Mendime
Florim Zeqa: Në pritje të rezolutës së re në OKB!
E merkure, 13.05.2020, 02:17 PM
Në pritje të rezolutës së re në OKB!
Shkruan:
Florim Zeqa
Në
kohën kur politikanët kosovarë janë në pritje të vendimit të Gjykatës
Kushtetuese për zgjidhjen e krizës institucionale, përkatësisht zgjidhjes së
ngërçit politik të krijuar pas shkarkimit të 'Qeverisë Kurti', Serbia dhe Rusia
po i koordinojnë veprimet e tyre për ndarjen dhe ripushtimin e Kosovës!
Deklarata
e ambasadorit rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharchenko për një rezolutë të re
për zgjidhjen përfundimtare për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të
Bashkuara, është goditja e radhës që merë politika e përgjumosur kosovare.
Në
vend që politikanët kosovarë (shqiptarë) të marrin iniciativën për heqjen e
Rezolutës 1244, (e cila parasheh Kosovën si pjesë integrale të Serbisë), për
t'i hapër rrugë anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara
(OKB), ata po e vazhdojnë betejën politike në mes tyre, se cili ta merrë
pushtetin në gjysëm shtet!
Ambasadori
rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharchenko, ka deklaruar kështu; "Një
zgjidhje përfundimtare për Kosovën duhet të përcaktohet në Këshillin e
Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke miratuar një rezolutë të re që
zëvendëson Rezolutën 1244,....vëmendja e vazhdueshme e Këshillit të Sigurimit
të Kombeve të Bashkuara ndaj Kosovës është një nga parakushtet për rregullimin
e problemit,...për çfarëdo ideje, siç është edhe ajo për ndarjen e Kosovës,
mund të vendosin vetëm Beogradi dhe Prishtina,...kriteri kryesor për neve është
që zgjidhja të jetë e pranueshme për Serbinë,...Serbia ka mbështetjen e Rusisë
në organizatat ndërkombëtare për qëndrimin e saj dhe refuzimin për të njohur
pavarësinë e Kosovës" (përfundon citati).
Pas
kësaj deklarate të ambasadorit rus në Serbi, ishte dashtë të mblidhet
urgjentisht Këshilli i Sigurisë Kombëtare, për të mobilizuar të gjithë
mekanizmat kombëtar, për të analizuar situatën para së cilës ndodhet Kosova, si
dhe për të shfrytëzuar të gjitha kapacitetet diplomatike dhe lobin
shqiptaro-amerikan në radhë të parë për pengimin me çdo kusht të një rezolute
të tillë.
Mbase
as kjo deklaratë e ambasadorit rus nuk ua prishë ëndërrat për pushtet
politikanëve pasiv kosovarë, pasi të njëjtit mendojnë që edhe kjo është ëndërr
sikurse ajo puna e ujkut dhe deles.
Ne,
edhe në rrethana normale nuk kemi pasur diplomaci efikase dhe as politikë të jashtme
të mirëfilltë që merrë nisma për një rezolutë të re në KS të OKB-së që njehë
Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, e lërë më tani, kur ajo fare nuk ekziston.
Ne
mburremi që kemi Ministri të Punëve të Jashtme vetëm në letër dhe ministër që
nuk del për asnjë vizitë jashtë vendit, mburremi që kemi Ministri të
Integrimeve Evropiane dhe ministër që asnjëherë nuk ka dalë nga zyra e tij, por
asnjëherë nuk jemi të gatshëm të pranojmë dështimet dhe pasojat e mos punës së
tyre.
Pra,
kemi ministra në detyrë që nuk e kryejnë asnjë punë të mirë për vendin, por ne
çuditërisht i lavdojmë dhe mburremi me ta!
Dikush
edhe mund ta justifikojë mospunën e ministrave në detyrë me situatën e
"Coronavirus"-it, por askush nuk mund ta arsyetojë heshtjen e
ministrave dhe kabinetit qeveritarë përballë agresionit politik të Serbisë.
Në
vend të kundërvënjes së nismave serbe kundër Kosovës, ka ndodhur e kundërta, ka
ndodhur relativizimi i Serbisë me heqjen e tarifës, pranimin e ndihmave
humanitare (1000 testeve për "Covid-19) dhe personelit mjekësorë nga
shteti armik i Kosovës!
Se
a ishte kjo pasojë e naivitetit politik të kryeministrit në detyrë apo diçka
tjetër më e keqe se kjo, mbetët të vërtetohet në të ardhmën e afërt.
Mirëpo,
nga ajo që po shihet në horizont, bashkë me pushtetin e ri, Kosovës po i
servohet edhe një rezolutë e re në OKB,
e cila do të jetë pak më e "ëmbël" sesa Rezoluta 1244.
Për
më tepër se rezultat i agresionit politik të Serbisë, deri tek kjo rezolutë po
vie shkaku i mungesës së politikës së jashtme dhe i përkeqësimit të pozicionit
të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në
kohën kur Kosovës i mungon qeveria fuqiplote, kur i mungon stabiliteti politik
dhe forca mbrojtëse (ushtria moderne dhe e armatosur), e vetmja mundësi për të
dalë fitimtarë në përballje me Serbinë, është ndërlidhja e interesave tona me
ato amerikane në Ballkan, që i bie, nëse arrijmë t'i shfrytëzojmë gërshëtimet e
atyre interesave do t'ia arrijmë të përmbyllim dialogun me Serbinë në favorin
tonë , në të kundërtën, na pret zgjidhje e dhimbshme dhe tepër e hidhur.
Në
pamundësi për të ndalur agresionin politik të Serbisë, politikanët kosovarë,
tërë (pa) fuqinë e tyre do ta drejtojnë kundër vetë-vetes, duke e shpallë
tradhëtarë njëri-tjetrin, duke mos lënë njeri të ndershëm e të pastër në këtë
vend.
Kryeministri
në detyrë, Albin Kurti nuk është se mbanë përgjegjësi për tërheqjen e 18
njohjeve dhe as për degradimin e politikës së jashtme të Kosovës në këto tri
vitet e fundit, por mbanë përgjegjësi për moskoordinimin e veprimeve me aleatin
numër 1 të vendit tonë, me SHBA-të dhe për mos sjelljen e asnjë njohje
ndërkombëtare për tre muaj të qeverisjes.
Votimi
eventual i një rezolute të re në KS të OKB-së për Kosovën sipas orekseve
ruso-serbe do të ishte disfata më e madhe për kryeministrin në detyrë, për
presidentin, për politik-bërjen kosovare dhe shtetin në përgjithësi.