Thursday, 15.11.2018, 04:50 AM (GMT)

Reportazh

Frrok Vukaj: Venecia e mrekullive mbresëlënse

Monday, 29.10.2018, 06:43 PM


Venecia e mrekullive mbresëlënse

Nga Frrok VUKAJ

Pas një udhëtimi të gjatë prej France e Zvicre nëpërmes Alpeve Dinarike, afër mesnatës mbërrijmë në rrethinat e Venecias (me bashkëshorten Dilën, djalin tim Bledin me nusen Juxheni e engjëllin e vogël Kohanën 1-vjece)

Jemi të ftuarit e Agim Nikollë Berishës nga Iballa e Pukës, emigrant prej vitesh. Na kishte pritur me padurim prej disa orësh, shprehje kjo e një tradite mik-pritëse të shqiptarit, e ruajtur edhe në mërgatën jashtë. Sipas zakonit kafen e qerasjet e para në shtëpi janë për mikun e mysafirin. Pas pak u akomoduam aty afër në një hotel fshati që s’kishte të sharë as për në qytet, madje këtu me ca privilegje më të shumta. Rruga e gjatë e lodhja na kishin kapitur e gjumi ishte ilaci më i mirë. Kështu kishim menduar ne, por i zoti i shtëpisë e nusja e tij Violeta kishin pregatitur si s’ka më mirë edhe darkën ndonëse kishte kaluar mesnata. Na bëri pështypje të veçantë ajo mikpritja e çiltër e pa kurrfarë mburrje. Atmosfera e gatishmëria e këtij çifti dhe e fëmijëve të tyre për të na shërbyer me përkujdesje duke mos harruar edhe humorin e këndshëm të të zotit të shtëpisë, na çlodhën e na larguan gjumin, madje pasi hodhëm gotat e para, plasi kënga e vallja shqipe.

Kur u zgjuam dielli ishte ngritur goxha lartë. Objektivi ynë ishte një vizitë e shpejtë në Venecia e nata e dytë në Dubrovnik, por kjo paska qënë punë që s’bëhej, megjithëse shoqërimi i Agimit, si njohës i mirë i asaj krahine, na kurseu shumë kohë. Një urë e gjatë lidhte pjesën kontinentale me pjesën ishullore - kjo një surprizë hyrëse e një relaks i këndshëm. Në një si kthinë të fshehtë, mezi gjetëm vend për parkimin e makinave.

Në këmbë filluam vizitën në Venecian pothuajse 1600 vjeçare e nuk ngopeshim së shikuar. Dyndja e vizitorëve në atë fillim qershori 2018 ishte e madhe e pabesueshme ; ajo sa vinte e shtohej. Aq denduri kishte sa shpesh herë ngecnim e me vështirësi gjenim ndonjë shteg kalimi. Në ato rrugë e rrugica të ngushta “ ku të zihej fryma”, lëvizte duke u çapitur e befasuar nga gjithçka, ajo masë e madhe njerëzish që ngjantë si magmë vullkanike, herë si një përbindësh shumëkëmbësh, herë si gjerdan lulesh në një kopsht të stërmadh. Shumë grupe lëviznin të lidhura dorë për dorë në atë mizëri të pafund; të tjerë mbanin të ngritur lart në ajër shkopinj të lidhur në maj me shami, fjongo a diçka treguese, si orientim e pikëlidhje për grupin. Turma e këmbësorëve si një masë viskoze lëvizë e çapitet ngadalë në ato labirinthe të ngushta e misterioze ujore e në rrugë të kalldrëmta nga ishulli në ishull, por edhe çlirohej disi në sheshe të vogla mesatare e të mëdha me dritë të plotë e fushë pamje të gjërë.

Ngado të kalosh sheh ndërtime autentike interesante, rrugica të ngushta, kanale të gjata plot ujë deri në prag të dyerve, ura me harqe që lidhin lagjet e ishujt me njëri-tjetrin, fasada të çuditshme me larushi mozaikësh, dyer, dritare, ballkone e porta mjeshtërore, lokale e dyqane të mbushura plot, por jo shumë blerës. Faqet ballore të ndërtimeve janë aq afër sa shpesh herë të thotë mendja të kalosh nga njëra dritare në tjetrën, disa prej të cilave asnjëherë nuk e shohin dritën e diellit.

Aq shumë kishte varka nga më të çuditshmet për lundrim, sa mezi shquaje sipërfaqen e ujit kur ishin të ankoruara : varka të gjata e stergjata, “trup ngjalë” me pjesën e përparme e fundore të ngritura, të rrumbullakta e vezake, të cekta e të thella, me ndenjëse e pa ndenjëse, të pikturuara e zbukuruara me lloj - lloj ngjyrash e aksesorë. Në secilën prej tyre së paku nga një lundërtar i veshur e krekosur si dhëndër ; disa modern e bashkëkohorë, të tjerë tradicional e me pajisje kalorisake.

Është e pamundur të përshkruash plotësisht vlerat ndërtimore arkitektonike, historike, kulturore e artistike, pallatet e kishat gjithfarësh e me përmasa të ndryshme, pikturat e skulpturat, muzet, arkivat, bibliotekat, koleksionet e rralla e te tjera pasuri të paçmuara, shumica prej tyre me vlerë botërore. Ashtu siç udhëtohet gjatë në shkretëtirë për të gjetur nje oaz me ujë, edhe këtu ky organizëm i gjallë lëviz si pa kuptuar “ drejt yllit polar ” për në sheshin San Marko që rrethohet nga sheshe të tjerë me ndërtime përrallore e shkëlqim vezullues. Në qëndër të kësaj mrekullie ishullore bie në sy kjo pjacë e famshme e mahnitëse, me përmasa të konsiderueshme, e shtruar e gjitha në mermer, e rrethuar me pallate e harqe të mrekullueshme të njëpasnjëshme. Pranë këmbëve e supeve tona, nga tufa e madhe shkëputen edhe disa pëllumba ëngjëllorë që na rrethojnë për shoqëri e ushqim.

Vizitori mbetet i shtangur e i befasuar edhe nga katedralja e Shën Marisë, Pallati Dukal e Justinian, ura e Rialtos, Ca’ Foscari me një fasadë të bukur e interesante, kishat e Shën Zanipolit e Shën Domenikos, Katedralja e Torcelos, Shkollat e Shën Markut e Shën Rrokut, Shën-Gjergj i Madh etj. kryevepra botërore.

Venecia nuk mund të konceptohet pa Lagunën e saj magjepse e cila i plotëson më së miri kriteret për t’u përfshirë në sitet e Pasurisë së mbarë Njerëzimit. Historia e saj e kompleksi arkitektonik, arti, kultura, tregtia, lundrimet etj., kanë rrezatuar e rrezatojnë edhe sot dukshëm, duke krijuar ura komunikimi mes Lindjes e Perëndimit, mes Krishtërimit e Muslimanizmit, shprehje kjo e civilizimit përparimtar. Ajo simbolizon mencurinë e forcën njërëzore përballë natyrës, por jo e parrezikuar nga agjentët atmosferik, nga njeriu e amortizimi. Kjo trashëgimi kulturore natyrore, shpirtrore e material, duhet te promovohet, te mirëmbahet e te ruhet nga brezat.

Për 30 milionë vizitorë në vit, kjo mrekulli e pashoqe e  natyrës e njeriut, është impresionuese e mbreslënëse me shumë mesazhe të thëna e të pathëna. Venecia me 118 ishuj, 500 ura e 150 kanale është quajtur qytet i jashtëzakonshëm, pluskues, vepër arti e pazakontë, qyteti i mrekullive, më romantiku, i maskave, më i bukuri në botë, lundrues, i kanaleve, i ishujve, i urave, i dashurisë, i intrigave, zonjë e deteve etj.

Së fundi edhe një falenderim të merituar për Ardian Hulin nga Bushati i Shkodrës që na mundësoi me varkë këtë udhëtim të paharruar e me shumë vlera.



(Votes: 2 . Average: 5/5)

Write Your Comment
Comment: