E diele, 20.09.2020, 10:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Agron Tufa: Kur këndonin gjelat e tretë

E merkure, 03.06.2020, 02:20 AM


KUR KËNDUAN GJELAT E TRETË

Nga Agron Tufa

Bëj kryqin. Në murin përballë më vështrojnë sytë e trishtuar engjëllorë të Shën Mërisë. Mure të spërkatur me gjak të tharë. Mure të spërkatur me gjak të ri, të patharë mirë. Me gjak të freskët torturash. “O Zot, përse këtu, në shtëpinë Tënde?” Por tani mori fund. Vendimi u dha: me pushkatim!

Kur kënduan gjelat e tretë, erdhën e na morën. Na zbritën jashtë qytetit. Në një bokërrimë. Gjithsej 12 të dënuar. Të lidhur dy nga dy. Njerëz të mirë. Të shkolluar. Atdhetarë të mirë. Një dorë e kualifikuar kriminale, me përvojë të gjatë antishqiptare, duket se na ka përzgjedhë me kujdes. Kapteri ndezi prozhektorët.

- Ti, prifti reaksionar, At Gjergj Suli, dil nga radha!

- tha ai. – Do të pushkatohesh i fundit. Duhet t’i bekosh të gjithë, para se të zbresin të falur në botën tjetër.

Toga e pushkatimit përballë. Rrapëllima shulash. Po fjala e fundit? Ndonjë porosi? Ndonjë peng? Ndonjë amanet? Doja dhe unë të lë amanet. Se po vdes i pastër para Zotit e popullit tim. Pa damkën e tradhëtisë, me të cilën më njollosi drejtësia gjakatare e komunistëve. Por plumbat qenë më të shpejtë se amanetet. Radha u kosit brinjazi. Togeri me çizme lëkure i

ktheu në shpinë. Mjeku u përkul të verifikonte vdekjen në mbarim të agonisë. “Këto janë pamjet e fundit që

po marr nga kjo tokë, të cilës i shërbeva me shpirt, këngë, vargje dhe uratë”.

Togeri më kap nga jaka e veladonit. Nën ndriçimin e prozhektorëve më vë koburen në tëmtha e thotë:

- S’kam asgjë personale me ty, Atë. Është thjesht çështje detyre...

Mandej, duke mposhtur të qeshurën nën hundë, shton, pa e hequr grykën e kobures nga tëmthat e mia:

- Ju e kuptoni, Atë i nderuar, dhe jam i sigurt, se do të luteni për mua... në botën tjetër! Natyrisht, nuk ishte nevoja të ma kujtonte këtë xhelati im. Do të lutesha...

Po pse duhet të zgërdhihet ashtu? Krisma buçitëse e kobures më shpërqendroi.Dalëngadalë, gjithçka nisi të kthjellohej, tok me ndjesinë e lehtësimit nga barra tokësore.

Onufri, 2019



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora