E marte, 10.12.2019, 01:10 PM (GMT)

Kulturë » Kinema

Bep Shiroka

E hene, 18.04.2005, 07:47 PM


Gjysmë shekulli art/Nga roli i parë te drama "Nora e Kelmendit" deri tek "Ishulli i Shitenit"

Shiroka: Unë fanatiku i “Çiftit të lumtur”

Flet aktori shkodran: Tani që jam në pension dua t'i përkushtohem pasionit për pikturën

Bep Shiroka

Aktori i njohur i kinematografisë dhe teatrit shkodran, Bep Shiroka, i njohur për rolin tipik të "fanatikut" tek filmi "Çifti i lumtur", sot ka mbi supe peshën e 70 viteve, megjithatë është shumë vital, energjik dhe me një humor karakteristik të qytetit të tij të lindjes. Nuk i ka më flokët e zinj dhe fytyrën e lëmuar të viteve më parë, por sytë e tij kanë të njëjtën shprehje. Ka marrë ndër vite dashamirësinë e njerëzve, motiv që e bën të ndjehet mirë kudo që shkon, edhe aty ku pi kafen e mëngjesit.Të flasë për veten e ka paksa të vështirë, pasi janë rolet ato që flasin për punën e tij.

Si lindi tek ju dëshira për t'u bërë aktor?
Rruga e artit skenik ka qenë një zgjedhje e rastësishme. Im atë ka qenë Kolë Shiroka dhe njihej si një ndër organizatorët e karnavaleve të famshme të Shkodrës, ndërsa nëna e ka pasur në natyrë humorin. E ardhur nga familja e famshme e Daiajve, nëna më la si trashëgim shumë nga natyra e saj.

Kur nisët të luanit në skenë dhe cili ka qenë roli juaj i parë?
Kam hyrë në skenë nga fillimi vitit 1960 në Teatrin "Migjeni" në Shkodër. Një nga regjisorët e atëhershëm të teatrit "Migjeni", Tefik Duka, ka qenë personi i parë që më ka bërë ftesën. Në Teatrin "Migjeni" kam hyrë në një kohë me Rrok Dajçin dhe me Paulin Prekën. Roli im i parë ka qenë në dramën "Nora e Kelmendit". Menjëherë pas kësaj kam pasur rolin e dytë, që ka qenë rol kryesor, atë të Viktorit në dramën "Histori Iskutare", e cila ishte edhe tema ime e diplomës.

Si e kujtoni rolin tuaj tek filmi "Çifti i lumtur"?
Kam pasur emocione të mëdha në xhirimet e "Çiftit të lumtur". Kam luajtur krahas aktorëve të mëdhenj si Nikolin Xhoja, Tinka Kurti, Paulin Preka, Vitore Nino, Justina Aliaj. Roli nuk ka qenë i panjohur, pasi ishte vënë më parë në skenën e teatrit "Migjeni". Kur më dhanë rolin, si zakonisht ngurova. Ishte diçka e re, pasi nuk kisha shumë kohë në teatër, por më pas punova shumë. E kam studiuar me hollësi këtë rol. Në fakt "fanatiku" nuk ishte larg mentalitetit të shkodranit, pavarësisht vështrimit grotesk të tij. Xhirimet kanë qenë jo të lehta, aq më pak për kushtet në të cilat zhvilloheshin. Më është dashur të mbaj gjithnjë të njëjtin qëndrim në fytyrë, pa harruar asnjëherë të mbajë qafën mënjanë, për t'iu përshtatur rolit.

Si e gjykoni situatën në të cilën ndodhet sot teatri shqiptar?
Për vetë profesionin që kam pasur, për përkushtimin që i kam dhënë, mbetet gjithçka për mua. Më dhemb jashtëzakonisht shumë situata ku ndodhet teatri. Janë disa faktorë që e kanë çuar teatrin në këtë gjendje. Në radhë të parë, kushtet financiare ku një aktor merr 160 deri në 170 mijë lekë të vjetra në muaj.

A keni provuar ndonjëherë të luanit role jashtë tabuve?
Natyrisht, por vonë. Filluam me regjisorin Albert Kumbaro dhe vumë në skenë "Frankun e V", që është një Makbeth i ditëve tona. Ka qenë një ndër premierat më të arrira, por fatkeqësisht në vendin dhe kohën e gabuar. Premiera është dhënë në vitin 1991, kur ishte ende e nxehtë atmosfera e djegieve të dhjetorit, të vrasjeve të 2 prillit, të djegies së Komitetit të Partisë.

A do të pranonit të riluanit në skenë, a në ndonjë film?
Jo. Kam pasur mjaft oferta në Shkodër dhe në Tiranë, por nuk dua të riluaj më. Ndër interpretimet e fundit ka qenë "Ishulli i Shitenit", një dramë e Albri Brahushës, që pati mjaft sukses. Dua të jem pensionist dhe të kem kohë për pasionin tim, pikturën.

Nga aktrimi, tek pasioni për pikturën
Pas 43 vitesh në skenë dhe në film, Bep Shiroka i është rikthyer pasionit të dikurshëm pikturës. Shumë pak vetë i njohin meritat e tij si skenograf e aq më tepër si piktor. Në shtëpinë e tij, në një apartament në afërsi të gjimnazit jezuit në Shkodër, varen në mure disa dhjetëra piktura që mbajnë firmën e tij. Sot ai është 70 vjeç dhe jeton në pension. "Kam qenë piktor dhe fotograf para se të isha artist i skenës, ndërsa nuk i jam ndarë figuracionit", tregon ai. "Kam pasur sukses dhe në skenografi. Mbase po të mos isha aktor, mund të kisha qenë piktor ose fotograf", thotë Bep Shiroka. Karriera e tij e gjatë si artist numëron mbi 150 role në premiera nga më të ndryshmet në Teatrin "Migjeni" në Shkodër, mbi 30 filma, ndërsa numëron më shumë se 30 skenografi dhe dekore në premiera të ndryshme. "Çifti i lumtur" në skenën e teatrit "Migjeni", lidhet ngushtë me emrin e Bep Shirokës, pasi spikat jo vetëm në rolin e tij, por edhe në ideimin e skenografisë.

Emocioni në rolet e vogla
Si me të qeshur Bep Shiroka thotë se çuditërisht njerëzit janë mësuar ta shohin vetëm në rolin e aktorit të humorit, por ai ka pasur të preferuar dramën. "Mbase është më e shpejtë e qeshura dhe mbahet mend më shumë nga njerëzit. Megjithatë kam pasur sukses në të dy gjinitë", thotë Bepi. Bep Shiroka kujton me nostalgji pritjen që i është bërë në vitet '80 në Kosovë. "Kanë qenë të gjitha sallat e mbushura plot e përplot", thotë Bepi. "Lulet e dhuruara nga kosovarët ishin gjithçka për ne aktorët e Shkodrës", shprehet ai. Të njëjtin sukses, thotë ai, kemi pasur edhe në dramën "Dasmë me flamur" të interpretuar për shqiptarët e Maqedonisë. Ndonëse ka qenë ndër aktorët e preferuar dhe të zgjedhur të regjisorëve, ai ka pasur edhe disa role të vogla të arritura mjaft mirë. Bep Shiroka thotë se kujton si ndër më të veçantët një rol në dramën "Hetimi". "Ka qenë një interpretim vetëm 7 minuta. Aty kam përjetuar emocione të forta në të gjitha shfaqjet e kësaj drame. Ishte një monolog shumë i dhimbshëm. Në shtatë minuta shfaqej i gjithë holokausti, vuajtjet e njerëzimit gjatë Luftës të Dytë Botërore në kampet e përqendrimit të nazizmit, që nga krijimet e deri në krematorët masive", thotë Bepi.

Zef PALI - T0



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT