Vërtetësi
Agron Tufa: Shkëlqimi verbues i ''cigares'' dhe qefini i tymit të tij
E enjte, 24.09.2020, 08:36 PM
SHKËLQIMI VERBUES I “CIGARES” DHE QEFINI I TYMIT TË TIJ
Nga
Agron Tufa
I
Duket
se kazanët me plehra më toksike të historisë komuniste përcaktojnë tashmë
nivelin dhe cilësinë e demokracisë shqiptare, cilësinë e lirisë sonë dhe
rrjedhimisht, aspiratat tona për të ardhmen. Si qe e mundur që dolën nga bimsat
më të flligështa këto personazhë të errët? Këto ditë sërish flitet për atë
“shpesëri nate” që vjen nga e kaluara dhe sundon jetën tonë. Flitet për
“Cigaren” me shpotitë e merituara, për “Yllin” e për fantazma të tjera të
komunizmit. E keqja është se ata nuk janë fantazma, por pushtete reale, vampirë
që realisht po i thithin gjakun atdheut tonë të drobitur, duke i kallur në gjak
ndotjet dhe helmin që shpërndajnë. Është e papërfytyrueshme, për shembull,
karriera e “Cigares” në demokraci. Për ata që nuk e dinë se kush është “Cigarja”,
po ua heqim merakun: është kreu më i lartë i një pushteti legjislativ për një
republikë, ndryshe – krytari i Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, shoku
Gramoz Ruçi. Mbase shumëkush e di faktin, se Ruçi ka qenë ministri i fundit i
Ministrisë së Punëve të Brendshmë të diktaturës komuniste mbi të cilin rëndon
urdhëri i vrasjes së katër heronjve të demoracisë me 2 prill 1991 para godinës
së Komitetit të PPSH në Shkodër. I bie që të ketë qenë dhe ministri i fundit i
brendshëm i diktaturave komuniste në krejt Europën Qëndrore dhe Lindore. Por jo
vetëm që nuk u ndëshkua për krimet e tij, po përkundrazi, bëri karrierën më të
paimagjinueshme për këto 30 vite “demokraci”, deri në Olympin e Parlamentit
sot! A ka delir më të madh e më të sëmurë se ky? Epo i lumtë…!
Por,
për ata që nuk e dinë, duhet shtuar dhe ky fakt, që shoku Gramoz Ruçi ka qenë
edhe spiun, informator i Sigurimit të shtetit gjatë kohës kur ka qenë arsimtar
në Tepelenë. Ai është rekrutuar me 3 nëntor të vitit 1975 dhe duhet të jetë
çaktivizuar me pranimin anëtar i PPSH me 1979, derisa bëhet dhe Kryetar i
Komitetit të PPSH të Tepelenës. Kuptohet dhe nuk është aspak çudi, që gjithë
tejngopja e institucioneve më të larta të shtetit me ish-oficerët e lartë të
Sgurimit është bërë nga një i ngjashëm, koleg e ish bashkpunëtor i tyre. Mos u
habitni. Të luftosh e të denoncosh krimet e komunizmit dhe dominimin e
Sigurimit në institucione, për t’ia raportuar shokut Gramoz dhe vëllezërve të
tij të Sigurimit, thoni si të doni, është akt kuraje, por dhe rreziku, për sa
dihet, se meqë ai vetë i ka sjellë dhe i ka riveshur me pushtete të larta, nuk
e ka aspak problem të t’i ndërsejë, të të bëjnë gjëmën. Dhe shko pastaj ti e
ankohu në Policinë e shokut Gramoz, në Drejtësinë me gjykatat dhe prokurorinë e
shokut Gramoz e mallko mandej gjithçka për fatkeqësinë… Si do të ishin sjellë
vallë institucionet demokratike të Europës me një ekzemplar të tillë? Por ajo
që më trondit është fakti i paabstragueshëm, që në Shqipëri ekziston një
institucion që përgjigjet për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSH): a ka
marrë mundimin vallë ky institucion që t’i denoncojë publikisht në rrugë
zyrtare dhe në media këto implikime me Sigurimin të “Cigarës”, “Yllit” (Servet
Pëllumbi) e të tjerëve? Sepse ai është bash thelbi i punës së tyre për të cilin
paguajmë taksa dhe jo dosjet e dhëna nën dorë të shkrimtarëve klasikë
antikomunistë shqiptarë për t’i manipuluar. Nëse ankohen me faktin se dosjet
për këta levendë e azganë të tmerrit komunist janë zhdukur (që ka mjaft gjasë),
atëherë në dijeninë time AIDSSH ka nën administrim edhe fondin e dosjeve të
Komisionit “Mezini”, prej të cilit është marrë dhe ky dokument i mëposhtëm, i
cili ka dhe pseudonime të tjera, përveç "Cigares".
Mënyrën
se si mbijetuan “Cigarja”, “Ylli” e të tjerë na sqaron skrupulozisht studiuesi
dhe arkivisti Kastriot Dervishi në një prej postimeve të tij më të çmuara që
meriton t’i referohesh sa herë flitet mbi këtë temë:
Ligje
për njerëz të veçantë dhe jo për kategori njerëzish
Ligji
nr.8043, datë 30.11.1995 "Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe
personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”, pësoi
ndryshimin më të madh me ligjin nr.8220, datë 13.5.1997. Gjatë tryezës së
partive politike, opozita e majtë, imponuese në pranverën e vitin 1997 vuri
kushte të hyrjes së saj në zgjedhje edhe ndryshimet e ligjeve të nr.8001 të
antigjenocidit dhe ligjit nr.8043 të lustracionit.
Te
ligji nr.8043, u ndryshua neni 2, duke hequr ndalimet për anëtarët e Komitetit
Qendror të PPSH-së, sekretarët e parë vendorë të PPSH-së, anëtarët e qeverisë,
Këshillit Presidencial, kryetarin e Gjykatës së Lartë, prokurorin e
përgjithshëm, deputetët; hetuesit, prokurorët, gjyqtarët e ndihmësgjyqtarët e
proceseve politike speciale. Kategoritë e vetme që u ndaluan të kandidonin
ishin oficerët e bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit dhe dëshmitarët rëndues
të gjyqeve. Duke pasur parasysh se dy figura të larta të PS-së, përkatësisht
“Ylli” (që figuronte në regjistrin e agjenturës pasive) dhe “Cigarja”, kishin
marrë vendime negative nga komisioni i figurës, por duhej të ishin në politikë,
u vendos që “ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, si dhe denoncuesit
dëshmitarë në dëm të të pandehurve në proceset politike”, nuk ndëshkoheshin në
rast se nuk kishin aktivitet “në 20 vjetët e fundit”. Periudha 20 vjeçare ishte
fiks mbyllja e aktivitetit me Sigurimin e “Cigares”. Në këtë mënyrë “Ylli” dhe
“Cigarja” vazhduan të jenë në politikë, madje ta shohin politikën nga maja
legjislative. Lustracioni vijoi të kërkohej vetëm te njerëz të parëndësishëm,
madje të ishte më qesharak se kurrë. Ndryshimet në fjalë u votuan me debate e
pakënaqësi me 48 vota pro, 9 kundër, asnjë abstenim. 25 deputetë nuk morën
pjesë në votim.
(Pjese? nga studimi
“Lustracioni dhe arkivi për të ne? Shqipe?ri”)
II
Demokracia
që kujtuam se fituam me shembjen formale të komunizmit ka qenë një përrallë
bajate e turmës naive. Në fakt ka qenë e vazhdon të jetë më shumë se kurrë sot
një jerm i vjetër absurd. Restaurimi i enverizmit me figurrat më të errëta e
gjakatare ka prekur apoteozën më të shëmtuar, më të turpshme, sepse enveristët
tashmë, prej shumë vitesh kontrollojnë të gjitha pushtetet. Ky gram i keq, kjo
bimësi helmatisëse u harbua e u harlis me ardhjen në pushtet të ish partisë së
punës (partia socialiste) dy herë (përkatësisht me 1997 dhe 2013) me të gjitha
lidhjet gjenetike me nëntokën enveriste. Në këto kushte kauzat për drejtësi dhe
dënim të krimeve të komunizmit janë një shaka tejet e ekzagjeruar. Jo se këto
krime nuk po denoncohen çdo ditë nga një grusht njerëzish kryesisht pa pushtet
politik, por ky denoncim i hapur, përveçse nuk e ndryshon gjendjen, shndërrohet
në rrezik, deri dhe ekzistencial, për vetë një grusht individësh me kurajë
civile që po bartin tash sa kohë këtë kauzë.
Dominimi
i pushtetit politik e administrativ të enveristëve, oficerëve të sigurimit
komunist, kapja e instancave më të larta të Drejtësisë nga simahorët dhe
pjellat monstruoze të diktaturës, trashëgimtarët e regjimit të djeshëm – i
gjithë ky establishment enverist kontrollon jetën tonë nga parlamenti dhe
shtririhet si mtastazat e kancerit në çdo aspekt të jetës sonë shoqërore. Kjo
racë bastarde pa pikë morali prodhon në seri dhe adeptët e korrupsionit,
mafies, trafikut ndërkombëtar, i ndihmuar fuqishëm nga propaganda qeveritare e
mediatike. Nuk duhet të habitemi më, se pse në atdheun tonë vazhdon të
dendësohet atmosfera mbytëse e një muzg të palëvizshëm varrezash, dëshpërimi
social dhe humbja e shpresës se mund të ndërtohet jetë normale njerëzore në
atdhe. Rezultatin tashmë e dini: sa qytetarë shqiptarë janë jashtë dhe sa të
tjerë përpiqen dëshpërimisht ta lënë Shqipërinë. Këtij qorrsokaku do t’i
shkonin vargjet e Atë Gjergj Fishtës:
“O
Perëndi, a ndjeve?/Tradhëtaret na lanë pa Atdhe,/E Ti rri e gjuan me rrufe/
Lisat n’për male kot…”