E premte, 26.04.2024, 04:03 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Mësuesja: Shpëtoi nga kthetrat e sigurimit, bashkëfshatarin

E diele, 07.09.2008, 05:15 PM


Historia e rrallë e gruas që vdiq nga meraku i përndjekjes

Kolonje – “Ishte 11 prill 1985"

Në spitalin e Ersekës po ndodhte diçka e pazakontë.

Fillimisht u dëgjua një klithmë që përshkoi gjithë ambientet dhe më pas nisën të qarat, kujet dhe vajtimet. Dyert hapeshin dhe mbylleshin në një kaos të plotë. Infermieret dhe mjekët ishin shpërqendruar në gjithë lëvizjet e tyre. Të jepej përshtypja sikur ndodheshe në një pavion të çmendurish. Mes të qarave dhe ulërimave, njëra infermiere qante më shumë se tjetra. Një grua u shtri në mes të korridorit të spitalit. Ata që ishin pranë saj thanë se i kishte rënë të fikët dhe kërkuan të sillnin ujë. Pak më tutje, një mjeke në moshë të re shkulte flokët, madje, ishte gati që atë çast t’i jepte fund jetës së saj. Uji i kërkuar për gruan që ishte shtrirë në mes të korridorit ende nuk po vinte. Dikush tha se i kishte rënë të fikët edhe një pacieti tjetër, që sapo ishte operuar nga veshkat.

Po ndodhte vërtet diçka e pazakontë, por ende nuk po merrej vesh përse ishte fjala. Askush nuk pyeste. Të gjithë vetëm qanin. Bënin gjithçka mundnin, por pa ndihmuar njëri-tjetrin. Gjithkush përpiqej vetëm të tregonte dhimbjen e tij. Gruaja që ishte harruar e shtrirë në mes të korridorit të spitalit, ngriti kokën një çast dhe tha: “Ç’ishte kjo hata e madhe që na gjeti”. Pas këtij zëri, si në një epidemi, nisën të përsërisin të gjithë të njëjtën gjë. “Ç’qe kjo hata e madhe që na gjeti”, “Ç’qe kjo hata që nuk na mori të gjithëve me vete.

Me sa duket të gjithë e dinin se çfarë kishte ndodhur”.

Kështu nis e tregon këtë histori të para mëse 20 vjetëve, për gazetën “Metropol”, 74-vjeçari Gazi Qerimi, nga fshati Butkë i rrethit Kolonjë.

Ç’kishte ndodhur!

“Ata që ende nuk dinin gjë, ishim vetëm ne të tre, tregon ai më tej, Gazi, unë, ime shoqe Etemija dhe mësuesja e fshatit, Leka Mydini.

Të tre kishim zbritur atë ditë nga Butka në spitalin e Ersekës për t’u vizituar.

‘Ç’ka ndodhur’, pyeta time shoqe dhe mësuesen e fshatit, por ato nuk kishin ndonjë pëgjigje përveç habisë që ishte ngjitur në fytyrat e tyre. Për të marrë vesh, Leka Mydini iu afrua një mjeku dhe pyeti se çfarë kishte ndodhur.

Vura re se mjeku në vend që të jepte një përgjigje, nisi të qante më shumë. Për t’i paraprirë gjendjes së të fiktit, ra në krahët e një doktori tjetër dhe heshti sikur të mos merrte frymë më.

Ishte një paciente, e cila i pëshpërit diçka në vesh mësueses së fshatit tonë, mbi atë çka kishte ndodhur. Pas kësaj, Leka Mydini erdhi drejt nesh dhe me një zë ulët tha: ‘Gazi, ka vdekur Enver Hoxha’”...

“Punë e madhe se vdiq...”.

“Të them të drejtën deri atë çast kisha menduar se do të kishte vdekur ndonjë djalë i ri në sallën e operimit, ose diçka e keqe mund të kishte ndodhur te ndonjë familje, ku mund të kishin vdekur gjithë pjesëtarët e saj, për shkak të ndonjë sëmundjeje të rëndë dhe se ishin të afërmit e tyre që nuk po përmbaheshin dot nga dhimbja, por kurrsesi nuk më kishte vajtur mendja se kishte vdekur Enver Hoxha, tregon Gazi më pas.

Pa e menduar gjatë, madje njëherazi u përgjigja, ‘mendova se kushedi çfarë kishte ndodhur?! Po punë e madhe se vdiq Enveri. Të gjithë do të vdesim një ditë’. Fatkeqësisht tonin e zërit e kam të lartë, dhe atë ditë ai doli edhe më i lartë, tregon Gazi.

Në gjithë korridorin e spitalit u dëgjuan fjalët e mia. Vura rë se mësuesja e fshatit ishte tmerruar dhe po më thoshte vazhdimisht, ‘ule zërin Gazi, ule zërin Gazi, se na more në qafë’.

‘Pika të rëntë ia ktheva, po pse moj, vdiq Enveri dhe u prish bota?!’.

Në të vërtetë nga fundi i korridorit të spitalit dëgjohej një zë që ulërinte, ‘o natyrë e plotëfuqishme, zgjoje nga vdekja Enver Hoxhën, se ne komunistëve nuk na e nxjerr dot nga duart Enverin’, kujton Gazi”.

Arratisja nga spitali

“Të them të vërtetën, vijon Gazi, deri në atë moment më dukej se nuk kisha thënë ndonjë gjë që nuk shkonte, por kur vura re se mësuesja e fshatit po më tërhiqte jashtë spitalit, kuptova se do të kisha bërë ndonjë marrëzi. Mësuese Leka i kuptonte gjërat më mirë se mua.

Po aq e trembur sa mësuesja ishte edhe gruaja ime.

‘Ç’na bëre kështu o Gazi’, thanë ato të dyja. Dolëm nga spitali dhe qëndruam tek agjencia e automjeteve të qytetit të Ersekës për të gjetur ndonjë makinë.

‘Na more më qafë Gazi’, tha përsëri mësuesja e fshatit, Leka Mydini.

Gruaja ime që dridhej nga tmerri, m’u drejtua gati e shpërfytyruar.

‘Të kam thënë, tha ajo, që me ty nuk është për të shkuar asgjëkundi’.

‘Mos më çaj kokën ia ktheva gruas time’, por në të vërtetë kisha nisur të shqetësohesha.

Mësuesja e fshatit kishte patur të drejtë...”, vijon në rrëfimin e tij Gazi.

Sigurimsat e shtetit

“Nuk vonoi shumë kur pamë se dy makina të Degës së Punëve të Brendshme kishin nisur të na kërkonin.

Na gjetën sakaq.

Disa civilë zbritën nga makina dhe erdhën drejt nesh.

‘Kush ishte ai që tha, punë e madhe se vdiq Enveri’, pyetën njerëzit e sigurimit.

Ishte e qartë se do të më arrestonin. Ime shoqe, Etemija, nisi të qante. Nuk dija çfarë t’u thosha.

Dëgjova zërin e mësueses që iu drejtua gruas time duke i thënë: ‘mos qaj Etemije, Enver Hoxha do të jetojë në zemrat tona. Ai është i pavdekshëm’.

Pastaj u kthye nga punonjësit e policisë, duke sqaruar pyetjen e tyre.

‘Jo, Gazi nuk tha punë e madhe që vdiq Enveri. Nuk tha kështu. Do të jetë dëgjuar gabim’, tha ajo.

U çudita nga mësuesja, sepse po fliste me një qetësi të habitshme.

‘Gaziu tha, punë e madhe po të kishim vdekur ne gjithë të tjerët, por Enveri duhet të rronte, ai është i të gjithëve. Ja shikoni gruan e tij që nuk po mbahet dot nga dhimbja’, ndërhyri përsëri mësuesja.

Atë çast gruas time gati sa s’po i binte të fikët nga tmerri se do të na arrestonin.

Mësuesja e fshatit foli sërish.

‘Mblidhe mendjen Etemije, Enver Hoxha është i gjallë. Ai nuk vdes kurrë. Gjithë bota ka në zemër mësimet e Enver Hoxhës’.

Besoj se ia doli mbanë, njerëzit e policisë u hipën makinave dhe ikën.

Ne u nisëm për në fshat.

Mbaj mend që mësuesja përsëriste vazhdimisht, ‘na more më qafë Gazi, ata do të vijnë prap’...

Tregon bashkëshortja e Gaziut, Etemi Qerimi

“Jeta jonë, si i gjithë fshati Butkë,

nën frikën e përgjimeve nga sigurimi”

“Mësuesja e fshatit, Leka Mydini, ishte një grua e mrekullueshme, tregon bashkëshortja e Gazit, Etemija. Ne të dyja takoheshim përditë. Shtëpia ime dhe shkolla ishin pranë njëra-tjetrës.

Pas asaj që ndodhi në spitalin e Ersekës, kërkonim të merrnim vesh se çfarë mund të ndodhte.

Gazi i degës kishte nisur të vinte shpesh në fshat, ndërsa qentë lehnin gjithë natën.

Mësuesja thoshte se ata po na përgjonin.

Në të vërtetë fshati ynë kishte qenë gjithnjë i përgjuar, por pas vdekjes së Enverit të lehurat e qenve u bënë edhe më të shpeshta, tregon Etemija, nuk pushonin gjithë natën. Nën dritaret e shtëpive dëgjoheshin hapa. Askush nuk delte nga shtëpia. Me të rënë mbrëmja të gjithë mbylleshin brenda. Nëse të gjenin në rrugë, nuk ishte çudi që edhe mund të të vrisnin. Kufiri me Greqinë ishte shumë afër dhe fare lehtë mund të të akuzonin për arratisje.

Megjithatë kishte qenë fjala e mësueses ajo që na kishte shpëtuar nga burgu.

Leka Mydini, edhe pse vuante shqetësimin e saj, sa herë përballej me njerëzit e policisë tregohej e qetë, madje e sigurtë në të gjitha ato që thoshte. Ishte një grua e zonja.

E dija që Leka nuk do të tregonte kurrë. Familja e saj kishte vuajtur shumë nga regjimi i Hoxhës.

E mundi sëmundja dhe shqetësimi, duke menduar se jetonte ditë të vështira. Një mëngjes u shua jeta e saj, por gjithë fshati do ta qante në heshtje, mes dhimbjes pa thirrje e ulërima si atë ditë në spitalin e Ersekës. Madje me të njëjtin nderim kujtohet edhe sot e kësaj dite”, përfundon Etemija.

Tregon Bexhet Mydini, kunati i mësueses

“Persekutimi ynë, pse vëllai nuk kishte

me se të ushqente qetë e kooperativës”

Këtë histori jo të zakonshme, por edhe të frikshme, e tregon edhe kunati i mësueses, Bexhet Mydini, vëllai i Shefkiut, bashkëshortit të saj.

Ai tregon për gazetën “Metropol”, se Leka, mësuesja, me t’u kthyer nga spitali u kishte treguar se çfarë kishte ndodhur në spitalin e Ersekës.

“U mblodhëm të gjithë si vëllezëri, me qëllim që të dinim si të silleshim nëse do të na pyesnin një ditë. Nuk ishte aspak e lehtë për familjen tonë. Vëllanë tim, Shefkiun, që kishte punuar për shumë vjet si mësues, e kishin pushuar nga puna dhe e kishin dërguar të punonte në minierë, ndërsa vëllai tjetër, Estrefi, ishte dënuar tri herë me radhë për politikë. Herën e parë e akuzuan se ishte anëtar i grupit që hodhi bombën në Ambasadën Ruse, ndërsa herën e dytë e akuzuan se kishte qenë anëtar i grupit të Pajo Milecit, i cili synonte rrëzimin e qeverisë. Për këtë akuzë së bashku me vëllanë tim, Estrefin, dënuan dhe Ali Fetiun dhe Erfan Qerimin.

Arrestimi i tretë i vëllait tim, Estrefit, ishte më i çuditshmi. Kishte qenë duke leruar me parmendë të tërhequr nga qetë, tregon Bexheti.

Ishte koha kur kooperativa nxitonte të mbyllte mbjelljet.

Qetë e kooperativës që kishin dalë nga dimri gati të ngordhur nga mungesa e ushqimit, ishin kaq të dobët, sa nuk tërhiqnin dot parmendën. Qetë e tij, të lodhur nga puna, nuk ecnin dot më dhe u rrëzuan mbi brazën e mbetur në mes të arës. Estrefi bëri përpjekje për t’i ngritur, por qetë nuk bindeshin. Ishin të paushqyer.

‘E po çfarë t’u bëj unë, tha Estrefi, ju doni të hani, por çfarë t’u jap unë i shkreti, mua vetëm shpirti më ka mbetur, por shpirtin tim nuk ua jap dot’.

Këto ishin fjalët që u kishte thënë qeve, por vetëm kaq u desh që një mbrëmje të vinte gazi i degës dhe ta arrestonin. Akuza ishte, përse kishte thënë se ‘unë nuk ua jap dot shpirtin’.

Nuk e dinte ai se për të mirën e atdheut duhej të jepje jo vetëm shpirtin, por gjithçka të shenjtë që mund të kishe. Por nuk ishte e keqja vetëm këtu, ishin arsyetimet e dëshmitarëve, e keqja shkonte edhe më larg. Ai akuzonte kooperativën se nuk kishte ushqim për kafshët..., akuzonte pushtetin popullor... Dhe im vëlla shkoi sërish në burg për ta kaluar gjithë jetën atje.

Për këtë arsye u mblodhëm të gjithë, sepse të gjithë duhej të ishim të një mendjeje. E dinim se çfarë mund të ndodhte po të flisnim.

Heshtëm duke u munduar ta harronim atë histori, por Leka nuk e harroi kurrë. Ajo grua që ishte treguar e qetë atë ditë, në thellësi të qenies së saj nuk kishte qenë kurrë e tillë.

Nuk ishte vetëm historia e spitalit. Ajo ngjarje ishte vetëm një episod, por gjithë jeta e familjes Mydini kishte kaluar në tmerr nga survejimet e sigurimsave. Çdo ditë shihte e ndjente brengën e bashkëshortit të saj, që ishte pushuar nga puna e mësuesit. Survejimi i përhershëm i punonjësve të sigurimit e hëngrën jetën e saj. Një mëngjes vdiq krejt papritur. Sëmundja dhe brengat e kishin raskapitur”.

Tashmë kanë kaluar vite dhe historia e spitalit tregohet herë pas herë, por po me aq respekt kujtohet jeta e asaj gruaje, që kishte lindur në fshatin Pocestë të Korçës dhe, që do të kalonte gjithë jetën e saj mes butkallinjve, të cilët ishin të përçmuar nga regjimi i asaj kohe.

Ajo ishte mësuese dhe kuptonte më shumë nga të gjithë banorët e atij fshati, ku njerëzit me arsim ishin shumë të rrallë.

Frikë nga përndjekja e fëmijëve të saj

Vdekja e papritur nga meraku i mësueses

Fshati Butkë ishte një fshat që regjimi e kishte deklaruar hapur se ishte një fshat reaksionarësh.

Pas përballjes tek agjencia e Ersekës, mësuesja Leka Mydini ishte mjaft e tronditur.

Kishte të drejtë.

Bashkëshorti i saj, Shefki Mydini, kishte qenë mësues, por regjimi e kishte hequr nga puna për shkak të biografisë.

Vëllai i tij, Estref Mydini, ishte dënuar disa herë për politikë. Pas asaj që kishte ndodhur në korridorin e spitalit të Ersekës, mësuesja kishte frikë se do të mbetej pa punë, madje dhe mund ta arrestonin për dëshmi të rreme.

Askush nga të tre nuk do të ishte i qetë më pas kësaj. Që nga ajo ditë, mësuesja jetoi me ankthin se diçka e papritur do të ndodhte.

Sëmundja dhe meraku se mund t’i shkatërronin familjen, e rëndoi tej masës gjendjen e saj.

Një mëngjes ajo vdiq krejtësisht papritur. Sytë i kishin mbetur hapur. Me siguri donte të dinte për të ardhmen e fëmijëve të saj. 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora