E hene, 09.12.2019, 07:06 AM (GMT)

Kulturë

Mehmet Rrema: Adem Zaplluzha - Përtej asaj peme

E marte, 21.05.2019, 07:12 PM


Një udhëtim i shkurtër nëpër vëllimin me poezi "PËRTEJ ASAJ PEME" TË ADEM ZAPLLUZHËS

Nga Mehmet Rrema- Tiranë

Autori i mirënjohur Adem Zaplluzha vjen këtë radhë me vëllimin e tij "PËRTEJ ASAJ PEME"

Ky vëllim, ashtu si qindra të tjerë, pasi për të thënë të vërtetën opusi i tij i kalon të një qind e tetëdhjetët, shifër kjo e pa arritur deri më sot nga asnjë poet shqiptar.

Sipas mendimit tim, nuk është sasia e librave që një autor boton, por cilësia, mesazhet që autori i përcjell lexuesit. Por kur cilësia dhe mesazhet që autori përcjell, shoqërohet me një numër të madh veprash, atëherë kjo pa dyshim që është një vlerë e shtuar në thesarin e poezisë shqipe, një vlerë që i bën nder jo vetëm poetit, jo vetëm lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës, por edhe gjithë letërsisë shqipe e pse jo edhe asaj evropiane sepse letërsia jonë është pjesë e letërsisë evropiane dhe kur kjo prezantohet nga krijues dinjitoz i rrit së shumti vlerat tona kombëtare dhe na bën krenar para kombeve të zhvilluara

Por për fat të keq, në këtë këndvështrim më duket se ne shqiptarët kemi një handikap jo pak të vogël. "Kullën e Babelit e shembën ata që e ndërtuan,sepse secili deshi të bëhet perëndi"...

Dhe ne në këtë kontekst jo aq sa duhet i vlerësojmë të tjerët. Brenda shpirtit tonë të gjerë,të drejtë e të pastër njerëzor, zë vend një njollë e errët e cila gjithnjë e më shumë po eklipson, po ja merr dritën që shpirti shqiptar rrezaton dhe po e kthen në një gjë të fishkur, të thatë, pa shkëlqimin e mirësisë, gjë që po nuk u pastrua siç duhet do të jetë me pasoja për artin dhe kulturën tonë në përgjithësi.

Shpesh dëgjojmë të mburremi ne shumë virtyte të mira si besa, mikpritja etj, të themi se jemi populli më i lashtë a ndër më të lashtët, por kur shikoj që në ne, rriten shpejt disa vese si egoizmi xhelozia uni vetjak, dëshira për të qenë "unë" ai që t'i këpus lulet i pari , bindja se "unë" dhe asnjë tjetër i ka meritat, atëherë mund të them se kjo vetëmburrja jonë se jemi më të lashtit, me kulturë e zakone të admirueshme që,gjoja na i paskan zili të tjerët, më duket se zvogëlohet aq shumë sa të na bëjë një komb me prapambetje të theksuar. Ndoshta kjo vjen edhe nga fakti se një kulturë që të zhvillohet,që të ulet në vendin e saj atje në majën e Olimpit duhet të jetë e shkruar, sepse fjala sado e mirë të jetë, po nuk u shkrua, sado të mundohet t'i rezistoi kohës, ajo vjen duke u përhumbur në të,e gjuha jonë, e këtij kombi të lashtë është shkruar më vonë se çdo tjetër në Evropë. Dhe, edhe pse kështu, dhe pse kemi pak njerëz të penës, të cilët na kanë lënë një trashëgim të artë,dhe kemi të tjerë që vazhdojnë të ngrenë çdo ditë me mendjen e penën e tyre kala të bukur të kulturës tonë,nuk ua japim sa duhet vendin që meritojnë. Por nëse ne, nëpërmes vlerësimit të drejtë e të merituar, nuk i vendosim aty ku duhet, kush tjetër do të na vlerësojë ? Mos do të presim ata që mallkonin gjuhën tonë, ata që vranë Rilindasit tonë se nuk deshën të përhapeshin germat e shkruara në gjuhën tonë. Jo, edhe pse ka kaluar një shekull, ndonjë komshi dashakeq po të mundte do t'i digjet të tridhjetë e gjashtë xhevahiret e vendosura në gjerdanin tonë të artë,do t'i digjte në zjarr që nga Meshari e deri tek veprat e më të riut shqiptar në letërsi, pikturë, skulpturë muzikë e në çdo fushë tjetër të jetës, që të mund të na quaj me kënaqësi, njerëz të shpellave, me bisht, që të na mbante në skllavëri dhe errësirë të plotë.

Zaplluzha tashmë është një fenomen dhe si i tillë duhet studiuar nga studiues të artit në përgjithësi e të poezisë në veçanti. poezia e tij është e pasur me vlera artistike, estetike, stilistike. Epika patriotike e tij është e shkrirë në gjithë veprën e tij. Metafora është mjeti me të cilin ai udhëton në rrugën e tij të gjatë, në atë rrugë që pasi kalon anës së lumenjve, vazhdon fushave, dhe u ngjitet shpateve të maleve për të arritur atje në majë, në majën ku e kanë folenë shqipet, në majën ku jo çdokush mund të arrijë as për të thithur ajrin e pastër e as për të lëshuar dritë ashtu siç lëshon autori i vëllimit PËRTEJ ASAJ PEME

Le të shikojmë një poezi nga vëllimi "PPRTEJ ASAJ PEME" Një poezi e cila ashtu di dhjetëra mijëra të tjera përshkohet nga boshti qendror, dashuria për atdheun, dhimbja e madhe që ndjen autori kur shikon sa po vuan kur e shikon vendin tonë në gjendje të mjeruar, vuan dhe lëshon thirrje, atyre që ngasin dukshëm rrugës për në theqafje, të kthehen mbrapsht

"Kush na mallkoi me kaq urrejtje" është titulli i poezisë .

Sa më kujtohet...

Poeti e shtyn kujtesën e tij përtej kohës së tij sepse do të di një arsye dhe për të gjetur arsyen e një ndodhie apo të një fenomeni, nuk mjafton vetëm një çast kur ai ndodh fizikisht, por duhet të shkojmë larg për të gjetur burimin e këtij fermentimi që ka sjellë si pasoj të lindi një fakt, dhe autori shkon larg në mendimet e tij pikërisht atje ku duhet të kenë lindur enzimat e para.

Gjithmonë ishim të shkërmoqur ...Është vargu pasues. E pra brenga e poetit nuk qenka se një ditë çfarëdo e një jave muaj apo stine nuk ra shi apo bëri vapë, po një brengë që lidhet me ekzistencën e kombit. Sepse ai e di se një komb i shkërmoqur nuk ka të ardhme të ndritur, prandaj ai shkoi larg, për të gjetur rrënjët e kësaj shkërmoqje, por ai konstaton edhe një fakt të dhimbshëm që e pason tek vargu i tretë

"Që kurrë s'u bashkuam në një grusht". Nuk është vetëm një konstatim, jooo është një vërejtje,një këshillë, për ata që kanë diçka në dorë për të ndryshuar, një thirrje e fuqishme që i buron nga thellësia e shpirtit të tij të pastër e atdhedashës. Nuk u bashkuam, thotë, po çfarë mund të bëjë një komb i shkërmoqur që nuk di të braktisi "unin" dhe egon personale dhe të bashkohet për çështje madhore

"Që ta godasim sa më fort malin". Para nesh gjendet gjithmonë mali, armiku ynë shekullor apo një tjetër më i ri, i cili na ven pengesa, na hap hendeqe shpesh edhe të pa kalueshme drejtë zhvillimit,përparimit, dhe mirëqenies. Poeti e di mirë se të shkërmoqur nuk mund t'i kalojmë këto pengesa, se të veçuar apo akoma më keq në luftë me njëri tjetrin rrezikojmë të humbasim në pyllin e thellë plot ferra të malit, prandaj ai me të drejtë na fton me dashamirësinë e zemrës së një poeti që atdheun e ve mbi çdo gjë, "të ngrihemi mbi veten" . Ja pra sa organikisht i lidh vargjet poeti dhe me çfarë elegance na sjell përpara, në tavolinë çelësin për t'u bashkuar, mjetin për të goditur malin Të ngrihemi mbi veten. Të lëmë pas unin dhe egon për çështjen e madhe të kombit

Në strofën e dytë ai na sqaron në mënyrë të qartë se çfarë rruge të gabuar kemi ndjekur shpesh herë, rrugë që na ka hedhur atje ku nuk duhej, në krahët e armikut që me miopinë tonë të theksuar, ne shikimet perverse ne, në vend të armikut kemi parë vëllanë e në vend të vëllait kemi parë armikun. Çfarë mund të thoi më qartë e më drejtë arsyen e kësaj shkërmoqjeje , të kësaj prapambetje.

Dhe ai pyet, pyet edhe pse përgjigjen e di fare mirë, e si ai e dinë të gjithë

"Kush mallkoi në këtë tokë të bekuar". Ai e di se nuk është një mallkim i ardhur as nga toka as nga qielli, por nga uni ynë, nga ego, se para se ta kërkojmë diçka jashtë nesh, duhet ta gjejmë vetëm brenda vetes tonë e të mos presim se "Perënditë nuk kanë qenë kurrë në anën tonë". Ndërsa ne gjatë historisë, po edhe në ditët e sotme shqiptarët presin nga Perënditë, të fortit, por e dimë mirë se nga ata vetëm plumba dhe përçarje kemi marrë. Prandaj ai thotë -nuk kanë qenë kurrë në anën tonë...

"Nuk di me çfarë të krahasohemi" Vërtetë poeti ka të drejtë në këtë hamendësim sepse ne jemi kthyer në një lëndë amorfe. Ajo që jemi sot nuk jemi nesër, ndërrojmë formë e paraqitje sipas stinëve, prandaj ai herë na gjen si gur, si shkëmb, e herë si rërë në llumin e liqenit, pikërisht ashtu siç na duan ata që na kanë halë në sy, se duke qenë rërë e kanë të lehtë të na shpërbëjnë akoma më shumë

Dhe ai prapë thotë mallkimi i cilës perëndi na zuri. Mbi tokën tonë kanë shkelur shumë çizme. Secila ka lënë gjurmët e veta, secila është përpjekur të na shkombëtarizoi. Secila ka shkatërruar e ka thyer sa ka mundur gurin, për ta kthyer në rërë në fund të liqenit.

Dhe ia kanë arritur vetëm atëherë kur na kanë ndërsyer kundër njëri tjetrit. Përça dhe sundo ishte deviza e famshme e romakëve, dhe këtë e kanë zbatuar e po e bëjnë edhe sot sidomos fqinjët tonë. Të tilla përçarje historia jonë e shkuar dhe e sotme njeh plot, ku për inat të vëllait dikush është hedhur aktivisht në krah të armikut të kombit.

Dhe këto përçarje në shekuj e kanë dëmtuar vendin aq sa na kanë sjellë raste si Bllaca,

"Kush na mallkoi me kaq urrejtje"

Pra jo vetëm se nuk na deshën, por na urrejtjen deri në gjene e u munduan edhe të na shfarosin, të shfarosin kombin tonë vital nga trojet e stërgjyshave. Dhe poeti ngre zërin deri në kupë të qiellit të mos jemi të shkërmoqur por të bashkuar si një grusht dhe ulemi bashkë me Zotat në majën e Olimpit.

Urime dhe suksese poet i nderuar Adem Zaplluzha.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT