E shtune, 21.09.2019, 10:13 AM (GMT+1)

Reportazh

Voskopoja

E marte, 31.01.2006, 08:42 AM


Voskopoja, fshati turistik i pashfrytëzuar

Ç’ ndodh në fshatin juglindor, ku dritat dhe uji mungojnë nga 10 orë në ditë

Një erë e mbartur me ngrohtësi dëbore fryn teksa lë Korçën dhe pasi ke përshkuar 18 kilometra do të ngjitesh në lartësinë 2 mijë metra mbi nivelin e detit dhe përpara syve të shfaqet Voskopoja. Magjepsës jo vetëm nga bukuria natyrore, por edhe nga kishat e shumta të ngritura mbi 700 vjet më parë. Mund të jetë një nga të paktat vende në Shqipëri, që mund të shijosh bukuritë që i fal vetëm dimri. Në fshatin turistik, duket se në këto ditë të ftohta, vizitorët apo turistët numërohen me gishtat e njërës dorë. Mbi dëborën që ka shtruar qilimin e saj ende nuk është dukur ndonjë ski turisti, ndërsa “njeriu prej dëbore” as që duket atyre anëve. E ndërsa makina ngjitet ngadalë për shkak të rrugës me akull, nis të shquash ato pak ndërtesa të Voskopojës.
Fshati turistik
Voskopoja, fshati turistik me natyre të rrallë dhe histori të kristalizuar, në këto ditë të ftohta të dimrit që sipas qendrës sinoptike të këtij fshati temperatura më e ulët ka shënuar minus 20 gradë Celsius, është e zhytur në terr të plotë, pa asnjë lloj grafiku nga ana e filialit të KESH-it të Korçës edhe pse banorët e paguajnë energjinë e harxhuar në masën njëqind për qind. Ndërkohë që në këto ditë të ftohta, gjysma e fshatit nuk furnizohet me ujë të pijshëm, pasi ujësjellësi nuk plotëson gjithë nevojat e konsumatorëve. Një panoramë kjo aspak e këndshme për ata që kanë planifikuar të vizitojnë Voskopojën qoftë për klimën e saj të shëndetshme, qoftë edhe për amatorët e skive, ku gjendet edhe një pus për këtë lloj sporti. Megjithëse vetëm 18 kilometra e ndan nga qyteti i Korçës, rruga është gjithë gropa dhe gjithë kthesa të padukshme, ku drejtuesve të mjeteve u krijohen shumë vështirësi, sidomos për atë që udhëton për herë të parë. Banorët e konsiderojnë fat që në vitin 2000 ky aks rrugor u hyri nën juridiksionin e Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Rrugëve Nacionale. Në këto ditë të ftohta dhe me reshje të dendura bore, ky aks rrugor u bllokua vetëm përkohësisht, pasi borëpastrueset e pastrojnë shpesh këtë rrugë, madje edhe nga dy herë në ditë.
Voskopojarët
Ndërkohë që një panoramë krejt tjetër paraqitet me fshatrat e tjerë që rrethojnë qendrën e komunës. Që prej rënies së borës së disa ditëve më parë, këto fshatra janë tërësisht të izoluar dhe banorët e këtyre fshatrave si Lavdar, Gjenomadh, Leksa e ndonjë tjetër, duhet të çajnë dëborën në këmbë dhe të bëjnë mbi dy orë rrugë për të mbërritur në qendrën e komunës. Por moti i keq nuk është ndonjë çudi për banorët e këtij fshati. Për 200 familjet e tij, dimri vjen krejt natyrshëm, madje ata ashtu siç edhe tregohen historitë, të thonë se në vitet e shkuara trashësia e borës e kalonte një metër e gjysmë dhe “nuk mund ta shihje qiellin nga dritaret e katit të parë”. “Asnjëherë, - thonë banorët - nuk ka lindur nevoja e emergjencave ushqimore për njerëzit, po kështu edhe për bagëtitë”. Tradita voskopojare me kuzhinën e saj të pasur, siguron produktet ushqimore për familjen që në vjeshtë. Por siç sigurojnë ushqimin për veten, blegtorët sigurojnë edhe bazën ushqimore për bagëtinë. Të vetmin merak që ata kanë është se u mungojnë pikërisht ato që ata nuk kanë në dorë, siç është furnizimi me rrymë dhe ujë të pijshëm apo rregullimi i infrastrukturës së brendshme në fshat. Nuk mjaftojnë iniciativat private, ato vetëm të ndihmojnë. Me iniciativën e shoqatës “Rilindja Voskopjare” u bë emërtimi i rrugëve të fshatit sipas historisë, ndriçimi i këtyre rrugëve dhe rehabilitimi i çezmave të vjetra të fshatit.
Natyra
Voskopoja është e njohur për klimën e saj të shëndetshme. Ajo është e pasur me florën dhe faunën, ndërkohë që është e pasur me pyje të bredhit, pishës dhe ahut. Kjo natyrë, përveç peizazhit, ka edhe vlera kurative. Tradicionalisht në këtë fshat kanë ardhur për t’u kuruar mes ajrit plot ozon dhe ujërave kurative të sëmurë me sëmundje pulmonare dhe një varg sëmundjesh të tjera si të mushkërive dhe veshkave.

Anton Fallo: I gatshëm për të mësuar ski
Antoni është i pasionuar pas sportit të skive. Ai thotë se “në këtë fshat ekziston edhe një pistë për këtë lloj sporti dhe janë të shumtë ata që e frekuentojnë pistën. Përveç sportistëve profesionistë, të cilët vijnë çdo vit, tashmë kanë zgjedhur datën 10 shkurt, nuk janë të paktë edhe amatorët”. Fallo është i gatshëm të tregojë se prej disa vitesh ka ngritur një ekip prej 30 vetash që u mëson sportin e skive.

Ali Baçelli: Na mungojnë gjërat jetike
Të gjitha të mirat materiale në këtë vend janë të pranishme. Tashmë edhe më tepër se në të shkuarën, pasi me ndihmat nga emigracioni janë krijuar të gjitha komoditetet nëpër familjet plot tradita të Voskopojës. Por që të jetë siç thuhet, duhet të ketë edhe ato që mungojnë siç është uji i pijshëm. Duhet të bëhet diçka në këtë drejtim, sepse po munguan gjërat më jetike si drita dhe uji, nuk mund të synohet turizmi.

Julian Zëre: I kënaqur që jam në Voskopojë
Juliani është një ndër banorët e rinj të këtij fshati. Ai zbriti nga fshati i tij Krushovë, për t’u vendosur në Voskopojë. Zëre shprehet se “jam i kënaqur që zgjodha këtë vend për të jetuar duke menduar se në të ardhmen do të jetë më mirë”. Kurse sa u përket të ardhurave për jetesë, ai i siguron në fshat me anën e punës në blegtori, por edhe me një kamion që bën transportin e mallrave nga Voskopoja në Korçë.

Shifrat

200 familje kaq është numri i familjeve që jetojnë prej shumë kohësh në fshatin e Voskopojës, madje ky fshat është populluar edhe nga banorë të ndryshëm të ardhur nga zona të tjera të Korçës.

30 vila është numri i vilave të reja, të cilat janë ndërtuar me investime private, pronë e banorëve të Voskopojës, por që tashmë janë vendosur në qytetet Tiranë, Durrës, e gjetkë.

-20 gradë është temperatura e regjistruar nga stacioni meteorologjik që është ndërtuar në këtë zonë. Gjatë këtij dimri pritet që temperaturat të ulen edhe më shumë, sidomos gjatë natës.

200 turistë është numri i personave që kanë preferuar të kalojnë stinën e nxehtë të verës sezonin e kaluar, ndërkohë që për këtë vit numri i turistëve dimëror është tepër i ulët për shkak të kushteve.

24 kisha është numri i kishave që janë ndërtuar në fshatin e Voskopojës që nga periudha e mesjetës, ndërkohë që tani vetëm gjashtë prej tyre janë në gjendje të mirë, pas një financimi nga një shoqatë franceze.

Një zgjidhje sa më emergjente për elementët jetikë

“S’ka turizëm pa drita dhe ujë”

Banorët e Voskopojës nuk e njohin bllokimin nga pjesa tjetër e vendit, që nga koha kur rruga e fshatit të tyre është futur në mbrojtjen e Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Rrugëve. Për sekretarin e komunës, ky fshat ka vlera të rralla turistike dhe një natyrë të mrekullueshme, ku dora e njeriut është kujdesur gjithmonë duke e ruajtur dhe pasuruar atë. Gjatë viteve të fundit janë shtuar edhe investimet private në turizëm. Në Voskopojë janë ndërtuar 30 vila të reja, pronë e banorëve të Voskopojës, por edhe të ish-banorëve të fshatit, që aktualisht jetojnë në Korçë, Durrës, Elbasan, Tiranë, etj. Shembulli më i pastër sipas Janaq Zgurit, janë dy hotelet luksoze që janë ndërtuar. Njëri prej tyre “Akademia” dhe tjetri që po ndërtohet në qendër të fshatit. Vetëm gjatë verës së kaluar të paktën 200 persona nga vende të ndryshme kanë preferuar të kalojnë pushimet në Voskopojë, ndërkohë që edhe gjatë dimrit ka pasur vizitorë, sidomos amatorët e skive.
Çfarë ofron Voskopoja për pushuesit e kësaj stine?
Voskopoja ka shumë vlera, për to është folur shumë, si për vlerat historike dhe ato natyrore. Veçse këto duket se nuk janë të mjaftueshme për të bërë këtë qendër që ka një histori zhvillimi të paktën që nga mesjeta, të ndodhet në këtë stad zhvillimi, kur resurset janë shumë më të mëdha.
Ku mund të investohet më konkretisht?
Së pari, në infrastrukturë. Rruga nacionale që lidh Voskopojën me Korçën, megjithëse është vetëm 18 kilometra e 300 metra, nuk është brenda standardeve të një qendre turistike. Rruga është shumë e ngushtë dhe jo me standardet e duhura. Së dyti, infrastruktura brenda fshatit. Megjithëse ka studime të hollësishme, nuk ka kanalizime, po kështu mungon edhe uji i pijshëm. Mjafton që një lagje të hapë çezmat, mungon uji në lagjen tjetër.
Po furnizimi me rrymë elektrike, kur është deklaruar që kufizimet në zona turistike do të jenë sa në qytet?
Aktualisht, fshati ynë ka ndërprerje të rrymës elektrike nga tetë deri në dhjetë orë. Kjo është një situatë katastrofike. Po t’i referohesh deklaratave të KESH-it, furnizimi do të jetë sipas pagesave. Pagesa në komunën tonë është në masën njëqind për qind, kështu që ndërprerje nuk duhet të kishim, por edhe në çastet e krizës të paktën të jetë më e arsyeshme ndërprerja. Këtu nuk ka një grafik, por dritat ikin orë e pa orë.

Guida
Voskopoja ka 12 restorante dhe bare
Akomodojnë pushues dy hotele me 115 shtretër dhe 15 shtëpi me 90 shtretër.
Një kilogram mish qengji i pjekur kushton 1200 lekë
Një kilogram peshk troftë i gjallë bashkë me pjekjen 800 lekë
Një kilogram mjaltë vendi, shumë i ushqyeshëm dhe me aromë të kullotës shumë të pasur natyrore të Voskopojës kushton 800 lekë
Te hotel “Akademia”, fjetja për një natë kushton 2000 deri 2500 lekë
Në hotelet familjare, fjetja një natë kushton 1000 deri 2000 lekë
Në hotelet dhe motelet dhe banesat e voskopojarëve mund të akomodohen deri 200 veta çdo natë.
Një byrek i pjekur në saç (tradicional) kushton 2500 lekë.
Largësia në Km
Largësia nga Korça 18 kilometra. Funksionon shërbimi taksi dhe shtëpitë mikpritëse vënë në dispozicion mjetet e tyre të transportit.
Largësia nga Tirana 206 km.
Largësia nga Kapshtica 57 km
Për turistët që mund të vijnë nga Maqedonia dhe hyjnë në Tushemisht largësia 70 km dhe ata që hyjnë në Qafë-Thanë 90 km.

Arti bizantin, në gjashtë kisha
Një vizitor do të befasohet nga arti bizantin që ofrojnë 6 kishat e Voskopojës. Ikonat dhe afresket janë punuar nga mjeshtrit e mëdhenj shqiptarë të artit bizantin. Në kishën e Shën Kollit, që daton në vitin 1721, vizitorët kanë shansin e rrallë të sodisin piktura të David Selenicës dhe vëllezërve Kostandin dhe Athanas. Vlera të pallogaritshme kulturore mbartin edhe kisha e Shën Mërisë, kisha e Shën Thanasit, (gjatë vitit 2005 u vodh dy herë dhe që deri tani nuk janë zbuluar ende vjedhësit), kisha e Shën Prodhomit. Nga 24 kisha që ka pasur Voskopoja në kohën e lulëzimit të saj, në mesjetë, tani janë ende në këmbë vetëm 6 prej tyre.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT