E premte, 26.04.2024, 05:40 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Pushkatimet pa gjyq të pedagogëve, 28 viktimat dhe 65 të arrestuarit

E diele, 19.10.2008, 02:09 PM


Shkatërrimi i elitës nis nëntorin e vitit 1944. Vetëm në ditët e çlirimit të Tiranës u pushkatuan 37 intelektualë.

Nga Rezarta Delisula

Sipas të dhënave të mbledhura nga Tomor Aliko, janë 28 pedagogë të pushkatuar gjatë viteve të para të çlirimit. Numri i këtyre intelektualëve që janë burgosur është 65, ndërsa 7 prej tyre kanë vdekur në burg. Ky nuk është numri real i pedagogëve të vrarë e burgosur, pasi ky është vetëm vëllimi i parë i librit të shkruar nga Aliko “Genocidi mbi elitën intelektuale të kombit shqiptar”. Mes të burgosurve për motive politike përmendim shkrimtarë të njohur si Mustafa Greblleshi, gazetari dhe shkrimtari Nebil Çika, Martin Camaj, Mitrush Kuteli, Astrit Delvina, Petro Marko, Pjetër Arbnori, Visar Zhiti....

Monumenti

Në selinë e të përndjekurve politikë, përballë Parlamentit është ngritur një monument që i kushtohet terrorit komunist të Tiranës, terror i cili filloi me dëshmorët e parë të 30 tetorit deri më 16 nëntorit 1944. Nebil Çika, një nga gazetarët më të spikatur në vitet ’20-’30, i cili shkruante në të përjavshmen “Arbënia” (1929) e në revistën “Minerva” është një prej 37 personave që u ekzekutuan në prag të çlirimit të kryeqytetit. Njëkohësisht dy djemtë e familjes së njohur gjirokastrite Kokalari, Muntazi dhe Vesimi, vëllezërit e Musine Kokalarit u pushkatuan pa gjyq. Bashkë me ta ishte dhe Syrja Kokalari, kushëriri i parë i tyre. Bodrumet e hotel “Bristolit” u kthyen në varrin masiv ku dergjeshin ata që quhen dëshmorët e parë në luftën kundër komunizmit. U pushkatuan pa kurrfarë gjyqi dhe pa ditur pse po ekzekutoheshin. Po ato ditë janë pushkatuar dhe intelektualët Ali Panariti, Anton Fekeçi, Jakup Deliallisi, Akil Sakiqi, Lluka Xhumari e ushtarakët Boris Beleski, Nazmi Uruçi, Hamit Greblleshi, Abdulla Saraçi, Sybi Topalli, Muharrem Liku, Rakip Kalenja etj. Muntazi dhe Vesim Kokalari, dy njerëz të arsimuar dhe njohës të shumë gjuhëve të huaja themeluan shtypshkronjën “Mesagjerinë shqiptare”, ku u botuan kryeveprat botërore si dhe libri i parë i Musine Kokalarit, gruas që vuajti burgjeve e që vdiq në internim. Pika e përbashkët e këtyre intelektualëve të pushkatuar pa gjyq ishte vetëm një; ata ishin antikomunistë.

Gruaja

Historitë e pedagogeve të pushkatuara janë të trishtuara. Sabiha Kasimati është njëra prej grave të pushkatuara në Institutin e Natyrës në Tiranë. Ky institucion kishte të mbledhur asokohe, elitën intelektuale, shkencore. Aty punonin gjuhëtarët Prof. Aleksandër Xhuvani, Eqerem Çabej, Selman Riza, Kostaq Cipo, Mahir Domi, fizikanët e matematikanët si Prof. Selaudin Toto, që ishte njëkohësisht deputet i Kuvendit popullor dhe kryetar i Institutit, Kristaq Piliken, Qazim Turdiun, Sotir Kuneshken, botanistët: Kolë Papariston, Ilia Mitrushin; zoologët: Sabiha Kasimati, Islam Zeko... Dr. Sabiha Kasimati ishte emëruar shefe e sektorit të zoologjisë, por ajo vet u mor vetëm me ihtiologji. Atë fushë ajo e kishte hulumtuar që nga koha e studimeve universitare, ndaj kur ajo u bë shefe hulumtoi, gjurmoi, studioi gjithë faunën ihtiologjike detare dhe liqenore të ujërave territoriale shqiptare. Gjatë dhjetë viteve kërkimesh, ajo arriti të evidentonte të gjithë faunën ujore shqiptare, bëri klasifikimin në taksonominë ihtiologjike në klasa, gjini, lloje, e nënlloje peshqish, përcaktoi zonat e përhapjeve të llojeve më të rëndësishme të peshqve, ciklet biologjike të tyre, duke përgatitur monografinë voluminoze «Peshqit e Shqipërisë» të cilën s’mundi ta botojë. Dalja hapur para disa vitesh ku Sabihaja akuzoi Enver Hoxhën, diktator nuk ishte harruar lehtë. Ajo arrestohet më 22 shkurt 1951, midis 81 intelektualëve antikomuniste për hedhjen e bombës në ambasadën sovjetike dhe pa gjyq, katër ditë më vonë, pushkatohet. Ajo është e vetmja grua mes 22 të dënuarve me pushkatim për këtë akuzë.

Familja e madhe

Në mes të 65 pedagogëve të burgosur janë edhe 8 burra nga familja Ndreu. Familja Ndreu nga fshati Sllovë i Dibrës është një ndër ato familje që u persekutuan rrënjësisht në epokën komuniste. 8 nga burrat e kësaj familjeje u burgosën me akuzën si “antikomunistë”, ndërsa familjet e tyre u internuan. Shumica e tyre kishin mbaruar Normalen e Elbasanit, “Harry Fultz” dhe një pjesë vazhduan studimet jashtë shtetit, në Francë e Itali. Në mes të emrave të pedagogëve të vrarë është dhe Avzi Nela i cili ishte kundërshtar i hapur i regjimit dhe nuk rreshti së foluri kundra Hoxhës deri në vitin 1988 kur vdiq. Herën e parë ai arrestohet në vitin 1967 sepse kundërshtoi publikisht regjimin para publikut. Ai arrestohet përsëri dhe dënohet me varje më 10 gusht 1988. Poeti kuksian sot e kësaj dite kujtohet në vendin e tij, ndërsa të moshuarit drithërohen nga historia e dënimit të poetit. Para se të varej publikisht Havzi Nela për 5 ditë dhe 5 net nuk vuri as ujë as bukë në gojë, ndërsa terrori u shtua në qytet pas ekzekutimit publik. Secili prej tyre mban një histori, të cilat kur i lexon pas kaq vitesh duken si të pamundura, por vetëm vitet e para të çlirimit 65 pedagogë u burgosën dhe 28 të tjerë u dënuan me vdekje. Pas tyre janë po kaq familje të cilat kanë vuajtur në kurriz peshën e rëndë të internimit. Nga studimet në universitetet evropiane përfundonin në punimin e tokës dhe çarjes së maleve tejpërtej.   

Pedagoget e denuar

Syrja Kokalari
lindi në Gjirokastër më 1903, ndërsa studimet e larta i kreu në Itali. Më 12 nëntor 1944 u pushkatua pa gjyq.

Salim Kokalari
lindi më 1896 po në Gjirokastër. Emigron në SHBA më 1916 po më pas kthehet duke punuar si pedagog në Liceun e Gjirokastrës. Dënohet me pushkatim më 10 tetor 1947.

Selaudin Toto
lindi në Tiranë më 1919. Keu studimet e larta për matematikë-fizikë në Universitetin e Torinos, ndërsa themelon Institutin e Shkencave. Deputet i legjislacionit të parë të deputetëve, dënohet me pushkatim më 10 tetor 1947.

Namik Hadëri
lindur në Delvinë më 1912. Pasi kryen shkollën “Harry Fultz” në Tiranë punoi si arsimtar. Arrestohet më 22 korrik 1947 me akuzën “agjent amerikan” Më 27 korrik po të atij viti pushkatohet.

KOSTANDIN KOTE
Lindur në Përmet 1896. Kryen studimet e larta për shkenca politike-ekonomike e në Romë. Pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës më 1920.  Në 1942 ka qenë gjashtë muaj ministër i Ekonomisë. Dënohet me pushkatim, 14 prill 1945.

JAVER HURSHITI
Lindur në Kaukaz më 1880. Kryen studimet e larta në shkenca politike-administrative në Stamboll. Kryetar i forcave të Gjirokastrës në luftën e Vlorës më 1920. Deputet i Gjirokastrës më 1925. Dënohet me vdekje, pushkatim, më 14 prill 1945.

SAMI SULSTAROVA
Lindur në Pogradec më 1906. . Në vitin 1929 ishte profesor i vizatimit teknik. Si zotërues i gjuhës angleze punon tek UNRRA. Arrestohet natën e Vitit të Ri 1946 nga Sigurimi i Shtetit dhe zhduket pa iu ditur as varri. Samiu kishte lidhje me grupin “Bashkimi Demokrat”.

NDREK KODHELI
Lindur më 1909 në Shkodër.  Arrestohet në nëntor 1944 dhe dënohet me 7 vjet burg. Më 1946 pritej që një delegacion i Parlamentit anglez të vizitonte burgjet. Ndrekën e nisin për në burgun e Burrelit dhe e pushkatojnë gjatë rrugës.

LONI ADHAMI
Lindur më 1908 në Progër të Devollit. Që prej vitit 1929 deri më 1939 ka qenë sekretar në ambasadën amerikane në Tiranë. Si pasojë e trajtimit barbar në hetuesi jep shpirt në qershor 1947.

NIKO LEZO
Lindur në Delvinë 1891. Diplomohet në Universitetin e Tuluzës, Francë për shkencat e natyrës. Krijoi të parin laborator kimik në Shqipëri. Deputet i Delvinës 1923-1924.  Pushkatohet më 1951, akuza “Bomba në ambasadën sovjetike”.

KAMBER KAZAZI
Lindur më 1912 në Elbasan. Kryen shkollën teknike amerikane “Harry Fultz”. Arrestohet në vitin 1947 si pjesëmarrës në grupin e deputetëve. Akuzohet si agjent amerikan dhe dënohet me vdekje, pushkatim.

KOSTAQ STEFA
Lindur në Berat 1904. Kryen studimet e larta në Institutin e Magjistraturës në Francë për shkenca shoqërore. Arrestohet më 8 shtator 1947. Akuza; “spiun i amerikanëve”. Më 3 mars 1947 pushkatohet.

BEQIR ÇELA
Lindur më Durrës 1918. Akuzohet si pjesëmarrës në grupin e deputetëve. Torturohet gjatë hetuesisë deri më humbje të ndjenjave. Me proces të montuar dënohet me vdekje, pushkatim 10 tetor 1947.

TEFIK DELIALLISI
Lindur në Shijak më 1917.  Pjesëmarrës në grupin e deputetëve të vitit 1947. Arrestohet në vitin 1946 dhe pushkatohet më 10 tetor 1947.

EDIP TERSHANA
Lindur në Dibër të Madhe, 1907. U arrestua më 1947 me akuzën “armik i popullit”. U dënua me vdekje, pushkatim. Ai ishte kundër bashkëpunimit me Partinë Komuniste jugosllave.

LORENC RASHA
Lindur në Shkodër më 1900. Kreu shkollën françeskane në Shkodër, kurse studimet e larta në Austri.  Më 12 nëntor 1944 me urdhër të Mehmet Shehut, pushkatohet.

BEGO GJONZENELI
Lindur në Vlorë më 1911. Diplomohet në Universitetin e Romës për histori e filozofi. Arrestohet më 1945 dhe dënohet me 25 vjet burg për veprimtari antikomuniste. Në 1950 pushkatohet.

NAMIK LESKO
Lindur në Delvinë më 1918. Regjimi i egër komunist vrau dhe vëllain e  mbetur Namikun, duke e pushkatuar në dhjetor 1945.

Të vdekur në burg

GJERGJ KOKOSHI
Lindur në Shkodër më 1904. Laureuar në letërsi në Universitetin e Parisit. Dënohet me 30 vjet burgim dhe vdes në burgun e Burrelit më 1960.

XHEVAT KORÇA
Lindur në Korçë 1892. Kryen dy fakultete, atë të jurisprudencës dhe pedagogjisë. Arrestohet në vitin 1945 si armik i popullit dhe dënohet me burg të përjetshëm. Si shenjë proteste për keqtrajtimin në burgun e Burrelit shpall grevën e urisë derisa i dha fund jetës mbas 12 vitesh burg.

MIRASH IVANAJ
Lindur në Shkodër 1886. Mbaruar në Itali për shkenca politike-ekonomike. Ministër i Arsimit. Me pushtimin e Italisë më 1939 emigron. Arrestohet 1947 dhe dënohet 7 vjet burg. Një javë para se të lirohej vdes në infermierinë e burgut të Tiranës.

SHASIVAR ISLAMI
Lindur në Libohovë më 1913. Kreu pedagogjiken dhe të lartën në Itali. Arrestohet në vitin 1945 si pjesëmarrës në organizatën e “Bashkimit Demokrat”. Dënohet me 15 vjet burg, vdes si pasojë e vuajtjeve.

HIQMET RROSHI
Lindur në Libohovë më 1980. Mbaroi studimet pedagogjike në Stamboll. Arrestohet në janar 1945 dhe lirohet për mungesë fajësie. Arrestohet përsëri në vitin 1948 dhe mbas 5 muajsh në hetuesi ndërroi jetë.

SULEJMAN LLESHI
Lindur në Tiranë 1914. Kryen studimet e larta për letërsi në Itali.  Pjesëmarrës në mbledhjen e Mukjes.  Arrestohet në vitin 1946. E dërgojnë në Pejë ku burgoset nga UDB Jugosllave. Në qershor 1946 futen Çetnikët në burgun e Pejës dhe masakrojnë, duke e therur me thikë së bashku me patriotin dhe nacionalistin, Klement Curri (nip i Bajram Currit).


Të burgosur

Mihal Zallari
Foto Bala
Musa Dizdari
Mustafa Grablleshi
Xhavit Mehilli
Sami Repishti
Tahir Hoxha
Arshi Pipa
Kasem Malaj
Beqir Haçi
Riza Shtylla
Hasan Rami
Petro Marko
Pjetër Arbnori
Fiqiri Llagami
Reshat Asllani
Gjergj Komnino
Shaqir Trimi
Halit Selfo
Akile Tasi
Pjetër Gjini
Agim Musta
Hekuran Zhiti
Visar Zhiti
Uran Kalakula
Mustafa Cara
Beqir Ajazi
Llazar Papapostoli
Osman Bishqemi
Tanush Kaso
Astrit Delvina
Xhemal Alimehmeti
Koço Llukani
Xhemal Belegu
Abdurahman Kreshpa
Osman Visha
Argjend Goci
Haxhi Goci
Beqir Xhepa
Xhevat Bujari
Martin Camaj
Mitrush Kuteli
Maksen Bundo
Pirro Kuqi
Luan Myftiu
Gaqo Peçi
Sali Doko
Baftjar Ndreu
Xheladin Ndreu
Selman Ndreu
Lazem Ndreu
Rexhep Ndreu
Irfan Ndreu
Rizahi Ndreu
Halit Ndreu
Sherif Merdani
Leonard Prifti
Veniamin Dashi


Muntaz Kokalari
Lindi në Gjirokastër më 1896, ndërsa studimet pedagogjike i kreu në Turqi. Si pjesëmarrës në revolucionin e qershorit u burgos 4 vjet nga regjimi i asaj kohe. Themeluesi i “Mesagjerisë shqiptare”. Pushkatohet pa gjyq më
12 nëntor 1944.

Vesim Kokalari
Lindi në Gjirokastër më 1898. Në vitin 1932 ishte pjesëmarrës në lëvizjen e Vlorës, ku dënohet 10 vjet burg. Në vitin 1943 themeloi shtëpinë botuese ku botoi disa kryevepra botërore. Vesimi u pushkatua më 12 nëntor 1944 pa gjyq.

MUSINE KOKALARI
Lindur në Gjirokastër më 1917. Kryen studimet e larta për gjuhë letërsi në Romë. Arrestohet në nëntor 1944, por lirohet.  Më 1945 arrestohet si kryetare e grupit Social Demokrat, Dënohet 20 vjet dhe vdes në internim

Sabiha Kasimati
Lindur në Ankara të Turqisë më 1912. Akuzoi Enver Hoxhën publikisht si diktator e më pas në 1951 me grupin e hedhjes së bombës në ambasadën sovjetike, ajo u dënua me pushkatim si bashkëpunëtore.

Lef Nosi
Lindi në Elbasan më 1891. Pasi kryen studimet e larta në filozofi e letërsi ai bëhet botues dhe drejtor i revistës politiko-letrare “Tomorri”. Arrestohet në vitin 1945 dhe dënohet me pushkatim.

Kol Tomara
Lindur në Devoll më 1887. Më 1907 është sekretar i shoqërisë “Besa-Besa” në Boston dhe më 1915 sekretar i “Vatrës”. Më 1924 ai është anëtar i Asamblesë Kushtetuese. Më 14 prill 1945 dënohet me pushkatim.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora