Mendime
Dukagjin Hata: Xhemal Seit Çera, mësuesi model dhe demokrati qëndrestar
E diele, 08.11.2020, 12:07 PM
Xhemal Seit Çera, mësuesi model dhe demokrati qëndrestar…
Nga
Dukagjin HATA
Kur
kërkon gjurmët e disa njerëzve, të cilët i ke njohur në rrethana të pazakonta
dhe me të cilët ke ndarë një pjesë të kohës dhe të ëndrrave, shpesh gjurmët e
kujtesës humbasin në shtjella të forta emocionesh,pasi bashkë me këto gjurmë
vijnë e të përmbytyn nga brenda kujtimet e një epoke të ikur me vrull e ngut në
një kohë të pakthyeshme. Kështu po më ngjet teksa po shkruaj këto radhë për një
mësues të vjetër, për një bashkëluftëtar, për një mik, për një demokrat
qëndretstar, për një njeri me një komunkim aq të ngrohtë, Xhemal Seit Çera. Me
emrin e këtij njeriu të thjeshtë dhe me virtyte të çmuara, lidhet historia e
arsimit në një trevë të etur për dije dhe kulturë, siç është zona e Sllovës dhe
Ujëemujës, ku ai shërbeu me me pasion e përkushtim, duke mbetur një figurë e
dashur për brezat e nxënësve, të cilëve iu ka dhënë mësim dhe mjaft syresh sot
janë pjesë e armatës së madhe të intelektualëve të njohur, biznesmenëve të
suksesshëm, njerëzve me vlera për shoqërinë.
Tashti
në moshën e pleqërisë së thellë kur sapo ka mbushur plot 87 vjeç, (lindi në
Trojak të Dibrës më 7 nëntor 1932), vlerat e një njeriu me botë të pasur
shpirtërore, me zgjuarsi dhe fisnikëri, dalin më në pah, bëhen më të afërta dhe
të prekshme. Ky afinitet me njerëzit, kjo botë e pasur shpirtërore, ky mesazh,
kjo psikologji mendimi e veprimi, e ka bërë Xhemalin të verifijojë çdo gjurmë
të jetës së tij, të ecë në rrugë qofshin dhe të vështira njerëzore, mjafton që
të jenë rrugë të drejta dhe që të çojnë tek e vërteta, tek dashuria për punën
dhe njerëzit, komunikimi i ngrohtë, çiltërsia, humnanizmi, profesionalizmi, të
cilat kanë qenë dhe mbeten motivet shtytëse të jetës së tij prej mësuesi e
demokrati të përkushtuar.
Ishte
fillimi i viteve ’90, vite që erdhën me rrebeshe dhe shpresa të mëdha për njerëzit,
duke bërë që gjithkush të shihte një tufëz dritë në tunelin e errët të një kohe
vrastare.
Në
Dibër, era e ndryshimit zakonisht vjen me vonesë, por kjo puhi që po shkundte
pluhurin e një epoke të trishtë, po vinte me shpejtësi, duke tallazitur ndjenja
dhe mendësi njerëzore.
Sllova,
me tallazitjen e një graviteti emocional të epërm, na dukej si qendra e Botës,
edhe pse aty nuk gjallonte thuajse asgjë, përveç dy tre klubeve ku pihej kafe e
raki dhe zhurmënajës së fjalëve pa fund, që endeshin në një thashethemnajë të
trishtë…
Ishim
një grup shokësh, të brezave të ndryshëm, që përqafuam të parët idenë e
ndryshimit, në rrethana teje të vështira dhe nën një survejim të rreptë të
strukturave të sigurimit, që ende mbijetonin dhe qenë bërë më të egra e brutale
se kurrënjiherë më parë.
Një
ndër të parët që iu bashkua grupit tonë të demokratëve ishte Xhemal Seit Çera,
mësuesi i palodhur i atyre viteve, që me përkushtimin dhe dashurinë e tij për
punën fisnike të arsimtarit, edukoi breza të tërë, duke iu dhënë jo vetëm dije,
por mbi të gjithë dashurinë për krahinën tonë, për historinë dhe përditshmërinë
e saj të trazuar…
Në
gjithçka ishte korrekt, me sedër, me dashuri për njerëzit, me një shpirt
kundërshtimi të lindur ndaj çdo lloj padrejtësie, që ushqente ajo kohë e pa
kohë, kur njerëzit siteshin imët në sitën ideologjike dhe më shumë se vlerat
dhe cilësitë e karakterit, çmohej hipokrizia dhe dyfytyrësia.
Xhemali
ishte dhe mbeti një njeri i ndershëm, me shpirt të pastër dhe zemër të çiltër,
trim dhe kurajoz, për t’ia thënë gjithëkujt të vërtetën në sy, edhe kur ajo
mund t’i shkaktoj tjetrit plagë dhe të trishton…
Xhemal
Çera, tani në këtë moshë të thyer ka se për çfarë të krenohet, për fëmijët që i
ka rritur me nder dhe dinjitet dhe që me sjelljen e tyre në jetë e kanë bërë që
ta mbajë kokën lart, për nipërit dhe mbesat që e rrethojnë me dashuri, për
brezat e nxënësve që nuk e kanë harruar dhe shfrytëzojnë çdo rast për t’i
shprehur respektin dhe mirënjohjen e tyre.
Gjithëkush
që merr penën për të shkruar dhe që kërkon një model jete të jetuar bukur, që
lyp gjurmët e një jete me dinjitet e fisnikëri, mund ta gjejë atë tek ky mësues
pasionant, në zemrën e të cilit buron dashuria për brezat dhe kohët e dijes,
etja për mirësi e drejtësi njerëzore.
Tek
ai mishërohet shpirti i ngrohtë i një njeriu të gjendshëm, një mësuesi model,
që në çdo hap të tij ka lënë gjurmë të mira në çdo kohë.
I
urojmë Xhemalit edhe 100 vite jetë të lumtur, me dashuri e fisnikëri, si në çdo
hap të jetës së deritanishme, për të mirën e tij, të familjes së tij, të
farefisit, të fshatit Trojak, Sllovës e Ujëemujës, ku gjurmët e tij në jetë do
të mbeten të pashlyeshme për brezat…