E premte, 26.04.2024, 10:03 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Kujtoj mbas 100 vjetësh - Burrat e pavdekshëm

E premte, 12.06.2020, 04:36 PM


Nga Fritz RADOVANI

Kujtoj…Sot, mbas 100 vjetësh:

BURRAT E PAVDEKSHEM

1919 – 1920

KËTA  SHPETUEN  SHQIPNINË  NGA  COPTIMI

Historia e shkrueme pa të Vërteten e saj, asht përrallë!..

Lufta e Parë Botnore në fund të vitit 1918, dukej, sikur kishte pushue.

Edhe ata që e filluen Luftën Botnore ishin ma të sigurtë në kenjen e tyne se Shteti Shqiptar. Ndonse Shqiptarët nuk kanë kercënue asnjë shtet fqinjë, të mëdhej e të vegjel u çuen me shkye nga një copë, e sejcili tue kerkue me pushtue ma të madhen. Italia tue kenë andej detit kerkonte Vlonën.

Greqia si gjithmonë, kerkonte Shqipninë e Jugut, ku perfshihej Korça e Gjinokastra. Serbia nuk ngopej vetem me Vermoshin e Shkodren...

Pritej vendimi i Shteteve të Europës, që me 18 Janar 1919, u mblodhën në Paris, ku u hap Konferenca e Paqës. Qeveria e Përkohshme e Durrësit, e kryesueme nga Turhan Pashë Permeti, as nuk u perfill fare nga Lidhja e Kombeve. Në shkurt 1919 një delegacion Shqiptarësh u nis për Paris. Askush nuk ua hapi dyertë e Konferencës.

Deri këtu, edhe sot, dy “Akademitë e Shkencave Shqiptare”, ajo e Tiranës’’ dhe ajo e Prishtinës, mundohen me krijue “emna të përvetshëm”, të cilët, “arrijtën me një perkushtim të posaçem me shpëtue Shqipninë nga një coptim i sigurtë!” Fatkeqsisht, pothuej, të gjitha tekstet e Historisë së Shqipnisë së këtyne “Akademive”, të formueme nga antishqiptarët edhe sot, nuk e shkruejnë të Verteten e Shpëtimit të Shtetit Shqiptar nga një coptim i sigurt në Konferencën e Paqës në Paris, në vitët 1919 – 1920.

E Verteta asht vetem një! Kujt nuk i pelqen të vazhdojnë me pertypë rrêna!

Në vitin 1999, ishte e para herë që e kam ndigjue në Tiranë, nga Prof. Valentina Duka kumtesen “Roli i Klerit Katolik Shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris, 1919 – 1920”, të thanun troç: “Fillimisht Turhan Pasha, me cilësinë e Kryeministrit Shqiptar, në përbërje të delegacionit, krahas vetes, caktoi edhe Mehmet Konicën (Ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Durrësit), Mit’hat Frashërin dhe Mihajl Turtullin...”

Kur mërrijtën në Paris këta drejtues, në shkurt 1919 “u këshilluen nga Ministri i Jashtem i Italisë Sonino, “që, në delegacion të kishte edhe përfaqësues nga Shqipëria e Veriut dhe e Mesme...” Pra, kishte shkue puna deri aty, që “italianët” me u mësue mend delegatëve tanë, sesi me veprue per mos me na coptue shtetet fqinjë, bash atëherë kur vetë italianët, nuk i lenin asgja mangut komshijëve tjerë!

Ndersa, mosmarrveshjet mes tyne nuk zehen me gojë nga askush as sot plot mbas 100 vjetësh, edhe pse bash atyne përçarësve përditë “u thuret lavdi” për damin e madh që i kanë ba Popullit e Shtetit Shqiptar, që ditën e Shpalljes së Pavarsisë në 1912. Këte e verteton qendrimi i perfaqsuesëve të Shqiptarëve të Amerikës, Turqisë, Kosovës, Rumanisë, etj., që arrijtën deri aty sa me kerkue “edhe rikthimin e Esad Pashë Toptanit në drejtimin e shtetit shqiptar”... Anglia, Franca e Italia ishin per coptimin e Shqipnisë.

Qeveria e Durrësit vendosi të dergojë si Kryetar të Delegacionit Shqiptar, në Konferencën e Paqës në Paris Ipeshkvin e Lezhës Imzot Luigj Bumçin, i cili zgjodhi si sekretar të vetin françeskanin e njohun At Gjergj Fishta. Nga Shqipnia e Mesme shkoi Mustafa Kruja.

Në delegacionin e ri u caktue edhe Luigj Gurakuqi, Dr. Mihajl Turtulli, Lef Nosi, Mehdi Frashëri, Mehmet Konica.

Me datën 6 Mars 1919, Imz. Luigj Bumçi dhe At Gjergj Fishta u nisën në Romë, për me u takue me Papën Benedikti XV, një dashamirës i madh i Popullit Shqiptar.

Mbas takimit me Papen, Imz. Luigj Bumçi dhe At Fishta u nisën për Paris. Shkelqimi i dy figurave të Klerit Katolik Shqiptar, kje i paimagjinueshem në Konferencën e Paqës. Imzot Luigj Bumçi ishte një përfaqsues i denjë i Atdhetarizmit dhe i çeshtjes sonë aq të randsishme për kenjen e Kombit Shqiptar. Imz. Bumçi takohet me të gjithë delegatët e të gjitha shteteve, dhe me njohjen e disa gjuhëve të hueja, Ai asht në gjendje me bisedue me të gjithë dhe me ua paraqitë atyne se, “Shqiptarët sot janë vertetë pjesë e Europës së qytetnueme”. Takimet dhe kambngulja e Tij për zgjidhje të drejtë të çeshtjes Shqiptare, oratoria dhe prezenca e At Gjergj Fishtës përkrah Tij, janë një model i papersëritshëm!

Imz. Luigj Bumçi porsa filloi detyren protestoi tek Presidenti Amerikan Woodrow Wilson, kundër barbarëve serb per krimet e kryeme në Shqipninë Veriore, Plavë Guci e Gjakovë. I kerkoi hymjen e trupave amerikane në zonën e Rugovës.

Protestoi tek Ministri i Jashtem i Italisë Tittoni për marrveshjen me Kryeministrin grek Venizelos, në lidhje me kalimin e zonave të Korçës dhe të Gjinokastres Greqisë.

Në muejn Tetor 1919, Imz. Luigj Bumçi u takue me perfaqsuesin e Francës Pichon, dhe krytarët e delegacioneve të Shteteve të Bashkueme dhe Anglisë, të cilëve u kerkoi që të nderhyjnë për zgjidhjen e drejtë të çeshtjeve në favor të Shtetit Shqiptar.

Ndersa At Gjergj Fishta, udhtoi per këto çeshtje drejtë Anglisë dhe SH.B.A.

Delegacioni Shqiptar tue vrejtë vështirsitë e mëdha per zgjidhjen e drejtë të atyne problemeve aq delikate, kerkoi nga Imz. Bumçi, në mbledhjen e 22 e 23 Dhjetorit 1919 nderhymjen urgjente të Tij tek Vatikani.

Imz. Bumçi, si gjithmonë i gatshem per me zgjidhë çeshtjet kombtare, u pajtue me mendimin e Delegacionit dhe bashkë me Mehdi Frashërin, intelektual i njohun, u nis për Romë, dhe arrijti me 28 Dhjetor në Vatikan.

Takimi i Imz. Bumçit me Papen Benedikti XV u zhvillue me datën 1 Janar 1920, vertetë një takim i shkurtë, po me plot fryt për qellimin për të cilin Ai shkoi në Vatikan tek Papa.

Në kujtimet e Tij historike Imz. Bumçi shkruen: “Tesh prá Shêjtni, të gjith misat e Dergatës shqyptare qi janë në Paris e qi shumica asht mysliman, më kan çue ktu perpara Shejtnis S’Uej e të gjith per nji gojë U luten qi, me fuqin t’Uej morale e me influencen e madhe qi keni në boten marë, të na epni ndimen t’Uej të vlefshme si e ku dini Ju Vetë, qi të na pështojnë dy provinçet shqiptare Korça e Gjinokastra, të cillat janë në rrezik prej akordit Tittoni – Venizelos.”

Mbasi marova fjalët e mija, Papa Shêjt, si pat ndêjë nji grimë herë pa bâ zâ, u suell e më tha: “Po shka të baj për Ju? Me Itali s’kam shka me bâ, e din gjith bota si jena: me Francë marrdhanjet janë këputë – shka të bâj?”

U pergjegja (Imz. Bumçi-nga FR): “Un kishe me thanë, Shêjtni, se bota s’ka metë vetun në Itali e në Francë; ka në botë edhe Angli e Shtete të Bashkueme t’ Amerikës!”

Papa bâni buzen në gaz, e me i ‘herë më pergjegji: ké të drejtë. E pra, neser do të piqemi me Ambasadorin e Anglis, masnesrit me até të Shteteve të Bashkueme; e po t’ ap fjalen se me të dy kam me folë e me ja porositë dy provinçet qi kenkan në rrezik e kam me ba shka të mundem per me Ju ndimue. Zoti ka m’e e ba mirë se prei Konferencet të Paris-it mos pritni punë të mira pse Zotin e kan qitë jashtë, e aty ku s’ asht Zoti drejtsija s’ mundet me kênê!” Këtu u mbyll biseda.

Imz. Bumçi në fund i la një memorandum me shkrim per kujtesë, dhe bashkë me Mehdi Frashërin ikën në Paris, ku priteshin nga delegatët tanë. Atë natë u takuen me delegatët Shqiptarë, e mbasi Imz. Bumçi i vuni në dijeni per biseden me Papen, të gjithë u ngritën në kambë plot gëzim tue thirrë: “Rrnoftë Papa! Korça e Gjinokastra shpëtuen!”

Me daten 6 Mars 1920, mbas dy muejsh që Imz. Bumçi u takue në Vatikan me Papen Benedikti XV, në Paris mërrijti një notë e Presidentit të Sh.B.A. Wilson, simbas së cilës “integriteti territorial dhe sovraniteti i Shqipnisë, me kufijtë e vitit 1913, janë të paprekshëm!” Çeshtja Shqiptare u diskutue aty tue ju referue Programit të Presidentit amerikan W. Wilson: “E Drejta e Kombeve per vetvendosje”, që favorizoi Shqipninë.

Shteti i Parë që ka njoh Shtetin e ri Shqiptar ka kenë Vatikani, i cili me daten 12 Nandor 1920 emnoi Delegatin Apostolik per Shtetin e Ri Shqiptar, Imz. Ernesto Cozzi, që porsa erdhi në Shqipni, i ngarkuem nga Papa vizitoi gjithë krahinat e Shqipnisë dhe në fund, me daten 28 Janar 1921, Imz. Cozzi mërrijti zyrtarisht në Shqipni.

Papa Benedikti XV shkruen: “Tashti që Populli i Juej fisnik ka mujtë me fitue lirinë dhe ka hy në rrugen e përparimit të vërtetë, asht e arsyeshme që nëpërmjet Perfaqsuesit tonë të ripërtrijmë edhe njëherë e ma të forta ato lidhje që përsa shekuj e bashkuen Shqipninë me Kishën e Shejtë”.

Burrat që shpetuen Shqipninë nga coptimi i fqinjëve në 1919 – 1920 ishin: Imz. Luigj Bumçi, Papa Benedikti XV dhe Presidenti i Sh.B.A. W. Wilson.

Kjo asht e Verteta historike e kenjes së Shtetit Shqiptar sot.

Shenim F. Radovani: Këte material e kam botue në 2014, mendoj se, duhet me u botue prap, mbasi meritat e Këtyne Burrave... Errsohen e po pervetsohen nga “disa” të tjerë.

Populli thotë: “Nga të pamunduemit...”!

Melbourne, 12 Qershor 2020.



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora