E merkure, 21.04.2021, 08:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Ali Aliu: Skënder Blakaj dhe guximi shqiptar

E hene, 03.07.2017, 06:54 PM


Skënder Blakaj dhe guximi shqiptar

Nga Ali Aliu

Skënder Blakaj, për hapësirën e botës shqiptare në ish Jugosllavi, u bë i njohur sidomos në  harkun kohor 1974-1981. Brenda pesë-gjashtë viteve, për shikuesit e ekranit televiziv kosovar të Tv. Prishtinës, emisioni i tij “Rrjedhat” ishte ndër më të pëlqyerit dhe më të  popullarizuarit. Bota shqiptare, shpirti i ndrydhur i saj, në këto emisione, përmes rrjedhave të kulturës dhe dokumentarëve, reflektonte së brendshmi etjen e shtresuar ndër mote për liri dhe komb. Edhe sot janë të gjalla në kujtesën  kosovare prurjet e këtyre  emisioneve në kuadër të njëqindvjetorit të Lidhjes së Prizrenit (Duam lirinë dhe vetqeverimin),  ato mbi botën e arbëreshëve (Rrembi i këputur thahet) etj.

Pas demonstratave studentore të vitit 1981, e mbas izolimit të tij në burg, Radiotelevizioni i Prishtinës do t’ua mbyllte gojën përgjithnjë edhe “rrjedhave”, edhe Skënder Blakajt. Që nga themelimi i LDK–së Skënder Blakaj do të përfshihet si aktivist i shquar në radhët e saj. Dy vitet e para, (90-91) në krye të grupit për themelimin e degëve të partisë në qytetin e Prishtinës dhe në qytetet kryesore të Kosovës dhe më pas anëtar i Kryesisë së LDK dhe sekretar i përgjithshëm i saj... Shquhej po me atë përkushtim, vendosmëri dhe kurajë intelektuale që e njihnim nga puna e tij në TV Prishtinë...

Në librin “Ndjekje”, Skënder Blakaj sjell një fragment nga veprimtaria e tij, të zhvilluar ende si student i Universitetit të Prishtinës, fillim i viteve shtatëdhjetë, përmes shkrimeve satirike–herë në vargje dhe herë në prozë, të botuara kryesisht te gazeta e studentëve “Bota e Re”, me pseudonimin “Mllef Madhi”, për të cilat, pak kush e ka ditur, atëherë e sot, autorin e vërtetë. Lexuesit te këto shkrime do të gjejnë mençurinë dhe guximin e të riut që me gjuhë të mprehtë satirike-ezopike fshikullonte politikat  antishqiptare në Kosovë dhe diktaturën komuniste përgjithësisht...

Në këto vite dhe rreth kësaj gazete, në hapësirën shqiptare të atëhershme, po lindte dhe formohej një brez intelektualësh të rinj, një vetëdije dhe pjekuri e shpejtë studentore që solli edhe demonstratat më të mëdha dhe kthesën historike në Kosovë më 1981. E përgëzoj me mirënjohje autorin dhe mikun tim Skënder Blakajn, që përmes këtij dorëshkrimi na e sjell në kujtesë atmosferën aq të bujshme, dramatike, por edhe plot besim e shpresë, të atyre viteve... Natyrisht, lexuesi do të gjejë edhe zhgënjimin, e autorit dhe tonin–të bashkudhëtarëve të tij, zhgënjimet dhe deziluzionimet e viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar e deri në ditët tona... Uroj që nga sirtarët e tij plot bëma nga e kaluara, të na gëzojë edhe me botime tjera!



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora