E marte, 23.07.2019, 08:09 AM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Gëzim Loka - Viti Zero

E enjte, 16.05.2019, 08:57 PM


Për librin “Viti Zero” të Gëzim Lokës

Nga Qazim Shehu

–Vëllimi eseistik “Viti Zero” i Gëzim Lokës , është një përpjekje e suksesshme në llojin e sprovës politike-analitike të këtij autori, kur na duhet të hetojmë përmes përshkrimeve të tij një pasqyrim realist që ai i bën realitetit shqiptar në vitet plot turbulencë të tranzicionit të dhimbshëm shqiptar. Loka është një autor që vjen në këtë libër pas botimit të një monografie studimore për Lurën, një vëllimi me poezi dhe një me tregime;po kështu,  ai nuk ka reshtur t`i shfaqë interesimet e tija letrare dhe publicistike në faqet e shtypit si dhe në aktivitete të ndryshme. Viti Zero ka në epiqendër, si bërthamë të shqetësimit shtjellues,  një realitet gri, me tone të përkeqësuara, një realitet mbytës dhe asfiksues, ku autori nuk ka drojë ta shprehë me guxim gjithë pamjen e tij sociale, politike, psiklogjike, të interferojë mendimin dhe shetësimin e tij intelektual në mjaft problematika të ndryshme të njohura dhe të panjohura, e t`i paraqesë me dëshminë reale, jo virtuale, çka tregon se ai këtë realitet e jeton intesivisht jo nga distancat soditëse. Për t`i vënë pikën mbi i shqetësimit dhe organizimit mendimor që ai i bën librit Loka nxjerr konkluzionin se  ky realitet është produkt i moskuptimit të demokracisë, i shfrytëzimit të saj prej hapësirave që ajo jep , me të, e për në dobi të individualizmit shterp dhe mjeran,  sesa në dobi të së drejtës, zhvillimit dhe progresit dhe ecjes përpara. Në këtë hulli ideor,  mund të plotësohet kuptimi kur na duhet të shkojmë tek sintagma e njohur se “çdo gjë fillon me mua”, ose për ta çuar diçka në dorën tjetër ajo më së pari duhet të kalojë tek kuota zero. Ide intersante kjo,  e kapur me zgjuarsi nga autori, edhe pse është e njohur, po pak e shtjelluar ose aspak. Nuk është nevoja të përmendim këtu elitat e dështuara politike nëse mund t`i quajmë elita, të cilat gjithnjë në një paralojë të errët, e herë hapur,  janë munduar ta zerojnë paraardhësin e kështu kjo lojë ka vijuar gjithnjë si një mallkim mental dhe pragmatik. E kundërta do të kishte qenë më e bukur, më inurajuese, më fisnike dhe rrjedhimisht më afër së vërtetës , kur na duhet të pohojmë se nuk mund të ketë zhvillim pa njohjen e asaj që është arritur, duke formatuar gjithnjë atë por pa i prekur thelbin e shëndoshë. Mjerisht,  gjithnjë sistemet politike në Shqipëri nuk e kanë pasë parasysh këtë, ndaj edhe kanë njohur dështimin e tyre. Mohimet historike dhe harresat e qëllimshme me figura të ndritura të saj, siçc  ndodh edhe me Dom Nikollë Kaçorrin, një figurë e madhe e Pavarësisë, kanë ardhë gjithnjë në kontekste të rrethanave të caktuara ideologjike ose prej farsës së propagandës, gjë e cila i ka rrënjët sërish në pellgun e individualizmit të sëmurë dhe egoizmit molepsës , duke qenë se mbulimi i figurës së tyre dhe harresa do të sfumonte iks apo ypsilon “personalitet”. Dihet se tranzicioni shqiptar është shenjë e dukshme e indikacioneve paranonjake, e kulturës së dobët demokratike, e mosnjohjes së demokracisë, po njëkohësisht e pangopësisë së “liderëve”rastësorë që u bënë të rëndësishëm prej zgjedhjeve të gabura dhe injektuan në trutë e shplara mitin e liderit. Kjo solli njëkohësisht dëme shkatërrime të bazës materiale të sistemit të vjetër, anarshi dhe projeksione të gabuara që çuan në ngjarje tronditëse dhe dekurajuese që,  për pak,  desh çuan në shpërbërjen e shtetit shqiptar siç është viti 1997. Po kështu kontrastet sociale u thelluan, duke shtuar vazhdimisht, tone më të errta në një krah, po tone me një dritë të ligë në krahun e të pasuruarve padrejtësisht.

Po kështu deformimi, alibia e krimit, çuan edhe në interpretime të gabuara të Kanunit, duke e fajësuar atë për çdo gjë, duke harruar se fajësimi i së kaluarës,  sado faj të ketë ajo, nuk mund të merret si shkas justifikues as si mbulesë  diabolike justikikuese për të përçuar një besim se për çdo gjë e ka fajin sistemi i së shkuarës. Ndoshta kjo mund të thuhej për dhjetë vitet e para,  por tashmë demokracia po hyn në moshën e saj tridhjetëvjeçare. Në shkrime të tilla si:”Shëndetësia në dy kohë”, ”Kanuni petku i shqyer keq i traditës “, ”Planifikimet urbane dhe traumat mjedisore”, ”Bukën tonë të përditshme falna sot”, ”Lufta e klasave në demokracinë allashqiptare” etj, Gëzim Loka ,  si autor i vetëdijshëm për atë që shkruan,  bën një pasqyrim të thuktë të gjithë atyre të ndodhurave dhe rrjedhave në të cilat u fut herë herë si një rrgë pa krye realiteti shqiptar; duke njohur mashtrimin si ide shpëtuese, prej serivrjes politike. Si një analist ai jep detaje nga ky realitet që kanë forcë përgjithësues, pa u ndalur gjatë në detaje konkrete, apo të dhëna e statistika institucionesh, por më tepër dëshmon mbi vëzhgimet e veta se edhe natyra e esesë më tepër këtë pranon. Po kështu i duhet të përmendë sa herë Migjenin dhe të citojë nga poezia dhe proza e tij kur i duhet të përshkruaj realitete , episode të varfërisë dhe të mjerimit , sidomos në lagjet periferike të metropolit ose nga zonat rurale. Ky realitet migjenian e brengos atë, por ai nuk harron se gjithë kjo katrahurë sociale “ku barkngopuri nuk pyet për barkzbraztin” siç thotë populli, e ka një emër dhe ky emër nuk është vështirë të gjendet:mungesa e shpërndarjes së drejtë të të ardhurave  dhe korrupsioni. Korrupsioni është një gangrenë e shoqërisë shqiptare, po më së shumti i klasës politike të saj, të çdo klase, prandaj, me të drejtë autori nënvizon diku se e kaluara shahet sa herë, periodikisht ose me raste të caktuara,  si një mundësi për t`u hedhur hi syve njerëzve që ata të mos shohin vjedhjen dhe dështimin e sotëm të kastave politike. Dhe këtu duhet të kuptohemi, autori nuk është një mbrojtës fanatik i së shkuarës, por ai në analizën e tij nuk mund të pranojë se gjykimi ekscentrik i së shkuarës nuk mund të bëhet nga pozicioni i pavolitshëm i së sotmës brejtur nga shumë fenomene, e madje , nga disa asish që shprehin tregues më të përkeqësuar se fenomenet homologe të ndodhur në të shkuarën. Këtu mendoj se autori mban një qëndrim të arësyetuar, larg konfodimeve, tregohet realist, dhe i vë mirë në barazpeshë faktet duke u treguar i paanshëm.

Dhe ajo që përbën thelbin ideotematik të librit është egoja politike. Ndaj me të drejtë ai e emërton metaforikisht atë:”Në llogoret e përbaltura të egos politike”, një emërtim sinjifikativ dhe me domethënie, ku llogorja është streha e luftëtarit që kërkon asgjësimin e kundërshtarit, ndërsa në demokraci kundërshtarë nuk duhet të ketë, po vetëm alternativa konkuruese në një treg të hapur të mallrave ideve dhe prodhimit. Kjo rrudhje dhe ky keqkuptim i demokracisë e merakos autorin; ai shpreh shetësimin intelektual,  dhe, duke vënë gishtin mbi plagë, kërkon shërimin e tyre;mjaft më ky tranzicion i stërzgjatur,  që vjen nga zgjedhjet  kaotike, nga mungesa e protesës, nga mungesa e çmontimit të elitave që e kanë bërë baltë, nga varfëria dhe tregues të tjerë të mirëqenies në kuota shumë të ulëta , dhe, të gjitha sepse si një mallkim, në krye gjithnjë zgjidhen njerëz të gabuar që nëpërmjet”Vitit Zero” duket se ndodhen në një trampolinë të sigurtë për t`u hedhur në detin e pasurimit të padrejtë dhe hipokrit. Fajësimi i elitave politike nuk është ndonjë gjë e re, ajo janë të fajësuara prej produktit të tyre, por theksimi i këtij fajësimi është një guxim intelektualI një trokitje në ndërgjegjen e sejcilit për të hapur sytë përreth e për të shikuar më mirë, kur është dashur të zgjedhim dhe të abstenojmë. Në këtë kuptim edhe këtë mesazh lbri i Lokës e sjell më së miri që merret përmes përshkrimeve të përpikta dhe me domethënien e tyre. Ja si shprehet ai:”Nuk themi ndonjë gjë të re, kur thjesht konstatojmë faktin se midis pushtetit ekzekuiv dhe popullit është vendosur një muranë e trishtë dhe e padepërtueshme që shkon deri në shurdhëri”. A qëndron ky konstatim?Patjetër që po, këtë e ka treguar realiteti tridhjet vjeçar i tranzicionit të qorollepsur që s`dihet kur do përfundojë. Jo pak rëndësi u kushton Loka njerëzve të thjeshtë, për të treguar se gjithçka nuk është zi, përkundrazi. Edhe pse plot trauma sociale ndodhën, edhe pse individualizmi njohu humnerat e veta më të misterta dhe më të frikshme, shumica e popullit e mbajti të paprekur thelbin human të solidaritetit dhe të ndihmës përkatëse. Dëshmi të shumta të një realiteti tjetër gjenden tek shumë njerëz të mirësisë dhe sinqeritetit, njerëz të punës e të sakrificës, njerëz që punuan dhe fituan me djersë duke urryer  fitimin e shpejtë dhe të padrejtë. Kjo botë njerëzore ngrihet në kontekstin e temës duke krijuar kontrastin e saj përvijues, ndërsa lexojmë për banorët mikpritës të Mokrës,  që u kanë hije traditat e vjetra dhe që dinë t`i ruajnë në kushte moderne, apo kur autori flet për “Brigjet e Shkumbinit, ku vityti dhe dashuria njerëzore nuk kanë vdekur”;po kështu emrat që përmend,  miq dhe të njohur, apo të panjohur që në rrethana rastësore janë bërë të njohur;autori kërkon t`i lartësojë përkundër ideve dhe qëllimeve të veta për të treguar se gjithçka që është bërë e arritshme në Shqipëri është bërë prej punës dhe djersës së këtyre njerëzve, dhe se nëse elitat politike do kishin qenë më të përgjithshme ajo që është arritur mund të ishte në kuota më të larta dhe autori do të fliste për tregues më optimist. Libri i Gëzim Lokës Viti Zero, si një përmbledhje publicistike në trajtën e esesë, sjell një kontribut vetjak në këtë lëmë dhe thur e ndërton aspekte shtjelluese përmes analizës së kujdesshme me qëllimin që të bëjë një pasqyrë jo shteruese të realiteteve të sotme. Autori bën përpjeke dhe ia arrin që esetë e veta të mos i mbingarkojë me një faktologji të thatë, po as t`i lerë pa to, përkundrazi interpretimin dhe shkoqitjen e fakteve përmes tij ai e kryen me kujdes dhe në masën e duhur. Herë herë pasazhe të caktuara marrin një ritëm rrëfimor artistik, aty ku vëzhgimet e tij janë të drejtpërdrejta nga pamje të trishtuara të realitetit, kur zbulon këto pamje duke i vëzhguar ose duke i prekur. Mesazhi qëndror i gjithë librit mund të përmblidhet në formulimin se shoqëria shqiptare kërkon rrugën e rritjes; se kjo rritje nuk mund të vijë përmes zerimit të tjetrit, as nga paranojat dhe reminishencat më të këqia me të kaluarën duke i kopjuar asaj pjesët më të errëta;ajo mund të vijë duke qenë të gjithë bashkëpjesëmarrës në demokraci dhe, nëpërmjet kësaj bashkëpjesëmartje , duke marrë frenat e saj, e kundërta është frenim,  shkuarje pas, ndërsa indiferenca vetëvrasëse…



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT