E marte, 19.03.2024, 02:27 AM (GMT)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Fondi i bibliotekës personale të Thoma Binjakut, dhuratë Bibliotekës “Dritëro Agolli” të Fierit

E premte, 15.11.2019, 09:28 PM


Fondi i bibliotekës personale të Thoma Binjakut, dhuratë Bibliotekës “Dritëro Agolli”  të Fierit

Nga Entela Binjaku

Libri, ndërthurja e brezave, misioni edukues i arsimtarit dhe qëndrimi emancipues i intelektualit, të gjitha këto u ndërthurën bashkë në këtë fillim nëntori 2019 kur një familje fierake i dhuroi një fond librash institucionit të bibliotekës së qytetit.

Rastet kur familjet e intelektualëve kontribuojnë për të pasuruar fondet kulturore të qyteteve të tyre, janë mjaft të njohura në histori. Shoqëritë e përparuara na kanë dhënë shpesh shembuj të tillë, por edhe në shoqërinë tonë modele të tilla nuk mungojnë.

Kur kanë kaluar 14 muaj nga ndarja nga jeta e intelektualit të njohur fierak Thoma Binjaku “Mësues i Merituar” familja e tij vendosi t’i dhurojë librat e fondit personal, Bibliotekës “Dritëro Agolli” të Fierit. Ky ishte një zotim që familja e kishte marrë publikisht në 6-mujorin e ndarjes së tij nga jeta në një aktivitet përkujtimor të mbajtur në sallën e konferencave të Hotel “Fierit”.

Paraditen e së premtes së 15 nëntorit 2019  librat ju dhuruan drejtoreshës së këtij institucioni kulturor znj. Klodjana Gjata.

Drejtoresha e mirëpriti dhe shprehu falënderimet në emër të institucionit që ajo drejton. “Falënderoj familjen për gjestin fisnik! I ftoj qytetarët të kontribuojnë për pasurimin e Bibliotekës, në të mirën e lexuesve tanë”, u shpreh Gjata, drejtuesja e këtij institucioni të rëndësishëm kulturor.

Lidhur me këtë veprim të dinjitetshëm, e bija e intelektualit të ndjerë   znj. Ajrina Dimo u shpreh: “Të mirat që na vijnë prej librave janë të shumta: librat janë dije, janë mësime për jetën, na përmirësojnë imagjinatën. Libri na ndihmon të jetojmë përvoja të reja. Kur në duar kemi një libër interesant, shkëputemi edhe nga bota jashtë. Vetëm njeriu që lexon mund të jetojë një mijë jetë. Babai ynë e donte shumë jetën dhe jetoi deri në ditët e fundit të tij mes librave. Ne dëshirojmë që biblioteka e tij të kontribuojë sado pak edhe tek lexuesit e qytetit. Kështu përjetësojmë tek bashkëqytetarët tanë fierakë pasionin e tij për librat dhe dashurinë e pamatë për dijen”.

Znj. Dimo po vijon të çojë përpara edhe një nga dashuritë e të atit: atë për edukimin e fëmijëve dhe të të rinjve me vlerat e veçantive kulturore.

Disa muaj më parë ajo ishte edhe shoqëruese e rreth 30 fëmijëve dhe të rinjve arumunë nga i gjithë vendi që morën pjesë në kampin veror të Sulinës, në Tulçea të Rumanisë. Pjesëmarrësit nga Shqipëria morën pjesë në kampet e njohura si kampet “ARC”, në raundin e dytë e tyre. Gjatë 7 ditëve fëmijët dhe të rinjtë praktikuan gjuhën dhe jetuan sipas mënyrës rumune. Kurset e rumanishtes dhe të historisë ndihmuan komunikimin dhe integrimin e pjesëmarrësve nga Shqipëria me bashkëmoshatarët e tyre që vinin nga: Moldavia, Ukraina, Franca dhe Maqedonia e Veriut.

Ndërkohë dorëzimi i librave në Bibliotekën e qytetit u krye në një kohë kur edhe ky institucion është në rikonstruksion dhe pritet të ofrojë për lexuesit dashamirës të librit një mjedis tërësisht bashkëkohor.

Ky veprim erdhi disa javë më vonë pasi Thoma Binjaku u nderua me diplomë nderi nga Shoqata Kulturore “Arumunët e Shqipërisë”.

Ky vlerësim ju dha në Tiranë në përvjetorin e 28-të të themelimit të kësaj shoqate me motivacionin: “Me rastin e 21 tetorit, ditës së krijimit të Shoqatës, vlerësuar për kontributin e dhënë në gjallërimin dhe zhvillimin e traditave kulturore, fetare, folklorike e gjuhësore tek minoriteti arumun në Shqipëri si edhe në aktivitetet për lidhjet vëllazërore me popullin rumun”.

Nderimet pas vdekjes për figurën e intelektualit të njohur, Thoma Binjaku një autoritet në fushën e arsimit kombëtar, kanë qenë disa.

Në 7 mars të këtij viti ai u nderua nga Bashkia e qytetit të Fierit me mirënjohjen për kontributet e shquara në arsim.

Në po këtë datë në Tv “Kombi” u shfaq dokumentari me titull: “Një jetë kushtuar pasionit” në nderim të  figurës së tij.

Në 1  shtator 2019 në një vjetorin e ndarjes nga jeta në studion e TV “Apollon” të qytetit të Fierit, kolegë dhe bashkëpunëtorë të Thoma Binjakut folën për punën e tij të palodhur dhe përkushtimin ndaj arsimit. Kjo datë përkonte edhe me fillimin e muajit të vjeshtës që për shumë breza simbolizon nisjen edhe nisjen e vitit të ri arsimor. Vetë jeta e tij ishte deri në fund e lidhur me shkollën dhe arsimin.

Në paraditen e dhurimit të librave në Bibliotekën e qytetit ishin të pranishme edhe pjestaret më të reja të familjes së Thoma Binjakut, të trija mbesat e tij,  dëshmitare krenare për trashëgiminë që ai ka lënë dhe pasuese të denja të pasionit të tij.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Entela Binjaku: Shoqata Kulturore “Arumunët e Shqipërisë” nderon kontribuesit në vite Entela Binjaku: Mbahet në Tiranë Forumi i Sipërmarrjes Rumani-Shqipëri Entela Binjaku: Maia Morgenstern në Shqipëri Entela Binjaku: In memoriam për Thoma Binjakun Entela Binjaku: “Dy botë” dhuratë ne lexuesve nga Elvi Sidheri Entela Binjaku: Fëmijë dhe të rinj nga Shqipëria në Rumani pjesë e ARC 2019 Entela Binjaku: Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare të Maqedonisë së Veriut mban ‘Ditët e Evropës’ në Shkup Entela Binjaku: Costantin Chiriac në Tiranë, një vizitë, shumë vlera Entela Binjaku: 'Java Botërore e Shëndetit' në syrin e studentëve të Universitetit të Mjekësisë Entela Binjaku: E diela në fshat për fëmijët e Fshatit SOS Entela Binjaku: Një pasdite në Tiranë me “Mbretin e Karikaturave” ?tefan Popa Popa’s Entela Binjaku: Gratë në institucionet vendimarrëse - realitet apo...?! Entela Binjaku: Identiteti, kohezioni dhe ruajtja e vlerave - Vizitë e Përfaqësuesve të Lartë të shtetit rumun në Shqipëri Entela Binjaku: Ndal bullizmit - pro sjelljeve miqësore! Entela Binjaku: Studentët e Shëndetit Publik në Tiranë vullnetarë në Qendrën Sociale të Kryqit të Kuq Shqiptar Entela Binjaku: Intervistë me znj. Teuta Shkenza, Drejtoren Nacionale të SOS Fshatrat e Fëmijëve - Shqipëri Entela Binjaku: Kjo dhimbje që la pas babai... Entela Binjaku: Vijon fushata e kartolinave të fëmijëve piktorë të Fshatit SOS! Entela Binjaku: Varësia nga lojrat e fatit... përgjigje në mungesë të disa pyetjeve Entela Binjaku: Takim me lexuesit fierakë

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora