E premte, 26.04.2024, 03:50 PM (GMT+1)

Kulturë

Gjosho Vasia: Nga persekutimi prej regjimit te përpjekjet për mbijetesë dhe rikthimi nga "arratia" në Itali e kitaristit humorist

E diele, 07.09.2008, 05:40 PM


XHEVAHIR GRADICA 

Kujtimet e jetës së mbushur me "tallaze", por edhe me gëzim

Prej disa ditësh pushon në Durrës i sistemuar në hotel-restorant "Kështjella" buzë deti te "Bërryli", humoristi i madh shqiptar Gjosho Vasia. Edhe pse mbi shpatulla ka 76 vite, Vasia i veshur sportiv, së bashku me të shoqen Blerina, me të cilën ka 55 vite gëzime e vuajtje, mbahet mjaft mirë.

Në vitin 1991 ai emigroi në Itali në mënyrë klandestine, por ka dëshirë të kthehet për të ngritur një grup humori. Vasia ka thënë se ka blerë një apartament në Durrës dhe sapo të përfundojë do i lërë lamtumirën Triestes, vendit ku jeton prej 16 vitesh. Një qëndrim buzë deti për të parë peizazhin te "Kështjella" dhe ftesa e pronarit të lokalit për të pirë një kafe me parodistin e

plagosur e të vrarë nga regjimi komunist i dha shtysë intervistës për gazetën "Metropol", kjo edhe për të risjellë në kujtesë aktorin e madh të përmasave kombëtare.

Keni nisur herët të krijoni e të luani në kitarë?

Internimi më mësoi shumë gjëra. Pasioni im për kitarën ka qenë pasioni, jeta, vuajtja dhe gëzimi im. Kitara, humori, parodia, skeçet, krijimet e ndryshme, loja në skenë, improvizimet dhe imitimet më kanë krijuar personalitetin, më kanë dhënë mundësi të shfaq dëshirat e popullit tim dhe të luftoj veset e shoqërisë. Për të mos thënë pastaj që humori më internoi e më plagosi, por edhe më gëzoi e lumturoi, pasi njoha dashurinë time me të cilën gëzoj në 55 vite. Doja të vdisja për kitarën. Ia mora një shoku tim këtë vegël dhe pasi mësova 6 akorde shkova në “Piacë” të Shkodrës ku mbahej një koncert dhe iu luta regjisorit Paulin Sekaj të më jepte mundësi të interpretoja. Këmbëngulja ime e bindi. Dola në skenën e improvizuar në shesh, mu në mes të “Piacës”, atje ku shkodranët kryejnë edhe sot e kësaj dite xhiron e mbrëmjes në ritualin e tyre të vjetër e të trashëguar me fanatizëm. Sekaj nuk më njihte, por pasi pa këmbënguljen time pranoi. Nuk i tregova emrin dhe as që isha vëllai i Kolec Vasiajt që ishte arratisur në vitin 1948 për në Kanada. Ai ishte një nga nxënësit që mori pjesë në ceremoninë e varrimit të Imzot Sinjor Gaspër Thaçi në vitin 1947 mesa më kujtohet. Policia kishte vënë një kamion për të bllokuar rrugën. Nxënësit e studentët e Shkodrës e kapën peshë kamionin dhe i hapën rrugë karrocës me trupin e të ndjerit Imzot Thaçi. Këtu nisi persekutimi. Disa pjesëmarrës të varrimit i vrau sigurimi, vëllai im u arratis fillimisht në Lusën të Kukësit e që aty kapërceu kufirin për të përfunduar në Kanada. Sapo isha kthyer nga internimi dhe pak moshatarë të lagjes më njihnin, por atyre u rrija larg për të mos rënë në sy që dikush më pas të interesohej për biografinë time. Kështu u ngjita si papritur në skenë. Unë luajta një pjesë të krijuar nga i madhi Pjetër Gjini. "Pjaca" shpërtheu dhe kërkoi të më rikthente në skenë për të kënduar përsëri. Nuk dija këngë tjetër dhe u detyrova të përsëris dy vargjet e para të këngës së kënduar. Njerëzit më mësuan emrin dhe fillova të kërkohesha në mbrëmje e darka, kurse sigurimi më përgjonte.

Si vazhdoi më pas karriera juaj si muzikant?

Një natë tjetër ftohem në tek "Kafja e Madhe". Shkodranët e dinë mirë këtë vend si dhe të tjerë që e kanë vizituar vendin ku unë u linda. Vjen kamerieri e më pyet nëse unë do të pija raki, vodka, fërnet, verë apo diçka tjetër. Nuk pija kurrë alkool. I them atij të më linte rehat, por pa rendiment kjo kërkesë. Ai më thotë se ka edhe pije grash. Quhet liker dhe është me bojë pjepri. Desha nuk desha e pranova. Pasi e piva njerëzit filluan të më bëheshin dy e tre bashkë. Edhe goja nisi të më merrej. Isha dehur me një gotë 20 gramëshe. Sapo nisi mbrëmja nuk prita dhe fillova nga humori. Sajova në vend bejte e melodi, i bija kitarës dhe e qeshura nuk mbaronte aq sa dikush ulej galuc nga karrigia apo vendoste duart diku për t’u mbajtur. Me kitarë isha në gjendje të bëja 12 zëra.

Mund të kujtoni disa episode që kanë lënë gjurmë në ndërgjegjen tuaj?

Karriera ime e vërtetë nisi në burg në Durrës ku u dënova pse isha shpallur fitues i një spartakiade kombëtare. Jam ndoshta i vetmi njeri në Botë që dënohet pse shpallet fitues kombëtar. Isha ushtarë në Durrës dhe aty u federova në garat e kërcimit së larti. Ishte viti 1959, pesë vite pasi isha kthyer nga internimi. Komandant kisha një zotëri burrë nga Skrapari. Emri nuk më kujtohet nga që e thërrisja gjithmonë “komandant”. Më thërret dhe me shumë mirëbesim më thotë se Sigurimi i Shtetit nuk do të më lejonte të shkoja në takimin kombëtar në Tiranë. Rezultatet i kisha mjaft pozitive. I tregova komandantit se do të gjeja një rrugë e do të shkoja. Kështu bëra. Spartakiada zgjati disa ditë. Hipa në një kamion dhe sapo arrita afër Aeroportit në Tiranë kërceva në tokë. Me vrap arrita te stadiumi e u futa vjedhurazi në pistë pranë gropës ku do niste gara. Një grua po regjistronte emrat e pjesëmarrësve. U afrova. Quhem Gjon Vërria. Gruaja që më njihte nga që rezultatet e mia ishin të njohura më tha se quhem Gjosho Vasia, por unë përsëri këmbëngula tek emri i parë. Nisi gara. U shpalla fitues dhe filluan edhe të më bëjnë foto. Për të mos u dalluar kurorën me dafina në kokë e ula shumë poshtë dhe shtrembërova fytyrën për të deformuar mimikën e pamjen e vërtetë. Të nesërmen gazetat shkruajnë “Gjon Vërria nga Durrësi shpallet fitues në kërcimin së larti”. Në gazetë dola edhe me kordelen e ulur të dafinës si dhe me fytyrë të deformuar. Por një gjë e tillë nuk i shpëtoi Sigurimit të Shtetit. Një ditë më pas u korrigjua emri në gazetë kurse mua më thërriti një agjent. Ai m’i mori dekoratat dhe më dënuan me 20 ditë burg në repart pse unë kisha marrë pjesë në spartakiadë e isha shpallur fitues.

Po karriera juaj e humorit si dhe kur nisi?

Karriera si humorist nisi këtu, në Garnizonin e Durrësit ku nisa të organizojë edhe estradën me ato krijime e orkestrime që gatuaja pa ndihmën e të tjerëve. Duke qenë se estrada nisi t’u pëlqejë eprorëve ata vendosën të më dënojnë edhe disa ditë të tjera për të më mbajtur për numra të tjerë, por ndërhyri komandanti im, i cili më kërkoi të rikthehem në repartin tim nga ku isha nisur për spartakiadë. Kam shumë kujtime, siç u thashë të hidhura e të gëzuara.

Pasi jeni liruar nga ushtria ju keni ngritur e drejtuar shumë grupe estrade dhe keni ndikuar në krijimin e personalitetit të shumë artistëve të rinj. Ç'kujtoni nga kjo periudhë?

U ktheva në Shkodër. Punova në fermën “Perlat Rexhepi” dhe aty ngrita grupin e estradës. Gjeta talente shumë të rrallë si Elez Kadria e Mërgim Muhja. Morëm edhe shumë të tjerë dhe fituam në takimin zonal në Shkodër vendin e parë. Sa për dijeni gjithmonë kam fituar vendin e parë në çdo konkurrim. Po deshe shkruaje një herë këtë fakt, po deshe përsërite sa herë që pohojë pjesëmarrjen në gara. (Qesh). Nga këtu shkova në fabrikën e cigareve në Shkodër me emra të tjerë të pasionuar si Muharrem Nurja, Tonin Tërshana, Fatmira Puka, Omer Osmani etj. Paroditë tona, interpretimet, imitimet, libreti, regjizura dhe gjithçka u pëlqyen nga juritë që gjithnjë na stimulonin me trofeun e vendit të parë çdo vit.

Pse ikët nga Shkodra, apo doli në skenë biografia juaj?

Në vitin 1967 në vendin tonë kishte nisur fushata e gjuetisë së egër dhe fillimisht në kulturë. Më vonë kuptova se edhe në Kinë kishte nisur revolucioni kulturor. Në Shkodër erdhi Feçor Shehu dhe në rrugën e pastrimit të skenave nga element “antiparti” para artistëve dhe anëtarëve të partisë së mbledhur enkas për takim përmendi emrin tim. Shehu më kujtoi para të tjerëve se kisha një vëlla të arratisur. Këtu nisi tatëpjeta tjetër. U transferova në hidrocentralin e Vaut të Dejës. Kishte vetëm një javë kohë dhe do të mbahej festivali i estradave në rreth. I kërkova drejtorit të kantierit të më lejojë të ngre grupin e estradës. E kisha me pasion dhe nuk u trondita as nga fjalët e Feçor Shehut e as nga transferimi si dënim. Drejtori, një burrë zotni, më dha makinën e kështu shëtita nëpër kantier e mblodha 15 të rinj e burra, nisa provat me orë të gjata gjatë gjithë natës. Ishin të pasionuar dhe fituan edhe talent. Shpejt e shpejt dhe në Shkodër pas një jave. Edhe këtë herë fitova vendin e parë e sigurova të drejtën për të konkurruar në festivalin kombëtar në Tiranë. Në Vaun e Dejës mora me vete edhe Zef Dedën. E kisha parë një ditë në rrugët e Shkodrës. Ishte diku tek 16-17 vjeç dhe ne njiheshim familjarisht. Vinte nga një familje shumë e varfër. I ati ishte në gen artist, por i la të vegjël. Kështu Zefi u detyrua të punojë. Sapo e pashë në rrugë e pyeta se ç’kishte ndodhur. Më thotë se e kishin përjashtuar nga puna nga që e kishin zënë në turnin e tretë duke fjetur gjumë në një raft. Drejtori i kantierit në Vaun e Dejës, Napolon Qendro e pranoi kërkesën time dhe e regjistroi në një punë. Zefi u bë talent i vërtetë. E kisha këtë besim, pasi shfaqte dukshëm elementët e një artisti të vërtetë. Ai më ndihmo jashtëzakonisht dhe kjo na dha mundësi të merrnim Medaljen e Artë. Në afishen e vënë në Tiranë për estradën e Vaut të Dejës ishte hequr emri im dhe ishte shkruar si regjisor e drejtues grupi emri Himnit Ukaj. Në fund të konkurrimit grupi ynë mori Medaljen e Artë. Ministri i atëhershëm i Arsimit, Thoma Deljana që e kishte ndjekur nga afër persekutimin tim më kërkoi, më hodhi krahun dhe ashtu kaluam në rrugët kryesore të Tiranës. Qëllimi i tij ishte të më rehabilitonte mua dhe të bindte të tjerët në aftësitë që unë kisha. Por nuk zgjati shumë kënaqësia. Fadil Paçrami në vitin 1971 më tërhoqi në Tiranë për të ngritur estradën në kombinatin e tekstileve “Stalin” dhe në Tiranë mora edhe shtëpi. Me Plenumin e IV, vetëm 3 vite pasi isha sistemuar, nisi sërish godita ndaj meje. Nga Shkodra kishin mbërritur shumë ankesa pse unë isha transferuar, ndërsa Paçrmai mes të tjerash u ndëshkua edhe pse më kishte përkrahur mua. Kështu u ktheva në Shkodër në fabrikën e cigareve.

Në vitin 1991 ju jeni larguar nga Shqipëria. Ç’u shtyu të largoheshit dhe të sakrifikonit jo pak?

Unë kam lënë vendin tim më 27 mars 1991. E bisedova me Blerinën dhe vendosëm që të shisnim shtëpinë për të fituar paratë që duheshin për udhëtim. Do të ikja nga Shqipëria, por se ku do të përfundoja nuk e dija saktësisht. U largova nga Shkodra dhe u vendosa disa ditë në Tiranë. Një i afërt më thotë se një vajzë që banonte pranë apartamentit ku u vendosa kishte të atin punonjës sigurimi dhe ai mund të më ndihmonte të arratisesha. Pas tundimeve nga frika e arrestimit pranova, por nuk ishim takuar pasi punën e bënte ndërmjetësi. Më kërkoi dollarë dhe pranova për dy bileta nga Rinasi në Itali. Punonjësi i sigurimit u mor vet me të gjitha nga pasaporta deri te bileta e hipja në avion në Rinas. Erdhi dita e ikjes. Kur u futa në Rinas ma treguan me gisht. Unë e pyeta për emrin, por ai më tha se nuk më duhej gjë dhe se ishte personi që unë kërkoja. Filloi të rriste pazarin, pasi më kërkoi shtesë. Në fillim 100 dollarë, më pas 100 të tjera, edhe 50 dollarë. Më pas më pohoi se nuk do nisesha më atë ditë. Kërceva në këmbë dhe këmbëngula. Atëherë ai më kërkoi edhe 100 dollarë. U ula në fund të sallës në një karrige. Për të mos u vënë re mora një gazetë dhe e vendosa në sy për të mos u diktuar, por për t’u dhënë të kuptojnë se po lexoja. Pas 30 minutash pashë se gazetën e kisha mbrapsht. Ajo që më shty të ikja ishte mungesa e lirisë. Këtë ia thashë edhe punonjësit të sigurimit në kohën që u përshëndetëm.

Pra, ju u ndihmuat për t’u arratisur nga një punonjës i Sigurimit të Shtetit...?

Atij i interesonte paraja, kurse mua dhe Blerinës na interesonte vetëm liria. Në kohën që po ngjitesha për në avion u ndala diku në mes të shkallëve. Ktheva kokën dhe pashë punonjësin e sigurimit të shoqëruar nga ndërmjetësi. Ishin të shumtë ata që më njihnin në aeroport dhe kur më pyesnin u thoja se po përcillja dikë e do kthehesha menjëherë. Më ndanin nga liria vetëm tre-katër shkallë dhe nuk ikja dot pa falënderuar atë që më ndihmoi të fitoja lirinë. Sapo ndesha në sytë e tij u afrova dhe i them me plot gojën “Faleminderit!”. Në dy anët e shkallëve kishte ushtarë dhe biseda nuk duhej dëgjuar ndryshe përfundoja në hekura. Punonjësi i sigurimit ma ktheu menjëherë “E ke paguar”. Unë reagova dhe nën emocione të forta ia ktheva duke i thënë “Liria nuk paguhet”. Kaq dhe gjithçka u mbyll për 15 vite. U vendosa në Trieste dhe kam shkelur në Shqipëri vitin e kaluar. Jetoj shumë mirë në Itali. Djali Luçiano ka kryer studimet dhe është i punësuar në një qendër studimore e kërkimore në Kanada, kurse vajza Anxhela në Trieste me familjen e saj. Unë e Blerina do kthehemi për të jetuar në Durrës shumë shpejt. Synoj të krijoj grupin e estradës dhe do ia arrijë. Unë e dua artin, skenën, estradën dhe nuk mund të jetoj pa të. Në Itali kam shkruar shumë pjesë. Janë me qindra e mijëra. Kam bërë edhe një libër me parodi titulluar "Epopeja e llumit kombëtar" si dhe kam shkruar shumë pjesë komike e satirike të botuara në shtypin kryesisht amerikan.

Njohja në internim me bashkëshorten

"Çdo përvjetor njohje, i shkruaj letër gruas, deri tani janë bërë 55 të tilla"

Një pjesë të jetës Gjosho Vasia e ka kaluar në internim, një pjesë në Tepelenë dhe një pjesë në Skrapar. Madje atje, në Skrapar është njohur edhe me gruan e tij të ardhshme. Sot pas 55 vjetësh, ai jo vetëm që e mban mend ditën e parë të njohjes, por edhe e kujton sipas mënyrës së tij, pse jo origjinale...

"Pas arratisë së vëllait tim Kolec Vasia nuk vonoi edhe ndëshkimi. Një vit më pas, në vitin 1949 ne u internuam në Tepelenë që asokohe quhej Aushvici shqiptar. Torturë e vërtetë të jetoje atje dhe në ato kushte barbare, skllavëruese. Qëndruam deri më 1954 dhe kam shumë kujtime të hidhura. Por, dua të kujtoj atë që më dha kënaqësi të jetoj e të jem edhe sot krenar. Pasi qëndruam disa vite në Tepelenë u transferuam në Skrapar. Ishte 21 mars 1952, ditë pranvere. Dola në Çorovodë, qendër e rrethit. Isha i ri dhe po vëreja vajzat që kalonin në qytezën e vogël. Sytë më shkuan te vajza e bukur që më pas u bë gruaja ime. Quhej Blerina. Dukej nga veshja që nuk ishte e asaj ane. U afrova dhe pa drojë i them se jam i internuar e më quajnë Gjovalin Vasia. Edhe ajo ishte e internuar. I ati saj ishte Jonuz Kaceli, intelektuali i dënuar pa gjyq dhe i pushkatuar së bashku me 21 intelektualët e tjerë për çështjen e të quajturës 'Bomba në ambasadën e ish-Bashkimit Sovjetik në Tiranë'. U dashuruam dhe vendosëm të lidheshim bashkë. Sajuam një kod më vete për të mos rënë në sy. Një ditë u futa nën tela dhe pasi kalova pa u vënë re nga rojet shkova te burimi ku takoheshim fshehurazi. Lashë një letër në njëvjetorin e njohjes. I shkrova që e kam puthur në faqe edhe pse ende nuk e kisha puthur. Që atëherë unë i shkruaj do vit gruas nga një letër dashurie. Sivjet ishte letra e 55-së dhe Blerina i ruan të gjitha me fanatizëm", kujton e tregon Gjosho Vasia.

Plenumi IV i PPSH-së, 27 qershor 1973

"Udhëheqja", merret edhe me Gjosho Vasinë

Muho Asllani: Gjosho Vasian që ka qenë i internuar në Lushnjë, pse e kanë përkrahur?

Mehmet Shehu: Ky është Gjergj Gaberi, për të cilin unë kam tërhequr vërejtjen në telefon. Është ai diversanti që ka ardhur që andej.

Mihallaq Ziçishti: Të na i sqarojë mirë këto Todi, se ai po thotë se “jam dakord me të gjitha ato që u thanë”. Por të na i sqarojë, nëse këto kanë qenë pikëpamje apo edhe grupime.

Enver Hoxha: Tani ai do t’u përgjigjet pyetjeve.

Todi Lubonja: Unë mendoj se këtu grupime nuk ka. Marrëdhëniet e mia me Fadil Paçramin, pavarësisht se ndodhi kjo që u lidh një krushqi midis nesh, e cila nuk varej nga vullneti e dëshira ime, nuk kanë qenë marrëdhënie të lidhura. Për këtë edhe shokët mund të flasin. 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora