E premte, 10.07.2020, 01:38 AM (GMT+1)

Komente

Shefqet Dibrani: Presidenti i Kosovës Isa Mustafa (3-4-5)

E premte, 27.12.2019, 01:00 PM


ME SHKAS:

PRESIDENTI I KOSOVËS, ISA MUSTAFA (3)

Nëse LDK-ja do ta kushtëzoj VV-në për postin e presidentit të cilën do t’ia rezervojë Isa Mustafës, atëherë vendi ynë e ka rastin historik që të futet  në Librin e Rekordeve Guinness

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Minatorët e Kombinatit Metalurgjik “Trepça” në Mitrovicë,  më 20 shkurt 1989, kanë nisur Grevën e Urisë e cila do të vazhdojë për tetë ditë me radhë, (20 - 28 shkurt 1989). Minatorët e Trepçës, kanë protestuar kundër suprimimit  të autonomisë së Kosovës, e cila me Kushtetutën e vitit 1974, ishte pjesë përbërëse e Federatës Jugosllave, me një fjalë Greva e 1300 minatorëve të “Trepçës” e vitit 1989, ishte rezistenca më e fuqishme politike e asaj kohe, kundër presioneve të errëta të regjimit në rritje të Sllobodan Millosheviqit, duke shënuar kështu në fakt fillimin e zhbërjes së Jugosllavisë.

Greva e minatorëve të Trepçës, u zgjerua edhe në  Stari – Tërg, Kishnicë e Novoberdë dhe në Golesh. Minatorët i sensibilzuan të gjithë shqiptarët në Kosovë, të cilët u hodhën në grevë të përgjithshme. E tërë jeta ishte paralizuar, janë mbajtur me mijëra tubime solidarizuese duke i përkrahur kërkesat e minatorëve. Shkollat nuk punonin, kurse studentët e UP-së protestonin në palestrën e sportit “25 Maji”, tash “1 Tetori” në Prishtinë. Edhe autori i këtij shkrimi ishte pjesë e drejtpërdrejt e atyre protestave. (Edhe sot më kujtohet çasti kur Palestinë Ferizi, e bija e gazetarit Jusuf Ferizi, dha lajmin se pas tetë motrash ato kanë një vëlla, e  pasi minatorët janë në grevë, ne vëllain tonë e kemi pagëzuar Minator tha ajo). E përmenda këtë rast, për të kuptuar se ishte një gjeneratë  e hershëm, ai brez që themeloi degët e LDK-së, të cilët tani po poshtërohen nga klientela e Kolegjit RIINVEST dhe Brezi i Republikës, që për ironi qenkan shkolluar në Amerikë dhe nëpër Universitete Evropiane?! Gjatë atyre ditëve, me minatorët janë solidarizuar edhe shkrimtarët dhe organizata të ndryshme shoqërore-politike të cilat mbanin mbledhje të shumta, por askund, me asnjë fjalë të vetme nuk mund ta dëshmojë Isa Mustafa se përkrahte kërkesat e popullit, përkundrazi ai gjithmonë ka qëndruar në anën e errët të hënës.

Greva që zgjati tetë ditë, njihej si greva më e gjatë nëntokësore që ishte mbajtur ndonjëherë. Epilogu i grevës u përmbyll me hospitalizimin e 180 minatorëve dhe dorëheqjen e udhëheqësve të kreut pro-Milloseviçit, Rrahman Morina, Ali Shukriu dhe Husamedin Azemi, që rezultoi të ishte një mashtrim komunist. Komunistët janë mashtrues, atyre nuk duhet besuar!

Po ashtu gjatë pranverës së atij viti, përkatësisht më 23 mars 1989, nga Kuvendi i Kosovës u aprovuan ndryshimet kushtetuese në Kushtetutën e Republikës së Serbisë. Që atë ditë shpërthyen demonstrata të fuqishme të cilat zgajtën pesë ditë. Më 28 mars 1989, në Beograd u finalizua miratimi i Kushtetutës së RS të Serbisë, me çka de jure Kosova humbi edhe atë autonomi kulturore që kishte fituar me Kushtetutën e vitit 1974. Në këtë aneksim, kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë edhe “eksperti” Isa Mustafa, i cili karrierën e tij e nisi si Drejtor i dhunshëm në Qendrën e Studentëve të UP-së në vitin 1981, për tu zgjedhur pastaj në shumë poste të lartat politike. Më 4 dhjetor 1989, vetëm dy javë para se të themelohej Lidhja Demokratike e Kosovës, Isa Mustafa, është zgjedhur "Sekretar krahinor për Zhvillim, Shkencë, Informatikë dhe Bashkëpunim Shkencor-teknik me botën", në Këshillin Ekzekutiv të KSA të Kosovës në krye me Jusuf Zejnullahun.

Një gjë është e qartë se gjatë viteve 1986 - 1989, Isa Mustafa, ka mbajtur pozita të rëndësishme në udhëheqjen komuniste në Kosovë, kurse në debatet e tija publike dhe nëpër intervista të shumta ai ka mbrojtur interesin e Serbisë në dëme të proceseve nëpër të cilat kalonte Kosova. Natyrisht pasi ishte kryetar i Këshillit Ekzekutiv (KE) të Komunës së Prishtinës, dhe drejtor i Entit Krahinor të Planifikimit Shoqëror, ka pasur një rol kyç si njeri i besuar i serbëve në ato procese.

Kur gjërat të shikohen në retrospektiv, nuk mund të besohet se ishte koincidencë zgjedhja e Sllobodan Millosheviqi, në maj 1986, Kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë, kurse një vit më vonë Serbia, do t’i nisi ndryshimet kushtetuese në interes të saj.

Brezi i Republikës dhe klientela e Kolegjit RIINVEST, duhet të mësojnë se Isa Mustafa në atë proces ishte pjesë e Komisionit kushtetues të Kosovës në cilësinë e “ekspertit” si “drejtor i Entit Krahinor të Planifikimit Shoqëror”. Ai së bashku me Syrja Popovcin, Hazër Susurin, Vesel Latifin, Habib Hashanin, Halit Muharremin, Qemal Sahatçiun, Pjetër Kolën, Shefqet Mustafën, Nik Lumezin etj., ka marrë pjesë aktive në shumë debate publike në Kosovë dhe në cilësinë e anëtarit të Komisionit Kushtetues të Kosovës ka marrë pjesë edhe në mbledhjet e Komisionit për çështje Kushtetuese të Kuvendit të Republikës së Serbisë, që janë mbajtur në Beograd! Viti 1989, ishte përplot ngjarje me rëndësi, si asnjëherë më parë Elita Intelektuale e Kosovës u mobilizua duke qenë aktive, qoftë me forma protestuese por edhe me deklarata kundër përpjekjeve të Serbisë për ta pushtuar Kosovën. Si rezultat i këtyre përpjekjeve, më 23 dhjetor 1989, dr. Ibrahim Rugova, bashkë me Elitën Intelektuale, themeluan LDK-në, partinë e parë antikomuniste në gjithë kampin e lindjes.

Legjenda:

Shënimet janë marrë kryesisht te portali PASHTRIKU.ORG: http://www.pashtriku.org/. Gazetat e cituara te ky portal janë me autor Sheradin Berisha. Ndërsa faksimilet e gazetave: Gazeta “RILINDJA”, 07 janar 1989; 18 mars 1989; 22 mars 1989, 24 mars 1989: 05 dhjetor1989. Saktësia e të dhënave lehtë mund të verifikohen vetëm duhet një kërkim i shkurtër në portalin në fjalë ose një kërkim në Google!

St. Gallen, 07.12.2019.

________________________

Me shkas:

PRESIDENTI I KOSOVËS, ISA MUSTAFA (4)

Nëse LDK-ja do ta kushtëzoj VV-në për postin e presidentit të cilën do t’ia rezervojë Isa Mustafës, atëherë vendi ynë e ka rastin historik që të futet  në Librin e Rekordeve Guinness

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, viti 1990, ishte viti i sfidave të mëdha, përkatësisht viti i ndarjes nga “vëllazërim-bashkimi”, që e predikonte Isa Mustafa, i cili me tërë qenien e tij ishte pjesë e strukturave të LKJ-së. Por, në Kosovë kishte filluar një mobilizim i gjithanshëm, si vazhdimësi e grevave dhe protestave që ndodhën gjatë vitit 1989.

Gjatë vitit 1990, ai ishte pjesë e kabinetit të Rrahman Morinës, pra edhe atëherë kur dr. Ibrahim Rugova e themeloi LDK-në, partinë e parë demokratike, e cila ia lëkundi themelet Jugosllavisë së AVNOJ-it. Pranvera e atij viti ishte përplot gjallëri, anëtarësimi në LDK, bëhej në mënyrë të organizuar dhe në formë masive. Elita Intelektuale dhe ajo Akademike e Kosovës, si kurrë më parë ishte në ballë të misionit të saj historik.

Kudo nëpër OTHPB-të e shumta kishte filluar dorëzimi masiv i librezave të LKJ”. Gjatë asaj kohe Kosova, edhe pse ishte nën pushtimin ushtarak serb, u organizua në lëvizjen paqësore për liri, pavarësi dhe demokraci të ndërtuar me mjete thellësisht demokratike. Kjo ishte lëvizja më interesante dhe e pashoqe e shekullit në Evropë, për nga mënyra e konceptimit dhe e veprimit për mbërritjen e qëllimit politik. Ajo u kthye në një betejë të fuqishme ndërmjet pushtuesit Serb dhe popullit shqiptar të Kosovës. Këtë betejë e udhëhoqi dr. Ibrahim Rugova”. Ndërsa Isa Mustafa, sorollatej kabineteve të Rrahman Morinës, atij nuk i bëhej kurrë vonë ashtu siç nuk iu bë kurrë vonë as në Qeverinë e Bujar Bukoshit në Ekzil, ashtu siç nuk iu bë vonë as gjatë luftës së UÇK-së, prandaj atij nuk i bëhet vonë as tashti duke e vonuar themelimin e “Qeverisë Kurti”. Ishte po ky Isa Mustafë, i cili nuk iu bë vonë as kur zvarriste punët me VLAN-in e as me PAN-in, pra Isa Mustafa, gjithmonë u vonua dhe madje në të gjitha ato legjislatura ku ai pati ndikim ishte në anën e errët të hënës.

Në vitin 1990, veprimtarët politik dhe Elita Intelektuale e Kosovës e dinte fort mirë se “me rastin e fillimit të rrokullisjes së Jugosllavisë drejt shkatërrimit, të kota, anakronike dhe donkishoteske u treguan edhe përpjekjet për të krijuar organizata gjithë jugosllave si UJDI i Veton Surroit dhe i jugo-jogurt jugosllavëve”. I këtij koncepti pro-Jugosllav ishte edhe kryetari i tanishëm i LDK-së Isa Mustafa, i cili me perfiditet arriti t’i sfidoj ato kohëra duke u faktorizuar si “ekspert”, kudo dhe kurdo?!

Tashmë shihet se jugo-shqipfolësit kanë mbetur po ata të dikurshmit, jo vetëm nostalgjikë të bashkim vëllazërimit, por edhe besnikë të ndërkryer, të cilëve u mungon Beogradi,... thjesht u mungon Jugosllavia, andaj edhe shajnë e përbuzin çdo vlerë kombëtare shqiptare. Jugo-shqipfolësit, si krijesa adapte, tashmë iu kanë përshtatur kohës. Sot janë bijtë e tyre, këta të cilët fryhen për trimëritë, që kishin treguar baballarët e tyre, duke mos u pajtuar me shpërbërjen e Jugosllavisë”.

Tridhjetë vjet më pas Isa Mustafën, edhe pse nuk i fitoi zgjedhjet qet kajde, ai po vonon krijimin e “Qeverisë KURTI”?! E, siç flitet, vonesat kanë të bëjnë me tallin që duhet t’ia dorëzojnë shefit të tyre ata që synojnë të bëhen Ministër në “Qeverinë KURTI”. S’ka dyshim këto veprime janë mënyrë e intrigave që bëjnë komunistët e dalë nga shkolla e Kumrovcit.

Pavarësisht asaj se edhe gjatë vitit 1990, Isa Mustafa vonohej, sikurse tashti për ta themeluar “Qeverinë KURTI”, “intelektualët, madje edhe në rrethana represive, guxuan - sidomos në Kosovë - ti kundërviheshin regjimit serb edhe me çmimin e burgosjes. Nga Adem Demaçi, tek “Apeli i 215 intelektualëve”, e deri te shkyerja e librezave të LKJ, në gazetën “RILINDJA”.

Në një plan tjetër, ngjarjet politike që ndodhën gjatë vitit 1990, nuk do t’i kuptojmë kurrë nëse ato ngjarje nuk i kundrojmë në kontekstin e atyre zhvillimeve, nuk i shohim si një kronologji e asaj kohe, prandaj kthimi ynë në retrospektivë ka për qëllim për t’i trajtuar ato zhvillime kombëtare duke i kundruar edhe nga zhvillimi i ngjarjeve të mëdha në planin ndërkombëtar. Atëherë kur baraspesha Lindje – Perëndim, po pësonte ndryshime strategjike, prandaj duhet të pranohet se është meritë e Elitës Intelektuale të asaj kohe, që diti ti drejtoj proceset mbarë dhe në interesin kombëtar. E potencojmë këtë fakt, për tua bërë me dije klientelës  nga Kolegji RIINVEST dhe Brezit të Republikës, se Isa Mustafa nuk ishte askund, përkundrazi Ai bënte sehir me duar në xhepa, kurrë nuk i bëhej vonë, tamam sikurse sot, d.m.th. atëherë dhe sot ai po qëndronte në anën errët të hënës.

Në arenën ndërkombëtare, sidomos në Paktin e Varshavës kishin filluar ndryshime të mëdha, edhe kur bota komuniste po rrokullisej, Isa Mustafa, i shërbente atij sistemi pa u merakosur se po i bëhej vonë?! Më 15 janar 1990, rrëzohet Partia Komuniste në Bullgari, kurse me 7 shkurt 1990, Rusia lejoi krijimin e partive të tjera parlamentare, e vetëm 4 ditë më pas (më 11 shkurt 1990), pas 27 vitesh, është liruar nga burgu Nelson Mandela. Sigurisht kjo lëvizje e madhe botërore do të ketë ndikuar te regjimi serb, për të marrë vendime për t’i liruar edhe të burgosurit politik shqiptarë që vuanin dënimet afatgjate nëpër Serbi dhe Jugosllavi.

Fryma e ndryshimeve preku edhe regjimin komunist të Tiranës zyrtare, atje dha dorëheqje Qeveria e Adil Çarçanit, (22 shkurt 1990), u krijua një Këshill i Përkohëshëm i Ministrave të cilit i printe Fatos Nano, e një muaj më pas, më 26 mars 1990, kanë shpërthyer demonstrata në qytetin e Kavajës, që u shtypen me dhunë.

Por lëvizje më të mëdha kishin nisur në Republikat Baltike në BRSS. Në këto përpjekje për të braktisur komunizmin, më 11.03.1990, Lituania, 04.05.1990, Letonia, ndërsa më 30 gusht të atij viti Armenia shpallën pavarësitë e tyre nga BRSS. Pa dyshim se ishin këto lëvizje të mëdha botërore të cilat i kanë determinuar të gjitha ndryshimet politike edhe në Kosovë. Në këto rrethana duhet të pranohet se ishte meritë e LDK-së dhe e asaj Elite Intelektuale, e cila ishte në krye të misionit historik. Por, qysh gjatë asaj kohe, strukturat titiste do të nisin një luftë speciale përplot shpifje dhe etiketime kundër bartsve kryesor të atyre proceseve. Duke mos dashur ta rehabilitojmë asnjërin, shikuar nga kjo retrospektivë kohore, duket se ishte një luftë speciale, e menduar mirë, për t’i sistemuar dalëngadalë elementin e vet, qoftë në LDK, por më vonë edhe në partitë tjera, duke mos përjashtuar as mekanizmat udhëheqës në Qeverinë e Kosovës.

Pavarësisht këtyre fërkimeve, proceset politike kanë ecur mjaftë mirë. E njëra nga ngjarjet më të mëdha të atij viti padyshim se ishte DEKLARATA KUSHTETUESE për pavarësinë e Kosovës, e cila ndodhi më 2 Korrik 1990. Padyshim, se do të mbetet enigmatike, se si ndodhi, po të njëjtën ditë, me mijëra njerëz në Tiranë, të mësyjnë drejt ambasadave të Gjermanisë, Italisë, Francës etj. Policia e atjeshme bënte arrestime, prandaj vëmendja e opinionit botëror u zhvendos nga Prishtina në Tiranë, duke ia humbur në masë të madhe rëndësinë atij veprimi politik që ndërmorën Delegatët e Kuvendit të Kosovës, të cilët edhe pse në rrethana mjaftë të dyshimta që ishin zgjedhur e seleksionuar nga ai regjim, ata kryen një mision historik.

Këtë ngjarje, Radio Televizioni i Prishtinës (RTP), në mënyrë eksplicite e pasqyroi rëndësinë kushtetuese të “ Korrikut 1990,  prandaj RTP-ja nuk mbeti pa u ndëshkuar. Më 5 korrik 1990, regjimi i Beogradit e mbylli RTP-në, për të mos u hapur më kurrë, për fat të keq as pas çlirimit të Kosovës?! Mbyllja e dhunshme e Radiotelevizionit të Prishtinës nga forcat policore serbe, erdhi vetëm 3 ditë pas shpalljes së Deklaratës së 2 Korrikut nga delegatët e Kuvendit të Kosovës.

Fushata e egër kundër RTP u bart tek gazeta “RILINDJA”, e cila më 5 shtator 1990, u ndalua edhe botimi i saj, por gazetarët e saj nuk u ndalën veprimtarin e tyre dhe nuk u përkulën para presionit të Serbisë. Shuarja e këtyre dy mediumeve me traditë të gjatë, që patën pasur rolin kryesor në shpërbërjen e Jugosllavisë, u mallkua nga klika titiste e shërbimit komunist jugosllav. Ata shpejt janë riformatizuar, kurse sot pozitat e tyre nëpër parti politike dhe në institucionet shtetërore, është e fortë dhe ndikuese.

Nga ngjarjet ndërkombëtare vlen ta përmendim se gjat muajit gusht të atij viti do të fillon Lufta në Gjirin Persik, kurse më 3 tetor 1990, Gjermania  bashkohet përfundimisht në një shtet të vetëm.  Ngjarje të tjera me rëndësi mbeten demonstrata e studentëve në Tiranë kundër regjimit komunist, kurse një javë më vonë, më 12 dhjetor 1990, themelohet Partia Demokratike e Shqipërisë, e para parti opozitare.

Në Beograd, më 9 dhjetor 1990, Slobodan Milošević, zgjidhet kryetar i Serbisë për të nisur ofensiva e tij drejt Kosovës, e cila vazhdimisht është ndihmuar nga strukturat e mbetura në LKJ-në, në mesin e të cilëve bënte pjesë edhe Isa Mustafa.

Kur jemi këtu, duhet përmendur se në Enciklopedinë e Lirë “Wikipedia”, versioni në gjuhën anglisht thuhet se “në vitet 1990, ndërsa Jugosllavia filloi të shpërbëhej, Isa Mustafa u bë Ministër i Ekonomisë dhe Financave i qeverisë së Republikës së Kosovës, në mërgim, i kryesuar nga Bujar Bukoshi. Gjatë kësaj kohe, një urdhër arresti për Mustafën u lëshua brenda Jugosllavisë - që nuk u bë kërkesë ndërkombëtare, duke bërë të mundur që ai të punojë në Evropën Perëndimore. Isa Mustafa nuk kërkoi azil politik dhe ishte në gjendje të kthehej në Kosovë në çdo kohë nëse ishte e nevojshme”. Kurse në versionin e kësaj enciklopedie në gjuhën gjermane, pos tjerash thuhet: “Pas luftës, Isa Mustafa u përfshi si shkencëtar dhe studiues në Universitetin e Prishtinës dhe Institutin RIINVEST. Ai ishte President i Bordit Mbikëqyrës në Bankën “Dardania”, si dhe anëtarë i Bordit Mbikëqyrës në “Banka e Re”, në Universiteti i Kosovës, Universiteti Amerikan në Kosovë dhe Banka Qendrore e Kosovës”. E këto pozita udhëheqëse, përplot hipoteka e dyshime, janë të mjaftueshme për prokurorin e shtetit për të nisur hetime. Isa Mustafa, vazhdimisht ka ditur të mashtroj, madje dyshohet edhe shërbimet e sofistikuara të inteligjencës ndërkombëtare, që heshtin karshi tij.

Pra, duke i parë obstruksionet e Isa Mustafës në raport me VETVENDOSJEN, për ta themeluar “Qeverinë KURTI”, duket se “Pushteti i butë post-komunist u dëshmua shumë më efektiv në lodhjen dhe vetë-dorëzimin e intelektualëve, se ai i mëparshmi- i vrazhdi-komunist. Intelektualët (edhe ata në LDK, shënimi im sh.d.), e pranuan këtë lojë, andaj as nuk mund të amnistohen. Ata, mbeten humbësit e vazhdueshëm, pavarësisht ndryshimit të sistemit".

St. Gallen, 08.12.2019.

________________

ME SHKAS:

PRESIDENTI I KOSOVËS, ISA MUSTAFA (5)

Nëse LDK-ja do ta kushtëzoj VV-në për postin e presidentit të cilin do t’ia rezervojë Isa Mustafës, atëherë vendi ynë e ka rastin historik që të futet në Librin e Rekordeve Guinness!

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Viti 1990, jo vetëm për Lidhjen Demokratike të Kosovës, por në përgjithësi për popullin shqiptar, ishte vit i sfidave, vit i konsolidimit, vit i orientimit, vit i unifikimit dhe i transformimit të koncepteve nga e majta titiste dhe qe besa edhe marksiste-leniniste, drejt së djathtës eurodemokratike. E nëse ne edhe sot nuk jemi të gatshëm t’i pranojmë defektet që i shoqëruan ato sakrifica dhe përpjekje do të thotë se nuk jemi në gjendje për ta ndryshuar Kosovën e cila ka nevojë më shumë se kurrë. Intelektualët, veprimtarët dhe luftëtarët nuk duhet t’i friksohen të kaluarës së tyre, qoftë ajo edhe e zymtë dhe me gabime, vetëm të mos jenë gabime të porositura nga shërbime antishqiptare. Gabimet falën, por jo edhe tradhtia kombëtare, as nuk duhet të falet pasuria e krijuar mbi gjakun e luftëtarëve dhe dëshmorëve, sikurse as karriera politike e fituar mbi gjakun e familjarëve për t’i shërbyer nomenklaturës titiste në strukturat politike, sidomos brenda vet LDK-së.

Ka ardhur koha që ta shikojmë njëri tjetrin në sy, ka ardhur koha që t’i trajtojmë veprimet e gabuara dhe t’i qortojmë konceptet tona ideologjike me syrin kritik. E nëse as sot nuk durojmë vlerësime reale, atëherë mund të konstatojmë se ne nuk jemi futur as në proces, prandaj e kemi të tashmen kaq të ngatërruar, mbase duke mbuluar e korrigjuar të kaluarën ne po mashtrojmë të tashmen dhe po varrosim të nesërmen me pak shpresa për tu përmirësuar.

Për ndryshimin substancial të një shoqërie nuk mjaftojnë vetëm distancimet antikomuniste e sharjet kundër marksist-leninistëve idealist, sepse në këtë berihaje kanë livadhisur të gjithë titist e bashkëpunëtorët e sitemit paraprak. Ata i jepnin zjarre konfliktit përmes mediave që vet i kontrollonin. Fyerjet dhe konfliktet e asaj kohe janë me përmasa tragjike, pasi ato bëheshin me përmasa urrejtjesh gjeneralizuese, pasojat e atyre konflikteve po manifestohen edhe në të tashmen e bërë lëmsh, ku mos durimi politik ka sjellë kaos e turbullira të shumta, ndërsa strukturat titiste të cilat janë mjaftë aktive po i ngrohin duart në këtë zjarr.

Në kuadër të ndryshimeve konceptuale, gjatë vitit 1990, zgjerimi dhe masovizimi i LDK-së ishte i paparë, thuaja se nuk pat mbetur asnjë qytetar po u anëtarësuar. Për fat të keq nuk ka pasur seleksionime as kontroll të duhur, pse të mos dihej kush po hynë dhe me porosinë e kujt ka ardhur. Gjatë atyre viteve është manifestuar, (herë më heshtur, e herë më vrazhdët), një kundërshtim pa zgjedhur mjete ndaj ish grupeve ilegale që vrullshëm dolën nga burgjet e Serbisë. Ky konflikt u bart edhe në Evropën Perëndimore, ku lufta e klasave ishte më e hapët dhe më e drejtpërdrejt, e cila bëhej kundër veprimtarëve të Lëvizjes Popullore të Kosovës, gjë që kurrë nuk u arrit një pajtueshmëri edhe për gjërat kapitale nëpër të cilat kalonin proceset.

Ky defekt ideologjik i ka pasojat e veta, dhe me sa di askush nuk ka hulumtuar për të gjetur shakun ose defektin e këtij procesi. Tash kthehemi tek maksima e njohur se “Pa e njohur historinë e sëmundjes nuk mund të përcaktohet diagnoza”! E ato konflikte, edhe sot e kësaj dite nuk janë shëruar, andaj nuk ka pajtueshmëri. Derisa në këto vite LDK-ja është marrë kryesisht me të majtën agresive të LPK-së, vazhdimisht e ka harruar të majtën titiste e cila iu fut përbrenda. Shikuar në retrospektivë shpifje e programuara kundër udhëheqësve të LDK-së, veçmas kundër Elitës Intelektuale, janë të pafalshme, sepse duken si të koordinuara për ta pushtuar LDK-në, qoftë vet e qoftë struktura titiste të cilat përfaqësohen nga Isa Mustafa, i cili në emër të Kolegjit RIINVEST, bëri puç në LDK, ku bashkë me të ashtuquajturin “Brezi i Republikës”, janë shndërruar në klientelë kriminale në dëm të Kosovës.

Pra, brendapërbrenda konfliktit këtyre dy blloqeve, (LDK - LPK), që ishin në një konflikt të përhershëm, me lehtësi janë përbiruar strukturat e shërbimit sekret serb, të cila kanë pasur sukses për ta nxitur dhe zgjeruar mospajtueshmërinë. Sot, struktura të atij sistemi, që nuk ishin pjesë udhëheqëse e as publike në LDK, po udhëheqin me Kosovën, pasi në mëshirën e tyre flitet se është drejtësia dhe siguria, po ashtu ky rrjetëzim është shtrirë edhe në, sistemin bankar e trustet pensionale, nëpër Organizata Joqeveritare dhe kudo ata udhëheqin me mediat, prandaj me lehtësi publikojnë shpifje dhe rrena, dështojnë sistemin arsimor dhe çdo hallkë të shtetit, vetëm e vetëm për ta bërë Kosovën një shtet të dështuar, gjë që po kundërmon luftë antiamerikane e cila do t’iu kushtojë proceseve. D.m.th. në LDK nuk është aplikuar mënyra e seleksionimit, kjo gjë nuk ka ndodhur as në LPK, e me këtë as në UÇK, dhe në asnjërën nga partitë e formuara pas përfundimit të Luftës, prandaj jemi në krizë të thellë dhe kjo vjen në saje të këshilltarëve dhe analistëve të cilët për këto njëzet vjet vazhdimisht kanë programuar dështime sipas urdhrave dhe misioneve të dyshimta. E shoqëria jonë nuk është e gatshme për të pranuar një Vetting, një verifikim brenda sojit, për të kaluarën e komplikuar të mjaftë udhëhqësve, të cilët tashmë janë me fajësi për gjendjen e krijuar dhe nuk ngurrojnë për të shprehur haptas ambiciet për tu bërë edhe President i ardhshëm i Kosovës.

Një gjë dihet se gjatë viteve të nëntëdhjeta, jashtë proceseve patën mbetur farkuesit e vëllazërim – bashkimit dhe struktura udhëheqëse të LKJ-së, të cilat sot, formalisht mund të përfaqësohen nga Isa Mustafa, dhe një garniturë sojnikësh të kësaj natyre të cilët kanë zënë poste udhëhqëse në mekanizma të ndieshëm shtetëror për të prodhuar, sa herë të duan kriza, pasiguri dhe kaos në politikën e brendshme në Kosovë. Por, Isa Mustafa, i asaj kohe, si askush tjetër iu pat mbetur besnik idealeve të tija komuniste dhe nuk dihet asnjëherë nëse ai e pat dorëzuar librezën e LKJ-së, para se të emërohej Ministër për Ekonomi dhe Financa, por askush nuk mundet ta thotë si arriti Isa Mustafa edhe këtu të përbirohej pa dhënë llogari, pa u vet rrëfyer, prandaj edhe refuzimi i sotëm për ta krijuar Qeverinë me Albin Kurtin, nuk lidhet aq me me postin e Presidentit, siç duket në të parë, por Isa Mustafa ia ka frikën Modelit Kroat kundër Kryeministrit Sanader?! Isa Mustafa, ka interes për ta ruajtur të kaluarën e tij përplot hipoteka, dhe krejt natyrshëm edhe pasurinë të cilën e kanë krijuar, (siç flitet), të bijtë dhe klientela e tij. Prandaj një veprim i mundshëm i VETVËNDOSJES, për ta zbatuar modelin kroat edhe kundër ish Kryeministrit nga radhët e LDK-së, e bënë Isa Mustafën qyqe, kontrovers, andaj është kontradiktor dhe hujli me shumë e për shumë pikëpamje, me të cilat vet u deklaruan se paskan arritur pajtueshmëri të plotë programore.

Ndërsa ne po i kthehemi atyre ngjarjeve, nëpër të cilat kaloi Kosova, atëherë kur LDK-ja nisi për t’i themeluar Degët e saj edhe në Diasporë. E në kuadër të atyre zhvillimeve ne nuk kemi qëllim për t’i trajtuar aspektet politike, as shtrirjen dhe organizimin e mirë a të keq, madje nuk po flasim as për rolin dhe ndikimin e LDK-së në vendet e Evropës Perëndimore, por do t’i theksojmë vetëm ato raste pikante që lidhen me veprimtaritë antidemokratike dhe antiinstitucionale të Isa Mustafës, i cili tashti po udhëheqë Partinë që e themeloi dr. Ibrahim Rugova, kurse dikur e urrente dhe e pengonte në udhëtimet e tija drejt Amerikes. Por duhet theksuar se ai masivizimi i përshpejtuar që i ndodhi LDK-së edhe në Diasporë, ishte si rezultat i përçarjeve disavjeçare që ekzistonin brenda vet LPK-së, e në anën tjetër dukej si nevojë për tu ndryshuar, por padyshim ndikoi edhe retorika e miqësisë me Ameriken dhe vendet e Evropës Perëndimore, që patën efektin e tyre pozitiv.

ORGANIZIMI PËR VETËFINANCIM

Fillimisht “Fondi Humanitar i LDK-së”, që u themelua më 02 dhjetor 1990, në qytetin St. Gallen, ishte organizim i brendshëm i LDK-së. Gjatë vitit 1991, u pa nevoja që ky fond të merr karaktere më gjithëpërfshirës, pasi në ato procese ishin të angazhuar shqiptarët etnik nga të gjitha trevat dhe nga e gjithë hapësira gjeografike. Gjatë kësaj kohe, në Komisionin Qendror të këtij fondi u futen edhe aktivist jashtë strukturave të LDK-së, pra edhe përfaqësues të LPK-së, e me kalimin e kohës “FONDI HUMANITAR I LDK-së” u shndërrua në “FONDI HUMANITAR GJITHËKOMBËTAR”. Sa i përket veprimtarisë së Fondit, përveç komunikatave e shkresave publike, ka pas përpjekje për tu ndërtuar edhe sistemi i kontrollit, e në anën tjetër duhet theksuar se ishte hera e parë që u kërkua nga mërgata të mos mblidhen para me kapuç.

Me themelimin e “FONDIT HUMANITAR GJITHËKOMBËTAR”, praktikisht u ndanë financat partiake nga ato shtetërore duke pasur synim për t’u kanalizuar përmes llogarive bankare dhe natyrisht edhe përmes sistemit të kontrollit dhe përgjegjësitë të menaxhoheshin më mirë. Tashmë, pjesë e “FONDIT”, ishin të gjitha grupimet dhe organizatat politike e kulturore, duke i mbuluar trojet sipas shtrirjes gjeografike, dhe sado që do të ketë pasur gabime ka qenë një frymë mobilizuese e të të gjithëve e cila nuk qëndroi gjatë dhe nuk u përserit më kurrë, madje për fat të keq as gjatë Luftës së UÇK-së në vitet 1998-1999.

Në vitin 1991, LDK-ja, e pat organizuar referendum për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, mbi 99% të qytetarëve u përcaktuan “për pavarësi”, por këtij referendumi nuk iu pat bashkangjitur Isa Mustafa dhe as klani titist që shpresonte në LKJ-në e mbetur në kornizat për një Serbi unike. Sado që ai referendum nuk pati efekte ndërkombëtare, brendapërbrenda shqiptarëve krijoi një unifikim substancial. Në tetor po të atij viti, LDK-ja e themeloi Qeverinë e Kosovës e cila vepronte në ekzil dhe udhëhiqej nga Bujar Bukoshi - kryeministër. Se si e solli Bujar Bukoshi, për ministër Isa Mustafën, janë dy tre versione, por secili lakohet nga klanët e ish sistemit komunist jugosllav, të cilët vinin e dilnin, qoftë në LDK ose në Qeveri, në misione të caktuara. Gjatë vitit 1992, derisa LDK-ja kishte kompetencat kryesore mbi “Fondin Humanitar Gjithëkombëtar”, dhe pasi i kishte premtuar anëtarësisë se të gjitha mjetet do të kalojnë në kompetencë të Qeverisë së Kosovës posa të formohet. Vërtetë kështu është vepruar, sepse vet kryetari i Degës mr. Shaip Latifi, i pat bartur kompetencat bankare tek Isa Mustafa, përkatësisht personat e autorizuar nga ai, ku deri atëherë ishin grumbulluara rreth 9 milion franga zvicerane.

E çfarë ndodhi më pas, Isa Mustafa do t’i heq të gjithë emrat nga fondi, do ta prodhojnë një alibi me administratën bankare, kështu që do të ndërrohet banka dhe misioni i Fondit. Qeveria e Kosovës pat themeluar “Fondin e 3%”, ndërsa lufta e shtrigave kundër LDK-së nisi në pranverën e vitit 1993, kur u shkarkua Kryetari i Fondit të Trepërqindëshit, ing. Nazmi Peci, bashkë me stafin udhëheqës, ndërsa nga presionet e hapura të dr. Bujar Bukoshit dhe të mr. Isa Mustafës, në vjeshtën e vonë të po atij viti u detyrua të tërhiqet edhe kryetari i Degës së LDK-së në Zvicër, mr. Shaip Latifi.

LUFTË E ASHPËR KUNDËR DR. RUGOVËS DHE DEGËVE TË LDK-SË

Lufta kundër LDK-së dhe Ibrahim Rugovës, që bënte komunisti Isa Mustafa, që u bë Ministër për Ekonomi dhe Financa, pa e dorëzuar librezën e LKJ, do të jetë shembulli ma anakronik i asaj kohe, i asaj qeverie, dhe i asaj shoqërie. Pas vdekjes së Presidentit Rugova, Isa Mustafa bashkë me Vjosa Osmanin, ishin këshilltar të Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu. Atë e dështuan këshilltarët e tij, prandaj Isa Mustafa, arriti pa qenë fare anëtarë të bëhet edhe kryetar i LDK-së dhe më pas edhe Kryeministër i Kosovës.

Në Evropën Perëndimore Viti 1993, njihet edhe si luftë e shtrigave kundër Degëve të LDK-së në Diasporë. Menjëherë posa u spastruan parat nëpër bankat perëndimore, dhe kur u themelua “Fondin e 3%”, Isa Mustafa, në një afat rekord, arrit ti shkarkojë mbi 2600 aktivist. Ashtu siç ka bërë me LDK-në, e pat ndërruar strukturën udhëheqëse, ua hoqi nënshkrimet nëpër banka të gjithë atyre që nuk iu besonte, dhe më kurrë s’ka dhënë raport para Degëve të LDK-së, në Zvicër dhe Gjermani.

Skandali më i madh ishte kur shkarkoi një Inxhinier dhe solli nga klientela e tij një të dëgjueshëm që nuk kishte më shumë se shkollën e mesme. Tamam historia përsëritet kur Isa Mustafa në vitin 2015, në dy degët e LDK-së, në Zvicër dhe atë në Gjermani, do t’i shkarkojë intelektualët dhe themeluesit, për ti vendosur analfabetët e dëgjueshëm që ishin “Poroznik” nga klientela e tij, dhe çuditërisht nuk pati reagime, madje as për epilogun kundër Donikë Gërvallës në Degën e LDK-së në Gjermani.

Periudha e Bujar Bukoshit, si kryeministër i Qeverisë së Kosovës në Ekzil, zyrtarisht llogaritet (05.10.1991–01.02.2000). Isa Mustafa gjatë të gjitha atyre viteve është sjell po me të njëjetn logjikë siç po vepron tashti edhe me themelimin e “QEVERISË KURTI”. Ai as atëherë nuk merakosej se i bëhej vonë, ai e dinte se me ato para që i mblidhte mbi 90% vetëm nga anëtarësia dhe simpatizantët e LDK-së, mbahej gjallë e tërë jeta paralele në Kosovë, respektivisht me ato para është “bërë financimi i arsimit dhe është investuar edhe në shëndetësi, si dy shtyllat kryesore (për të emituar rezistencën paqësore, shënimi im) civile dhe të kohezionit demografik shqiptar në Kosovë”.

KONFLIKTI ME LPK PRODUKT I KLANIT BUKOSHI & MUSTAFA

Isa Mustafa, përveç skandaleve me udhëtimet e dr. Ibrahim Rugovës drejt Amerikës, ka dhënë kontribut të mëdha në përçarjen e diasporës, pasi aktivistët e Trepërqindëshit, në atë kohë nuk silleshin më si koleg e veprimtar të LDK-së, por arroganca e tyre shpesh ngjasonte me sjelljet e “poreznikve” të dikurshëm. Kundër LDK-së vepronin edhe struktura të LAPSH-it (Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë), të cilët merreshin kryesisht me mbarëvajtje e arsimit shqip. Tashmë Shkolla Shqipe në Perëndim, Komisionet e Trepërqindshit që mbaheshin kryesisht nga LDK-ja, sepse mbi 90%, kanë paguar vetëm anëtarët dhe simpatizantët e LDK-së, edhe konflikti me LPK, bëhej me përmasa më të ashpra, pasi siç dihet dhe është thënë se Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa, u kishin dhënë miliona para të gatshme, “Dy Bosëve të LPK-së”, të cilëve edhe vet LPK-ja ua ka pa sherrin. Gjithë këto pazare janë bërë në emër të Luftës. Sikur kjo nuk i mjaftoi Isa Mustafës, por eprori i titizmit kishte nisur një luftë shtrigash edhe kundër Eprorëve të karrierës, kundër të cilëve është përdorur shpata me dy tehe. Është thënë se gjatë vitit 1994-1995, Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa, kanë lëshuar formular për t’i plotësuar ushtarakët, nëse ishin ata me dr. Bujar Bukoshin ose me dr. Ibrahim Rugovën, kurse menjëherë pas lufte rreth 2 milion marka ata ua kanë shpërndarë 50 FARK-istave të dëgjueshëm, duke i hequr nga listat të gjithë oficeret e padëshiruar, të cilët janë detyruan të mësyjnë mërgimin.

Nga këto fakte të ditura e të përfolura me dhjetëra herë, nëse Gjykata Speciale nuk i heton, ajo nuk do të vie kurrë në një përfundim të dëshiruar. Tashmë dyshohet se edhe dëshmitarët e mbrojtur, kryesisht janë ish polic ose struktura të sistemit serb në Kosovë, të cilët janë në gjendje për të shpifur gjithçka vetëm e vetëm që ta shpëtojnë lëkurën e tyre.

St. Gallen, 11.12.2019.

Vijon…



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora