E premte, 26.04.2024, 05:57 AM (GMT+1)

Mendime

Gëzim Hoxha: Të mbjellësh hashash apo domate

E hene, 14.11.2016, 08:46 PM


Të mbjellësh hashash apo të mbjellësh domate kjo është çështja.

Nga Gëzim Hoxha

Vëmendja u zhvendos pak nga çështja e ditës që ishte kanabisi tek përmbytjet e fundit. Me dhjetra rrugë u përmbytën dhe qytete të tëra ngjanin me Venecian. Shumë familje u rënuan ekonomikisht nga tekat e motit dhe janë në pikë të hallit. Qeverisë po i rrahin me qindra çekanë në kokë dhe gjendja është me të vërtetë dramatike. Por unë do të doja të flisja për fshatin sepse shumë pak po fllitet për batakun në të cilin ndodhet ai.

Reforma e re administrative i ka kthyer fshatrat në njësi administrative dhe e përqendroi pushtetin në disa duar. U trumbetua se kjo do të sillte më shumë para për fshatin, do të kurseheshin mjaft fonde dhe do të bëheshin shumë gjëra të mira. E megjithatë nuk ka kaluar shumë kohë e ka shumë probleme që do të duhen të zgjidhen.

Duket se moti i shpëtoi politikanët nga retorika e kanabisit. Dolën në pah problematika të rregullimit të territorit, të infrastrukurës nënrrugore, të kanaleve kullues, të hidrovoreve e më the e të thashë. E megjithatë nuk dua të ndalem tek to.

Fund javën që kaloi bëra një vizitë tek njerëzit e gruas në një fshat të Lushnjes. A harrova, në një njësi administrative të Lushnjes. Së fundmi ata kanë blerë një serrë me kredi dhe ankoheshin sa herë që flisnim në telefon për punën që nuk po i ecte. Jo një herë iu kalbëzua prodhimi, jo po nuk i mbinë fidanet, jo nuk i dilte të blinin një pompë për ujitjen e serrës, jo nuk po i dilte prodhimi në kohën e duhur, jo po nuk e shlyenin dot kredinë etj etj. Shkurt ankesat e tyre nuk kishin të sosur, dukej sikur duke dashur të vinin vetulla kishin hequr sytë. Kohët e fundit ata filluan të ankoheshin për çmimet e domates, të patëllxhanit apo të specit. Më vonë ata filluan të ankoheshin se u kishte mbetur prodhimi pa shitur.

Në telefon qimja të duket tra, por kur vajta dhe pashë vetë serrën të mbushur plot me domate e speca, mu dhimbsën. Sinqerisht mu dhimbsën. Ju do thoni janë njerëzit e gruas. Përveç kësaj fakti është se çmimet e perimeve kanë rënë për tokë. Çmimi i domates me shumicë është 25 -30 lekë/kg. Në mungesë të një plani mbarë kombëtar që do të orientonte çdo fermer se çfarë të mbillte kjo zgjedhje i është lënë në dorë vetë atij. Para disa kohësh kryeministri foli në një takim me fermerë të një fshati se së shpejti do të hartohej harta kombëtare e prodhimeve bujqësore, por ende nuk kemi dëgjuar të bëhet diçka për të. Ndoshta ende po punohet për të.

Në një bisedë me kunatin ai tha se vitin e shkuar ata që patën serra u kënaqën sepse vinte e ia merrte rusi. Po këtë vit ne u prishëm me rusët dhe prodhimi ngeli i gjithë pa u shitur. Kjo është e vërtetë pasi pas pushtimit rus të Ekrimesë, si kundërpërgjigje të bllokadës ndërkombëtare, rusët braktisën prodhimet bujqësore duke përkeqësuar edhe më tej bilancin tregtar me BE. Maune të tëra me domate shqiptare u kthyen mbrapsht sepse u dyshua se ishte falsifikuar vendi i origjinës. Prodhimet hungareze kishin falsifikuar origjinën duke pretenduar se kishin origjinë shqiptare. Kjo dëmtoi rëndë ekonomitë e fermerëve shqiptarë.

Edhe për tregtimin e këtyre prodhimeve në vendet e BE egziston një pengesë e madhe, e cila lidhet me sigurinë e tyre. Mungesa e agronomëve që do të ndiqnin nga afër ecurinë e këtij prodhimi nga mbjellja e fidanëve apo e farërave e deri te vjelja e tij e bën që prodhimet bujqësore shqiptare të mos plotësonin standatin kryesor të cilësisë, çertifikatën e origjinës dhe raportin e ecurisë së prodhimit.

Është për të ardhur keq se agronomët kanë humbur, të gjithë të rinjtë duan të bëhen mjek, laburant, stomatolog, inxhinierë e veterinerë, ca më keq akoma mësues, ekomistë e jurist. Asnjëri nuk do të bëhet agronom. Edhe sikur t’i mbushet mendja ndonjë të riu,  studimet zgjasin të paktën 4 vjet. Kështu për plotësimin e këtij kushti do të duhet të presim të paktën edhe 4 vjet.

Unë për vete nuk do t’i vija faj të rinjve sepse ja dhe studiuan për agronomi ku do të punojnë? Në Shqipëri nuk ka ndonjë fermë të madhe apo kooperativë bujqësore, po edhe sikur të ketë pronarët e saj nuk do ta shihnin të nevojshme punësimin e kotë të një agronomi.  E pse do t’iu duhej ta punësonin një të tillë? Nëse askush nuk ia kërkon çertifikatën e sigurisë apo të origjinës dhe raportin e ecurisë së prodhimit, një gjë e tillë rrit vetëm kostot dhe pakëson fitimet.

Le të marrim ca statistika dhe le t’I shohim. Nga disa të dhëna të marra nga Ministria e Bujqësisë shohim se sipërfaqja e serrave në hektarë janë rritur nga viti në vit. Konkretisht serrat me ngrohje ende nuk e kanë kaluar sipërfaqen e tyre maksimale të arritur në vitin 2008 me 75 ha, por ajo ka pasur rritje nga viti 2009 ku shënuan pikën më të ulët me 54 ha në 70 ha në vitin 2015. Kjo mund të kuptohet se këto lloj serrash kanë kosto në funksionimin e tyre gjë që e rrit edhe vetë çmimin e produktit për tregun.

Ndryshe qëndron puna me serrat diellore. Ato nuk kërkojnë ndonjë kosto të veçantë për funksionimin e tyre prandaj që prej vitit 1998 e deri më 2015 kjo sipërfaqe ka njohur rritje. Kjo sipërfaqe ka arritur në 1127 ha. Në total kemi në shkallë vendi 1243 ha serra. Edhe prodhimi i perimeve nga serrat ka njohur rritje. Ai ka arritur në 108.27 ton, ku pjesën më të madhe të këtij kontributi e mbajnë serrat me ngrohje diellore me 100.48 ton.

Në programin politik për bujqësinë në njërin prej paragrafëve lexojmë: “Duke marrë në konsideratë ndryshimet demografike në vend dhe ato globale, ndryshimin e preferencave të konsumatorëve, zhvillimin e teknologjisë së prodhimit-përpunimit-tregtimit, ndryshimin e burimeve njerëzore, ndryshimin financiar të vetë tregjeve si pasojë e rritjes në vazhdimësi të grumbullimit në industri dhe rritjes së shërbimeve konsultative si dhe ristrukturimit të vetë rrjetit të ushqimit që në vetvete sjell ndryshimin e strategjive në nivelin e kompanive, lind si domosdoshmëri imediate hartimi i një politike të orientuar për zhvillimin e marketingut, duke e konsideruar bujqësinë si një prioritet gjithnjë në zhvillim që synon në prodhimin dhe tregtimin e produkteve të shëndetëshme (produktet organike), lehtësuese (gjysëm të gatëshme), të vazhdueshme (të përshtatshme për gjatë gjithë vitit) si dhe në restorante, etj.

Fjalë të bukura që të marrin në qafë. Po si i bëhet që fushat po mbillen gjithnjë e më tepër me kanabis se sa me kultura bujqësore? Te OPINIONI ish deputeti i PS-së z Koço Kokdhima u shpreh se pa u mbështetur fermeri nuk mund të zgjidhet problemi i kanabizimit të vendit. Kjo kuptohet se fshatari a fermeri, quajeni si të doni nuk e zë malli të mbjellë hashash e të hajë një dynja në përballjen me shtetin. Në gjithë këtë histori ai është thjesht viktima. Do të sigurojë disa të ardhura më shumë e kaq.

E kur shtrohet pyetja: “Të mbjellësh hashash apo të mbjellësh domate?”, ndonjë që mund të jetë kokëshkretë thotë do mbjell hashash. Po kohët e fundit këta  kokëshkretë janë shtuar ca si shumë. Ata i gjen anë e mbanë vendit. Po pse? Po sepse çmimi i kanabasit është disa qindra herë më i lartë se ai i domates.

Sado e pashpresë të duket situata e ka një zgjidhje. Zgjidhja është ndërhyrja e shtetit në bujqësi. E vërteta është se ai po bën diçka për fermerët, po ndoshta nuk po bën atë që fshati ka nevojë me të vërtetë shumë. Jo se fshatit nuk i duhen subvencionet e ndryshme, kanalet vaditëse e kulluese, siguria e farëra dhe e plehrave kimike, mekanika bujqësore etj. Jo, atij i duhen të gjitha këto sa thamë. Por më shumë se të gjitha këto atij atij i duhet tregu. Nuk mjafton që ta nxisësh një ferrmer të prodhojë, nuk mjafton as t’i plotësosh kushtet e prodhimit, JO. Atij i duhet tregu.

Njerëzit e gruas time nuk janë të vetmit që përballen me ngeljen e produktit nëpër serra. Kam dëgjuar edhe për një Italian që hapi një serrë për prodhimin e domateve në Velipojë dhe i ngeli prodhimi pa u shitur. Kemi parë se në fshatin Miras të Korçës qepa ka krijuar një situatë të vështirë për fermerët, pasi nuk ishte shitur.  Në një fshat të Beratit qershitë parvjet ngelën pa shitur se nuk kishin treg. Po kështu edhe me mollët.

Si mund të ndërhyjë shteti? Eh sado i dobët që është ai, prapë qeveria mund të bëjë shumë gjëra. Unë nuk do isha për poitika proteksioniste të tipit rritje e taksave për importet, JO. Unë do isha për një ndërhyrje indirekte që të mos prishte tregtinë me fqinjët. Unë do isha që shteti të blinte gjysmën ose dhe më shumë se gjysmën e produktit buqësor e blegtoral, po sidomos bujqësor.  Kjo është një politikë jo e shpikur prej meje. Në të gjitha vendet bujqësia del me humbje, por blerja e një pjese të produktit nga shteti e bën këtë sektor fitimprurës.

Edhe sikur shteti ta blejë atë me çmimin e shumicës përsëri fermerit do t’i bëhej mirë sepse të paktën nuk do t’i ngelte prodhimi pa u shitur. Pjesa tjetër ata do të mundoheshin ta shisnin vetë. A mund të rritej çmimi vallë? Ndoshta. Por përsëri shteti mund ta mbronte fuqinë blerëse të qytetarëve duke bërë indeksimin e të ardhurave të tyre. Po unë nuk i besoj këtij skenari sepse blerësit do të ushtronin trysni për çmime më të ulëta dhe fshatarët do t’i ulnin ato për të shitur pjesën e mbetur të prodhimit. Këtu unë e besoj me të vërtetë dorën e fshehte të tregut që rregullon çmimet. Në fund të gjithë do të mbeteshin të kënaqur, fermeri do dilte me fitime dhe do të jetonte më mirë, blerësit do të blinin përsëri lirë dhe mirë, dhe shteti do të përmbushte arsyen kryesore të egzistencës së tij:”MIRËQËNIEN e QYTETARËVE”.

Kjo gjë mund të bëhet me krijimin e një agjensie kombëtare për grumbullimin dhe blerjen e produkteve bujqësore. Në këtë mënyrë do të mund të hapeshin kushedi se sa vende të reja pune. Vetëm një depo grumbullimi për të funksionuar do t’i duhej minimalisht një magazinier, një laburant dhe një shofer. Ja ku u punësuan 3 veta, ja ku u bënë të lumtura 3 familje. Po sa depo të tilla grumbullimi duhen hapur? Edhe vetë ndërtimi i tyre do të hapte vende pune të përkohshme për muratorë. Kjo do të gjallëronte sado pak edhe industrinë e ndërtimit.

Po jo vetëm krijimi i kësaj agjensie e cila nuk do të kishte vetëm funksionin e grumbullimit të prodhimit por edhe do të përpiqej të gjente tregje të huaja duke bërë gjithë promovimin e tij jashtë vendit, duhen bërë edhe ato që thamë më lartë. Planifikimi i prodhimit bujqësor, ngritja e kooperativave dhe e fermave të mëdha, kërkimi i çertifikatës së sigurisë dhe të origjinës së prodhimit, bërja tërheqës e profesionit të agronomit, kreditimi me kredi të buta ose me inters zero të bujqësisë dhe së fundi sigurimi i infrastrukturës së nevojshme.

Skeptikët mund të pyesin: “Ja i mblodhi qeveria këto produkte, ku do t’i çojë?”.  Po, ku do t’i   çojë? Po unë e kam përgjigjen edhe për këtë pyetje. Fillimisht mund të bëjë ambalazhimin e tyre e më pas tregtimin e tyre. Rrjeti tregtar që mund të krijohej do të displinonte tregun e frutave perimeve por edhe do të hapte vende pune. Nëse nuk do t’i shesë atherë do t’i shpërndante me kupona për familjet në nevojë që përfitojnë ndihmën ekonomike, pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuara. Edhe thjesht duke ngritur mensa për administratën, apo për konviktet shtëpitë e fëmijëve të braktisur, kazermat e ushtrisë apo policinë do të hynte në punë grumbullimi dhe blerja e një pjese të prodhimit bujqësor vendas.

Të isha kryeministër do ta bëja këtë gjë duke filluar nga ato zona ku krimi i organizuar është ulur këmbëkryq dhe i ka ofruar fermerit një alternativë mjaft të volitshme: “Të mbjellë kanabis në vend që të mbjellë domate”. Ndodh që ndonjë zonë si Dukagjini është e izoluar, do ta lidhja me pjesën tjetër të vendit do t’i bëja rrugën, do t’i çoja rrymën elektrie, ujin, shkollën, do ta bëja të ndjente dorën e shtetit. Ja këtë do e bëja për çdo fshat do i krijoja mundësinë fermerit të shiste prodhimin e tij, do e bëja të gëzonte frytet e punës së tij të ndershme. Po unë nuk jam kryeministër, prandaj më ngelet vetëm të shkruaj dhe të shpreh idetë e mia, të them se si mund të bëhet më e mira për vendin tim, për Shqipërinë tonë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora