E premte, 26.04.2024, 06:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Natë e bardhëllimtë

E shtune, 12.01.2019, 10:57 AM


Natë e bardhëllimtë

Nga Blerim Rrecaj

Sot ra borë gjithë ditën. Herë më e imët, herë më e dendur, dhe me ndryshim madhësish të fjollave. Nga mëngjesi deri në muzg herë-herë hidhnim sytë tej dritareve për ta vështruar rënien e saj. Nga çatia e një objekti katër-pesë vetë me lopata hedhin borën në tokë, dikush pret në stacion, dikush kalon me çadër. Dita shkon. Në muzg do dalim pak përjashta. Kalojmë portën hyrëse të ndërtesës për t'ia mësyer dikah. Ca fëmijë enden të gëzuar, njëri nga ta çorton veten se pse doli pa dorëza. Dy tre fëmijë tërhiqen me litarët e sajave plastikë nga duart e prindërve e shoqëruesve të tyre. Një tufë pëllumbash kanë zënë vend në njëren prej çative të njërës prej shumëkatëshes së lagjes. Veturat rrëshqasin ndërsa kujdesi i shoferëve dhe kalimtarëve ka kaluar një një shkallë më të lartë gatishmërie për të pa(priturat). Dikush e sheh të arsyeshme të kthehet në hapësirën e parkingut të banesës për shkak të vështirësive në lëvizje. Derisa del dhe ndonjë fëmijë për t'u bashkuar me moshatarët e tij, njëri me një fshisë bishtgjatë heq borën nga vetura, e endet këtej me fshisë në dorë, thuajse së shpejti me ndihmën e saj do të fluturojë. Më pas te dera e njërës prej hyrjeve flet me dikë në telefon. Vijnë vetura të tjera që presin dikë ose largohen pasi s'ka më vende të lira në parking. Muzgu bie e bora ndalet. Në qiellin e kaltërt e në murrmë shfaqet një hënë si banane për të humbur pas pak, thua e mori kush për ta ngrënë. Bëhet natë. Pas pak bora duket përsëri, sidomos kur e ndriçojnë rrezet e dritave. Fëmijët mblidhen rreth dikujt me kapelë në kokë që sapo doli me këtë qenush të vogël ngjyrë të lehtë të verdhë e lesh-kaçurrel veshur me një xhemper. Ia mësojnë emrin dhe e thërrasin, e prekin e vrapojnë pas tij, e hipin në sajë dhe vazhdojnë ngarendjen duke thërritur: "Piro, Piro, Piro". Edhe pse mbesim të pasigurtë se në vend të "r"-së a duhet të përdorim "rr"-në a jo. E kush më herët e kush më vonë largohemi, shpërndahemi. Dikush që vije nga puna mbledh të vetët, e dikush del të marr atë që ende i rrihet jashtë. Dikur pak minuta pas orës njëzet, në telefon pranon një ftesë për të dalur me ec, aty në vendtakim flasim dhe me rojtarin e objekteve në të cilat pritet të rifillojnë punët dhe pas një cope bisede, ia fillojmë të hapërojmë. Bora vazhdon me një intensitet jo të lartë dhe këmbët na sharrojnë nëpër borën e grumbulluar e të pa larguar, sidomos skajeve të trotuareve. Ndonëse njëri me lopatë largon borën para lokalit duke e hedhur atë në rrugë, mendja na shkon te makina borëpastruese që nuk e shohim e këtejpari s'duket. Ec e ec, fol e fol, biseda rrëshqet si shumëherë te keqardhja për të sotmen, për këtu ku kemi ngel, për këtej ku kemi mbet. Ndërkohë një mace e hirtë kalon me sukses e ngadalë përpara një veture të bardhë. Më diku një dordolec plot sharm i rrij një kapelë e vërtetë në kokë dhe rreth qafe një shall. Krahët, duart e hundën stolisur me degë, ndërsa pullat e këmishës me kapakë shishesh ngjyrash të ndryshme. Bukur po dukesh o dordolec! E në këtë natë ku bardhësia ka epërsi ndaj errësirës, ku kemi të bëjmë me një terr të ndritur e zdritur, fjalët përsëritëse na bëjnë të ndihemi si ata nxënësit që përsërisin klasën ose përpiqen të heqin notat e dobëta për të fituar të drejtën për riprovim. Fol kështu e fol ashtu, japim ndonjë konstatim a arsyetim, herë-herë themi gjëra pa kuptim. Mërzia që duket se na ka kapur për krahësh e që ndonjëherë edhe mundohemi t'ia japim vërvishten qetazi e ngadalë pa u vërejtur, por këtë na e vë në dukje kjo natë e bardhëllimtë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora