Kulturë
Blerim Rrecaj: Cikërrima me bisht
E hene, 12.11.2018, 07:22 PM
Cikërrima me bisht
Nga Blerim Rrecaj
Pupël e bardhë shpendi në hundën e një qeni të zi, e ky qen duket i lodhur e i uritur, i frikësuar e në ankth si do ta kalojë rrugën matanë në këtë supertollovi t'ka(hm)osit urban. Tufë balonash të lidhura në midis rruge dhe ca të tjera jashtë këtij grumbulli të cilat era më me lehtësi i bart, na dalin para sysh dhe sikur t'i kishim pak më afër mbase dhe do t'i shkelmonim, pa mëshirë, pa takt. Një fëmijë me një numër ngjyrëartë dekorativ për ditëlindje, dy prindërit e tij me të, njëri me qese të mbushura në duar e tjetri me tortë të paketuar, merr urimin e stërthënë ishalla këtë vend e gëzofshi ju, se ne...Pensionistë duke pritur pensionin, dikush ballin duke fshirë, dëgjohen edhe fjalë 'na shkoi jeta n'pritje, o mixhë'. Ftonj të verdhë e të shqetësuar në koritën e një çezmeje në një oborr shtëpie rrethuar me shumëkatëshe, atypari dhe një gropë e sapohapur për vënie themelesh tjera, t'reja. Shkundje qilimash e batanijesh nga ky ballkon banese, e ky peshqir i varur në majën e këtij druri, kacavarur pas kësaj dege pret një dorë të zgjatet drejt tij. Bar i përzhitur vjeshte e lule radhiqe kërcellgjelbëra e kokëverdha e kërcellgështenjtë e kokëbardha që i tund e i shpërndan era, e i këpusim e iu fryejmë edhe ne. Lule të thara petaleparënë e lule n'lulëzim pranë njëra tjetrës, shenja të mira për krahasim, si është e si duhet të jetë vendi ynë. Gëmushë trëndafilash e petale që puthin rrugën e shtruar me kubëza kalldrëmi e lule në të s'di se si kanë lëshuar rrënjë, aty pranë, e që sikur thonë o njerëz pse po mbillni kaq shumë beton. Ballkon banese mbushur me dru të prera të bëra gati për t'i futur në stufë, pasi po ftohet koha, e trupat tanë edhe ata të mysafirëve që mund t'i mirëpresim duan të ngrohen, duan dru, nxemje me thëngjill e me rrymë diku. Rroba të lara në tel që rreziten në diell, e ndonjë anzë erë iu merr. Grafite të shkruara në mure 'e kur unë po dal në dritë të gjithë po i mbulon hija', është shkarravitur matanë. Cingërrima telefoni qoftë për të ditur ku ka mbetur kolegu, tjetri telefon, a cingërrima të njejta, edhe kur tjetrit i bie zilja ti telefonin tënd e nxjerr nga xhepi, dikush aty mund të qesh e ty të vije inat. Punëtor sigurimi që dikur ruante brenda objektit e tash tanë ditën para kësaj pike banke, për të rritur shkallën e sigurisë pasi po lulëzon pasiguria, një tjetër sigurims duke pirë cigare bashkë me kamarierin në restaurant- kafiterinë e një biznesi në rënie të lirë. Zhurma e piskama debatesh, llafe që mbulojnë zhurmën e aparatave të kafesë, a do të vijë dita edhe këtu që jo aq me nge të rrijmë e të harrohemi në të ëmblat kafene. Bager tash i fikur pa shofer para bagremave që rrëqethen e dridhen, pasi e dijnë çka i pret. Qese duke fluturuar nëpër qiell, e zogj skaj therrave pranë telave, e disa zogj këndojnë në degë hekurishtesh të hedhura, të grumbulluara. Grumbuj cikërrimash dje, sot, tash në këtë çast dikush brenda një veture një cigare e ndez...