E premte, 26.04.2024, 02:05 AM (GMT+1)

Kulturë

Besim Perjuci: Shefqet Kelmendi - 'Gurra e Dashës-rrëfime udhëtimi'

E merkure, 12.12.2018, 08:10 PM


Me rastin e përurimit të veprës “Gurra e Dashës-rrëfime udhëtimi” të autorit Shefqet Kelmendi

Shkruan Besim Perjuci

Në ambiente impozante të Bibliotekës Kombëtare “Marin Barleci”të Qytetit të Shkodrës, më 18 nëntor 2018, e në prani të shumë intelektualëve të kohës, shkrimtarëve, njerëzve të penës e të mendjes, artistëve dhe të tjerë, me një fjalë, siç thonë, ajkës së jetës kulturore të qytetit, u përurua libri “Gurra e Dashës-rrëfime udhëtimi”të autorit Shefqet Kelmendi.

Në këtë atmosferë të mrekullueshme, në çastin e hapjes së këtij evenimenti, sikur u këndua heshtja me Himnin e Flamurit, përderisa mendimet e audiencës me nivele, sikur fluturuan hapësirave qiellore për ta kapë sërish, si në ëndërr, dritën e jetës me frymëmarrje të lirisë e, për ta pranguar njëherë e gjithmonë errësirën e së kaluarës së hidhur.

Me këtë rast Drejtori i bibliotekës z.Xhovalin Çuni, vuri në pah rëndësinë e këtij takimi, duke thënë se, e veçanta e gjithë kësaj është përurimi i një vepre letrare, me nuanca artistike, e një vepre mikse:- prozë e poezi që, rrjedhën e vet e ka në udhët e pelimta të kujtesës së lënduar, të përjetuara me shumë qëndresë, nëpërmjet të cilës poashtu do ta legjitimojnë vuajtjen e shokëve dhe shoqeve të ndëshkuara pa arsye, si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri. Prandaj, autori Kelmendi, jo vetëm na tuboi, por me shumë respekt na nderoi kur vendosi që, në Shkodrën e tij dhe tonën, ta përurojë veprën e vet, ndaj edhe e falënderojmë shumë.

Pastaj fjalën ia kaloi Kryetarit të Shkrimtarëve të Shkodrës z.Zija Vuka, i cili  në fjalën e tij, bazuar në prozat dhe poezitë e autorit 90 vjeçar, vuri në spikamë vertikalën e poetit, të ballafaquar me regjimin e atëhershëm diktatorial, si dhe katrahurat e përjetuara burgjeve e birucave të nëndheshme. Këto shpërthime të trazuara, këto drithërima historike, si dhe paprekshmëria e kujtimeve të shpalosura përmes opusit të tij letrar, flasin qartë se janë mbetje, tashmë, peng i një kohe që e jetoi poeti me thinja të motnuara e rrudha balli të gatuara gjithandej viteve të dhimbjes e të pikëllimit.

Autori Kelmendi është vetë ngjarja historike, është historia e jetës së vet, histori e gjallë e vuajtjeve të rremetshme, artist i fjalës dhe i mendimit, produkt i definuar në galerinë e madhe të kosovarëve, të syrgjynosur nga kamxhiku i despotëve, i eksportuar nga sllavo-komunizmi karpatian në Shqipërinë enveriste. Autori në fjalë, i ndejti gatitu Flamurit dhe Himnin e këndoi duke u betuar në atdhe, gjuhë e komb, sepse e deshi dhe e do pa hile, e hileqarët i vendosi në kohën e harrimit. Prandaj, ky njeri, përballë jush, meriton ta quajmë me epitetin më të lartë:”Njeri hero i qëndresave”. Duke përfunduar fjalën tha:”Ky libër artikulon me shpalosje biografinë e gjallë për një njeri të gjallë, siç është autori Kelmendi”.

Njeriu, që fatin e vet e përkundi stuhive të kohës

Ndërkqa, redaktori i veprës/B.P./, fjalën e vet e nisi me thënien epokale të së Shenjtës Nëna Tereze:”Kurrë mos lejo që të takosh dikë, i cili pas takimit me ty, nuk është më i lumtur”.Pra, duke e respektuar këtë mendim të Dritës së shënjtë, unë sot ndihem shumë i lumtur që ju takova në Shkodrën e lashtësisë, me shpresë se edhe ju sot do të ndjeheni

njësoj si unë. Vepra e botuar këto ditë në Kosovë mbanë titullin më simbolikë të stilistkës metaforike si shumë të qëlluar “Gurra e Dashës-rrëfime udhëtimi” që, në esencë paraqet origjinalën e perceptimit shpirtëror dhe shënjëstron qartë biografemat, si pjesë epizodike të ngjizura përgjatë rrugës së mundishme të jetës, të përmbledhura papërsëritshëm, do të thosha, në sintagmën:”Rrxo e çohu…”për ta vazhduar me gjuhën e pandryshuar:”Tri herë rrufeja e goditi”, gjithnjë nën optikën e përjetimeve të pasardhësit të fisit Kelmend, me gallap të Zenelajve, të fshatit Haxhaj, nga lagjia Lulaj, i zbritur tatpjetës së Grykës piktoreske të Rugovës kreshnike, në Pejën e Haxhi Zekës, pikërisht në Kapeshnicën e rezistencave të gjithmonshme, matanë Urës së Zallit patjetër, me nëntë dekada të thinjura jete, që peshë mbi shpinë i bartë gjergjelezçe, autori Shefqet Kelmendi.

Në këtë sens, përmes një filtri mendor të fjalës së oksigjenuar me energji shpirtërore, shpaloset e vërteta e jetës së autorit, e fragmentuar në prozën poetike dhe në vjershat e nivelit letrar artistik, si tejçuese direkte e informacionit me devocion të një zbrazjeje të brendshme ndjenjësore andej e këndej hodutit artificial të atdheut tonë të përbashkët.

Autori Kelmendi, në prozën dhe vargun e tij poetik, shihet të jetë burri i kujtimeve të lodhshme që, fatin e vet e përkundi stuhive të fuqishme të kohës, duke i thirrë përherë ëndrrat e fjetura për ta zgjuar këngën e harrimit, ashtu siç bëri At Zef Pllumi në veprën e tij “Rrno për me tregue”.

Është njeriu dhe poeti që stolisi muret e birucave të nëndheshme me hijet plot

mendime, njeriu i shtrëngatave të stuhijshme që ia rrahen jetën pamëshirshëm, njeriudhe poeti që ëndërroi syçelë udhën dhe udhëtarin e lodhur, kur shpirti e zemra i digjej për gaungurimën e lahutarit shallbardhë të vendlindjes-larg vendlindjes, për gurrën e madhe të Dasho Shkrelit – shkëmbit alpik të Rugëvës kreshnike, për gurgullimën e ëmbël të Lumbardhit kristalin që do t’ia qëndisë ëndrrat parajsore në shtegun e jetës dhe nuk e lë rehat. Ato ia ngacmojnë veshin, shqisat, trupin dhe metamorfozën e indit mendor, si: “Ta fala rininë”,”Gurra”,“Gryka e Rugovës”,“Lumbardhi”etj. Këto sajime letrare artistike shumë herë e kanë qetësuar, e kanë bërë që poeti të jetë afër qiellit e tokës ku lindi, ku foli, ku dashuroi, e ku dëshiron të ndalojë.

Në këtë frymë të jetës e të dashurisë do t’i mbajë afër zemrës të gjithë ata që

u portretizuan nëpër faqet e veprës “Gurra e Dashës…”Andaj personazhet i ka të zgjedhur, me cen dhe të qëlluar. Ata do t’ia plotësojnë me urtësi rrëfejzat e poetikës autobiografike nëpër të gjitha stinët e jetës. Ato, në të shumtën e rasteve dalin figura historike duke i disejnuar njësitë poetike me përmbajtje mbi jetën dhe fatin e njeriut nëpër tërë realitetin jetësor. Dhe patjetër, me këtë gjuhë e stil të frymëmarrjes për mos-harresë, natyrshën na vijnë këto figura si: nëna me varrin pa adresë, motra që përvijohet legjendave me vokacion pritjeje tej shprese, djali, vajza, nusja, mbesa Jona, lahutari shallbardhë i vendlindjes, shokët dhe shoqet, me të cilët, ka ndarë gëzimin e hidhërimin, vajin e pikëllimin si: Marije Shllaku-Shkodranja, At Bernard Llupi, Prekë Cali-kreshniku vigan që mbrojti copat e atdheut-Vermoshin plak, Viktor Gashi, Haki Taha, Anton Çetta, Ramiz Kelmendi, Sali Ukella, Leze Koleci e shumë të tjerë që dolën e folën për komb e atdhe, që ngastra plakë, siç e quan autori Evropën, na la të ndarë në pesë copa të gjeografisë. Këtu, do përmendur skicat: “Motrës”,“At Bernard Llupi”,“Sali Ukella”,“Ajo ditë”,“Përralla e shtufit”,“Zagna liria”,”Dera”,“Kthinat e blindueme”, “Përmendore”5-a”, ”Leze Koleci”, “Nusja e ngrime”,”Jona”etj.

E vërteta mjeshtrohet e gërshetuar me vargun dhe prozën poetike nëpër tërë sfondin e veprës

Shumëllojshmëria tematike e motiveve dhe lidhja kohezive e tyre, arrijnë nivelin e thurjes me kujdes të prozës dhe vargut poetik variacionesh të larmishme, kurse substancën e fjalës krijuese e gjenë me lehtësi në botën që e rrethon, si:natyrën, jetën, lindjen, frymëzimin,  universin, dhimbjen, pikëllimin etj.,duke i freskuar me imagjinatë të begatshme, përderisa mendimit i jep rrjedhë universale në shpërfaqjen e ideotemave, me dëshmi përjetimesh personale. Autori assesi të shkëputet nga imazhi që trajton momente të dhimbjes e të dashurisë në të njëjtën kohë, duke rrugëtuar kah e sinqerta, kah e vërteta që, mjeshtrohet e gërshetuar me ide e mendime vlerash artistike të figurcionit poetik, të cilat e nxjerrin vargun dhe prozën poetike me shije të modernës e invencion të mjaftueshëm artistik.

Fjala e intimës shpirtërore, e jetësorës personale /autodiegjetike/ me faktoritet kujtimesh të largëta e të pathëna shpeshherë, tashmë të plazmuara në veprën “Gurra e Dashës-rrëfime udhëtimi”, me tërë organikën poetike të mendimit metaforik dhe peshën e fjalës, do të reflektohet admirueshëm tek lexuesi pasionant, me veçanti vjershat e skicat: “Jeta ime””Nish, vjeshtë 1952”, “Gjuha shqipe”,”Pa fjalë”,”Pesë plumba”,”Prekë Cali”, ”Blanë”,”Drita e dashunisë”.

Duke e kënduar vetminë, shumëherë të përsëritur me heshtjen e botës së vet, autori ndërgjegjshëm e kreh dhe e artikulon këtë krijesë letrare artistike me brendinë, me arsyen dhe me shpirtëroren e vet, duke vepruar me logjikën e një dimensioni të ri të jetës, kur heshtja e vetmisë synon artistikën me tërë figuracionin e mesazhit të cilën dëshiron ta përçojë edhe përtej të sotmës.

Dhe kur vepra “Gurra e Dashës…” lexohet me vëmendje e pasion, rrëfimet për ngjarjet, për rrugën e udhëtuar me personazhe të shumtë/pa përzgjedhje/ që defilojnë nëpër gjithë veprën, meditimet e pafund, dialoget e pelimta, monologet me hijen që nuk flet e mizën që e bëri poet pa laps e letës, por edhe optimizmin këmbëngulës të autorit për të qëndruar vertikalisht karshi moteve egërshane, dashurinë për jetë dhe për çdo gjë të bukur e të ëmbël të krijuar nga Drita Hyjnore me artikulim shprehjesh specifike, gjithsesi do të shpërfaqen si të imtësuara për audiencën e mirëfilltë.P.sh.”Hijet”,”Rreze”,”Kangët e mia”etj.

Qeti imtak, tashmë i thinjur me 90 rrathë të jetuara, thuri 7 vepra letrare artistike duke na pasuruar bibliotekat tona me sentimente letrare.

Ndërkaq, djepi për faqe historie pa limite të kornizuara, i mbeti Shkodra e Shqipëria, Peja, Rugova dhe Kosova!

Me ëmbësi gjuhësore, përplot me trope stilistike, modernizohet proza dhe vargu poetik i autorit

Të gjitha këto kontrollohen me gjuhën e autorit, e cila ngjason me një gjuhë që lexohet e kuptohet lehtë, një gjuhë tipike pejane e vendlindjes dhe ate shkodrane të jetësuar, që bartë në vete bollëk përdorimesh andej e këndej kufirit.

Pra, një bashkësi fjalësh e mendimesh që s’mund të mbesin të veçuara e të ndara, ashtu siç nuk mund të ndahet vetë kombi e toka arbërore.

Gjuha synon artikulimin në figurë perms tropeve interesante stilistike, me prani të ritmit në fjali, të rimës së brendshme me shkrirje në formën e asonancave dhe konsonancave, të cilat i japin muzikalitet të veçantë e unik, poezisë.

Fjalitë jo rrallë janë të shpërndara në kohë të matshme dhe me një vlerë të njëjtë duke ia shtuar fuqinë kuptimore e tingëlluese fjalës së menduar. Autoi Kelmendi, në të shumtën e rasteve përdor fjalinë pa folje. Kjo qasje e këtillë shkrimore në këtë stil të estetikës moderne, përbën në vete një kaptinë të veçantë  me karakter të nivelit gjuhësor që, pa dyshim ia shtojnë bukurinë narracionit rrëfimtar.

Autori Kelmendi, për asnjë çast nuk do t’i shmangët dialektit gegë, si gjuhë letrare e shqipes, në kuptimin gjithëpërfshirës të saj, duke kuptuar formën, metrikën, figurat dominante, tiparët dalluese, shfaqjen fonetike, fonologjike, morfosemantike, sintaksore, semiologjike, elementet tematike dhe narracionin rrëfimtar, than ë fund të fjalës së vet redaktori i veprës.

Kadri Fikaj, mësues i Gjuhës dhe letërsisë Shqipe, i pensionuar tashmë, tha: Unë nuk dua të flas për shqetësimet shpirtërore të autorit, as për historinë e jetës së tij, por më lejoni të citoi diçka shumë shkurtër nga letra e ish nxënësit të Shefqetit, podujevasit Mr.Shefki Stublla, i cili, në pamundësi që të merrë pjesë, na shkruan: “Libri”Gurra e Dashës…”është një libër i formatit të vogël me përmbajtje dhe porosi të madhe, është një himn që i kushtohet dashurisë për atdhe, vendlindjes së të parëve, një libër që buron nga shpirti i autorit dhe i secilit njeri me ndërgjegje të pastër prej nga buron gjithçka që të bën krenar…Motivi i të gjitha veprave të tij është një ditar nga autobiografia e tij, nga jeta e vështirë, copa-copa, “si përroni që humb ujin nëpër gropa”, pa ankesa, ngërthen në vete motivin stoik, patriotik, shpirtërisht i lidhur me atdheun dhe Rugovën legjendare, “ku natyra ka gdhend historinë shqiptare”. Pra, protogonisti kryesor i Gurrës së Gashës është autori i veprës, kurse i tërë koncepti dhe porosia e veprës është “kurrë mos u dorëzo”. Andaj, kurrë nuk hoqi dorë nga idealet e veta, edhe pse regjimi totalitar, në shumë raste deshi t’ia mbyllte gojë. Shkroi dhe shfaqi çfarë kishte të thoshte, jetën nuk deshi ta kaloi kot. Shpresoi andaj mbijetoi.

Ndërkaq, z.Shpëtim Kelmendi ishte tepër i shkurtë: Nuk do të flas për veprën, sepse këtë e thanë e do ta thonë të tjerët. Por ju them se, “të gjithë do ta lakmonin ta kenë një babë, nëse një siç është ky…E unë, vetëm unë e kam babë”. Duartrokitje!

Poetesha Fatbardha do të shprehet:”Proza poetike dhe vargjet emocionalisht të metaforizuara, janë asgjë tjetër përveçse  një tingull i këputur në këtë nënqiellin e rropatjeve tona. Edhe të rrahurat e zemrës së tij, dhimbshëm janë derdhur mbi këtë letër me shkronjat e kujtesës…”.

Filip Guraziu do të thotë: “Autori i këtyre tingujve dhe vargjeve poetike, gjithmonë ka gjetë diçka nga e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja, duke e freskuar fuqishëm mendjen dhe mendimin e lexuesit. Në këtë aspekt, sot Shefqeti na bani që, ne shkodranët ta njofim ma mirë Marie Shllakun, heroinën tonë shkodrane, ngaqë ne, pak e aspak nuk e përmendim këtë figurë emblematike të kombit. S’ka dyshim se këto ngjarje të vërteta të shek.XX, autorit ia kanë prishur ekuilibrin e jetës”.

Ndërsa, znj. Rita Smaja, artiste e Teatrit Kombëtar të Shkodrës, i vuri kapakun këtij evenimenti, duke cituar vargje e pjesë të theksuara skicash si: “Ditën e gjatë nji shekull,/Me sy i ndjeku mbas,/Me to kënaqem si fëmija,/Me to kohën mas”/vj.Rreze/.

Ose:”Motra Marija Shllaku, Orleania shqiptare. Njëzetekatërvjeçarja vajzë shkodrane. Kur iu kumtue vendimi: pushkatim, me pamje krenare ktheu kryet nga salla. E salla pika lotë…

Dhe fjala e fundit para tytave sllavokuminste: “Kosovë,sa shpresëmadhe të gjeta e sa zemërplasun po të la!...Po edhe në këtë çast të mbramë të jetës, po i lutem Zotit: -Gjaku im t’u baftë dritë! Dhe e fundit: “ O Gurrë e bardhë e vendlindjes sime/Në Grykë t’Rugovës – dhimbja ime!/Sa herë, o krue, t’kam kërkue ndjesë,/Pranomë, o Gurrë, pranë teje të vdes!”/Vj.”Gurra”/. Përsëri duartrokitje të gjata e me nderim!

Dhe krejt në fund z.Shefqet Kelmendi, autori i veprës “Gurra e dashes-rrëfime udhëtimi””u shpreh me mirënjohje e përzemërsi, duke thënë:”Prania juaj me këtë rast më nderon shumë dhe në moshën tashmë të shtyme sikur me gjallnon. Shkodra për ma shumë se 40 vite më ka formësuar, më ka rritë, ndaj e due shumë, se e ka dashtë vetë Zoti. Dashunia ime ma e madhe ishte dhe mbeti gjuha e stërlashtë dhe e bukur shqipe, të cilës padrejtësisht ia kanë rrudhë rrezatimin”. Dhe, i emocionuar deri në thelb të zemrës, foli me pika loti dhe fjalën e nxori me zori e me shumë ndiesi shpirtërore. Kjo i emocionojë të gjithë. Duke e përmbyllur me një duartrokitje frenetike të gjatë, shumë të gjatë, sa për t’i dëshiruar autorit shëndet e jetë të gjatë deri në frymën e tij të fundit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora