E premte, 26.04.2024, 11:46 PM (GMT+1)

Mendime

Prend Buzhala: Nga ekstremizmi politik e deri te dialogu (I)

E diele, 24.05.2020, 04:12 PM


NGA EKSTREMIZMI POLITIK E DERI TE DIALOGU E MENDJA E HAPUR, I

(Kundrime anash) 1

Nga Prend BUZHALA

Jo rrallë nga eksponentë të partive politike dëgjojmë shprehjet: "qeveri e mashtrimit", "parti e mashtrimit", "politikë e mashtrimit" etj. Për atë që qeveris, pa marrë parasysh cila parti vjen në pushtet, do të quhet !qeveri e mashtrimit." Këtë slogan, pothuajse, si në korin mikst, e përdorin gati të gjitha partitë. Kjo do të thotë se e vetmja parti e vërtetë, që nuk mashtron, është partia e tij, është ai apo lideri i tyre, është programi i tyre. Dhe, përpos kësaj shprehjeje, për t'i bindur të tjerët se vetëm atë kryetar partie duhet ta pranojnë, vetëm atë parti e atë program duhet ta përqafojmë; ndërkaq të gjithë të tjerët janë gënjeshtarë, janë të dobët, janë pothuajse keqbërës kolektivisht: prej anëtarit të thjesht[ a një amvisjeje a të riu në studime, e deri te akademiku, prej një punëtori a bujku e deri te profesori universitar. Pra, kundër të gjithë të tjerëve u dashka për të qenë sa më jotolerantë, sa më të ashër, sa më mizorë. Me një fjalë, të gjithë këta Të Tjerët, duhet dërguar në ferr.

1. Ekstremizmi politik ose satanizimi i kundërshtarit

Dhe cilat janë Të Vërtetat që na i ofrojnë?

Janë të gjitha ato që e karakterizojnë një parajsë: kopshtin me lule, punësimin, lulëzimin... Për deri sa Të Tjerët ofrojnë të keqen e mashtrimin, krimin e keqbërjen, Pala Ideologjike Partisë Personale ofron programin e vetë në emër të Idealeve të Larta, Qëllimeve Sublime, siç janë Shteti, Patriotizmi, Kombi dhe Shoqëria. Dhe harrojnë që, posa anëtari i Tjetrës Parti të futet në atë Vathë Politike, menjëherë i lan mëkatet, bëhet i vërtetë, i pastër, i pamëkatë, posi në ritualet fetare!

Populli i Kosovës e ka provuar se çka ofronte partia e quajtur Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, kur u prodhuan vetëm armiqtë, disidentët politikë dhe në popull u përhap Kulti i Të Burgosurit Politik si shpresë e së ardhmes për nja 50 vjet me radhë; e ka provuar, ky komb (dhe të tjerat kombe) gjatë viteve '90, edhe pluralizmin politik të regjimit millosheviçian, në emër të vlerave të demokracisë: siç janë gjenocidi, persekutimi, diskriminimi në çdo fushë të jetës. Prej vitit 1945 e deri më 1999, e gjithë kjo fushatë bëhej në emër të së majtës.

Se çka provuam pas luftës, po në emër të idealeve të larta Politike e Partiake, e pamë: le të pyetet rinia dhe ajo e jep përgjigjen e saj. Duket sikur ende mbizotëron mendësia e partisë-shtet, ku demokracia degradohet skajshmërisht për hir të interesave vetjake e pasurimit vetjak e pa djersë: dhe për hir të këtyre "qëllimeve të larta" kundër Tjetrit që pretendon të amrrë pushtet, duhet të shfaqet sa më shumë dhunë, intolerancë, fyerje, përhapje gënjeshtrash e propagandë, për ta përhapur sa më shumë dehumanizimin e shoqërisë, për ta satanizuar sa më shumë kundërshtarin politik me sloganet: tradhtar, antievropian, antiamerikan, ose për ta stolisur me fobitë e ndryshme kundër këtij a atij religjioni, fobitë (frikësimet) kundër gjithçkaje tjetër. Fobia është sinonim kompleksesh të frikësimit. Dhe frikësimi është mjeti që zgjedhin për arritjen e qëllimeve. Frikësimi i regjimit millosheviçian përfundoi në luftëra e shfarosje.

Po frikësimet e sotme, ku përfundojnë?

Teodor Adorno thotë se E Djathta ekstreme po ashtu mbështetet në pushtetin autoritar, me adhurimin e Kultit të Pushtetit, apo "narcizmit në grup", por edhe ideologjisë së konservatorizmit, për aq sa mbështeten në dogmatizëm të majtët. Pra, ekstremizmat politikë shfaqen sa majtas aq edhe djathtas: prej fashizmi e komunizmit e deri te fundamentalizmi fetar (Maslov, Adorno: të dy palët janë jotolerantë, agresivë dhe autoritarë).

2. Nga konservatorizmi e dogmatizmi e deri te etnopsikologjia e ekstremeve

Pothuajse, si në shumicën e vendeve ballkanike, dhe shqiptarët u treguan në jetën politike ekstremistë politikë. Veprojnë e mendojnë me etnopsikolgojinë e ekstremeve e nëpër ekstremeve, pa çka se kjo mbulohet me atë sloganin e njohur marksist Kritikë ndaj çdo gjëje e gjithçkaje".

Ekstremistët e tillë shpallin vetëm beteja, "të gatshëm për luftë." Në këtë gatishmëri, natyrisht, liderit nuk i mungon as qimja e flokut: janë të tjerët që sakrifikohen për të, që burgosen apo që diskriminohen "për t'i fituar të drejtat", prandaj ai gjatë tërë kohës lëshon britma për luftë, për përleshje, për gjakosje. Tashmë anëtari i partisë nuk është anëtar i thjeshtë, por një luftëtar: që duhet t'i bëjë keq partisë tjetër, që duhet ta denigrojë e sulmojë anëtarin e partisë tjetër.

Patriotizmi ka qenë një rrobe e përshtatshme për t'i mbuluar tiraninë e pushtetit, shtypjes dhe mashtrimit konkret. E pra, vlera më e lartë, siç është patriotizmi, papritmas shndërrohet në pseudo-vlerë, në rrobe mashtrimi. Në fakt, nëse më alrt thamë që konservatorizmi e karakterizon të djathtën, (kësaj radhe, si vlerë e saj, ndryshe nga konservatorizmi autoritar), apo revolucionairteti i së majtës (po ashtu si vlerë), në përplasjet e reja politike, kjo ndasi shprehet ndryshe: "Ndarja e vërtetë nuk është midis konservatorëve dhe revolucionarëve, por midis autoritarizmit dhe liberalëve" (George Orwell).

Ndryshe, demokracia njeh të drejtën e secilit për të folur e shkruar lirshëm, për të manifestuar lirshëm, për të të bërë demonstratë pa frikë e që përbën edhe vlerat e vetë Kushtetutës moderne. Porse jo rrallë shteti e policia, gjyqet dhe institucionet e tij, shpesh japin shembullin e keq që ia mbajnë anën vetvetes, të pasurve, të fuqishmëve financiarisht e politikisht, oligarkëve. Në këso rastesh Fjalës së lirë i duhet të përleshet me dhunën e njëmendtë.

E ç ‘vlera liberale shfaqen me këtë rast?

A i duhet të jetë "liberal" qytetari i thjeshtë përballë një shtypjeje të tillë?

Vetvetiu pushteti i tillë është burim i radikalizmit dhe ekstremizmit. Tashmë Qytetari radikal, i tradhtuar, i zhveshur nga të mirat dhe vlerat e demokracisë, sheh se pushteti i tillë, autokratik, në rrënjën e tij është i gabuar, prandaj përligj veprimin e tij radikal e revolucionar. Ai do ta shtrojë pyetjen: si është e mundur që të ketë kaq shumë varfëri në mesin e një pasurie të pafund të të pasurve? Autoritarizmat tanë tashmë janë treguar jo të urtë: kanë shkatërruar "klasën e mesme" që e stabilizon shoqërinë ekonomikisht e në pikëpamje ekzistenciale, dhe krijojnë blloqe të kundërta ekstreme social-ekonomike: varfërinë ekstreme të një pjese të madhe dhe një pakicë që pasurohet barbarisht. Trajtimi i i keq i varfërve me mashtrime elektorale, me blerjen e shpirtit për qetësi, për pacifizëm total; shkërmoqet, kur në vend të bashkëpunimit paqësor, bashkëpunimit të interesave sociale, ofrohet indiferenca, moskokëçarja, harresa totale interesave të nevojtarëve, të papunëve, funksionimit të biznesit, institucioneve tj, rëndimi me taksa, paperspektiva për të qëndruar në Atdhe.

Nuk është e habitshme, prandaj, përse regjimet autoritare, për t'iu ikur revoltave të arsyeshme, prodhojnë konflikte artificiale, provokojnë gjakderdhje sociale. Zhduken kufijtë midis konservatorizmit të vërtetë dhe demokracisë me sjelljen autoritare; ofron "gjendje të jashtëzakonshme" në vend të bashkëpunimit demokratik; ofron "mbështetje në ligjin" e forcës së armatosur në vend të shërbimit real publik. John W. Dean, kur flet për "Konservatorizmin pa ndërgjegje" që kishte ndodhur në Amerikë, shprehet se "konservatorizmi shoqëror dhe neokonservatizmi kanë ringjallur konservatorizmin autoritar, dhe jo në të mirë për konservatorizmin ose demokracinë amerikane. Konservatorizmi i vërtetë është i kujdesshëm dhe i kujdesshëm. Autoritarizmi është i nxituar dhe radikal. Demokracia amerikane ka përfituar nga konservatorizmi i vërtetë, por autoritarizmi ofron telashe potencialisht serioze për çdo demokraci. "

Ndryshe nga ky konservatorizëm (i vërtetë apo radikal në SHBA), ndër ne profili i ekstremistit politik është bartës i një ideologjia post-ideologjike. Kësisoj, të pakënaqurit me gjendjen e vet, me papunësinë apo varfërinë, me gjendjen e pashpresë, ata janë të stresuar, të tensionuar emocionalisht, së këndejmi ata janë edhe të zhgënjyer, urrejnë në mënyrë irracionale, zemërohen dhe krijojnë figurën e armikut që duhet urryer, mbasi shoqëria i ka margjinalizuar; mbasi vuajnë nga inferioriteti (si të parëndësishëm për shoqërinë e familjen). Këtë agresivitet të të pakënaqurve e shfrytëzojnë partitë ekstreme politike, për t'i nxitur ata në veprime desktruktive, duke drejtuar andej edhe kah nuk duhet. Kështu, ekstremizmi politik i Partisë Politike, me masën e të pakënaqurve, e drejtojnë kah dhuna e jo kah veprimi konkret social, kah shkatërrimi i pronës publike e jo kah përmbysja e padrejtësisë, kah armiku i shpallur e jo kah burimi i të keqes me ligj e pa ligj.

3. Rrugëdalja te dialogu i brendshëm

Nuk është e habitshme, prandaj, përse shoqëria moderne, civilizimi eurperpndimor, e ka si masë vlere të veten dialogun. Këtë e pranojnë tashmë edhe hapësira jashtevropiane: “Mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemeve dhe luftën kundër luftës, është dialogu”(Malala Yousafzai, aktiviste pakistaneze).

Madje, edhe nga vetë ekstremi i majtë, shpallet Dialogu Social (në Kosovë Ky dialog social shpallet nga të gjitha partitë, të majta e të djathta, ani se është sferë e të majtës).

Ndryshe nga civilizimet tjera, dialogu është tipar dallues i civilizimit evropian, që nga ditirambet e lashta greke, nëpërmes dialogëve filozofikë të Ksenofontit, Platonit dhe Aristotelit, për të komunikuar një problematikë etike, kurse nëpërmes zhvillimit (dialektik) të dialogut, nëpërmes shtruarjes së argumenteve e kundër argumenteve, përzgjidhej një qëndrim autorial ose i bashkëbiseduesit, për ta përcaktuar, së fundmi, definicionin e nocionit të caktuar.

Të kësaj tradite të lashtë janë edhe urtitë tona popullore, alegoritë (tipat e meseleve) etj; deri te shfaqja nëpër kuvende burrash. Ne i kishim sokratët tanë, por jo edhe një Palton që t’i shkruante a shënonte fjalët. Nuk i kishim as ungjilltarët tanë që t’i shënonin fjalët e veprimet e shenjta të sa e sa figurave të tilla ilire-arbërore-shqiptare. As Jezusi as Sokrati nuk e kanë shkruar asnjë rresht, por aty ishin ungjilltarët dhe platonët që t’i shënonin fjalët e bëmat e tyre.

Në hulli të kësaj tradite, edhe sot ekziston shprehja dialogu sokratik, për ta shqiptuar a shfaqur një urti nëpërmes kuvendimit,. Te Platoni dialogu filozofik merr edhe trajtë artistike. Te veprat e Platonit dialogojnë filozofët, poetët dhe të rinjtë nga rrethi i Sokratit. Dhe aty ku figura qendrore e këtij dialogimi është ajo e Sokratit. Dialogët ngërthejnë prirjen autoriale të paraqitjes së gjallë të atmosferës, tematikës a problematikës së shtruar. Këtyre skenave kuvenduese nuk u mungon as dramatika (takimi para vdekjes...i Sokratit me miqtë). Nuk është e rastit përse, bie fjala, në shoqëritë post-totalitare ose dhe autokratike, pushteti është detyruar të bëjë dialog me disidentët politikë (si në Afrikën e Jugut apo në disa shtete aziatike). “Vetëm dialogu me një disident mund të zëvendësojë dhunën në një shoqëri moderne heterogjene, multikulturore, në një "botë me ndryshime kulturore të qëndrueshme" (Anthony Giddens).

A do të thotë kjo, që, duke mos e zhvilluar dialogun e brendshëm, ti mund ta zhvillosh të të jashtmin, qoftë edhe me Serbinë?



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora