtëpisë të Bardhë dhe të Zyrës Ovale ku ishin ftuar në nivelet më të larta shtetërore përfaqësuesit politik të Kosovës dhe të Serbisë, Presidenti i SHBA Donald Trump bëri me dije se pas kontakteve të tij personale me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu ishte rënë dakord që Izraeli të njihte shtetin e Kosovës!

Natyrisht kjo njohje ishte një ngjarja më e madhe e kësaj dekade për Kosovën, për nga rëndësia superngjarje për diplomacinë Perëndimore dhe superlajm për shtypin botëror . Që i atribuohej direkt Presidentit Donald Trump.

Nuk mund të mos marrin me mend se për këtë njohje duhet të kenë qënë të interesuara të gjitha administratat Amerikane prej kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, pra nga administrata e presidentit George W.Bush, në administratën e të cilit Kosova u njoh si shtet i pavarur.

Njohja e Kosovës nga Izraeli është një sukses direkt i presidentit të 45-të të SHBA Donald Trump dhe natyrisht kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu.

Njohja e Kosovës nga Izraeli ka rëndësisë e shteve më të fuqishme dhe është një nga shtyllat e fuqishme themelmbajtëse të shtetit të Kosovës.

Janë shumë hebreo-amerikanë që kanë dhënë kontributin e tyre për atë që është arritur sot në Kosovë, emra emblematikë të administratave, politikës të jashtme, diplomacisë dhe të këtij komuniteti në SHBA si Tom Lantos, Madeleine Albright, Wesley Clark, Richard Holbrooke, Elie Wiesel, Johanna Jutta Neumann, Norman Gershman e të tjerë e të tjerë, emra të cilët Kosova duhet t’i ngulë dhe të mos i shqisë kurrë nga memoria e saj historike!

Pikërisht shkak për këtë opinion shërbeu amnezia dhe censura e lidërshipit e diplomacisë kosovare e shqiptare, sepse në të gjitha deklaratat zyrtare të shqiptuara më 1 shkurt 2020 rreth zyrtarizimit të marrëdhënieve midis Izraelit dhe Kosovës pala kosovare shprehu mirënjohjen në mënyrë të gjeneralizuar , kur e ka për detyrim të shprehet në mënyrë eksplicite, se njohja e Kosovës nga Izreali i detyrohet Presidentit Donald Trump i cili në kontakt me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu e arriti këtë sukses madhor!

Periudha 4 vjeçare e presidencës Trump nëse ka qenë e vështirë për shqiptarët, kjo për shkak të kastës me në krye Hashim Thaçin, Edi Ramën, Isa Mustafës and CO të cilët vunë në rrezik integritetin territorial të Kosovës. Kjo kastë në vend që të aktivizonte dhe fuqizonte me figura të reja lobin e mirënjohur shqiptaro-amerikan LQSHA të kryesuar nga ish kongresmeni Republikan Joe DioGuardi afroi tek presidenti Donald Trump njerëzit e Hashim Thaçit, i cili që t’i shpëtonte Hagës ishte i gatshëm ta coptonte Kosovën! Coptimi i Kosovës nuk është fjalë goje, por spiral i ri konflikti.

Kjo është e vërteta, të cilën nuk e shqiptojnë as politikanët e Kosovës, as diplomacia shqiptare dhe as shtypi shqiptar i klientelizuar nga politika e korruptuar.

Shqiptarëve pak duhet t’ju interesojë se cili është President i SHBA, a është Republikan apo Demokrat, sepse për shembull Kosova është një arritje si e presidentëve Republikanë ashtu edhe atyre Demokratë gjithmonë në aleancën Euro-Atlantike dhe të bashkëpunimit të SHBA me BE.

Mjafton të kujtojmë fjalët e ish kongresmenit republikan Joe DioGuardi, që nuk u afrua nga administrata e presidentit Donald Trump, (jam e bindur prej intrigave të shqiptaro-amerikanëve), i cili në 3 nëntor 2020 një ditë para zgjedhjeve në SHBA deklaroi se kësaj here mbështet kandidatin e Demokratëv, por se “Shqiptarët do të kenë miq në Washington D.C. edhe nëse fiton Biden edhe nëse fiton Trump!”

Këto katër vite që lamë pas kanë qenë të vështira edhe për vetë SHBA, (sikur për shqiptarët e gjithë Perëndimin e botën mbarë) nga pandemia Covid 19, nga vrasja e George Floyd, nga protestat Black Lives Matter (BLM), nga vandalizmat ndaj monumenteve e pronës publike e private deri tek sulmi në Kapitol më 6 Janar 2021.

Por nuk është as e para dhe as e fundit herë që Amerika ka zjerë për drejtësi, jo më kot është demokracia më e madhe e botës! Amerika kur bie, ngrihet edhe më lart, gjithmonë falë bipartizanizmit midis Republikanëve dhe Demokratëve dhe anasjelltas.

Mjafton të kujtojmë veprimin e Zvpresidentit Mike Pence më 6 janar të 2021 apo një deklaratë nga Sekretari i Shtetit i sapozgjedhur nga Presidenti i 46-të i SHBA Joe Biden, Antony Blinken, edhe ky me rrënjë hebreje, se “qasja e ashpër të Trump ndaj Kinës,ishte e duhur por taktika e gabuar”.

Ndërsa ne shqiptarët kemi tre detyrime kryesore që duhet t’i përmbushim si strategji kombëtare: t’i jemi mirënjohës SHBA, aleanca me të cilën është jetike, ekzistenciale; së dyti të forcojmë lobin shqiptaro-amerikan në SHBA me personalitete e figura, jo të emëruar nga partitë dhe së treti që është themelore: ta pastrojmë politikën shqiptare, kosovare e maqedone nga kasta e vjetër, kjo gangrenë e korruptuar që është armiku i popullit të vet, sepse i shet interesat e vendit për të përjetësuar pushtetin, duke rrezikuar paqen dhe stabilitetin e rajonit e më gjërë.

Ndërsa urojmë që Presidenti Joe Biden të ndikojë në Vatikan që Papa Françesku të njohë shtetin e pavarur të Kosovës!

Sa më tepër njohje Kosova aq më tepër çlirohet Serbia nga e shkuara e saj!

voal.ch



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora