E premte, 26.04.2024, 07:56 AM (GMT+1)

Mendime

Milaim Fejziu: Itinerari i intelegjencisë shqiptare në Maqedoni

E merkure, 27.07.2016, 08:03 PM


ITINERARI I INTELEGJENCISË SHQIPTARE NË MAQEDONI

Shkruan Milaim Fejziu

1. Që nga viti 1990, shoqëria shqiptare, pa përvojën kritike të ideve të saj, pa përvojë pune me to, u gjend kulturalisht e urritur dhe e dënuar të përsëris po ato situate që përbënin dramatizimin e rëndë dhe idiotizmin e ngjarjeve historike.

Mërzia dhe pafuqia para rutinës së përditshme të varësive e ndërvarësive të shumëllojshme, pa përfillshmëria ndaj jetës private, dezintegrimi i personalitetit, kthehen në entuziazëm të tepruar dhe turpërim moral.

Megjithatë, cila është gjendja, e cili është roli i intelegjencies në shoqërinë tone? Kam frikë t’i drejtohem ballafaqimit të kësaj pyetjeje me përvojën që na ofron realiteti ynë 25 vjeçar. Më shqetëson problemi i dogmatizmit standard në shumë dimenzione, imuniteti i njërit apo tjetrit sistem arsyetimi në raport me opinionin ose pikëpamjet e tjetrit, joshja drejt mendësisë totalitare dhe pikërisht kjo po na shitet si një model bashkëkohorë intelektual në mediume, gazeta, revista e ligjërata publike.

Duke i lënë të paidentifikuara e madje duke mos bërë as përpjekje për zgjidhjen e problemeve të tilla, madje pa pasur mjete për analizat e ideologjive sit ë tilla, intelegjencia jonë pas rënies së sistemit komunist u gjend pothuajse në falimentim kulturor e intelektual.

Degradimi i elitës intelektuale është njëra prej arsyeve të dështimit të shumë reformave politike, sociale dhe kulturore.

Tanimë pas kaq vitesh, gjykuar nga pozicioni i sotëm, çfarëo që të ndodh e sido që të flitet, nivelin intelektual, etik e moral e përcaktojnë katër – pesë  “analistë” të vetëshpallur, të cilët përveç një shpifjeje intelektuale nuk kanë asgjë të përbashkët me intelegjencën e mirëfilltë. Sipas këtyre “analistëve” që me krenari cinike shpallin se në paraqitjet e tyre publike dhe në shkrimet e tyre kanë pasur qëllim të provokojnë duke fyer (e përbaltur) interesa kulturore e religjioze të shoqërisë.

2. Sidoqoftë mbetet e vështirë t’i përgjigjesh pyetjes se cila është gjendja, roli dhe rëndësia e intelegjencisë në shoqërinë shqiptare. As nuk pretendoj t’i jap përgjigje shterpe kësaj pyetjeje, duke shkruar këtë shkrim, aq më tepër kur shqiptarët parapëlqejnë shpesh konceptet emocionale para përkufizimeve logjike.

Gjithmonë jam ndier i shqetësuar prej një shprehjeje në përditshmërinë e sistemit komunist “intelegjencia krijuese”, çka vetëvetiu më bënte të mendoj se mund të ketë edhe intelegjenci “jo krijuese” apo mercenare.

Mjafton një analizë thjesht formale dhe e karakterit krahasues për të vërtetuar logjikshëm se vetëdija prej mercenari i ka kapluar edhe më të zellëshmit “analistë” të përditshëm që janë të njohur për “analiza” të çuditshme. Natyrisht, mendja të shkon të krahasosh shkrimet e sotshme të këtyre “analistëve” të vetëshpallur, me ato të 10 viteve më pare e këtej për të njëjtat probleme, për të pare se çfar gjeneologji mercenare ka morali i tyre.

3. Nëse do t’i drejtohemi përciptazi një “arkeologjie të problemit”, do të evidentojmë me lehtësi se pas shpinës së udhëheqësve të çiftit sorollapesh dhe ekspeditash represive kanë qëndruar prore turmat e mediokërve, gjysmë të diturve, gjysmë inteligjentëve, të cilët kanë bërë terrorin, kanë përvetësuar në mënyrë arbitrare gradat shkencore dhe titujt akademikë. Ata kurrë nuk kanë qenë intelektual në kuptimin klasik të fjalës, nuk ka asgjë më të rrezikshme se të qenit mediokër. Gjysmë të diturit janë të bindur se dinë gjithçka ose të paktën i dine gjërat kryesore, ndaj veprojnë brutalisht e pa kompromis. Sa njerëz sot e sot vuajnë nga veprimet e gjysëm të diturve të cilët i kanë okupuar gjitha vendet vendimmarrëse në shtet dhe shoqëri.

Vitet e represionit komunist ndaj intelegjencies shqiptare kanë qenë njëkohësisht edhe vitet kur u zhdukën nocionet e nderit, ndërgjegjes, dinjitetit njerëzor, besnikërisë ndaj principeve individuale, të vërtetës dhe mirënjohjes.

Mos nderimi ndaj intelegjencies shqiptare të asaj kohe edhe sot është mosrespekt ndaj kujtimit të qindra e qindra intelektualëve që mbetën ose vdiqën të ndershëm nëpër burgje.

4. Vetvetiu arrijmë te pyetja: Çfarë e bën një njeri të rradhitet në mesin e intelegjencies? Sipas bindjes sime, intelegjencies i përkasin përfaqësuesit e profesionit që lidhen me punën mendore, njerëz të lire në bindjet e tyre, të pavarur nga presionet ekonomike, politike, partiake, shtetërore, që nuk u nënshtrohen diktateve ideologjike, politike e partiake, pra ata njerëz që parim të intelegjencies kanë larinë intelektuale, larinë si kategori morale. Njeriu intelektual nuk është i lire veçse nga ndërgjegja dhe mendimi i tij, por edhe nga veprimet që i ka ndërmarrë gjatë punës dhe aktiviteteve të tij.

A thua të ketë vallë në epokën post komuniste njerëz të tillë? Megjithatë, ne njohim dhe shohim hordhitë e përditshme të intelektualve robër të kapur me hallkat e vjetra e të reja partiake dhe ideologjike, ngjyra e të cilëve nuancon nëpër shkrime e ekrane televizive. Njerëzit e tillë Dostoevski i ka quajtur “uniforma”, ndërsa njerëzit me “bindje sipas postit partiak” njerëz me uniforma. Është afërmendësh gjithashtu që çdonjëri ka të drejtë t’i ndërojë bindjet e veta për shkaqe serioze të karakterit moral. Por nëse si njeri i ndëron, i këmben bindjet e veta për shkaqe levërdie e interesi, ky është imoraliteti më perverz dhe për kurfarë “bindjeje” nuk mund të bëhet fjalë.

Vetë intelegjencia në këto kushte vepron duke precipituar në hapsira të ngushta psiko-gjeografike, siç janë hapësirat e një kafeneje.

Debatet e intelektualëve tanë janë shpërngulur në këto mikro-zona dhe vetë objekti i diskutimit ka pësuar një metamorfozë të çuditshme, duke u shkëputur nga shqetësimi qytetar në “estetizimin e shqetësimit”. Ky transformim e ka strukturuar atë çka mund ta quanim nga një intelegjenci shpresëdhënëse në intelegjenci profitere.

5. Ndërgjegjja nuk është vetëm engjëlli mbrojtës i nderit njerëzor, ajo është edhe timoni i lirisë së tij, ajo kujdeset që liria mos shëndërohet në arbitraritet, por t’i tregojë atij rrugën e drejtë në situatat konfuze të jetës bashkëkohore. Por, edhe ndërgjegja e intelegjencies sonë letargjikesh është reduktuar gjithashtu është estetizuar, sipas nji postullati në frymë postmoderne.

Një çështje fundamentale të moralit tonë intelektual e gjejmë në raportin professional të dijetarëve e shkencëtarëve.

Kujdesi për specialitetin dhe thellimin e tij ka mbetur jehonë e kohërave “barbare”, e njerëzve “arkaikë” që ende besonin në evolucionin e homo sapiensit. Demonstrimi aq i koncentruar i joprofesionalizmit, futja e hundëve përjetësisht në punët jashtë kompetente, është bërë kulti i filozofisë politike, botëperceptimit dhe sjelljeve të reja që nga institucionet shtetërore e gjer tek ministritë.

6. Intelektuali, shkencëtari, krijuesi duhet të jenë të gatshëm të rezikojnë, e të sakrifikojnë duke mos u frikësuar edhe nga ndonjë pësim e flijim për të mire të njerëzimit përgjithësisht, të shoqërisë në të cilën jeton ose kombit të cilit i takon. Ata duhet të punojnë për njerëzimin, që t’i ndihmojnë të vërtetës.

Intelektuali vërtetë duhet të shquhet në luftën për demokraci, për drejtësi, për kulturë, për barazi të plotë e të vërtetë. Intelektuali i ndershëm dhe i ndërgjegjshëm duhet medoemos të veprojë në këtë plan, ai duhet të ngrejë zërin kundër çdo dukurie negative siç janë: të drejtat e njeriut dhe të qytetarit, të drejtave kombëtare e politike, të drejtës pë vetëvendosje si një e drejtë kapitale (e natyrore). Ai duhet të ngrihet kundër fyerjeve, nënçmimeve e poshtërimeve individuale e kolektive, duhet të ngrihet kundër inskenimeve të proceseve të montuara të ndryshme, madje edhe të komploteve perfide nga më të ndryshmet, kundër vetë qenies së individit dhe të kolektivitetit të tërë.

Intelektuali këto 10 vjet, por jo vetëm këto, i është nënshtruar një poshtërimi dhe abuzimi nga pushteti politik, qoftë kur është fjala për ndërgjegjen e tij qoftë kur është fjala bile për qenien e tij fizike, rëndom ndeshej përballë diferencimit famëkeq, të turpshëm e brutal. Vallë, nuk është kjo një shkelje e rëndë e individualitetit dhe subjektivitetit të individit, të së drejtë elementare të tij, të bindjes e të shprehjes (së lire).

Vlen të theksohet se liria kurrë nuk ka pushuar të jetë vlerë për njeriun dhe se mungesa e lirisë është vdekje për njeriun ngaqë ajo është esenca gjenerike e tërë qenies shpirtërore të tij.



(Vota: 2 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora