Kulturë
Juliana Troci: Violinçeli
E marte, 24.11.2020, 07:33 PM
Violinçeli
Nga
Juliana Troci
Ajo
mbylli sytë teksa ndjeu violinat t’i drithëronin shpirtin. Përkundej me to duke
fiksuar ato imazhe duarsh femërore që përkëdhelnin apo ngacmonin ethshëm telat
e shtrirë si linjat e një jete…
Dukej
se çdonjëri në atë sallë kishte diçka të veten aty: një kujtim, një mbresë, një
copëz jetë, një çast të paharruar që zgjonte buzëqeshje dhe mall sa herë prekej
lehtë në kujtesë…
Dhe
tingujt vazhdonin; ata vinin ëmbël e më pas lartoheshin bashkë me rrahjet e
shtuara të zemrës e mornicat nëpër trup. Shumë prej dëgjuesve qendronin
symbyllur, duke u përpjekur t’i rrëmbenin, t’i përjetonin e t’i mbanin
përjetësisht brenda vetes ata tinguj.
Të
tjerët vështronin ngultas orkestrën që ekzekutonte; ndiqnin çdo lëvizje, çdo
emocion të vetë këtyre njerëzve që luanin duke përkundur kokën lehtë sa
majtas-djathtas, të përkushtuar tërësisht aty, madje deri edhe në buzët e tyre
dukej se i lexoje ato nota ndërkohë që interpretonin.
Shumë
prej dëgjuesve ishin armiq të përhershëm të asaj salle. Ata njihnin çdo pjesë
të ekzekutuar aty, çdo triumf. Dokumentarë të gjallë të dhjetra e dhjetra
kompozimeve, diskutonin gjithëmonë pas çdo koncerti, duke krahasuar atë të
fundit me të mëparshmit.
Por,
gjithesesi, më të përfolurat mbeteshin ato që kishin lënë më tepër e më thellë
gjurmë në zemrat e këtyre njerëzve, dhe pjesët e tij qendronin gjithmonë në
Tryezën e Arisrtikracisë, përfaqësues të denjë të asaj që arrin të krijojë e të
përcjellë nota.
Këta
njerëz mendonin se ky njeri kaq i njohur e po aq misterioz, ruante një të
fshehtë. Nuk mund të ishte vetëm talenti, guximi dhe shpirti i tij krijues.
Diçka fshihte ky njeri. Në kaq e kaq vite triumfesh e arritjesh, ata njihnin
vetëm krijesën e tij, e fare pak atë: kush ishte ai, përse kaq shumë rezerva…
E
megjithëse ky mendim i impenjonte gjatë, së fundmi mjaftoheshin me aq sa u
kishte dhënë ai, duke menduar se ky njeri ishte po aq i mrekullueshëm sa edhe
notat e tij.
Dhe
në çastet që po flasim, ata e kishin harruar atë dhe vazhdonin të qendronin
symbyllur, ashtu si fëmija që shijon qumështinë e jetës prej gjijve të nënës,
ashtu dhe ata përjetonin harmoninë plot mrekulli të notave që dilnin nga
shpirti i tij. Të tjerët, ata që vinin për të disatën herë, qendronin ulur në
vendet e tyre, mu si nxënësit në bankat e shkollës kur përqendrohen pas fjalëve
të mësuesit e përpiqen të përthithin sa më shumë…
Dhe
të tjerë akoma, që ishin të pranishëm për herë të parë, dëgjonin të qetë e të
kënaqur. Kur mendonin që ishin aty e jo diku tjetër, duke bërë diçka të
zakonshme për ta, i shihje të buzëqeshnin lehtë…
Koha
marshonte drejt fundit të koncertit. Salla ushtonte e gjitha nga ajo mrekulli
tingujsh: violin plot hire, pianoja që buzëqeshte, trombat e sigurta, trili
endacak, violinçeli plot magji në çdo hap. Çdo spektator në vendin e vet ndihej
kaq rehat, pavarsisht nga ç’mendime e problem mund të kishte patur në mendje më
parë. Çdo tingull i ledhatonte zemrën apo i ngacmonte thellë atë; ata e ndiqnin
pas, përhumbur krejtësisht pas tij…
Vetëm
ai qendronte i ftohtë dhe, si përherë, ishte i vemendshëm për gjithçka: çdo
reagim, çdo lëvizje dhe çdo shikim dukej se reflektohej tek ai, ashtu sikurse
dhe tingujt e tij pushtonin çdo mendje dhe mbushnin çdo shpirt.
Qendronte
pa lëvizur në karrigen e tij, i sigurtë si për herë. Sytë e tij ishin kaq të
kthjellët e kaq të trishtë. Pas çdo koncerti ai mbyllej në dhomën e vet,
vështronte partiturën dhe pyeste veten:
-
Çfarë mungonte ende? Përse s’arrij ta gjej…përse?! Një jetë të tërë që merrem
me muzikë, ku janë ata tinguj që kërkoj, ku ka humbur ajo harmoni-delir i
mendjes së lodhur…?
E
teksa harqet vallëzonin magjishëm, ndjeu dy buzë mbi faqe, lehtë. Ah, e
adhuronte gjithë atë mirësi…
-E
mrekullueshme babi, si përherë! Përgëzime! Të kam shumë xhanë! Duhet të shkoj
tani, kam takim në fakultet.
-Mirupafshim,
e shtrenjta ime, - pëshpëriti ai teksa ia mori dorën e brishtë e ia vendosi
pranë zemrës. Ajo e vështroi plot ëmbëlsi dhe u largua, ndërsa ai ktheu kokën
duke e ndjekur me sy, deri sa ajo u zhduk si një engjëll mëngjesi që lë pas
dritën e vet. Ai fëmijë ishte gjithçka kishte në botë, dhe notat e tij e kishin
ndjekur kudo, që nga hapat e parë deri në pavdekësi. Nuk mund të jetonte pa të,
pa buzëqeshjen e saj, pa sytë plot dritë, pa zërin e ëmbël si një tingull i
brishtë, ishte gjëja më e shtrenjtë që kishte në jetë.
Muzika
vazhdonte. Harmoni tingujsh përkundnin lehtë dëshirat-sunduese
Legjitime
të ambjentit përrreth. Dhe dalëngadalë, frymëmarrja shpeshtohet, mornicat
fillon dhe e i ndien kudo nëpër trup; ndihesh keq në ankth nën një emocion që
rritet në vazhdim, deri sa shpërthen në një të qeshur marrëzie e kërkon të
ngopesh me ajër, i kthjellët në pafundësi…
Pas
një pause të shkurtër, salla shpërtheu në duartrokitje. Dukej se në sytë e tyre
kishte falenderime të pafundme për gjithë këtë. Kjo ishte si përherë mbyllja
triumfuese e asaj çfarë krijonte ai. Vazhdon…
Ese e shkeputur nga libri Violinçeli i autores Juliana
(Saliasi) Troci