E marte, 12.11.2019, 04:55 PM (GMT)

Komente

Reshat Kripa: Klithmat e hienave të zeza

E shtune, 26.03.2016, 06:53 PM


Klithmat e hienave të zeza

Nga Reshat Kripa*

Kohët e fundit një fushatë e shfrenuar e hienave të zeza të së kaluarës ka shpërthyer në vendin tonë. Në qoftë se do t’i shikosh me vëmendje do të kuptosh se ato janë një thirrje që të mundurit e epokës së përmbysur kërkojnë ta ringjallin. Por, fatkeqësia është se në këtë kor korbash, ata kanë mbrojtjen e regjimit që sot sundon Shqipërinë. Jo më kot qeveritarët tanë kanë kthyer përshëndetjen me fjalën “shokë’ që gjëmoi në kongresin e tyre të fundit. Një përshëndetje e tillë kishte disa vitej që nuk dëgjohej. Përse u ringjall? Atë e dinë iniciuesit e saj por, edhe për ne qytetarët e zakonshëm kjo nuk është pa kuptim. Jo rastësisht në festa zyrtare hienat shfaqen me portretet e diktatorit ndër duar. Jo  rastësisht në varrezat e dëshmorëve vazhdon të valëvitet ylli i kuq i komunizmit. Jo rastësisht nëpër fasadat e objekteve zyrtare shihen mozaikë dhe basorelievë të kohës së perënduar. Jo rastësisht shumë rrugë dhe bulevarde mbajnë emra individësh që nuk dihet se çfarë kontributi kanë dhënë për kombin, ndërsa emrat e patriotëve të mëdhenj të këtij vendi i sheh vetëm në disa rrugica të panjohura. Kjo tregon se qeveritarët  duan të ringjallin atë periudhë që prej 25 vitesh perëndoi. Por a do t’ia arrijnë vallë?

Në numrat e fundit të një gazete që e quan veten “të pavarur” lexoj disa thirrje mëkatare të një grushti mjeranësh që kanë mundur të shpëtojnë nga inkuizicioni i atyre që vetëm disa vite më parë ishin eprorët e tyre të pa diskutueshëm. Në këto thirrje ata i kërkonin qytetarëve shqiptarë që të bashkoheshin me ta për të rikthyer sistemin e përmbysur. Këta individë sot janë grumbulluar në disa të ashtuquajtura shoqata fantazma, shoqata të hienave të zeza, madje duke zënë edhe kreun e tyre dhe nga maja e olimpit, ku besojnë se kanë hipur, çirren e këlthasin për gjoja shtrembërimin që po iu bëka historisë së “lavdishme” të  luftës nacionalçlirimtare. Për këtë shigjetat janë drejtuar kundër njerit nga përfaqësuesit më në zë të historisë së vërtetë shqiptare, të nderuarit Uran Butka.

Nuk dua t’i përmend emrat e këtyre mjeranëve se më vjen të pështirë. Kthej sytë nga masakra e Tivarit ku u vranë mbi 4000 qytatarë të ndershëm dhe më dalin para syve figurat e këtyre kriminelëve. Kthej sytë nga masakra e Mirditës e vitit 1949 ku u dërguan në kampet e tmerrshme të internimit qindra gra dhe fëmijë të pafajshëm dhe më dalin para syve figurat e këtyre banditëve. Kthej sytë nga masakrat e Postribës, Malsisë së Madhe dhe Zhabokikës ku, përsëri u vranë dhjetra patriotë të tjerë dhe  më dalin para syve figurat e urryera të këtyre hienave të zeza dhe çudia është se rendi i ri demokratik që thuhet se u vendos në Shqipëri, ende nuk i ka dënuar për këto krime.

Vini veshin në Gjermani. Para disa ditësh lexova në një gazetë të përditëshme një lajm për nxjerrjen para gjyqit të Reinhold Hanning, ish roje i kampit famëkeq të Auschvicit-it, 94 vjeç, mbi të cilin rëndonin 170.000 akuza si bashkëfajtor në vrasje nga janari 1943 deri në qershor 1944. Po ashtu John Demjanjak u dënua në vitin 2011 si roje i një kampi nazist, madje pa iu provuar fajësia. Po kriminelët shqiptarë të tipit të hienave të mësipërme a do të dënohen ndonjë herë?

Këtij kori korbash i bashkohet edhe drejtori i një “televizioni të pavarur” duke shprehur mllefin e shfrenuar kundër ish së djathtës së kaluar shqiptare dhe duke u shprehur me fjalë të dala jashtë kohe, të nxjerra nga fjalori banal i komunizmit. T’i thoshte këto ndonjë nga përfaqësuesit e përmendur më sipër nuk do më vinte keq, pasi mosha ka bërë që trutë e tyre të zenë ndryshk, por të thuhen nga një i ri që as që e ka njohur atë kohë dhe atë sistem, kjo është për

të ardhur keq.

Në këto kushte lind pyetja: Kush janë fitimtarët e vërtetë kësaj përplasjeje të madhe parimesh?  Dy janë idetë që janë ndeshur me njera tjetrën gjatë shekullit të kaluar. E para ideja nacionaliste që mbështetej në ekonominë kapitaliste të tregut të lirë ku individi të kishte të drejtën e fjalës dhe të veprimit, të drejtën e pronës dhe të banimit, të drejtën e shkollimit dhe specializimit,  të drejtën e votës së lirë dhe përfaqësimit. E dyta mbështetej në ekonominë socialiste ku individi pothuajse nuk kishte asnjë të drejtë, ku prona ishte rrëmbyer dhe bërë pronë e shtetit,  ku shkollimet dhe specializimet bëheshin vetëm për persona të zgjedhur nga regjimi,  ku e drejta e votës së lirë mungonte plotësisht.

Përfaqësuesit e idesë së parë  ishin Mithat Frashëri me pasuesit e tij. Ishim ne që u ngritëm kundër diktaturës totalitare, që luftuam dhe dhamë jetët tona  për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi. Ndërsa përfaqësuesit e së dytës ishin diktatori Enver Hoxha dhe pasuesit e tij. Ishit ju, ndjekësit besnikë të tij, që ju zunë duart kallo nga duartrokitjet për të duke i thurrur hymne lavdie dhe kur e patë se ai u përmbys, si rezultat i revoltës popullore, ndërruar fletën dhe u kthyet në  “demokratë të kulluar”.

Ndaj, në këto ditë, kur në vendin tonë është instaluar sistemi kapitalist i ndërtimit të shoqërisë,  pikërisht ai sistem për të cilin ne luftuam, fitimtarët e vërtetë të tij jemi ne, nacionalistët shqiptarë, është “Apostulli i shqiptarizmës” Mithat Frashëri dhe dishepujt e tij, sepse pikërisht idetë e tij fituan, ndërsa humbësit jeni ju, mbeturinat e sistemit të përmbysur. Ndoshta. Tani për tani,  keni arritur majat e pushtetit. Ndoshta, tani për tani, keni arritur majat e pasurimit. Por do të vijë dita që e vërteta do të triumfojë mbi vendin tone dhe të gjitha kanë për t’ju dalë nga hundët. Atëherë juve ju prêt vetëm një gje: ndëshkimi i drejtësisë shqiptare. Kjo ditë do të vij.

Tani edhe dy fjalë për të vërtetën e së djathtës shqiptare. Në një kohë që revanshi i së majtës ka marrë një vrull të paparë në historinë e këtiuj kombi me të gjitha mjetet që ka në dispozicion, është e koha që edhe e djathta t’i përgjigjet në të njejtën mënyrë. Nuk është çështja se duhet t’i dalin në krah të nderuarit Uran Butka. Të djathtët duhet t’i dalin në krah çështjes kombëtare. Duhet t’i dalin në krah të vërtetës historike.  Në ballë të kësaj duhet të jenë partitë tradicionale të së djathtës dhe të gjitha partitë e tjera që e quajnë veten të djathtë. Duhet të jenë shoqatat e ndryshme që luftojnë për një Shqipëri me të vërtetë demokratike. Duhet të jenë historianët e djathtë për të çrrënjosur nga mendja e qytetarëve mentalitetin e falimentuar komunist që vazhdon të ekzistojë.

Ndërsa këtyre tru ndryshkurve që këlthasin me zë të ngjirur dua t’iu drejtohem me vargjet e një personaliteti shqiptar të shquar, përfaqësues i së majtës së vërtetë europiane, të nderuarit Imzot Fan Noli:

Allallah, o rezil e katil, allallah,

Shtroni udhën me hithër e shtog turfanda,

Gumëzhit o zinxhir e katil, allallah,

lehni laro,  kaba, hosana Baraba!

*Kryetar i Degës së Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT