E premte, 26.04.2024, 10:32 PM (GMT+1)

Mendime

Kim Mehmeti: Sherbetore te zotit apo nepunes te djallit

E marte, 12.08.2008, 05:26 PM


Kim Mehmeti
Sherbetore te zotit apo nepunes te djallit

Nga Kim Mehmeti

Në një shoqëri ku politikanët ua lidhin shallin hoxhallarëve, e hoxhallarët ua rregullojnë kollaret politikanëve, pra aty ku hoxhallarët mbahen me paterica partiake, e politikanët manipulojnë me ndjenjat religjioze, nuk vlejnë as normat fetare, as standardet politike, por aty sundon djalli. Mbase edhe djalli është ndërmjetësuesi i vetëm i bashkëpunimit religjiozo-politik, sepse vetëm ai mund të krijojë iluzionin se është e mundur të bashkëveprojnë besimi në Zot dhe ai në parti, edhe atë në një shtet laik, ku religjioni dhe politika duhet të jenë të ndara me mur. Se ç‘ndodh kur realizohet një bashkëpunim i tillë, më së miri dëshmojnë ngjarjet e fundit në Bashkësinë Islame të Maqedonisë, të cilën pas çdo ndërrimi të partisë shqiptare në pushtet, e përfshijnë tronditje të brendshme. E kjo ndodh për shkak se partitë e këtushme shqiptare, qëmoti e legjitimuan veprimin partiak, që nënkupton se partisë në pushtet nuk i takon vetëm kontrolli mbi atë që shqiptarët bëjnë në këtë botë, por edhe ndërhyrja në tempujt ku besimtarët luten për vend sa më të mirë në botën e të vdekurve. Kështu që, posa erdhi në pushtet në vitin 2006, punën e parë që PDSH-ja bëri për të "mirën" e shqiptarëve, ishte ndërhyrja e hapur në BIM, ku në mënyrë të ngutshme dhe më brutale u ndërrua kryetari i këtij institucioni më të lartë fetar. Pra, në krye të BIM-së u kthye Sulejman Rexhepi, të cilin po e njëjta PDSH, në vitin 2000, e detyroi të largohet nga ky post. Mbase, atëherë këtë e bëri duke mos e njohur mirë, duke menduar me të drejtë se asokohe ishte ithtar i Partisë për Prosperitet Demokratik, duke mos e ditur se më të përshtatshëm se ai nuk do mund të gjente, se kryetari i atëhershëm dhe i tanishëm i BIM-së, i kishte dhënë të gjitha provat e dëgjueshmëri partiake qysh në kohën e komunizmit. Dhe para dy viteve, pasi sërish erdhi në pushtet, PDSH-ja e kishte kuptuar gabimin e bërë dhe atë e korrigjoi ngutshëm, por pa e llogaritur rrezikun se nuk do e kishte të gjatë bashkëqeverisjen me VMRO-DPMNE-në.

Mbase edhe kryetari aktual i BIM-së nuk e kishte pritur se kaq shpejt do mbetej pa mbrojtjen partiake dhe kishte shpresuar se së paku katër vitet e ardhshme do kishte rreth vetes mbrojtësit që nuk kishin çallma në kokë, por mbanin armë në brez. E që i kryenin punë më shumë se të gjithë hoxhallarët së bashku, kur duhej të tregohej se kush është kryeshalli të cilit duhej t‘i përkuleshin të gjitha çallmat e BIM-së. Por, edhe pas largimit të PDSH-së nga koalicioni qeveritar, kryetari aktual i BIM-së u dëshmua si luftëtar që "donë të del në mejdan", siç deklaroi edhe vetë për mediat e këtushme. Dhe, ndërkohë, sipas thënies së disa myftive të revoltuar, ai ngutshëm e ndërroi Kushtetutën e BIM-së, gjë që i çoi të reagonin disa nga krerët fetarë të këtushëm, e të ankohen se ndryshimet kushtetuese janë bërë ilegalisht, pa pëlqimin e Kuvendit të BIM-së. Këto ditë ata shpalosin shumëçka lidhur me veprimtarinë jolegjitime të kryetarit të tyre, por thëniet e tyre i ngjajnë këngës së këndesit të vonuar, i cili nuk paralajmëron agimin, por ditën me shi. Kështu që shumica e besimtarëve të këtushëm mbetën thuajse të shurdhër ndaj deklaratave të tyre publike, mbase shkaku se qëmoti e kishin kuptuar se hoxhallarët kurrë nuk grinden mes tyre,shkaku i sqarimit të ndonjë Ajeti Kuranor, e as atëherë kur merren me shpjegimin e rrugës që të çon në parajsë, por vetëm atëherë kur është në pyetje thellësia e xhepit të kapotës së tyre.

Si do që të jetë, BIM sot ndodhet aty ku edhe e ka vendin një institucion fetar, që bëhet shërbëtore e partive politike. Pra, ajo ndodhet aty ku e ka vendin një institucion që duhet t‘u përkushtohet kërkesave të besimtarëve, e jo atyre të partive politike. E sa u përket partive të këtushme politike shqiptare, besimtarët e këtushëm kanë përshtypjen se PDSH-ja më së miri di si t‘ua lidhë çallmën hoxhallarëve të këtushëm, e t‘i bëjë të dëgjueshëm, përderisa është në pushtet, e Ali Ahmeti assesi nuk ia del të dallojë se cilët hoxhallarë janë shërbëtorë të Zotit, e cilët janë nëpunës të djallit, që pastaj ta ketë më të lehtë të kuptojë se BIM nuk ka probleme se si ta sforcojë besimin te popullata e këtushme, po si të shtojë verbërinë e saj, si ta bëjë sa më të padukshme atë që ndodh në BIM.

Qëndrimi i partisë së Ali Ahmetit, që të mos ndërhyjë në një institucion ku i është ndaluar hyrja politikës së ditës, është i drejtë dhe shumë i moralshëm, por i vonuar dhe joefikas për një shoqëri ku çdo gjë është helmuar nga zënkat ndërpartiake, ku detyrat e hoxhallarëve dhe politikanëve prej moti kanë vetëm një vijë të qartë ndarëse: të gjallët janë në duart e partisë, e të vdekurit në duart e hoxhallarëve. Pra, ky qëndrim i BDI-së, që të qëndrojë anash zënkave të BIM-së, është i vonuar dhe joefikas për një shoqëri, në të cilën njerëzit e kanë më të lehtë të ndërrojnë religjionin, se sa partinë. Andaj, edhe pa dëshirën e saj, BDI-ja e Ali Ahmetit është bërë pjesë e këtij konflikti brenda BIM-së. Në mos për hiçgjë tjetër, atëherë shkaku se ata që tani janë kundër udhëheqësisë aktuale të BIM-së, këtë e bëjnë në kohë kur erdhi në pushtet BDI-ja. Pra, BIM-në tani duan ta marrin në duar ata që heshtnin gjatë kohës sa ishte në qeveri PDSH-ja. Gjë që për opinionin e këtushëm krijon edhe përshtypjen ndoshta të gabuar, se pas të gjitha zënkave të tanishme, qëndrojnë struktura të mbështetura nga partia e Ali Ahmetit.

Nuk ka dyshim se BIM-ja ka mbetur pengë e paaftësisë së udhëheqësve të saj, që me kohë të bëjnë reforma që do i adaptoheshin rendit të ri shoqëror. Ajo mbeti në duart e strukturave që dikur ishin të pëlqyera nga Lidhja Socialiste e Maqedonisë, mbeti në duart e atyre që ishin të besuarit e shefave policorë. BIM mbeti në duart e atyre që nuk dinin formë tjetër të ekzistimit, përpos t‘i faleshin Zotit në xhami, e t‘i shërbenin djallit nëpër zyrat e sistemit socialist. Si të tillë, edhe me ardhjen e sistemit shumëpartiak, ata bënë të mundshmen që dinin ta bëjnë: u larguan nga qarqet e pushtetarëve maqedonase, e u afruan pranë partive shqiptare. Më të moshuarit i mbajnë mend kongreset e partisë së parë më të madhe shqiptare në Maqedoni, ato të Partisë për Prosperitet Demokratik, ku menjëherë pranë kryetarit të kësaj partie qëndronte ulur edhe kryeshalli i myslimanëve të këtushëm. Kishte shumë nga ata që qysh atëherë thoshin se kjo bashkëshortësi religjiozo- partiake, mund të lindë vetëm ndonjë bastard që do njollosë edhe religjionin edhe politikën. Por, asokohe, kryesuesit e BIM-së, mbroheshin se janë vënë në shërbim të interesit kombëtar. Pra, ata që deri dje thoshin se socializmi është djepi më i rehatshëm për fenë islame, ata që shpjegonin se sa i rrezikshëm është për Jugosllavinë e Titos "irredentizmi" shqiptar, tani u bënë atdhetarë të flaktë. Dhe si të tillë, s‘kishte si të mos ishin të përdorshëm për partitë politike. Si të tillë, partitë e këtushme shqiptare i pranuan krahëhapur, duke i përdorur ashtu siç mund të përdoret ai që nën kapotën e hoxhës fsheh pallton e nëpunësit të djallit.

Padyshim se kur një institucion fetar vihet në shërbim të politikës së ditës, atëherë nuk pësojnë as hoxhallarët as politikanët, por llogarinë e paguajnë besimtarët. Sepse, aty ku hoxhallarët shesin politikë, e politikanët ua lidhin çallmat hoxhallarëve, nuk ka as politikë as religjion, por vetëm xhepa të thellë që presin të mbushen. Më në fund, ka diçka që i bën të ngjashëm politikanët dhe disa punëtorë fetarë: forca e tyre është proporcionale me verbërinë e besimtarëve. Kjo ngjashmëri është ajo që ata i çon herë pas here të bashkëpunojnë mes tyre. Dhe të bëjnë çmos që verbëria të jetë sa më e plotë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora