E premte, 26.04.2024, 05:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Bardhyl Maliqi: Jeta është teatër apo teatri jetë?

E enjte, 02.07.2020, 09:01 PM


Bardhyl Maliqi


JETA ËSHTË TEATËR APO TEATRI JETË?

Jeta është teatër apo teatri jetë?

Ne luajmë role,

aktorënë skenë, aktorë edhe në jetë,

por këtu, lojën me role e lozim vërtet.

Muret e teatrit kanë gjithmonë kujtesë,

muret e teatrit kanë sy, zemër, veshë,

ndërgjegje të vrarë,

prej ankthit, tragjedisë,

ndaj rropaten njerëzit

nën shkelmat e policisë!

Në këto mure ishin fiksuar mbresat

e sa e sa brezave.

Nuk patet dhimbje kur i rrezuat muret,

ndonjë brejtje ndërgjegje,

duel me vetveten?!

Mos më thoni “Jo”,

brenda jush ka qenë një Makbeth,

sepse edhe ju e keni dashur teatrin,

ashtu si Makbethi mbretin,

por më tepër se Atë,

ju keni dashur dhe doni

paratë dhe pushtetin!...

“Trokit e zgjo!” ndërgjegjen e vrarë

personazh shekspirjan,

ti, kokëpalarë!

Buldozjerët, sigurisht, nuk kanë ndërgjegje,

por pas tyre jeni ju të pandërgjegjshmit,

të pamëshirshmit si ata!

Por le të pyesim cilindo

aktor, regjizor apo qytetar

A na duhet teatri?

Ç’është ai për ne?

Në këto vite kur skena është kaq  e parëndësishme

kur sheshet e qyteteve dhe trualli amëtar,

shiten në ankand

ku tragjeditë e vërteta të jetës marrin jetë,

ky po, është teatri,

teatri i vërtetë!

Një gju i policit të bardhë

në qafën e një zezaku në Amerikë,

mjafton,

që botën ta tronditë!

Dhe demokracive false, perçen ua gris!

Vallë janë teatër

Ca galeri, qofshin të veshura me pellush ngjyrë ari

ca ballkone në holle teatrore,

anekse të ndotura skene,

zëra të mirë-llustruar aktorësh.

Apo e kundërta,

diçka që mund të ketë dukje të ndryshme:

kabina të zeza, njollosur prej baltës e gjakut,

me një tufë trupash lakuriq e të dalësh mendsh,

brenda zgafellash të errrëta, pa lëvizje.

Ç’mundet ai të na thotë?

Gjithçka!

Teatri mund të na thotë gjithçka.

Shikoni “Prometeun e mbërthyer” të Eskilit

të bindeni si jetojnë zotat në qiell,

dhe si të burgosurit lëngojnë

si Prometeu i mbërthyer në shkëmb,

atje larg në Skithi,

apo të tjerët nëpër shpella të harruara nën dhe,

dhe si pasioni mund të na ngrejë lart,

dhe si dashuria mund të na shkatërrojë,

dhe se si askush nuk ka nevojë

për njeriun e mirë në këtë botë!

Dhe si dredhia sundon,

dhe si njerëzit jetojnë në apartamente,

ndërsa fëmijët shtrëngohen nëpër kampe refugjatësh,

prej Sadamit apo Alkaedës

në Irak apo në Siri

dhe si të gjithë ata ukthyen prej shkretëtirës,

dhe si ditë pas dite

jemi të detyruar të ndahemi prej të dashurve,

qoftë edhe prej një vrasësi bastard,

që quhet Covit 19...

Më ndje Ofeli

edhe ti Hamlet!

Teatri i thotë të gjitha.

Teatri gjithnjë ka qenë, e do mbesë përgjithmonë,

në ngrehinën e vjetër

apo në kullën e re.

Dhe tani, në këto dekadat e fundit,

është veçanërisht i nevojshëm,

sepse nëse i hidhni një sy gjithë arteve publike,

menjëherë mund të dalloni

se vetëm teatri na kalon një fjalë gojë më gojë,

një shikim sy më sy,

një gjest dorë më dorë,

e trup më trup.

Por  distanca dy metërshe

dhe maskat në fytyrë

dhe dorezat plastike

s’të shkaktojnë asnjë emocion!

Por nuk ka nevojë për ndërmjetës,

për shkes apo ndërmjetësi,

që të veprojë mes qenieve njerëzore,

Ai nuk i përket as jugut apo veriut,

as lindjes, apo perëndimit

Jo, ai është vetë esenca e dritës,

shkëlqimtar në katër anët e botës,

menjëherë i dallueshëm nga çdokush,

miqësor apo armiqsor, qoftë ndaj tij.

Ne na duhen qeniet diverse

ndaj kemi nevojë që teatri të mbesë i ndryshëm,

ne kemi nevojë për teatër të shumë llojeve,

siç kemi nevojë për ylberët shumëngjyrësh

me të gjithë spektrin e dritës!

Ende, mendoj se mes gjithë formave

zhanreve dhe trajtave të mundshme të teatrit,

format e tij arkaike,

do të jenë më të kërkuarat.

Ndaj na duhej teatri ashtu si ishte.

Ra flaka në  Noter Dame

dhe Parisi mund të ngnente një katedrale të re.

Por jo,

i duhej ajo që përshkruante Hygoi,

më e vlerëshmja mbi dhe!

Teatri i formave rituale

nuk duhet kundërvënë artificialisht

me atë të kombeve të “qytetëruara”.

Kultura shekullare,

tashmë, po bëhet gjithmë e më shumë e mashkullorizuar,

i ashtuquajturi “informacion kulturor”

pak e nga pak po zëvendëson

e shtyn jashtë njësitë e thjeshta,

ashtu si edhe shpresat tona

për t’i ndeshur ato një ditë.

Por unë tani shoh qartë:

teatri po i hap kanatet e dyerve të veta.

Hyrje e lirë për të gjithë e gjithëkënd.

Në dreq me gjithë pajisje e kompjutera

Veç shko në teatër,

pushto gjithë rreshtat e sallës dhe galerive,

dëgjo fjalën dhe shih figurat e gjalla!

Teatri është para teje,

mos e neglizho dhe mos humb rastin

për të qenë pjesë e tij,

ndoshta është mundësia më e vyer,

që ndajmë së bashku

në jetët tona boshe e të ngutura.

Ne kemi nevojë për çdo formë teatri!

Por ka vetëm një teatër,

që padyshim nuk i nevojitet askujt

E kam fjalën për teatrin e lojrave politike,

një teatër çarqesh për minj,

një teatër politikanësh bastardë,

një teatër prostitutash politike.

Ajo që padyshim nuk na nevojitet

është një teatër terrori të përditshëm

individual apo kolektiv,

ajo që nuk na nevojitet

është një teatër me kufoma e gjak nëpër rrugë e sheshe,

në kyeqytete e provinca,

një teatër qesharak përplasjesh

mes besimesh fetare apo racore

dhe luftra grupesh etnike!

Por edhe tani,

pas fjalëve premtuese

për teatrin e ri,

mos mendoni se nuk fshihen gjëma të medha;

se mbi gjëma të vogla ju shkelni përditë,

naziskinë,

krishtkryqëzues,

jezuitë!

Ju gjëmen e madhe e bëtë

duke rrafshuar memorjen tonë.

duke na i prerë nervat me brisk,

duke na i ngurosur skeletet në beton!

Por edhe vrasësit e Rozafës

ishin më njerëzorë se ju,

se ja lanë gjirin jashtë,

që të mëkonte birin e vetëm,

më dëgjon,

mëndjehu!

Teatro të rinj mund të ngrihen,

por ato do jenë pa veshë,

me kujtesën e ngurosur

në vdekjen që quhet

hekurbeton!

Naim, Sandër,

Kadri më dëgjon?!

Me Margaritën dhe Tinkën jemi takuar më shpesh,

kemi pirë kafe, jemi parë sy më sy

herë si aktorë dhe si spektatore të tjera herë,

këtu në tatrin tonë nën qiell të hapur,

në Butrintin e lashtë,

në Jug,

në Kaoni!

Timo, Agimi e Vangjush Furxhi,

luftëtarë të mosprishjes,

e kuptojmë brengën tuaj,

por ne kërkojmë një Teatër të Ri!

Ne jemi më shumë, ne duam mjedise, salla, rekuzitë

që duam hapsira, por edhe siguri,

ashtu si zogjtë ne e duam fluturimin,

jo në gërmadha, por në qiej me dritë,

ndaj na quajnë Robert Ndrenikë,

Ema Andrea,

Luftëtar Paja,

Viktor dhe Vasilikë,...

Ne jemi më shumë,

më tepër se ju që mblidhni turmën në sheshe

me furka politike që s’mbahen dot në këmbë,

me tufa peticionesh,

ashtu si një gazetar qesharak nëpër ekrane,

me pantallona nëpër këmbë!

O zot, as dje, as sot,

mos e pafshim këtë skenë idiote,

oxhakun e vjetër, ku sorrat kërkëllijnë,

ullukët e lagësht, ku enden salamandra

dhe krimbat petashuqë, që vetveten përtërijnë!

Spiro Duni,

Hotel Ballkan, apo te Kafeneja e magjistricavem poshtë pallatit 176-të

Ai atje pin, bashkë me kopracin dhe Arturo Uinë....

Apo të pyesim Leka Bungon më mirë_

Para jush kam recituar

“Përse mendohen këto male”,

kur isha ende femijë.

Dhe më kujtohet fare mirë

Muri i katërt,që ishit ju:

Aktorët e Mëdhenj dhe populli në sallë!

Natyrisht ishte edhe Juliana,

shoqka ime e bankës, 15 vjeçare.

Dhe një zë që tha:

“Ke shkuar dëm, mor djalë,

në aktrim shkëlqen,

por pse nuk ndoqe këtë rrugë, vallë!”

Dhe mua m’u kujtua

hungërima e shokut të tim eti,

kur shkova në konkursin e pikturës

që më tha: “I shokut X je ti?!

Po i shokut tuaj, të kemi pritur në shtëpi...!

“Po ç’ke ndër mend të bëhesh,

bojaxhi në komunale!

Mos të gënjen mendja, vallë?!”

Përfundimisht shkova për gjuhë ruse,

qefprishur se s’do të bëhesh piktor,

aktor apo poet;

megjithëse me Rusinë

qemë prishur këtu e dhjetë vjet!

Por babai gjëmonte “Mëso!”,

Ai kërkonte që unë të realizoja

“ëndërrën” e tij të gremisur,

por a ishte e mundur vallë?!

Prindër, lejoni fëmijët të bëhen vetvetja,

ashtu rriten më shpejt

dhe shkojnë më larg!

Nuk hallakten në ish teatrin,

si aktorët e patalentuar

në prapaskenë apo nëpër shkallë!

Tani vonë më kujtohet një rast

me aktorin Rikard Ljarja

të ulur në sallë.

I thashë me shaka, si mik familjar,

Rikard, do të shkoj unë në skenë!

Mund të shkosh, më tha,

kur ke qenë nxënës

unë të kam dëgjuar në sallë!

U habita,

atëherë s’e njihja.

Ndaj u trishtova shumë tani që iku,

më duket se vdiq si fillërojtësi në mal.

“Apo jo Marjeta, gruaja e tij shpirtbukur,

a më dëgjon, mua vallë?!”

Sa e sa emocione

kemi përjetuar në këtë shesh, që lëngon

nën gërmadha dramash e tragjedish në lëvizje,

jeta është e bukur, por ju, bojënxirës,

e ngjyrosët në të zezë,

e ngjyrosët ndryshe!

Mavija juaj

është motra e muzgut dhe e natës!

Ndaj jashtë prej meje,

në theqafje,

në Lakuriqstan  e keni vendin,

bashkë me urithët dhe minjtë,

që s’lindin dot heronj,

se u dhembin pëqinjtë!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora