E diele, 01.08.2021, 03:22 AM (GMT+1)

Intervista » Marku

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sami Repishtin, ish i burgosur politik (I)

E diele, 17.01.2021, 08:00 AM


INTERVISTË ME PROF. DR. SAMI REPISHTIN, ISH I BURGOSUR POLITIK (I)

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

I nderuemi kolegu i im i ri Gëzim Marku:

Kam marrë mesazhin tuej dhe kërkesen për nji intervistë; ju falenderoj përzemërsisht . Jam i kenaqun që tregoni interesim për njoftime sa ma të plota – e të sakta- për probleme historike shqiptare.

Ju kërkoni gjykimin tim të ngjarjeve të së kaluemes sonë jo të largët, dhe akoma të mbetuna ose në errësinën e plotë ose të pa qarta.

Dëshiroj para së gjithash me vue në dukje nji gjykim timin në lidhje me historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, gjykim që kam çfaqë në Parathanjen e vllimit “Kur ‘Skënderbeu’ nuk asht historia e Skënderbeut” punim i profesorit të shquem Ardian Ndreca.

Unë shkrova sa ma poshtë:

“Duhet pohue se në lidhje me historinë e Shqipënisë e të shqiptarëve duhet akoma shumë punë, shumë kujdes dhe nji përgatitje profesionale prej historianit me horizante të gjana. Shumë arkiva janë të pa hulumtueme mirë…Ka mundësi që materialet e ruejtuna në ato arkiva të kenë paragjykime dhe të jenë arbitrare kundrejt Shqipënisë dhe shqiptarëve. Sepse, në fund të fundit, kush ishim ne për ‘osmanllinjtë’ ngadhënjyes? Nji masë ‘infidelësh’ që rezistoi për 25 vjet me rradhë avancimin e hordhive të tyne….”. Nji luftë e përgjakshme për dominimin e Europës….E njajta gja mund te thuhej edhe per arkivat sllave, greke, (e italiane).

Ashtë detyra e historianit të sotëm (ashtu si mund të quheni edhe ju) “…që për arsye të objektivitetit duhet të përqendrohemi në shkrimin e ‘monografive’ tue lanë punën e hartimit të plotë të historisë sonë për ditë ma të vona (kur të ftohen gjakrat!” grupeve të ekspertëve, të instituteteve, qendrave kërkimore serioze të epokave në studim, grupe që urojmë të jenë të çliruem prej ‘elementëve të infektuem’ nga ideologjitë. Kështu, na tregojmë respektin tonë për “këte profesion të vjetër dhe të nderuem”.

Me këte frymë unë do të çfaqë gjykimin tim modest. (Sami Repishti)

__________

U ndjeva i vogël, megjithatë e mora guximin të intervistoj Sami Repishtin, pastaj kur më quajti ‘’koleg’’ u ndjeva edhe më i vogël!

Prof. Dr. Sami Repishti jetoi Monarkinë, Fashizmin, Nazizmin dhe Komunizmin. Jetoi edhe Burgjet dhe Kampet e Komunizmit. Në atdheun i tij, nën regjimin e ri, nuk deshën njerëz të lirë dhe të ditur, por skllevër dhe injorantë. Sami Repishti që në moshën rinore e kuptoi se jeta ka më shumë për të dhënë, përtej ideologjisë kohë-ndaluese dhe vrastare komuniste. Atdheu ynë pothuaj përgjatë historisë u gjend në krahun e gabuar, çdo çlirim çelte ferrat e reja të robërisë.

Akti rebel që pothuajse e vrau e çliroi, njëkohësisht. Si i ri, ai u ndërgjegjësua për rolin e tij, nga dashuria për atdhe dhe etja për liri, një i ri me ndjeshmëri të theksuar, besnik i vetëvetes, i jetës me dinjitet.

Sot, ai është i shqetësuar që ende nuk ka një punë të organizuar për ta shqyer perden e konspiracionit komunist. Ende sot, Shqipëria nuk e ka pranuar fajin publikisht: ajo jeton me një ndërgjegje të rënduar. Kjo gjendje fluide frikëson mendjet e ndritura që kanë përqafuar demokracinë. Në qoftë se vazhdojmë të refuzojmë të përballojmë demonët e së kaluarës, brezat e ardhshëm do të pësojnë rrjedhimet e pashmangshme.

Dr. Repishti ka folur, ka shkruar, ka denoncuar pa kompromis këtë tragjedi që shtrembëron çdo gjë dhe çdo mendim.

Pasiviteti sot mundëson ushtrimin e dhunës kundër të pafajshmit e lejon kryqëzimin e pafajshmërisë!

Zemrat Shqiptare si ajo e Sami Repishtit nuk gjejnë ngushëllim derisa të gjendet një përgjigje!

Sot, ai jeton me shqetësimin se Shqipëria lëkundet në mes të së vjetrës që nuk jep shpirt, dhe së resë pa fuqi për të lindur.

Sot, ai ndjen dashuri për të gjithë, veçanërisht për heronjtë, dëshmorët e viktimat e regjimeve totalitare në Shqipëri, dhe pa urrrejtje për të ata që gabuan dhe ata që u mashtruan.

Repishti është 95-vjeçar, por plot freski natyrale, gjë që ndeshet vetëm tek njerëzit e rrallë, tek zemrat e mëdha shqiptare dhe mendjet e ndritura amerikane.

__________

Prof. Dr. Sami Repishti lindi në Shkodër, Shqipëri, në vitin 1925. Në Shkodër kreu studimet fillore e të mesme. Studimet universitare për histori moderne i filloi në Universitetin e Firences, Itali.

Si student 14 vjeçar ishte aktivizuar në demonstratat e 7 prillit 1939, dhe më vonë në lëvizjen e rezistencës kundër pushtuesit fashist italian dhe nazist gjerman. I zhgënjyer nga propaganda dhe ushtrimi i terrorit masiv komunist, ai mbeti demokrat parimor dhe intelektual jo-konformist. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai humbi babain, viktimë e terrorit fashist, dhe kushërinin, viktimë e terrorit nazist. Që nga viti 1945, me ardhjen e pushtetit diktatorial stalinist, ai u gjend në një situatë që impononte, politikisht e moralisht, marrjen e një qëndrimi patriotik në lëvizjen klandestine anti-komuniste.

Me arrestimin e tij, 22.10.1946 studenti Repishti ishte torturuar egërsisht për 14 muaj; më 27.11.1947, është dënuar me 15 vjet burgim të rëndë, Më 1949, nëna, motra dhe vëllai, të mitur, u internuan në Berat, dhe Veliqot, Tepelenë, viktima të komunizmit.

I liruar nga burgu, 1.7.1956, punëtor krahu i përbuzur dhe i përndjekur, vendosi të arratisej në Jugosllavi, 22.8.1959, duke lënë familjen në gjendje shumë të vështirë.

Si emigrant politik, u mbajt 11 muaj në izolim “incommunicado”, u dërgua në kampin Gerovo, Kroaci, më pas u arratis për në Itali, 1.9.1961. Emigroi në Amerikë, 9.4.1962.

Në Botën e Lirë, refugjati Sami Repishti iu nënshtrua një arsimimi rigoroz, dhe fitoi diplomën B.A. (1964), dhe M.A. (1969) pranë Queens College, dhe Ph.D. Universiteti “La Sorbonne”, Paris, (bursist i qeverisë franceze) dhe Graduate Center of the City University of New York, (French, shkurt 1973).

Për 26 vjet me rradhë ka dhënë mësim në gjimnazet amerikane, kryetar i departamentit për gjuhët e huaja (1974-1990) dhe pedagog i jashtëm pranë Adelphi University, N.Y. (1972-1978).

Dr. Sami Repishti është autor, kryesisht i dy vëllimeve:

“Pika Loti - Tregime burgu” (1997) dhe “Nën hijen e Rozafës - Narrativë e jetueme” (2004), bashkautor dhe publicist me shkrime për problemin e “Shqipërisë Lindore”, Kosova e lirë ishte leitmotivi i jetës së tij.

I aktivizuar në lëmin politik, ai bashkëthemeloi e drejtoi disa organizata shqiptaro-amerikane: prej të cilave ‘’Rinia Shqiptare-Kosovare në Botën e Lirë’’ dhe ‘’Këshilli Kombëtar Shqiptar-Amerikan (N.A.A.C)’’, për shumë vite kanë qenë dy grupimet politike më efektive në emigracion.

Në vitin 1965, ka dëshmuar para Kongresit Amerikan, për probleme kombëtare shqiptare, me lidhje të vazhdueshme me Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë.

Prof. Repishti është dekoruar disa herë nga qeveritë shqiptare, amerikane dhe dardane.

Më gjerësisht mbi  jetën e vështirë dhe botën shumë të pasur të Repishtit do të njiheni gjatë intervistës për Zemra Shqiptare:

GM: Historia e jetës suaj fillon me drama të njëpasnjëshme. Ju lutem,  le të kthehemi pas në kohë. Mund të na flisni për prindërit dhe familjen tuaj… deri në humbjen e babait nga torturat pasi u arrestua nga fashistët…

SR: “Unë vij nga nji familje shkodrane, e zbritun nga katundi Repishti, Malësia e Madhe, Shkodër, rreth vitit 1750. Nga dokumentet arkivore rezulton se të parët janë marrë me tregti.

Në vitin 1878, gjyshi i im Haxhi Jusuf Repishti ka qenë arkëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, anëtar i Këshillit për Shkodrën dhe arkëtar i Lidhjes në Shkodër. Ai ka qenë firmëtar i Memorandumit të Lidhjes drejtue Kryeministrit anglez Lord Disraeli në Kongresin e Berlinit (qershor 1878) ku kërkohet mbrojtja e tokave shqiptare nga sulmet serbo-malazeze e greke.

Baba i im, Hafiz Ibrahim Repishti (1882-1943) ka krye studimet e nalta në Universitetin e Istanbul-Turki për fe e filozofi islame dhe ka qenë vullnetar në rrethimin e Shkodrës nga serbo-malazezët (1912-13). Ka shërbye në administratën e re shqiptare dhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 1923 ashtë zgjedhë deputet i Shkodrës, në nji listë me At Gjergj Fishten, At M. Marlaskaj, Luigj Gurakuqi e tjerë anëtarë të Organizatës “Ora e Maleve”, organizue nga françeskanët në Shkodër.

Ka qenë nji nga organizatorët e “Revolucionit borgjez” të qershorit 1924, dhe në janar 1925 ashtë dënue me vdekje në mungesë nga presidenti i ri Ahmet Zogolli, ma vonë Mbreti Zog I. I amnistuem në nandor 1925, ai ka heqë dorë nga politika dhe ka shërbye si Imam në Shkodër.

Më 1939, ka kundërshtue okupacionin fashist Italian të Shqipërisë dhe ka refuzue ofertën me sherbye si Myfti i Shkodrës. Në Gusht 1943, në nji operacion policor në shtëpinë tonë, ashtë keqtrajtue nga fashistët dhe ka pësue nji krizë hemorragjike në tru. Ka vdekë pak ditë ma vonë (shtator 1943). Baba i im ka qenë nji antikomunist i pakompromis, studjues, patriot aktiv dhe kundërshtar i rregjimit zogist që në fillim deri në fund. Ashtë deklarue “qytetar nderi” i Shkodrës, gjatë viteve të demokracisë.

Nana e ime, Hava Bushati, (1895-1980) vjen nga familja e “Bushatelinjeve” të Shkodrës. Prindët e mi kanë qenë shumë koshient të rritjes sonë me nder e me karakter.

GM: Do të përqëndrohemi tek fëmijëria juaj dhe rinia e hershme. Çfarë kujtoni nga dy dekadat e para të jetës suaj? Si ka qenë rinia juaj?

SR: Familja e ime ka ba nji jetë relativisht të qetë dhe të kushtueme arsimimit të fëmijve, e rritjes sonë normale. Kemi qenë gjashtë fëmijë, dhe të gjithë jemi persekutue nga rregjimi komunist. Në vitin 1946, unë u arrestova dhe u dënova me 15 vjet burg. Në vitin 1949, familja Repishti ashtë internue në Berat dhe ma vonë në Tepelenë për qëndrime antikomuniste . Sot, të gjithë janë të vdekun!

Në këtë pikepamje, unë kam qenë nji fëmij i privilegjuem, megjithëse vorfënia e pergjithëshme e viteve të monarkisë veshtirësoi edhe jetën e familjes sonë.

GM: Fillimi i Kapitullimit të Gjermanisë Naziste ofroi dhe çlirimin e Shqipërisë. Si e vlerësoni luftën çlirimtare të forcave partizane, si dhe një koment të shkurtër mbi rolin e Ballit Kombëtar dhe Legalistëve.

SR: Mbas okupacionit fashist Italian të Shqipërisë, 7 prill 1939, gjendja politike në vend u randue aq shumë sa që humbi qetësia në qytete e katunde të Shqipërisë. Nji detyre e re dhe kamëngulese doli para nesh; ishte nji angazhim politik: çlirimi i atdheut nga i hueji, dhe nji angazhim moral, detyrimi i jonë me sigurue nji jetë të lirë në nji atdhe të lirë për të gjithë qytetarët. Liria e atdheut dhe liria e çdo individi të shoqënisë shqiptare ishin vlera absolute që detyrojshin çdo qytetar me marrë nji qëndrim: luftë kundër okupatorit, ose bashkëpunim me okupatorin. Në nji situatë të këtill nuk ka nji rrugë të mesme, e heshtja ashtë e damëshme. Heshtja para rrezikut ndihmon rrezikun. Moralisht, çdo qytetar duhet të marrë nji qëndrim të caktuem.

Kështu lindi lëvizja politike për luftë kundër okupacionit: “Monarkistët” që reklamojshin kthimin e Mbretit Zog në Shqipëri; “Balli Kombëtar” me frymë dhe inspirim nga demokracia liberale europiane që kërkonte nji Shqipëri republikane demokratike; dhe, “Lëvizja Nacional-Çlirimtare” e organizueme nga elemente me bindje komuniste dhe që luftojshin në fillim, me sigurue të drejtën e veprimit legalisht si ‘parti politike’ mbas çlirimit por që u treguen të organizuem, të disiplinuem dhe të vendosun mos me e nda pushtetin me forcat e tjera të rezistencës. Ajo që duhet theksue, gjithashtu, ashtë metodologjia e Lëvizjes Nac-Çl. që - për mendimin tim - ka qenë jo vetëm e gabueme, por anti-demokratike dhe kriminale. E ushqyeme me propagandë gënjeshtare komuniste, me veprime kriminale që synojshin frikësimin  e popullsisë, kjo “Levizje”pro-komuniste ia doli me eliminue “kundershtarët” që u quejtën padrejtësisht “armiqt e popullit”, vetëm sepse “mendojshin” ndryshe nga komunistët.

Ashtë nji fakt i pamohueshëm se Lëvizja Nac-Cl. e drejtueme nga Partia Komuniste e Shqipërisë (atëherë ilegale dhe pjellë e PK Jugosllave) ka zhvillue nji betejë të pandërpreme kundër okupatoreve italianë dhe gjermane tue fitue kështu përkrahjen e aleateve të medhaj anti-fashistë (SHBA, Angli, Bashkimi Sovjetik).

Në mbarim të L2B forcat nacionaliste - Legaliteti dhe Balli Kombetar - ishin të munduna keq dhe të shpërndame mbrenda e jashtë vendit. Forcat nacionaliste kanë qenë “anti-fashistë” në parim, por në praktikë kanë ndjekë nji taktikë të gabueme: të ruejmë kuadrot tona që do të shërbejnë ditën kur anmiku i jashtëm largohet nga Shqipëria. Gabim strategjik kapital që solli humbjen e tyne…

Unë mendoj se të dy organizatat nacionaliste kanë qenë të drejtueme nga dy patriotë të mëdhaj shqiptar: Abaz Kupi dhe Mit’hat Frashëri, personalitete politike që kanë gëzue respekt të madh në popullsinë shqiptare. Por ata të dy kanë qenë të mbyllun në botën e para Luftës dhe nuk kanë kuptue randësinë e strategjisë moderne të luftës me guerrila dhe të luftës për nji ideologji. Komunistët shqiptarë, të udhëhequn dhe të edukuem nga kuadro komuniste jugosllave përfituen nga kjo eksperiencë. Me nji agjitacion dhe propagandë intensive ata edukuen masat e pa arsimueme shqiptare në rrugën e “luftës per çlirim social”. Kombëtarja ka qenë vetëm nji mbulesë e së vërtetës: revolucioni socialist. Dhe e dyta, organizimi ushtarak i luftës me sistem guerrilesh, i disiplinuem, i ashpër dhe i përqëndruem në duer të elementeve të PKSh.

Ky superioritet tregoi aftësinë e tij në përleshje me grupe vullnetarësh të pa përgatitun ideologjikisht, dhe të udhëhequn nga kuadro të pa përgatituna për gjendjen e re. E reja, fitoi mbi të vjetrën, me gjithë inferioritetin e saj moral e atdhetar. Ndoshta ky përqëndrim i verbët ndaj vullnetit të udhëheqësve dhe me indoktrinim të neglizhuem dha rezultatet e veta katastrofike për grupet nacionaliste, idealiste por  të papërgatituna.

Natyrisht, dominimi i padiskutueshëm jugosllav i PKSH ka qenë nji faktor kryesor i zhvillimit të ngjarjeve kundër interesave shqiptare. Qëndrimi jo miqsor britanik ka ushtrue gjithashtu nji influencë në dam të partive nacionaliste dhe në favor të PKSH.

GM: Ahmet Zogu ishte Kryeministër, President dhe Mbret i Shqipërisë. E humbi përfundimisht pushtetin me largimin nga Shqipëria, në kohën që po pushtoheshim nga Italia fashiste. Kush ishte Zogu për ju?Si ju duken qëndrimet që ndahen sot publikisht për figurën e Zogut?

SR: Po! Ahmet Zogu ka qenë ministër i mbrendshëm në qeverinë e Lushnjës, 1920. Ma vonë kryeministër dhe në Janar 1925 President  i Përjeteshëm i Republikës. Në shtator 1928 u vetëdeklarue mbret trashëgimtar dhe ashtu qëndroi deri në vitin 1939.Vendimi u përkrah nga Parlamenti nji partiak nën urdhnat e tia.

Më 7 prill 1939 ai dhe familja e tij u larguen nga Shqipëria. Ky akt i papritun damtoi randë prestigjin e Mbretit në vend dhe në botën e Jashtëme. Ministri britanik Anthony Eden i tha ambasadorit shqiptar Z. Lec Kurti: “Il a fui comme un lapin” (Ai ka ikë si nji lepur). Ai shkeli vullnetin e popullit për rezistencë, nji qëndrim që nxori heroin Kapter Mujo Ulqinaku dhe afër 14 dëshmorë të tjerë që u vranë në brigjet e Adriatikut, shembuj të shkëlqyeshëm për rezistencë. Fatkeqsia e jonë - e turpi i jonë - ashtë se asnji qeveri shqiptare nuk e ka vue në dukje këtë heroizëm, dhe emnat e deshmorëve. Rregjimi komunist e ka mohue me qëllim politik: me demaskue rregjimin e A. Zogut, dhe mos me nda me të tjerët lavdinë e rezistencës kundër okupatorit. (Hollësi ma të mëdha për këtë periudhë e gjeni në librin  tim ‘’Nën hijen e Rozafës’’, Kap.2,3,4).

Ahmet Zogu I ka qenë pa dyshim inteligjent, dinamik, atdhetar dhe guximtar, mes tjerash. Por ai ka qenë nji ambicioz i pa kufi, mentalitet bajraktarësh që nuk ka kuptue - ose dëshirue me kuptue! - botën europiane të para L2B. Anti-reformist, ai ka qenë i zhytun në mentalitetin anadollak që e ka rritë dhe përgatitë.

Çdo përpjekje për reforma ashtë konsiderue si kërcenim për rregjimin  e tij, dhe nuk ashtë lejue. Veprimtaria e tij mbas largimit nga Shqipëria ka qenë shumë e kufizueme si dhe përkrahja nga vendet europiane. Nuk ka pasë aleatë të afërm me e këshillue dhe ka qëndrue “i mbyllun” në botën e tij. Egjipti e Franca ku ka banue në pritje të nji kthimi në Tiranë, nuk e kanë përkrahë.

GM: Në një botë normale çlirimi është diçka jashtëzakonisht e madhe, por një pjesë e elitës intelektuale të kohës, komunizëm-njohës, ishin dyshues për të ardhmen e Shqipërisë. Ju, një djalë 19-vjeçar, si e pritët çlirimin?

SR: Komunizmi në vitet 1939-45 ka qenë nji magnet shumë tërheqës. Arsyeja: sepse pak persona lejoheshin me shkue në Bashkimin Sovijetik dhe me pa me sytë e tyne realitetin sovietik: vorfëni e përgjithshme, shtypje e pa ndërpreme, dhe asgjasimi i çdo vlere njerëzore që gëzohej në pjesen ma të madhe të Europës. Komunizmi premtonte "çlirim të plotë dhe të shpejtë të të gjithë atyne që vuejnë" premtonte paqe të përbotëshme kur popujt do të jetojshin si vëllau me vëlla, dhe se kështu eliminohej mundësia e nji lufte të përgjakëshme në mes popujve. Për të rinjt që rrezikoheshin me shkue në ushtri dhe me luftue për nji kauzë që nuk pranojshin ishte me vdekë pa kuptim.

Shumë të rinj të edukuem në Europën perëndimore ju ekzpozuen propagandës intensive sovjetike dhe përkrahen elementin komunist me u zhvillue në vende të ndryshme, ashtu edhe në Shqipëri. Por vendi i ynë ishte i vorfën, i mbrapambetun dhe nuk kishte "demkracinë" e vërtetë. Shqipëria e jugut ishte nën sundimin e bejlereve latifondista që ruejshin zakonet dhe mënyren e jetësës medievale. Aty propaganda komuniste pati ma shumë sukses. Në Veri, komunistët mbetën nji grup i vogël i izoluem dhe pa përkrahje popullore. Nga kjo u krijue Levizja  Nacionial-Çlirimtare në Jugun e vendit dhe nga aty u përhap edhe në Veri, por  pa entuziazëm. Veriu, praktikisht, u "okupue " nga forcat e armatosuna të ardhuna nga Jugu, nji fenomen që nuk u harrue kurr nga veriorët, dhe që shkaktoi ndamjen e kombit tonë në dy kampe të papajtueshme... nji zhvillim fatkeq rrjedhimet e të cilit i pesojmë akoma edhe sot.

Unë isha 14 vjeçar kur u okupue vendi nga Italia fashiste, dhe si student u hodha pa mendue shumë në lëvizjen kundër okupatorit, tue rrezikue jetën. Por gjatë takimeve me "shokët komunistë" të organizuem dhe të instruktuem mirë nga "shokët jugosllavë" kuptova herët dy qëllime të tyne: e para, vendosjen e nji diktature komuniste në Shqipëri, dhe e dyta kambënguljen e tyne për nji bashkim me Jugosllavinë  e Titos. Në Konferencën e Bujanit (1943-44) Sadik Bekteshi, komandant Brigade deklaroi haptas:" Që nga Beogradi deri në Gjirokastër ashtë vetëm nji vend. S’ka ma kufij e parulla të këtilla dhe me formimin e Partisë Komuniste Jugosllave për Krahinën e Kosovës, doli qartë në shesh synimi i jugosllavëve që jo vetëm të mos riparojë padrejtësinë e bame në Kosovë, por animin e tyne me krijue nji Konfederacion Ballkanik nën drejtimin e Jugosllavisë së "Mareshallit Tito".

Zhvillime të këtilla  me zgjuen ndërgjegjen time kombëtare dhe unë mora drejtimin e ndershëm, me gjithëse viktimë. Sot jam kryenaltë që në moshën 19 vjeçare mora nji qëndrim të premë antikomunist, dhe pranova të gjitha vuejtjet e mia e të familjes sime që u detyruem me pësue deri në fund të komunizmit.

GM: Fragmente jetësore. Si ishte jeta juaj dhe e familjes suaj nga viti 1944 deri më 1946?

SR: Gjatë këtyne dy viteve, familja e ime ka qenë në nji gjendje të veshtirë emocionale dhe ekonomike. Baba i im u torturue nga policia fashiste dhe vdiq në shtator 1944. Ai ishte kryefamijari. Nana e ime, bashkë me 4 fëmij mbeti në duart e mia, pa eksperiencë në jetë. Unë posa isha kthye nga Universiteti i Firenze-s  mbasi përfundova vitin e parë. Nuk gjejshe punë dhe veshtirësia u rrit edhe ma shumë. Në shkurt 1945, u thirra me shërbye në administratë dhe u caktova në Zyrën e Rindërtimit (Punëve Botore) ku punova deri në ditën e arrestimit më 22 tetor 1946. Mbas asaj date familja e ime ka kalue nji periudhë të gjatë vështirsishë tue përfshi edhe internimin në kampet e Beratit dhe Tepelenës, dhe ka mbetë në duert e vëllaut 14  vjeçar, i detyruem me punue në kondita shumë të vështira.

Mbas arratisjes sime më 22 gusht 1959, dhe emigrimit në Amerikë, qeveria komuniste nuk lejonte me ndihmue familjet tona. Kjo më ka shkaktue dhimbje të madhe dhe mungesë qetësie shpirtënore.

GM: Ikën fashistët, e fituam lirinë nga nazistët dhe e humbëm përsëri. Këtë herë lirinë na e morën shqiptarët komunistë. Si filloi lufta e Sami Repishtit kundër ‘’pushtetit popullor’’?

SR: Kundërshtimi im i epokës komuniste ka fillue para hymjes së komunistëve në qytetet e vendit. Në shkurt 1942, unë kam përballue nji episod që më rrezikoi jetën. Nga mbledhjet e zakonshme të studentve kundër okupatorit (në Liceun At Gjergj Fishta) unë u ftova me marrë pjesë në nji “mbledhje organizative” pa përcaktim.

Shkova tue besue “shokët” e klasës. Ajo mbledhje kishte randësi të jashtëzakonshme sepse po krijohej organizata e të rinjëve komuniste në Shkodër. Pak minuta mbas arritjes, hyni në dhomë nji djalosh i ri, energjik dhe i armatosun mirë, shoqënuem  edhe nga nji rojar i armatosun. Na u ngritëm në kambë. Delegati shkarkoi nji revolver e dy granata dore në tryezë. Mbas ketij gjesti, ai filloi: ’Shok ë, si e kemi zakon ne komunistët do të flasim për situatën e jashtme dhe të mbrendshme të vendit, dhe mandej  do të fillojmë diskutimet…

Unë u gjeta i pa përgatitun, dhe u frikësova se mos po hyj në nji situate kritike që nuk dëshirojshe. E ndërpreva:

“Shok, i thashë, ashtë kjo nji mbledhje komuniste?

Po, tha ai. Pse nuk e dijshe?

Jo!, u përgjegja unë.

Le të ngrihet në kambë shoku që e ka prue këtu këtë shok”

Nji shok i im u ngrit; Folësi e qortoi: “Ke ba gabim të madh shok”, i tha. Dhe tue mu drejtue tha: “Shok mund të rrijsh këtu, ose të shkosh.

“Due të shkoj” u përgjigja.

“Mirë” tha ai. U ngrita e dola. Që nga ajo ditë unë nuk kam pranue me marrë pjesë në mbledhje të mshehta, dhe komunistët nuk më kanë thirrë asnji herë. E kështu mbetëm deri në nandor 1944.

Sigurisht, kisha frikë se mos më vrasin mbas kurrizit gjatë gjithë kësaj kohe, por nuk doli ashtu. (Ma vonë kuptova se “delegati” ka qenë Qemal Stafa, vra me 5 maj 1942.

Kjo ashtë në esencë përgjigjja e pyetjes suej.

GM: Pas arrestimit, më 22 tetor 1946, jeni mbajtur për 14 muaj në hetuesi. Mund të dimë më shumë mbi egërsinë komuniste, mbi ndonjë ‘’sigurims’’ të mundshëm, si dhe kush ishte hetuesi?

SR: Egërsia e  hetuesve komunistë ashtë e papërshkrueshme. Jam arrestue me 22 tetor 1946 në zyrën e punës (Seksioni i Rindërtimit), ora 5 mbasdreke. Binte nji shi i fortë, i shoqnuem nga nji roje me automatik kaluem rrugët e qytetit deri sa arritëm në Seksionin e Sigurimit Shkodër. Vetëm pesë minuta ma vonë, ish Majori Zoi Themei, shef i Seksionit, më mori në pyetje. Ishin prezent 5 oficerë të tjerë. Më bani tri pyetje nëse njihsha disa ta arrestuem. Unë u pergjegja: “Jo”! Ai më shau nanën dhe me gjuejti me nji zil tryeze që më kaloi pranë veshit. “Do të shohim ma vonë”, - më tha.

Nji orë ma vonë, më mori në pyetje kapiten Lefter Lakrori, i cili më pyeti nëse njihshe nji të burgosun, që unë nuk e  njihshe. Ai pa folë fare filloi të më dërmojë me drue për disa minuta e me grushta e shkelma, sidomos ne veshkët… Kuptova që jam në rrezik. Kërkova leje me shkue në nevojtore, ai me dha nji shplakë e me ndezi fytyrën. I foli rojes, urdhnoi që “personi” të vij para meje, por unë nuk e njihsha, kurse dëshmitari i rrejshëm deklaronte se kishte pasë lidhje me mue në veprime anit-pushtet. Unë mohova. Oficeri u “zemrue” mori aparatin telefonik, me preu pantallonet me thikë, dhe lidhi telat për organet seksuale. Korrenti më tronditi shumë sidomos korrentet e para. Unë bërtita dhe përseritshe se nuk e njoh personin. Oficeri zemrohej dhe betohej se do të nxirte në shesh të vërtetën, ndërsa korenti dhe druni nuk pushojshin. Ma në fund, unë humba ndjenjat. Më kujtohet se më morën për krahësh dhe më hodhën në nji qeli të ftohtë dhe të lagët. Ishte mjaft ftohtë në atë fundtetori në errësinë, por unë u qetësova dhe nga lodhja më zu gjumi. Rreth mesnatës, dera u hap, roja më nxori nga qelia dhe më pruni në zyrë ku më priste kapitan Lakrori, dhe dy oficerë të tjerë. Nuk dijshe se torturat e vërteta baheshin gjatë natës larg nga syni dhe veshi i popullsisë. Filloi hetimi, tortura dhe me shkelma e grushte më dërmoi fare, por unë rezistova se nuk e njoh personin që deshmonte. Ma në fund, më kthyen përsëri në qeli.

Për afër 14 muej, vazhdoi ky trajtim, me pushime kur unë dobësohesha shumë. Nga vuetjet e vazhdueshme, në momente kritike, pranova disa nga akuzat nga frika e vdekjes në torturë. Ma në fund me detyruen me firmue nji “proces” të mbushun me gënjeshtra që unë nuk kishe thanë. Pak ditë ma vonë, u gjykova në bazë të procesit dhe mohojshe akuzën, Krytari i Gjykates (Major Banushi) me thoshte: “e ke në proces, mos e moho!’ Kjo tragji-komedi zgjati vetëm nji ditë: 22 persona dolën para Gjyqit.  Prokurori terfellonte nga zemrimi. (Kapitan Namik Qemali). Të nesërmen u mbajt séanca e gjykimit. 9 persona u dënuen me vdekje; unë mora 15 vjet burg të randë e punë të detyrueshme.

Jam lirue nga burgu dhjete vjet ma vonë. Përshtypjet e mia janë të shumëta dhe i kam spjegue pjesërisht në librin tim “Nën hijen e Rozafës”.

Por, ajo që nuk harroj kanë qenë egërsia e oficerave, mbrapshtia e rojeve që banë çdo gja me na vështirsue jetën në qeli, detyrimi i të burgosuneve me pranue faje jo të kryeme, dhe urrejtja e pafund për të gjithë ne si “armiq të popullit”, sidomos intelektualët me arsim në universitete europiane, dhe kleri katolik, nji fortesë e rezistencës antikomuniste.

Në qeli, para gjykimit vdiqën shumë të akuzuem për faje që nuk i kishin ba.

GM: Erdhi dënimi komunisto-politik! 15 vjet heqje lirie, nga të cilat vuajtët 10 vite (1946-1956), në Burgun e Madh të Shkodrës si dhe në Kampet e Punës së Detyruar në Korçë dhe Kavajë. Mund të dimë kush ishte gjyqtari dhe si do i përshkruanit këto vite të jetës suaj, paharruar dhe Kampet, për të cilat nostalgjikët apo gjysëm nostalgjikët e diktaturës nuk ndajnë dhe aq mendime negative?

SR:  Sistemi komunist shihte çdo qytetar si nji vegël pune të detyrueshme. Prandej filloi punimet në zonat ma të vështira me të burgosun politik. Kampi i parë (1948) ka qenë Bedeni i Kavajes ku afër 800 të burgosun nga Shkodra, Vlora e Korça u torturuen pa mëshirë dhe u shfrytëzuen me punë në kondita jashtëzakonisht të vështira.

Komandanti Toger Haxhi Pela, nga Myzeqeja, ishte nji bishë me fytyrë njeriu. Për tri vjet kemi punue gjashtë-shtatë muej dhe jemi kthye në burg. Në vitin 1951 jemi dërgue në kampin e Myzeqesë dhe nuk jemi kthye përsëri në burg. Jam lirue në vitin 1956 nga aerodromi i Tiranës që na e ndertuem me krahët tonë dhe kamxhikun e kuq nga gjakui trupave tonë. Kam harreu emnat e oficerave të Sigurimit... fatkeqsisht.

GM: Cilët janë disa nga bashkëvuajtësit për të cilët ruani respekt?

SR: Nga bashkëvuejtesit e mi që respektoj  janë të shumtë. Ka nga ata që kanë tregue heroizëm, dhe janë shumë. Veçanërisht kleri i të dy feve, por ma randë se askush, ka vuejtë kleri katolik shqiptar: i vendosun me mbrojtë fenë e Kishen deri në martirizim. Kam njohë shumë prej tyne, sidomos në kamp,  sepse në burg nuk kanë lejue me kontakue klerikët.

Por unë kam shumë respekt për shokët e grupit. Ne nandor 1945 kemi formue Organizatën e  Rinisë Demokratike dhe kemi ba aktivitet me diskreditue zgjedhjet e 2 nandorit 1945. Përveç kësaj, kemi pergaititë nji Memorandum për nji deputet anglez ku kemi spjegue dredhitë e qeverisë komuniste të Tiranës me vjedhë votat. Unë e kam përkthye frengjisht. Keto shokë u arrestuen ma vonë. Kryetari i jonë Ingj. Fahri Rusi u pushkatue. Të tjerët, farmacisti Elez Trashani, disenjatori Ndoc Gjoka, grueja e tij Matildë Gjoka, infermiere, të rijtë Qamil Nikshiqi, Man Qehaja, Sami Repishti u arrestuen dhe u dënuen më shumë vite burgu. Por qendresa e jonë dhe lidhjet e forcueme në burg, janë material për krenarinë time edhe sot.

GM: Si ishte jeta juaj pas daljes nga burgu?

SR: Mbas daljes nga burgu kam pasë nji mik: librin që nuk mu hoq nga dora. Punova gjatë ditës 8 plus orë punë në kanale e në ndërtime, dhe mbramjen e ditën e dielle, tue lexue. Mësova anglishten - gjuha që më duhej për të ardhmen, përmirësova frengjishten dhe italishten. Kujdesi për familjen ishte kryesor, sepse ishe i vetmi person qe i mbante të gjallë... me bukë nga djersa e ime.

Vazhdon...



(Vota: 266 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora