Kulturë
Shyqyri Fejzo: Grabova
E merkure, 07.11.2018, 07:11 PM
Shyqyri Fejzo
Grabova
Me sytë e mendjes larg shikoj
Sa i madh e i bukur ishte ai qytet
Dërstila, tabanë, karvanë zile dëgjoj
Gëlon pazari, sheshi me njerëz det
Nga Voskopoja vinë karvanë ngarkuar
Për Manastir e Llëngë nisen të tjerë
Gëzojnë një ditë feste e shënuar
Në çdo kishë kambana filloi të bjerë
Nisin kambanat e 26 kishat e Voskopojës
Tingujt shpërndahen e kudo venë
Përgjigjen kambanat e Grabovës
Ushtojnë tingujt në Shënmërenë
Grabova fsheh ngjarje të rënda
Kumbarët e shpetuan prej flakës
Gojdhëna thesarë mban brenda
Në urat, çezmat e varri i plakës
Sot ka vetëm çezma , ura. gurë e vija
Si dëbora në pisha gjithshka është tretur
Zhdukur shpërbërë e dikurshme lavdia
Fshati i vogël dhe emri i ka mbetur
Mos I bjerë kësaj pasurie pluhur i harresës
Po ngjan si ai që thoshte “mot moj pelë, mot
Ta shpërblej mirë unë pikën e djersës
Do ta mbush trastën me tagji plot e përplot”
Me buxhetin për këta njerëz duhet kujdes
Këtu ka mundime vuajtje e kontraste
Nuk mjafton të themi kur të këmi një thes
Do ti japim edhe Grabovës një trastë
Dora në zjarr
Rëndë betohem për ju të dy
Nismë me rrezik sot po marr
Ja, më placin tani këta dy sy
Për ju do e vë dorën në zjarr
Pesë gishttat mbi prush do I ndej
Nuk di në bëj mirë a po bëj keq
Sapo nxehtësinë do të ndjej.
Po më dogji, unë dorën e heq
Paradokset
Të gjithë tani e mësuan dhe e dinë
Normalët s’ janë të nevojshëm fare
Analfabetët po shkruajnë historinë
Kjo është e reja e sotme shqiptare
Kjo tek ne po ndodh si dendur
Sot po dalin njerëz të ndjerë
Të mencurit trajtohen të cmendur
Të cmendurit hopa, milionerë
Milionerë more burrë, besa
Milioner kurrë pa punuar
Pa provuar c’ është djersa
Vetëm gjoja s’u ka pushuar
Heret shprehja duket ka dalë
Nga mendja e goja e “të mbarëve”
Cjapi të duket tamam kalë
Kur rri në mes të gomarëve
Vehbi Skënderit
Mali gjigand fshatrat na ndan
Me Strelcën e poetit Vehbi Skënderi
Dragua që liqene mbi shpinë mban
Sa pushon shiu nxjerr harqe ylberi
Ku ka ujë, kudo jeshil diell e hije
Lart, në majë fle “Liqeni i Zi”
Mbi,malin e përbashkët Lenie
Fëmijë shkelur atje nga unë e ti
Lindur, rritur ku jeton skifteri
Ku uji i ftohtë vec gurgullonte
Të nxitën fort Vehbi Skënderi
Natyra shpuzë të frymëzonte
Me këmbëngulje ti ke shkruar
Për gjithë moshat e për rini
Ti do mbetesh i pa harruar
Për poezitë perla me dashuri
Zogjtë shtegëtarë
Retë e zogjve shtegëtarë
Këngën kurrë nuk e shterën
Stinën e mbajnë mbi krahë
Ja, ku na sollën pranverën
Mahnitesh, mbetesh pa fjalë
Ku e gjejnë atë saktësi?
Sikur lexojnë kalendarë
Doktoruar në astronomi
Mbi krah ata mbajnë qiellin
Forma -forma në fluturime
Nuk harrojnë të cukitin diellin
Na kanë ardhur me pushime
Nëpër pemë e në gjethe
Nëpër tela si gjerdani
Për ne japin vec koncerte
Këngë e nota pentagrami
Cila forcë I sjell cdo vit?
Disa thonë “është zgjuarsia”
Do e mësojmë të gjithë një dit
Forcë e parë është dashuria
Në ekuinoks mbaron pushimi
Gjithë familjet, re e gëzuar
Atë ditë fillon prap shtegëtimi
Tani numuri i shumëfishuar
Ndjejmë në shpirt një zbrazësirë
Kemi përpara dimrin zemërak
Zogjt tok,drejt jugut në hapsirë
Pa vizë, i vinë globit përqark