E shtune, 27.04.2024, 12:20 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Njoftim shumë me vend nga Arkipeshkvia

E premte, 16.12.2016, 10:11 PM


NJOFTIM SHUMË ME VEND

NGA ARKIPESHKVIA TIRANË-DURRËS

Nga Frank Shkreli

Çdo vit gjatë 25-viteve të fundit për Krishtlindje, për Pashkë dhe për Bajram, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, politikanët në detyrë dhe ata në rezervë rreshtohen para qendrave fetare për tu takuar me udhëheqësit fetarë shqiptarë me qellim për tu uruar festat.  Ishte kjo një pamje e përvjetshme që nuk e kuptoja, madje kishte raste që asnjëra palë nuk dukeshin shumë të kënaqura nga ato takime. Ndoshta edhe dukej më shumë si një detyrë që duhej bërë.

Ndoshta është influenca e jetës këtu në Shtetet e Bashkuara, ku një paradë si kjo nuk ndodhë në raste të tilla.  Ajo që ndodhë këtu në Amerikë është se politikanët në nivel kombëtar, shtetëror dhe vendor, i kujtojnë këto festa, por krejt ndryshe: jo duke u takuar me udhëheqësit fetarë, por duke marrë pjesë në shërbime të ndryshme që organizohen për të ndihmuar të varfrit nepër të ashtuquajturat “kuzhina supe” dhe duke shpërndarë dhurata për nevojtarët, përveç aktiviteteve të tjera që organizohen nga qendëra të ndryshme fetare dhe nga organizata jo-qeveritare të cilat kujdesën për të varfërit e shoqërisë.

Por sot e kësaj dite, kur i shikoj vizitat e politikanëve shqiptarë me udhëheqsit fetarë në televizion ose lexoj për to në media të ndryshme shqiptare me rastin e festave fetare, e rrahi mendjen dhe pyes veten, për çka, çfarë qëllimi kanë këto vizita të udhëheqësve politikë, të cilët mund të besojnë ose jo në Perëndinë, sipas fesë së tyre? Por kjo nuk ka rëndësi, pasi sot për të besuar ose jo është e drejta e të gjithëve!  Deri më sot nuk kam mundur t'i justifikoj këto vizita për veten, por as për nga këndvështrimi i politikanëve dhe as nga pikpamja e udhëheqsve fetarë, se çfarë qëllimi ose përfitimi kishin ata nga këto takime, përveç një mundësie ndoshta që politikanët të dalin në televizion duke shtrënguar duarët me udhëheqësit fetarë, një herë ose dy herë në vit.

Por duket se shqetësimit tim për këtë fenomen të klasës politike shqiptare po i vjen fundi.  Më duket se nuk do t’a rreh më mendjen time të vogël se pse e tek kanë ndodhur këto vizita të politikanëve shqiptarë me rastin e festave fetare gjatë 25-viteve të fundit, sepse po i vjen fundi kësaj “tradite”, të pakën përsa i përket Arkipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës.  Nepërmjet një njoftimi për shtypin në portalin peregrinus.alb, zëdhënësi i Arkipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës, Dom Gjergj Meta thotë se këtë vit nuk do të ketë takime të udhëheqësve fetarë me politikanët.  Dom Gjergji në njoftimin e tij shkruan: “Festat e fund vitit janë gjithmonë një motiv gëzimi për ne të gjithë.  Për ne të krishterët, Krishtlindja është festa në të cilën ne kremtojmë hyrjen e Krishtit në historinë e jetës njerëzore me brishtësinë e një fëmije. Në këtë kuptim, Krishtlindja është sigurisht festa e të gjithëve, por veçanërisht e të varfërve dhe të atyre që janë në kufijtë e shoqërisë tonë.”

Zëdhënsi i Kishës Katolike Shqiptare, Dom Gjergj Meta, thekson në njoftimin e tij për median, të datës 15 dhjetor se, “Është ky motivi pse Arkidioqeza ka vendosur që në Krishtlindjen e këtij viti, në vend të pritjes zyrtare për pushtetarët, politikanët, ambasadorët e të tjerë, të organizojë një drekë për të varfërit, në ambjentet e Arkipeshkvisë Tiranë-Durrës.  Kjo do të thotë”, thekson Dom Meta në njoftimin e tij, “që këtë vit nuk do të ketë pritje zyrtare si çdo vit tjetër, ditën e Krishtlindjes” duke u shprehur se shpreson në mirëkuptimin e të gjithëve për këtë vendim. Vendim shumë me vend, në mendimin tim.

Fetë kryesore ndër shqiptarët e kanë në besimin e tyre si thelb kryesorë dashurinë për njeri tjetrin dhe ndihmën për të varfrit.  Le të shërbej pra ky fund viti, por edhe tani e tutje -- që politikanët shqiptarë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë -- në vend të vizitave zyrtare me përfaqsuesit e lartë të feve kryesore të shqiptarëve, që me rastin e festave fetare të mirëpresin sugjerimin e Arkipeshkvisë Metroplitane Tiranë – Durrës.   Ashtuqë të tregojnë me shembull  dashurinë dhe respektin për më të varfërit e shoqërisë duke përvjelur mëngët dhe duke veshur një përparëse të bardhë dhe të shkojnë e të kalojnë për disa orë me më të varfërit në ambjentet e Katedrales Shën Pali, ose kudo tjetër, këtë fund viti, në vend të vizitave me udhëheqsit e komuniteteve fetare.  Kjo është edhe një mundësi shumë e mire për të parë nga afër realitetin e jetës së tyre të përditshme dhe të familjeve të tyre.

Fetë na mësojnë gjithashtu se përveç kujdesit dhe ndihmave që duhet tu ofrojmë “të varfërve më të varfër”, siç i ka cilësuar Shën Nëna Tereze dhe më të nevojshëmve midis nesh, jo vetëm gjatë festave por gjatë gjithë vitit -- ndoshta urdhëri më domethënës i Perëndisë është të duam njëri tjetrin.  Por nëqoftse është vështirë të duam njëri tjetrin, ashtu siç na mësojnë fetë tona, atëherë të gjithë ne, përfshirë politikanët -- e sidomos politikanët -- të tregojnë më shumë respekt për njëri tjetrin në komunikimet e përditshme dhe të jenë më të njerëzishëm dhe më të kuptueshëm ndaj nevojave të bashkatdhetarëve të vet, të cilët ndoshta fati dhe rrethanat nuk u kanë dhënë të njëjtat mundësi, bekime dhe pasuri që gëzojnë vetë politikanët dhe mbështetsit e tyre biznismenë.  Kjo është mënyra më e mirë për të kujtuar rendësinë dhe mesazhet e fesë për çdo shoqëri – në rast festash dhe përherë --dhe jo takimet artificiale “zyrtare” midis udhëheqsve politikë dhe fetarë.  Madje, sa më pak kontakte zyrtare midis përfaqsuesve të feve dhe politikës, aq më mirë – jo vetëm në raste festash por gjithmonë!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora