E premte, 26.04.2024, 03:56 PM (GMT+1)

Kulturë

"Ju rrëfej familjen Kopola"

E merkure, 13.08.2008, 07:34 PM


Francis Ford Coppola
Familja e dashuruar pas kinematografisë. Pjesë nga një libër, që tregon prapaskenat e marrëdhënieve njerëzore

Ditari interesant i bashkëshortes së regjisorit të madh

Jam jashtë duke ngrënë një copë kek, në kopshtin e një hoteli në Beverli Hill. Francis dhe Sofia janë ulur për ballë meje dhe flasin pa fund. Dje ishte ditëlindja e Sofisë. Tashmë është 27 vjeç. Ka një bukuri imperfekte. Babë e bijë flasin për planet kinematografike të së ardhmes dhe kryesisht për një film me buxhet të vogël, me një skenar të shkruar nga vetë Sofia. Dëgjoj Francis që i thotë: "Qëndroi kameras përballë, që të jesh në kontroll të plotë të situatës dhe mos harro se duart e aktorëve janë po aq të rëndësishme sa edhe fytyra. "Jam e lumtur për time bijë dhe për Francis që është një baba kaq i mirë, e megjithatë ndjej një xhelozi të akullt të kraharor. Po mundohem të kontrolloj emocionet. Francis dhe unë u martuam shumë shpejt në Las Vegas. Në atë kohë nuk i kisha takuar ende prindërit e tij dhe kur i takova nuk e dija se tradita e familjes italiane ishte që detyra e gruas është të rrisë fëmijë dhe të kujdeset për të shoqin. Francis e dinte që unë kisha synime dhe pasione për artin dhe jetën artistike, por priste që unë t‘i zhvilloja të gjitha pasionet e mia në kohën e lirë dhe në shtëpi. Në fillim të viteve ‘70 jetonim në një shtëpi të madhe me tre fëmijët tanë. Me kalimin e kohës dhe me rritjen e fëmijëve, nisa që të mendoj edhe për veten time. Kështu, sëbashku me një mikeshën time, vendosa që të hapja një ekspozitë në shtëpi, ku morën pjesë gjithë njerëzit e shquar që njihnim. Sigurisht që një meritë të madhe në këtë rast pati im shoq dhe njohjet e tij. Për herë të parë, pas shumë vitesh, e ndjeva veten të realizuar profesionalisht, edhe pse pas një shkëputjeje shumë të gjatë. Por ndërsa e kisha shndërruar shtëpinë në një ekspozitë pikture dhe po u bëja të ftuarve guidë nëpër katet dhe dhomat e shtëpisë, e dija se ata nuk kishin ardhur aty, aq për pikturat e mia, sesa për të parë shtëpinë e një regjisori të madh. Në këtë shtëpi, ai mbante 5 statujat e tij të Oskarit. Në ato kohë kur një burrë fitonte çmimin Oskar, tradita e donte që një miniaturë të statujës t‘ia jepte të shoqes, për ta varur në qafë. Varësen me statujën e mbaja në qafë dhe shihja, se më shumë se për pikturat, njerëzit më pyesnin për statujën e vogël që rrëzëllente në dekoltenë time. Kur unë dhe mikesha ime, bashkëautore e ekspozitës, vendosëm organizimin e saj, Francis ishte larg me xhirime dhe kur u kthye i erdhi keq që gjatë evenimentit statujat e tij ishin ekspozuar e njerëzit i kishin parë, prekur, e kishin folur për to dhe për veprimtarinë e tij. Unë e kuptova që ndjenjat e tij ishin të vrara sepse për të statujat ishin diçka personale që unë i kisha përdorur për t‘i bërë publicitet punës sime. Që pas kësaj ngjarjeje, unë e ndjeva që ai me qëndrimin e tij po më shprehte mesazhin se "unë nuk isha një grua e mirë për të". 29 maj 1986, Washington DC Më kujtohet pasditja e djeshme. Ndodhesha në dhomën time në katin e tretë, duke parë nga dritarja degët e një rrapi të moçëm. Po mundohesha të kuptoja se përse ndihesha e sëmurë, pa ndonjë arsye të qartë. Në këto e sipër, ra zilja e telefonit. Sofia ngriti receptorin në katin e saj dhe unë mora paralelin. Të dyja dëgjuam tingujt e çuditshëm të zërit të Francisit: "Elli sapo humbën djalin tonë të dashur. Xho vdiq". Britma që më erdhi nga thellësia e shpirtit më ngriti peshë dhe pas disa çastesh ndodhesha në krahët e Sofisë e mbytur në lot. Xho dhe një mik i tij ndodheshin në një motoskaf në South River dhe kishin pësuar një aksident të rëndë. Të paktën, në momentin e fundit ishin të gëzuar. Motoskafi me shpejtësi të madhe ishte përplasur në një shkëmb dhe ata kishin vdekur në vend. Atë natë, unë dhe Sofia fluturuam për në Washington. Nga ditët në vijim kam vetëm kujtime të pjesëshme, që vijnë dhe ikin si të ishin fantazma. Më vjen ndërmend Sofia e ulur në divan, teksa është përhumbur në kujtime e lot dhe e gjithë familja, e goditur nga dhimbja dhe ndjenja e humbjes. Më pas mbaj mend takimin me priftin dhe gjithë organizimin e ceremonisë më të dhimbshme të jetës sonë. Më pas mbaj mend miqtë që u mblodhën në apartamentin tonë. Fytyra të njohura e të panjohura që mundoheshin të na ngushëllonin me fjalë të kota, që nga një vesh na hynin e nga një tjetër na dilnin. Njerëzit flisnin për Xhonë, për ne, për ngjarjet që kishin shkuar dhe njerëzit që nuk do të ktheheshin më. 25 dhjetor 1989, Romë Eshtë ftohtë. Në oxhak ka zjarr. Pema e Krishtlindjeve derdh dritë në qylimin e kuq. Francis është në shtrat dhe dëgjon lajmet në radio. Roman dhe Sofia janë shtrirë në divan. Jam kaq e lumtur që jemi të gjithë bashkë. Nga pasditja mbërrin në apartamentin tonë motra e Francisit me familjen. Jemi gjithsej 20 vetë, që do të kalojmë sëbashku Krishtlindjet. Në orën e caktuar jemi të gjithë para tryezës, duke shijuar gjelin e detit dhe verën e mrekullueshme, që e kemi blerë shumë shtrenjtë në tregun e verërave të qytetit. 17 nëntor 1992, Guatemala Eshtë periudha kur Francis nxori filmin e parë, që nga përfundimi i triologjisë "Padrino". Filmi quhet "Drakula" Me këtë rast, Francis nuk donte që të ndodhej në shtëpi. Ishte shumë i tensionuar dhe po priste me padurim lajmet se si ishte pritur filmi i tij më i fundit. Për të qenë sa më larg gjurulldisë së njerëzve, vendosëm të shkonim në Guatemala dhe të qëndronim në shoqërinë e disa miqve të mirë. Shtëpia ku ishim ishte shumë e bukur, e zbukuruar me disa piktura me të vërtetë të rralla. Francis mendonte se një qëndrim i tillë do ta lehtësonte shumë dhe do t‘ia hiqte emocionet. Kishte vendosur që të shkëpuste lidhjet me pjesën tjetër të botës, por e theu betimin, kur një ditë pas daljes së filmit në kinematë amerikane, nuk ndenji pa marrë një mikun e tij të ngushtë në telefon, për ta pyetur për ecurinë e tij. Java e parë e hapjes së filmit ishte e jashtëzakonshme. Filmi ishte pritur shumë mirë dhe ishte prodhimi 19 më i shitur në gjithë historinë e kinematografisë. Kur u ndanë fitimet nga filmi, ne ia dolëm që të paguanim të gjitha borxhet tona, të cilat na qëndronin nëpër këmbë, që nga viti 1981. Më pas Francis më tha: E dashur, pjesën tjetër të parave do ta investoj në një vend shumë të sigurt dhe me shumë përfitim, në mënyrë që të mos shqetësohemi kurrë më për anën financiare të jetës, deri sa të vdesim ". Francin kishte blerë një kështjellë shumë të bukur, të cilën në vitin 1995 mendoi ta shiste. Mua më erdhi shumë keq, sepse ajo ishte blerë me shumë dashuri dhe me paratë e para të mëdha që morëm në jetën tonë, ndaj e vuajta paksa aktin e shitjes. Nga shitja fituam 5-fish me shumë, nga sa ishin paratë që e kishim blerë dhe në fund Francis kishte të drejtë, investimi ishte shumë rezultativ. 10 July 2004, Napa Një javë më parë vdiq edhe Marlon Brando. Teksa e kujtoj më vijnë në mend copëza të ndryshme kujtimesh. Kur Francis nisi të xhironte "Padrinon" në pranverën e vitit 1971, unë nuk i takova aktorët e filmit menjëherë. Filmi filloi me shumë vështirësi. Fillimisht u përfol se do të pushohej nga puna Francis, më pas të njëjtat fjalë dolën edhe për Marlon Brandon. Në atë kohë isha shumë e zënë me rritjen e djalin tonë të dytë, Roman, ndërkohë që Xho ishte 7 vjeç dhe Sofia ishte në barkun tim. Kur ajo lindi dhe u bë gati 3 muajshe, e mora me vete në sheshxhirimin e filmit. Ishte një skenë martese. Marlon po priste në një dhomë gjumi, të kati të dytë të një vile të stilit italian në Nju Jork. Në momentet e pauzës, Francis më prezantoi me Marlonin. Sapo e pashë, rashë pre e karizmës dhe simpatisë së tij. Marlon fliste me një zë të butë e të qetë dhe teksa e shihja, më dukej vetja si e përshkuar tejpërtej nga një rrymë drite e shndritëshme, që më gëzonte gjithë qenien. Ishin momente të papërsëritëshme dhe ndërsa flisnim imagjinoja sikur po luaja një film me të. Më pas Marlon iu kthye Sofisë, që po e mbaja në krahë. Ma mori me dashuri një krahët e tij dhe nisi t‘i këndonte ëmbël. Teksa i këndonte, i shihte me shumë kureshtje gishtat e këmbës dhe të duarve. Disa ditë pas këtij takimi më erdhi një byzylyk i florinjtë me një letër dedikimi, në të cilin shkruheshin këto fjalë : " E dashur Sofia. Mirëseerdhe në botë. Me dashuri, Marlon " Tani edhe letra edhe byzylyku kanë humbur, por që nga ajo kohë, unë gjithmonë në kartolinat e urimit që shkruaj për foshnjet e porsalindura, nuk harroj kurrë të them frazën: "Mirëse erdhe në botë"



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora