E premte, 26.04.2024, 10:22 PM (GMT+1)

Mendime

Josif Papagjoni: Maks Velo, një shpirt i lirë

E merkure, 13.08.2008, 07:24 PM


Maks Velo gjatë një vizite në kampin e Spaçit, ku ka vuajtur dënimin
Maks Velo, një shpirt i lirë

Aty, në festivalin e Butrintit, Maks Velo më dhuroi librin e tij “100 poezi”. Kjo më dha shkas të flas për Maksin poet, por edhe për Maksin njeri të guximit.

Nga Josif Papagjoni

Shkas nga një libër i Maks Velos 

“Poezinë e krahasoj me kohën - thotë ai, - me një fragment kohe. Me kohën kur kaloj në një urë. Vërtet janë dy brigje, shpesh të ndryshme, por në ato momente ti je dhe në ajër, dhe në tokë, dhe mbi ujë. Dhe poezia është ujë, ajër, tokë.” Ky është një vegim kozmogonik, gjithëpo edhe poetik. Uni i tij është shumëpamor, si një kaleidioskop njëmijë sysh e ngjyrash. Ai pranon dhimbjen e kryqëzimit (Rrëfimi), kompromisin me të ligën (Egërsia), por edhe besnikërinë ndaj vetes (Besnikëri), vuajtjen e pamatur njerëzore që prej saj “edhe lisat vazhdojnë të shtrëmbërohen” (Vuajtje njerëzore), besnikërinë dhe tradhtinë kur “nga tradhtia lind/dashuria tjetër” (Qëndresa e tradhtuar), vështrimin që ka veçse dashuri (Këshilla), mëvehtësinë dhe identitetin e fortë (I vetëpërjashtuar), rimishërimin budist të vetvetes si rikthim, strehë, rrënjë (Do të kthehem).

Imazhet e vargjeve të Velos shpesh kanë shumë qartësi brenda, lëvizin si në një film, ashtu sikundër nga lëndorja dhe loja kozmike e planetit plak në terr ngjizet mendimi metaforik i dyzimit, i ambiguitetit dhe i paradoksit të njohjes së vetvetes prej dritës së arsyes, guximit a rastësisë (Kometa bishtëgjatë e planetit të vjetër).

Doemos do të kishte në këtë libër poezi që përsiaten në thelbet e trishtimit, si plaku me bastunin ulur në sofat; poezi, le t’i quajmë “filozofike”, sikurse ka poezi imazhesh, poezi të çlirëta, poezi peizazhesh e meditacionesh për Parisin, gjer edhe “lodra fjalësh ritmike të tipit onomatopeik”, krijuar nga ushtria e gërmave turke që kanë mbetur në gjuhën shqipe, jo thjesht tek fjalët (Xhamllëk xhenet).

Dhe tani dua që t’i largohem paksa librit të tij të fundit me 100 poezi. Sepse Maks Velo është më së pari piktor, arkitekt dhe më pas publicist. Nga Parisi ku lindi, sikur mori vegimin kështjellor dhe estetik të këtij metropoli-ëndërr artistësh. Ai mbaroi fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Institutin Politeknik në Tiranë, më 1957, por dashurinë e parë, artin, kurrë s’e lëshoi duarsh. Në vitet 1960-1973 ishte nga arkitektët më të njohur që projektoi, falë një koncepti të ri, godina të ndryshme sociale, rrugë dhe parqe në Tiranë e gjetkë. Ndaj ky dimension e thërret në beteja, gjithsaherë shëmtia dhe betoni i sulen blerimit, natyrës dhe intimitetit të qyteve tona.

1973-1975 janë vitet kur u kritikua rreptë nga organet partiake për “ndikime të huaja” në art dhe arkitekturë, gjersa edhe u burgos, në v. 1978. Koleksioni i tij me ikona mesjetare e skulptura baritore në dru si dhe shumë tablo në pikturë u asgjësuan nga organet e censurës, si “dekadente”. Një marri e kohës. Një pogrom ndaj artit dhe shpirtit të krijimit, që të kujton djegiet e librave nëpër sheshe nga hitlerianët.

Në librin autobiografik dhe eseistik “Kohë antishenjë”, ai bën autopsinë se si lindi shenja e tij e veçantë piktorike, ato forma të kërrusura trupash të burgosurish në galeritë e tmerrit, ai kongjilli në vatër, ato trajta grafike ashpërsisht të prera, si cungje, që të kujtojnë dorën e njeriut të lashtë teksa ky vizatonte mbi shkëmbinjtë a guvat e qëmotshme.

Pas marrjes së pafajësisë më 1991, Maksi rishfaqet me sukses, si figurë e njohur e artit dhe si intelektual, në lëmitë që ndiqte para burgimit: pikturë, arkitekturë, letërsi, publicistikë. Përpos 15 ekspozitave kolektive, kombëtare dhe ndërkombëtare ku mori pjesë në Shqipëri, Aleksandri (Egjypt), Moskë, Bukuresht, Itali, Francë, Greqi dhe USA, vetëm në vitet 1991-2004 ai realizoi 37 ekspozita personale në Shqipëri, vende të ndryshme të Europës, SHBA. Ka botuar 14 libra, me poezi, tregime, romane, publicistikë si dhe albume me vizatime. Është nga pionierët e artit modernist në Shqipëri, ku kërkimet në formë, stilizimet e mprehta, simbolet, gjuha metaforike, gjësendet dhe mjediset sureale, sidomos në grafikë, janë bërë pjesë e personalitetit të tij krijues, ngaherë në shqetësim e kundërshti me klishetë socrealiste.

Por ja, paska një paradoks: asnjë punë e tij nuk është blerë nga Galeria Kombëtare; nuk ka studio, as shtëpi s’përfitoi, kurrgjë. Se shteti s’para i ka qejf bubullimtarët e mendimit të lirë, por puthadorët. Por Maksi, pas asaj shfryrjes së njohur vlonjate, as ia ka nderur dhe as ia nder dorën të majmurve e barkfryrëve të shtetit. I pranishëm në media dhe me esetë artistike të kohës, ai ka dëshmuar cilësi arti dhe mendimi, i përkushtuar ndaj kërkimeve të reja në modernizimin e gjuhës së artit pamor shqiptar, të arkitekturës dhe të cilësisë së jetës përgjithësisht.

Maksi është një rebel. Një kordhëtar në fushat ku përpunohet opinioni dhe thuhet e vërteta. E vërteta “troç“, ashtu “copë”, siç pëlqen ta thotë ai. Në sa e sa artikuj e biseda ai s’ta përton, qofsh ti në poltronën më të lartë, qofsh në baltë. Është nga ata njerëz që “grinden” edhe me vetveten, s’gjejnë paqë, sepse duan të ndërtojnë paqen, t’i japin krahë të vërtetës.

Sado të vrazhdta, nganjëherë të skajshme, gjithsesi ai s’mungon ta shpërfaq veten, pa ojna e bojna. Disa artikuj të tij kanë tronditur opinionin, vetëdijen tonë qytetare. S’kanë qenë zilka, por kambana. Për agresionin dhe orgjinë e betonit në qytetet tona. Për identitetin e shprishur shpirtëror kombëtar të shqiptarëve. Për Kadarenë dhe Qosen. Për recidivet e forta të fondamentalizmit islamik. Për të drejtat e të burgosurve dhe të përndjekurve politikë. Për gënjeshtarët dhe të paaftët që uzurpojë institucionet e artit…

“Kështu gjatë jetës/ mirësitë dhe kurajon/ i rimora sa herë rashë/ nga një i rastësishëm/ përbri/ Tani kush ka nevojë/ le të vijë të rindezë/ flakën e shuar të jetës/ nga trupi im/ në i duhet për rrugëtim…”

Sa dhimbsuri, kthjelltësi, mirësi, por edhe filozofi kanë këto vargje. Një ekuaresti, veçse e tipologjisë romantike e rilindëse të sakrificës. Le ta quajmë, madje, prometeizëm, sa herë që sjellim ndërmend copërat e mëlçisë së çdo qëndrestari nga sqepat e hutinëve të mashtrimit, krimit dhe poshtërsisë. Ashtu është, i nderuari Maks, sikundër thoni ju për vetveten. Prandaj e mora penën dhe dy fjalë bashkëngjitur porosisë suaj fisnike desha të thoshja në këtë shkrim. Guximin, po guximin, admiroj tek Ju. Dhe sinqeritetin, çiltërsinë e intelektualit. Të parin s’e kam siç e keni ju, paçka se boll kam shkruar e kritikuar (për teatrin, dramaturgjinë, letërsinë etj.) “Kritiku mban përgjegjësi, më thatë, ndryshe s’ke pse shkruan”.

Por kritiku sot jo vetëm që është i papaguar, por edhe i pambrojtur: nga shteti, nga opinioni publik, i linçuar nga zilitë dhe kurthet e meskinitetit, nga taboret e mediokritetit, gjer tek hakmarrja ndaj familjes, fëmijëve. Këta janë, si i quani Ju, “të rastësishmit përbri”. “Ti s’je as i martuar, as fëmijë s’ke, je i vetëm, paradigëm niçeane, ndaj dhe guxon më shumë”, i thashë unë. Dhe e dija se kjo logjikë nuk funksiononte, sadoqë kishte një “barrë mend” brenda dhe dukej si tepër “e arsyeshme”. E vërteta është se formatin e Maks Velos mund ta gjesh e ta përlindësh vetëm në zemrat rebele dhe mendjet e lira. I tillë ishte, është dhe ashtu do të mbetet ai, miku i të Vërtetës. Stërkëmbëzat e “të rastësishmëve përbri”, paçka se edhe e kanë rrëzuar e lënduar, ai sërish është ngritur e sërish kordhën s’e ka lëshuar.

Maksi është kozmopolit, admiron Perëndimin, posaçërisht Francën, me Parisin, Senën, Katedralet. “Çfarë artistësh janë ata që nuk shkruajnë poezi, këngë apo nuk pikturojnë diçka nga vendet e Europës ku kanë shkuar e jetojnë? Arti ka kodet e veta, s’ka kufij, piramida, dogana, “kombësi”. “Kombësia” e tij është përkryerja, bukuria.” Me këtë shfrim, Maks Velo kërkon një pendesë nga kombi i vet, sidomos nga intelektualët: pendesë prej rrëmetit të komunizmit dhe erozionit që solli sundimi otoman. Këto dy ide janë bibla e tij, në mos gabofsha. Dhe përtej tyre: Liria. Liria politike, ajo e mendimit, posaçërisht liria e krijimit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora