E shtune, 27.04.2024, 12:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Ali Bega

E shtune, 04.03.2006, 10:19 PM


Pres me ankth një ofertë për të dalë në skenë

Aktori i mirënjohur durrsak Ali Bega, ndër veteranët e artit skenik dhe kinematografik me një karrierë 40-vjeçare, jetën e tij e shikon të lidhur me teatrin dhe kinemanë. Ali Bega, ka luajtur mbi 100 role dhe ka pranuar të flasë për gazetën”SOT”, ku siç thotë edhe vetë në faqet e mediave të shkruara sikur gjej ngrohtësinë e skenës. Por ai shprehet se, “në skenë kam përjetuar shumë rilindje dhe pres me ankth një ofertë për të dalë në skenë”. Ndër rolet e tij, mbahen mend ato tek “Bileta e Llotarisë” e Dionis Bubanit, në rolin e xha Sheros, apo dhe roli i tij i fundit në skenë në dramën e Zija Celos, “Shtëpia e Lepujve”.Midis dy kohëve, ai ka patur vlerësime si aktor me talent dhe krijues i figurave të spikatura.

Z.Bega si u bëtë aktor, kur dihet se ju vini nga një familje e persekutuar politikisht, ishte dëshira juaj apo e prindërve tuaj?
(Qesh)... Në atë kohë kur njerëzit nuk realizonin ëndrrat dhe pasionet e tyre, mua më caktuan pas mbarimit të gjimnazit me nota të shkëlqyera, më caktuan ( jo sipas dëshirës time) në shkollën 2-vjeçare në Shkodër për matematikë-fizike. Biografia ime nuk e lejonte të shkoja dhe të vazhdoja shkollën në Tiranë. Në atë vit, pra në vitin 1962 u duk se vërtetë kishte nisur një “zbutje” e luftës së klasave. Pikërisht në atë vit, u çel në Tiranë, Shkolla e Aktorëve ku pasi dhashë konkursin unë dola fitues. Shkollën e fillova me shumë vonesë, sepse dokumentat e mia nga Shkodra nuk po vinin. Por një dite ato erdhën dhe unë fillova shkollën me shumë vonesë tek ajo godinë që mbante emrin “Aleksandër Moisiu”, prej nga dolën me dhjetra e dhjetra aktorë të talentuar. Kjo shkollë zhvillonte aktivitetin e saj pranë Teatrit Popullor, pranë Panteonit të artit shqipetar. Periudha e shkollës ishte e bukur, por dy vitet e para ishin të vështira për mua, aq më tepër që studioheshin elementët teknik qoftë të fjalës apo të mjeshtërisë. Nisa të realizoja fragmentet dhe pjesët e plota, derisa mora superlativa nga pedagogët e mi si: Kujtim Spahivogli, Mihallaq Luarasi etj... Por sigurisht edhe kur mbarova, mua nuk mu ndanë kusuret e biografisë. Më caktuan të bëja art në fshatrat e Beratit. Isha me hije në biografi, e cila më ndoqi në gjithë jetën time artistike. Më duket se edhe sot pas 15 vitesh, ajo më ndjek pas. Unë vij nga im atë nga një familje e mesme intelektuale, ai kishte mbaruar studimet në Gjermani për doktor Kirurg – Dentist. Rikthehet në atdheun e tij, nga një largim disa brezash në Greqi e Turqi, ku motivi i vetëm ishte thirrja e të parëve për të bërë Shqipërinë. Me tu kthyer në vitin 1926, u vendos në Tiranë ku hapi një klinikë bashkëkohore, ku u ftua të jetë edhe mjek i oborrit mbretëror. Babai im zotëronte 8 gjuhë dhe lufta e gjeti në Tiranë me një qëndrim pacifisti. Por gjithsesi vëllanë, motrën dhe nipin e tij që ra dëshmor, ai i mbështeti dhe inkurajoi për lirinë e Shqipërisë. Duke qenë në grupin e intelektualëve, babai im u dënua dhe diskriminua menjëherë pas çlirimit. Kjo biografi, që asokohe e quanin “të keqe” më ndoqi gjithë jetën time.

Si i vlerësoni zhvillimet e artit dhe sot?
Duke qenë se arti dhe kultura dje ishin pjesë e frontit ideoligjik të sistemit, u investua shumë për këto sektorë dhe arti kishte zhvillimin e tij, si ai skenik ashtu edhe ai kinematografik. Pozicioni i aktorit ishte vertetë i nderuar dhe respektuar, jo vetëm nga nomenklatura por edhe shikuesit. Unë e kujtoj me emocion dhe nostalgji krijimtarinë artistike të atyre viteve, ku megjithë privacionet ideologjike dhe politike bëhej art, kishte edhe jetë artistike. Sot ato janë zbehur në shkallën më minimale, sepse në qoftë se dje kishte privacione ideologjike dhe politike, sot ka privacione morale dhe financiare. Unë mendoj se moralisht njerëzit, janë të rendur pas interesave të mbijetesës, kurse nga pikëpamja ekonomike pamundësia e ka rrudhur mundësinë e të bërit art. Ka vetëm rendje pas porkerisë për të mbushur sallat me turma, mjaft që të paguajnë biletat, ky është shkatërrimi i shijeve artistike. Arti sotëm është banal dhe vulgar nisur nga termat, veprat dhe deri tek interpretimi i tyre.

Përse vendoset të ikni në SH.B.A, ju njiheni si ndër themeluesit e PD-së?
Po është e vërtetë, jeta është shumë e shkurtër dhe po aq e gjatë për të provuar dhe kuptuar shumë gjëra në këtë botë. Pas 6-7 vitesh si pedagog dhe shefi i Departamentit të Aktrimit, unë vendosa të emigroj drejt SH.B.A. Angazhimin tim si pedagog e kam bërë me përkushtim maksimal, pasi si pedagog kam qenë në profesionin tim nga pasionet e mia. Por zhvillimet tragjike të vitit 1997 dhe 1998, më detyruan të largohem qoftë edhe për pak kohë nga ky vend, ndoshta kohë e mjaftueshme për të bërë një refleksion të angazhimit tim në demokraci. Është e vërtetë që jam ndër nismëtarët e lëvizjes demokratike në Shqipëri. I hyra këtij angazhimi si detyrim ndaj vetes time, familjes time dhe vendit tim. Çdo fillim ka brenda idealizimin, që ndoshta është në themel të përkushtimit tim. Sot pas një distance të gjatë kohore, jeta është më konkrete dhe idealizma mbetet një ëndërr. Luterkingu ka thënë: “I have one dream”, kurse unë them “I ëose a dream”. Por unë nuk kisha plotësisht të drejtat, plotësisht të ëndërroja në ëndrrën time për ta realizuar. Janë shumë faktorë historike, morale, etike, psikologjike dhe deri tek trashëgimia, që në Shqipëri nuk mund të ndodhte ndryshe nga sa ndodhi. Megjithatë e drejta për të ëndërruar siç duhet të jetë, duhet të jetë e gërshetuar me luftën dhe përpjekjen për të realizuar këtë ëndërr. Amerikanët thonë: “Të ëndërrosh do të thotë të arrish”. Kam besim dhe shpresë se, me ndryshimet e fundit demokratike gjërat po lëvizin në rrugën e mbarë.

Çfarë do të veçonit nga rolet tuaja, a do të ishit i gatshëm të luanit në skenë?
Si çdo kolegu im aktor, edhe unë në këtë jetë të gjatë artistike kam luajtur shumë role. Besomëni, nuk ka gjë më të bukur kur gjatë punës me një rol, t’i ke riprodhuar një jetë njerëzore. Dhe në këtë logjikë, kam kënaqësinë të them se kam qenë i privilegjuar, sepse kam përjetuar shumë rilindje të tilla. Në jetën e një aktori ka disa stacione dhe piketa të bukura dhe unë në këtë kontekst mund të rendis ndër rolet e luajtura që nga qehajaj i mullirit të Kosta Bardhit, vlerësuar nga kritika si rol briland, roli i komandatit serb tek Shote Galica, roli i Sherafit tek Dorina, i priftit tek “Ngjarje skandaloze”, roli i Haxhi Zekes apo edhe dy rolet e dhëna nga Fadil Paçrami. Të merresh me lindjen e një krijese, ndoshta është e bezdisshme, por gjëja më interesante është të rilindësh në skenë një krijesë, t’i japësh jetë nga jeta jote, të lëvizë në skenë dhe të flasë me zërin tend. Kjo jo për paradë historike dhe kohore, por për të përcjellë tek shikuesi një moral njerëzor. E gjitha kjo si një pjesë e përpjekjes për ta bërë njeriun më të mirë, më të butë, më tolerant, dhe me shpresë e guxim dhe sigurisht për ta kënaqur spektatorin. Jam përpjekur të realizoj misionin qytetaro-artistik, kurse sa për pjesën e dytë të pyetjes, meqenëse kam akoma shumë për të thënë, kam akoma shumë për të bërë.

Angazhimi juaj në regjizurën teatrale, kinematografi dhe TV, mbetet briland si e keni arritur?
Duke u distancuar nga vetja, e ndjej se duke gjykuar vlerat e mia artistike, në thelb unë jam aktor teatri. Por nuk kam mënuar të angazhohem edhe në kinamatografi dhe televizion. Ato angazhime kanë qenë jo spontane për mua, por brenda misionit të aktorit, kanë arritur në kufinjtë e realizimit të mendimit artistik. Natyrisht i kam arritur duke shfrytëzuar gjithë përvojën time njerëzore dhe artistike, gjë të cilën do ta vazhdoj duke besuar në eksperiencën time dhe vitalitetin tim njerëzor.

Parë në këndvështrimin e qytetarit artist, cila është përgjegjesia dhe morali që ju përcillni?
Si qytetar duke ëndërruar një Shqipëri demokratike të lirë, të zhvilluar dhe të integruar në strukturat euroatlantike, kam besimin dhe shpresën se me kontributet e të gjithë klasës së politikaneve, kjo orë do të jetë e afërt. Veçanërisht besoj në të nesërmen e një Shqipërie evropiane të zhvilluar. Si artist, duke qenë se arti ka një fuqi të jashtëzakonshme dhe një vend të pakontestueshëm në biografinë e një populli, unë përcjell këtë mesazh:“O njerëz merrni secili përgjegjësinë tuaj, për t’u përballuar me to, në të mirën e Shqipërisë, me besimin dhe shpresën tek Zoti, e nesërmja me kontributet tuaja do të jetë më e mirë”.

Sot



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora