E premte, 26.04.2024, 11:05 PM (GMT+1)

Kulturë

Të refuzosh Oskarin

E shtune, 27.09.2008, 11:03 PM


Shqipëria sërish refuzon shansin për të marrë pjesë në garën për çmimet “Oskar”. Në gjithë historinë e filmit shqiptar, vetëm dy herë kemi qenë prezent në listë. Me sa duket “Koha e kometës” e Koçit e humbi shansin për shkak të neglizhencës

Alma Mile
 
Shqipëria sërishrefuzon shansin për të marrë pjesë në garën për çmimet “Oskar”. Në gjithë historinë e filmit shqiptar, vetëm dy herë kemi qenë prezent në listë. Me sa duket “Koha e kometës” e Koçit e humbi shansin për shkak të neglizhencës dhe provincializmit të strukturave vendase të kulturës

U bënë vite tashmë që Shqipëria nuk i “begenis” ftesat e Akademisë Amerikane të Çmimeve “Oskar”, për të marrë pjesë në garën më të rëndësishme ndërkombëtare të filmit. Sado i paktë, prodhimi filmik nuk ka munguar në Shqipëri. E ndërsa regjisorët shfytëzojnë të gjitha mundësitë për të promovuar filmat e tyre jashtë vendit e për të marrë pjesë nëpër festivale ndërkombëtare, nuk kapet një nga rastet më të mëdha të promocionit. Ditëve të fundit diçka qarkullon për këtë çështje. Pëshpëritet për futjen e Shqipërisë në listën e hapur ndaj gjithë vendeve të botës, por ende nuk ka asgjë zyrtare. Pak ditë më parë, gjatë prezantimit të filmit të tij në Shkodër, “Koha e kometës”, regjisori Fatmir Koçi, preku këtë temë, duke u shprehur se Shqipëria duhet të marrë pjesë në këtë ngjarje të madhe të filmit, madje ai u shpreh se filmi i tij mund të jetë një kandidaturë e mundshme. Dhe kjo jo pa të drejtë, pasi filmi i Koçit, u shpall si filmi më i mirë shqiptar në festivalin e zhvilluar gjatë muajit gusht në Durrës, mes atyre pak konkurrentëve (“Trishtimi i zonjës Shnajder”, “Mao Ce Dun”, “Sekretet”). Lidhur me këtë lloj përfaqësimi, drejtori i Qendrës Kombëtare Kinematografike, Xhevdet Feri, thotë se nuk është kompetencë e institucionit që ai drejton (!), të përcaktojë filmin që përfaqëson kinemanë shqiptare në çmimet “Oskar”. Sipas tij, duke qenë se bëhet fjalë për diçka më të lartë se marrëdhënie institucionale, pra shtetërore, është përgjegjësi e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të merret me këtë çështje. Ndërkaq Feri shton se filmi që mund të shkojë atje, duhet medoemos të plotësojë disa kritere të vendosura nga Akademia. Ndër të cilat edhe shfaqja për publikun e gjerë, jo më pak se një javë. (Gjë që “Koha e Kometës” nuk e përmbush).

Sipas kritereve të Akademisë së Oaskarit, filmi duhet të jetë shfaqur për publikun, në vendin e vet, jo më parë se 1 tetori i vitit 2007 dhe jo më vonë se 30 shtatori i 2008-ës (në 35mm ose 70 mm), për të paktën 7 ditë në kinema. Gjithashtu filmi nuk duhet të ketë qenë shfaqur më parë në SHBA. Sigurisht gjuha e filmit nuk duhet të jetë anglishtja, por është i detyrueshëm subtitrimi i tyre në këtë gjuhë. Sipas kërkesave të të zotëve të shtëpisë, çdo vend i ftuar, që merr pjesë duhet të paraqitet me filmin e konsideruar si më i miri nga një komision apo juri. Anëtarët e këtij komisioni duhet të prezantohen në Akademi, jo më larg se 1 gushti 2008. Në paraqitjen zyrtare, përveç një formulari, ku jepen të gjitha të dhënat e filmit, si regjisori, producenti, drejtori i fotografisë, kasti i aktorëve, duhet të dërgohet edhe një sinops i shkurtër, biografi dhe foto të regjisorit, postera, gazeta, apo revista që dëshmojnë për shfaqjen e filmit. Të gjitha këto duhet të dërgohen deri në orën 17.00 të datës 1 tetor 2008. Jemi shumë afër finishit dhe në Shqipëri ende nuk është vendosur asgjë. Duket disi absurde që institucioni që “prodhon” (financon) filma, nuk është angazhuar sikur të mos ketë të drejtë të merret me këtë çështje. Megjithë faktin se për diskutimin e kandidaturave dhe përzgjedhjen e pretendentit kryesor, nuk është diskutuar në QKK, e pranojnë edhe disa anëtarë të bordit të Qendrës. Sipas kryetarit të bordit, Kiço Blushi, në bord, jo vetëm që nuk është diskutuar, por as është dëgjuar të flitet për ndonjë pjesëmarrje të mundshme në listën e gjatë “Oskar”. Këtë të pohojnë edhe anëtarë të tjetër të bordit. Që do të thotë se edhe këtë vit Shqipëria do ta refuzojë pjesëmarrjen në “Oskar”, ashtu si çuditërisht ka bërë për vite me radhë, për shkak se drejtuesit e prodhimit të politikave për kulturën në përgjithësi dhe për kinemanë në veçanti nuk iu dhimbset asnjë shans që e humbet arti shqiptar për shkak të provincializmit të këtyre njerëzve.

Për herë të parë Shqipëria çoi një kandidaturë në listën e gjatë për çmimin “Oskar” në vitin 1996, kur gjatë viteve të diktaturës, as çohej nëpër mend një gjë të tillë. Filmat tanë nuk mund të krahasoheshin me prodhimet e vendeve “imperialiste-revizioniste”. Gjatë viteve të para të demokracisë, prodhimi ishte shumë i paktë. Duhet të vinte viti 1996, që Shqipëria të çonte një kandidaturë të vetën në kategorinë e filmave të huaj. Ishte filmi “Kolonel Bunker”, me regji të Kujtim Çashkut. Pas 5 vitesh Shqipëria duket edhe një herë nga “anët” e “Oskarit”, këtë herë me filmin “Parullat” të Gjergj Xhuvanit në vitin 2001. Të dy këta filma nuk kanë mundur të hyjnë në listën e ngushtë të kandidaturave. Prej atëherë, edhe pse “prodhimtaria” filmike është stabilizuar disi, pak interes është shfaqur për të marrë pjesë në këtë garë të madhe. Mes 39 vendeve evropiane të ftuara nga Akademia Amerikane e Çmimeve më prestigjioze të filmografisë botërore, Shqipëria është një ndër tre shtetet, që nuk ka paraqitur një film gjatë këtyre 6 viteve të fundit, bashkë me Bjellorusinë dhe Letoninë. Ndërkohë që gjatë këtyre viteve, të tjera vende të rajonit, apo më gjerë, si Greqia, Italia, Maqedonia, apo Zvicra, kanë paraqitur në këtë kategori filma mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora