E premte, 26.04.2024, 09:28 AM (GMT+1)

Mendime

Florim Zeqa: Kuvendi të mbrojë interesat e shtetit!

E merkure, 19.08.2020, 05:46 PM


Kuvendi të mbrojë interesat e shtetit!

Shkruan: Florim Zeqa

Ishte prilli i vitit 1998, ndodhesha në "Questura di Treviso" (Itali) për të bërë kërkesën për bashkim familjar. Duke u përpjekur që t'i tregoj zyrtarit në Questurë për  gjendjen e luftës në Kosovë, me qëllim të përshpejtimit të nxjerrjes së dokumentave, zyrtari (polici) italian m'u përgjigj me cinizëm; "Che guerra c'è in Kosovo" (Çfarë lufte ka në Kosovë)!? Në atë moment, e nxora nga çanta revistën "Zëri", në ballinën e të cilit ishte një fëmijë i familjes Jashari i masakruar nga forcat serbe, duke i bërtitur me sa zë që kisha; kujt po i thue ti "che guerra...", e sheh këtë fëmijë, po ke dëshirë që të pres derisa ta shohë edhe fëmijën tim të masakruar kështu në ballinë të gazetës, po çfarë race njerëzore qenke ti!?

Rrëshqitjet e njëpasnjëshme të Kuvendit

E fillova kështu shkrimin, për t'iu rikujtuar lexuesve të rinjë se 22 vite më parë, bota fare pak besonte se ka luftë në Kosovë, kurse edhe tani 22 më pas, kur në tavolinën  e bisedimeve me Serbinë nuk po vihet çështja e dëmeve të luftës, përkatësisht e krimeve serbe, të masakrave dhe shkatërrimeve në masë të pronave të shqiptarëve, akoma më të vështirë do ta kenë politikanët e rinjë perëndimor kuptojnë  të vërtetën e luftës në Kosovë.

Kur kësaj situate t'i shtohen vendimet antikombëtare të gjashtë legjislaturave të kaluara të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bota e lirë dhe demokratike do ta ketë akoma më të vështirë ta kuptojë të vërtetën e luftës çlirimtare dhe arsyen e pavarësimit  të Kosovës nga Serbia!

Vargu i dështimit të gjashtë legjislaturave të kaluara të kuvendit është i gjatë dhe i pambarim; ligji për amnistimin e kriminelëve serb të luftës, ligji për ruajtjen e trashëgimisë kulturore (serbe), ligji për decentralizimin etnik (formimi i enklavave serbe, dhënja e dritës së gjelbër për dialogun e panevojshëm dhe të pabarabartë me Serbinë në Bruksel, ligji për krijimin e asociacionit të komunave, ligji i miratuar për kaliminin e pronave të komunës së Deçanit në  pronësi të Manastirit të Deçanit, miratimi i Demarkacionit me Malin e Zi (dhurimi i 8200 hektarëve tokë të Kosovës shtetit fqinjë), miratimi i Gjykatës Speciale për dënimin e njëanshën të krimeve të luftës,...e shumë e shumë vendime të tjera që dëmtuan shtetësinë e Kosovës dhe rënduan jetën e qytetarëve.

Të gjitha këro vendime të ligjvënësve kosovar, përveqse e kanë dëmtuar substancën e shtetit të Kosovës, e kanë prishur imazhin e shtetit të pavarur të Kosovës në botë.

Standardet e dyfishta të shteteve që kanë njohur Kosovën

Si pasojë e dështimeve të liderëve shtetëror dhe lëshimëve të sipërpërmendura të ligjvënësve kosovarë, shumë nga shtetet e Bashkimit Evropian, shtetasit e Kosovës nuk i trajtojnë më si shtetas të Republikës së Kosovës, por si shtetas të ish Jugosllavisë (Serbisë).

Bie fjala, në shtetin italian, Agjencia për Hyrjen e të Ardhurave (Agenzia delle Entrate) kodat fiskal të shtetasve kosovar (116) i ka ri-kthyer në koda të ish Jugosllavisë (118).

Zëvëndësimi i kodit të Kosovës (160) me atë të ish-Jugosllavisë (118), dhe vënja e siglës "YUG" në lejet e qendrimit (Permesso di soggiorno) dhe kodet fiskale (Codice Fiscale), ka vënë në lajthitje të madhe bashkatdhetarët, të cilët bredhin poshtë e lartë neper zyrat e "Agenzia delle Entrate" në kërkim të zgjidhjes së këtij problemi sa kompleks po aq të dëmshëm për të ardhmën e tyre pensionale.

Shumica e bashkatdhetarëve janë duke e përcjellë në heshtje ketë problem, por ka edhe të atillë që ju drejtohen zyreve legale (Avokatëve), nga të cilët "rrjepën" pamëshirshëm si pasojë e këtij paradoksi administrativ të shtetit italian.

Shqetues është fakti së sigla e një shteti të vdekur (Jugosllavi) u vëhet vetëm shtetasve të Kosovës, por jo edhe kroatëve, boshnjakëve, maqedonëve, malazezëve apo serbëve.

Thirrjet e arsyeshme në veshët e shurdhër të pushtetarëve

Për këtë problem tejët shqetësues përveq kontakteve të drejtëpërdrejta me deputet dhe ministra përkatës, ju kam drejtuar disa herë institucioneve të shtetit, gjegjësisht Ministrisë së Punëve të Jashtme, ish Ministrisë së Diasporës dhe Ambasadës së Republikës së Kosovës në Romë, por deri më  sot asnjë një hapë i ndërmarrë nga ana e tyre dhe asnjë përmirësim në trajtimin e shtetasve kosovar nga shteti italian.

Madje,  kjo çështje asnjëherë deri më tani nuk është ngritur për trajtim në Parlamentin e Kosovës. Pushtetarët dhe politikanët kosovarë në përgjithësi, mërgatën nuk e kanë trajtuar si aset kombëtar dhe si burim kryesor i të hyrave buxhetore, por vetëm si "mish për top" për interesa partiake, klanore dhe personale të liderëve partiak.

Ky diskriminim ndaj shqiptarëve të Kosovës është nga paslufta, nga koha e pasaportave të UNMIK-ut, i cili vazhdoi me pasaportat e Kosovës, dhe për fat të keq po vazhdon edhe tani me pasaportat biometrike të shtetit të Kosovës.

Eshtë momenti i fundit që të ndalet ky trend i keq-trajtimit të shtetasve kosovar nga autoritetet e disa shteteve evropiane.

Kosova si asnjëherë më parë, ka nevojë për një parlament që mbron interesat e shtetit, ka nevojë për deputet që mbrojnë interesat e qytetarëve dhe bashkatdhetarëve në Diasporë.

Të paktën deputetët e kësaj legjislature e kanë për obligim të barazohen me 114 delegatët e legjislatures së fundit të KSA të Kosovës, të cilët ju kundërvunë Serbisë dhe shpallën Deklaratën e Pavarësisë së 2 Korrikut 1990, gjegjëisht, që të dalin në mbrojtje të kësaj që ka mbetur nga pavarësia e 17 shkurtit 2008.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora