E premte, 26.04.2024, 01:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Mihal Grameno: Oxhaku (II)

E diele, 28.09.2008, 12:09 PM


Mihal Grameno
OXHAKU (II)

Nga Mihal Grameno

PJESA E PARË

Krye III

Nuk shkojti shumë kohë, kur pa të ikurit të këtyre kalorësve, afrohet një grua në krua duke mbajtur gjësendi në krah. Që në të parin vështrim nuk munte të mos e tmerronte kjo grua, sa do zemër të fortë të kish njeriu, edhe të mos ndjenjë për atë një hidhërim të math. Se megjithëqë ishte e çveshur dhe e pambuluar, nuk muntnje kurrë ta njihnje prej fytyrës në ishte e re apo nonjë plakë, meqënëqë fytyra e saj ishte e djegur, edhe e zhuritur, leshrat e vetullat për së largu binin erë shkrump, zbathur, lakuriq, sa edhe rroba e trupit ishte e djegur edhe e çjerrë rripa-rripa më shumë vënde, duke lënë vënt t’i duken mishrat.
Po ajo nuk vështronte në ç’gjendje ishte edhe vështronte udhën si pa nonjë të keq, gjersa afrohet në krua.
Me të arrirë atje, lëshon përdhe një gjë të pshjellë që mbante në krahë, edhe vetë hyn që ta laknjë (1) , se si dukesh ndjente të djegurë edhe të nxehtë në trup të saj. Atje qëndroj ti pakëzë gjersa u bë qull nga ujët, kur dëgjon zë foshnje të qajë e të lebetinjë. Ngrihet menjëherë edhe vete merr foshnjën, se nuk mbante në krahë tjatër gjë
përveç një foshnje të vogël motmoçar.
Si merr foshnjën në krahë, një e qeshur e pareshtur i çfaqet në buzët e saj, edhe duke lojtur e duke i kënduar foshnjës nani-nani, merr edhe ajo udhën e Perëndimit, në një drejtim ku vështronte më shumë flagëza prej zjarri që diqnin.
Pas fytyrës edhe pas rrobave që kishte mi trup dukesh që kish shpëtuar nga nonjë rrezik i madh, edhe do të thoshe që ishte e prishur mënç, meqënëqë, përveç të qeshurit, asnjë kuvënt nuk nxirrte prej gojës.
Foshnja lebëtinte sa munte, po as nuk e dëgjonte t’i apë sisë që të reshtej, po vështronte udhën duke ikur me vrape duke kënduar gjersa arriu në ata zjarre që kishte parë që nga kroj.

PJESA E PARË

Krye IV

Të lemi pakëzë këtë grua me foshnjën në zjarr, edhe të kthehemi në burim të Cekanit, gjithë atë natë e në atë orë, kur pamë të tre kalorësit edhe gruan me foshnjën, që të vështrojmë një tjatër burrë, i cili dhe ay mbante një foshnje mi supet, duke ikur sa munte me vrap. Nga fytyra edhe ky nuk njihesh, meqënëqë leshrat, mustaqet, turinjtë, rrobat, sa edhe trupi i ishin kaqe djegur, sa me gjithë burrërinë që tregonte për dhembjet e plagëvet që kishte marrë, nuk munte të mbanjë rënkimin.
Me t’arrirë në burimin e Çekanit qëndrojti pakëzë edhe si rrëzoi foshnjën nga supet e pyeti:
— A të pihet ujë, o shpirt i Rustemit?
— Jo, — tha foshnja, që ishte një djalë prej 3 vjeç, po ku më shpie kështu, o Rustem, edhe ku është nëna me Salfën?
Nga këto emra sytë iu mbushnë me lot Rustemit, po që të mos helmonjë djalin e mbante duke thënë:
— Ato mbetnë në shtpi, Rexhepkë, e neve do të vemi në një dasmë, ku ka për të ardhur edhe yt atë, e nesër hipur në kuajt do të kthehemi në shtëpi. Djali besoj Rustemin edhe u gëzua që do haset me t’anë, edhe ka për të hipur mi kalë, andaj si lau sytë edhe piu pakëzë ujë në burimet, Rustemi hodhi djalin mi sup edhe muarnë udhën e Pogradecit.
Po atëhere zuri i gjori Rustem të ndjenjë dhembjet e mbëdha nga plagët, se tani iu ftohen edhe nxirrte rënkime nga zemra.
Djali, i cili pandehte se u loth, i thotë ta zbresë prej supesh që të vejë më këmbë.
Kur e ndjeu Rustemi vetem që nuk ka shpëtim, zuri të vraponjë këmbët më shumë, duke mentuar të arinjë sa më shpejt në një fshat, ku qëllonte të siguronjë djalin gjer të haset me t’anë në një mik të besës, me të cilin kishte lidhur vëllazëri për jetë, po nuk mundi të mbushnjë këtë qëllim për të cilin kishte marrë ato të djegura. Se dhëmkat sa vinin po i shtoheheshin, fuqia e la, këmbët iu prenë, edhe atëhere i pashpresuar jo për veten e ti, po për djalin, mblodhi të fundit fuqi që i kishin mbetur edhe bërtiti sa mundi. Po kur vështron që asnjë zë s’i përgjigjet, ngreh sytë ndë qiell, duke lutur Perëndinë që ay ta ketë nën mprojtjen këtë djalë iqë mbetesh i varfër edhe pashpresje ndë jetë! Pushoi duke puthur djalin edhe kësisoj mbylli sytë në mes të udhës!

PJESA E PARË

Krye V

Që të mësojmë cilët ishin këta njerës edhe ç’lidhje kishin midis tyre, duhet të kthehemi në krua të Radanecit, aty pesë muaj përpara këti zjarri të tmerruar, në një natë të vjeshtës, kur një shi i pareshtur derdheshe si lum, që të vështrojmë katër kalorës që shkonin s’andejmi. Që të katër ishin pshtjellë me gunat e gjata aqë shumë, sa nuk linin vënt për të vështruar fytyrën. Dy prej syresh, që vinin prapa, dukeshin të mbajnë gjësendi në krahë se duke shkuar unjnin gjithnjë sytë të vështrojnë në gunë. Si u afruan në Radanec, zbritnë të gjithë nga kuajt edhe i lëshuan në lejë të tyre (2) , pastaj muarnë anën e qytetit, duke mos kuvënduar asnjë fjalë, gjersa arrinë ne “shtëpia e zezë”. Me të qëndruar përpara portës, hodhën sytë më të gjitha anët, edhe si sigurohen që s’i vështron njeri, një nga ata nxjerr një kyçe dhe si hapën portën, rynë brënda në avlli, pastaj e mbyllën me hekura. Si rynë brënda në shtëpi, ku i shpinte një nga ata i cili dukesh të dijë mirë fare të ndënjurat e kësaj shtëpie, ndezë, një dritë meqenëqë dritaret ishin mbyllur me kanata kaqë lirë, sa që përjashta kurrë s’muntnin të vështronin dritën. Atëhere njiheshin si nxuar edhe gunat që këta ishin dy burra, dy gra, një djalë i vogël prej 3 vjeç edhe një vashë foshnje, të cilët i kishin sjellë më krahë gjer atje. Shtëpia ishte si jashtë edhe brenda ndërtuar me mjeshtri të madhe, të bukur e të sigurtë për nonjë rrezik, se kurrë nuk munt një i huaj të rynjë brënda. Me të dy katet e shtëpisë ishin nga dhjetë dhoma shtruar fort bukur me qilime kombiare edhe persane të vlefta, e me gjithë ç’duheshin për një shtëpi të madhe e të begaçme. Si shëtitnë gjithë shtëpinë anembanë, zgjedhë një dhomë për të ndenjur edhe i thotë njëri tjetrit burrë:
— A je i sigurtë Rustem që nuk të gjurmuan e të të pikasen njerzij’ e tim eti kur solle gjithë këto shtrofka aty edhe që na zgjodhe këtë fole për të ndenjur. — Si urdhëron, bej, — thotë Rustemi; — jam kaqë sigur sa asnjë dyshim nuk më shkon nëpër mënt, se unë gjithnjë, sa herë që vinja aty, merrnja masë së pari që të mos më vështronjë njeri. Andaj ju lutem të jini të çkujdesur për këtë edhe të mos kini nonjë frikë, se kurrë do të mos shkonjë ndër ment e të na gjejnë këtë të ndenjur. Pastaj më tjetër anë neve do të mos dalim nga shtëpia ditën që të na vështrojnë, po vetëm natën kur gjithë njerëzia gjenden në gjumë. Ashtu qoftë, Rustem, — thotë një nga gratë, — po unë më shumë se kurdoherë sot ndjenj një frikë në vete time, edhe më tregohet që një e madhe e keqe na ka për të gjetur në këtë shtëpi.
— O Vahide, shpirt i dashur, — thotë Beu, — mos shko nëpër mënt të këtilla mendime të liga, se për Perëndi më copëton zemrën! Kur sot na lith edhe më shumë një tjatër dashuri për gjithnjë, tinë të kesh tmerr! Betohem për kryet e të shtrënjtit tonë Rexhepkë që vetëm kur të kaprcejnë përmi mua të vdekur, atëhere munt të të ngjasë nonjë e ligë, se përpara teje Vahide nuk bësonj njeri në botë.
— O Maloja im i shtrenjtë, kurrë s’kam dyshuar për dashurinë tënde, të cilën e ke treguar me të tepër, se tinë për mua shkele Oxhakun edhe dashurinë e prindërve. Andaj për veten time nuk helmohem çfarëdo që të më ngjasë, po për tynë, Malo, edhe për Rexhepkën tonë kam frikë mos pësojnë gjësendi dhësi, se prindërit me kohë, megjithëqë mbajnë shumë në Oxhak, do të na ndjejnë edhe të na përqafojnë
— Me emrin e Zotit asnjë qime s’kemi për të cënuar, edhe shpresonj që paskëtej
të rrojmë në fatbarsi fëmijën e tyre.
— Këtë mos e thuaj, o Malo, se kurrë do të mos bindet një Rushan Be që të quajnë edhe të marrë në shtëpi nuse për djalin e tij, një vashë të popullit, po ay ka për të kërkuar humbjen time prej faqes së dheut, e vetëm Zotit i arthtë keq e i mbajtë dorën për Rexhepkën tonë!
— Sa për Rexhepkën, Vahide, ja ku kemi Rustemin e besës, i cili e ka për të mprojtur nga çdo rrezik, me jetën e ti.
— Ashtu është, Bej, — thotë Rustemi; — se përpara teje e të dashurve të tu nuk kujtonj as grua, as fëmijë, edhe kurdoherë jam gati të behem theror se jetën ty ta detyronj!
— Rustem, për kokën tënde e të Saftës, mos kujto të shkuarat, se unë atë që bëra për ty e bëra vetëm për një të drejtë!
— Jo, Bej, nuk është ashtu; se të drejtën sot fort të pak janë si Malo beu që ta mprojnë edhe, sikundër që më ashtu edhe unë vdes për tyne edhe për fëmijën tënde!
— Perëndia të falte gjithë të mirat, o Rustem, se tinë për mua do të jesh më shumë se një vëlla rne dashurinë edhe besën që më tregon, se tani vete i çkujdesur për Vahidenë edhe për Rexhepkën në luftë.
— Të vini e të ktheji shëndoshë, Bej edhe me emrin e Zotit shpresonj të hasemi në këtë shtëpi pa cënuar asnjë qime .
Ora afrojti për t’u ndarë. Maloja duhesh të shkonjë se e prisnin shokët për në luftë, se asi kohe kishte ngritur krye Greqia.
Po cili munt të tregonjë atë ndarje që të copëtonte zemrën! Se lotët e të puthurat nuk merrnin të sosur kurrë, edhe asnjë nuk kuxonte të përçfaqej se paramendonin që vallë do të përqafosen edhe tjatër herë! Kur dëgjohet kaposhi, Maloja forcon zemrën edhe, si puth Rexhepkën, i cili s’i ndaheshe nga krahët, puth edhe Vahidenë, duke e forcuar me fjalë që për së shpejti do të kthehet edhe të mos ndahet kurrë, merr armët edhe shkon! Vahidja, me të shkuar Maloja, zuri vajnë e blegërimat, se një gjëmë i tregohesh që do ta ndjekë, andaj nuk dëgjonte Rustemin, i cili kërkonte ta qetonjë e t’i nxjerrë tmerr që kishte nga Rushan beu.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora