E premte, 26.04.2024, 11:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Ferid Selimi: Bisedë me Ramadan Rexhepin, shkrimtar nga Presheva...

E diele, 10.08.2008, 03:13 PM


Bisedë me Ramadan Rexhepin, shkrimtar nga Presheva që për 45 vjet me radhë, jeton dhe vepron në Malme të Suedisë.

Aty ku nuk ka mbret, ka popull, ka njerëz!

Bisedoi: Ferid Selimi

NT: Ramadan Rexhepi u lind më 1940 në Preshevë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Normale e përfundoi në Prishtinë ku edhe filloi studimet e larta në gjuhë dhe letërsi angleze për t’i përfunduar në Universitetin e Upsalës në Suedi. Për opinionin është i njohur me “Kumbonaret” përmbledhje me tregime të botuara nga “Jeta e Re” në Prishtinë më 1963, vepër kjo e botuar sërish në vitin 1998, nga Shtëpia e Kulturës “Abdullah Krashnica”e Preshevës. Ishte ndër krijuesit e parë që viteve të  pesëdhjeta të shekullit të kaluar në Kosovë, së bashku me Demaçin e Kallushin, shkroi dhe botoi në prozë. Më vonë, në Suedi, botoi edhe “Dilemat e Emrush Dokos” roman satirik dhe “Gjurmë dhe Gjemba” udhëpërshkrim. Ndërkaq disa novela, drama, melodrama dhe romani i filluar këtu e pesëdhjetë vjet më parë i titulluar “Udhëkryqi” gjenden ende të pabotuara.

NT: Kishim frikë edhe nga “shumarët” që silleshin kah mali i kishës e na trembnin

Perspektiva: Zotëri Rexhepi, si do të donit të fillonim këtë bisedë për Revistën “Perspektiva”?

 R. Rexhepi: Nuk e di, si të them, do të fillojmë nga pritja që m’u bë në Preshevë. Jam i impresionuar. Më duhet të veçoj manifestimin kushtuar 45 vjetorit të veprës sime të parë. Mbase kjo do të ishte një fillim i mbarë i bisedës sonë. Të afërmit, fqinjët dhe miqtë, më pritën shumë mirë. Të mos harrojmë, unë nuk isha i pranishëm për shumë kohë dhe kjo pritje që më bënë ishte një surprizë për mua. A e kam merituar gjithë këtë dashuri? Nuk e di, shpresoj ta kem merituar. Jam i gurëzuar nga respekti. Kam ardhur rastësisht dhe jam shumë i kënaqur. Për këtë kënaqësi merita ju takon juve.  Por, kam një problem. Gjatë kohës sa kam qenë në mërgim, jemi mësuar të dalim me “mesazhe e fjalime” patriotike. Andaj do të mundohem të mos e bëj një gjë të tillë. Hahaha.

Perspektiva: E filluam me ardhjen tuaj këtu. Por do të doja që lexuesit tanë të dinë arsyen e ikjes suaj nga Presheva

R.Rexhepi:  Shkuarja ime në Suedi, nuk ishte e planifikuar. Ajo ishte spontane. Kur e mendoj tani, paksa më duket edhe mua e çuditshme, por... Aso kohe, takova mikun tim tashmë të ndjerë Ramiz Latifin, drejtor i atëhershëm i shkollës së Caravajkës, i cili m’u ankua se nuk kishte kuadro për nxënësit e shkollës së fshatrave malore ku ai shërbente. Nuk donte askush të shkonte për të punuar arsimtar në Karadak. Unë nuk ngurrova. Menjëherë i premtova që do të shkoja atje, por shkuarja dhe qëndrimi im mbase një javor, ndryshoi shumëçka në jetën time.

Perspektiva: Pse nuk donin të punonin atje?

R. Rexhepi: Nuk donin ngase, atëherë nuk ekzistonte xhadeja e asfaltuar. Ishte një rrugë shumë e vështirë. Pastaj nuk kishte infrastrukturë të rregulluar. Arsimtarit i duhej të qëndronte në Karadak një javë. Nuk kishte mundësi të shkohej dhe të vihej brenda ditës në Preshevë. Ishin ditë të vështira ato.

Perspektiva: Po ju, si normalist a s’ishit më i vyeshëm në Preshevë sesa në Caravajkë?..

R. Rexhepi: Isha, si jo. Kuadro të tilla i duheshin Preshevës. Por unë kisha hallin e fshatarësisë. Pastaj e doja natyrën dhe pata filluar të shkruaja. Shpresoja që atje do të kisha mundësi të përfundoja prozën time të gjatë, të titulluar “Udhëkryqi”, që pata filluar ta shkruaja. Andaj, i premtova drejtorit të asaj shkolle që do të shkoja të punoja atje. Dhe shkova. Mirëpo, çfarë ndodh. Pas një jave vjen vëllai im e m’u lut të kthehesha në Preshevë, ngase një zyrtar i atëhershëm (serb) kishte marrë në pyetje babanë tim. Ai m’u lut të kthehesha ngase nuk ndjeheshin rehat. Unë u ktheva në Preshevë. Shkova te ai zyrtari dhe u interesova pse nuk më lejonin të punoja në Caravajkë. Ai thjesht më tha: ka mungesë kuadrosh dhe më tepër i vyeja Preshevës se Karadakut. Po të mbetesha në Caravajkë mbase nuk do të ikja në Suedi. Nuk i dihet, mbase do të botoja “Udhëkryqin”, këtë vepër që edhe më tutje është manuskript e që e njohin miqtë e mi të ngushtë.

NT: Problem është të shkruhet, botimit i vjen koha

Perspektiva: Çfarë ju shtyri të fillonit “Udhëkryqin” ose çfarë ju motivoi të hynit në botën e letërsisë?

R. Rexhepi: Dyzet e shtatë vjet më parë, preshevarët, punonin nëpër ara duhan, korrnin, fshinin lëmë, paguanin “porez” kishin frikë edhe nga “shumarët” që silleshin kah mali i kishës dhe na trembnin. Ishim në kohën e kazmës dhe kërbaçit. Dhe vetvetiu më lindi pyetja: çka bën njeriu për këtë popull? Nuk e kisha lehtë të gjeja rrugën. Shtypje e madhe ekzistonte atëherë. Pastaj vetë gjeografia ishte kundër nesh. Afër Kosovës e larg saj. Si thoshte Noli “afër detit i palarë...” Ishin këto arsye mjaft të forta që unë nisa këtë rrugëtim të gjatë e të mundimshëm.

Perspektiva: A ik ky mendim juaji kah realizmi socialist që mbretëronte asaj kohe?

R. Rexhepi: Kjo, tani, tingëllon si soc-realiste por jo, t’ju them të drejtën se çfarë do të bëhesha mësova nga populli im. Atëbotë dilja kah kisha, gurishta e deri te mali i Norçës. Përpos tjerash më kujtohet një bashkëqytetar imi që aso kohe më pati thënë: “Shkruaj bre Ramadan diçka se s’jemi në rregull”. Shkruaj, por çfarë të shkruaja se... Ajo që ndodhte ishte heshtja e vuajtja dhe duhej mësuar të tjerët. Dhe kështu, si veprojnë gjithë të rinjtë, fillova me vjersha, por nuk më kujtohen ato.

Perspektiva: Po Kumbonaret?

R. Rexhepi: Këto tregime ishin dromca nga “Udhëkryqi”. Pastaj morën kahe tjetër. Më kujtohet kur Esad Mekuli na thoshte : “Shkruani diçka për Jetën e Re”. Unë mora disa nga fragmentet që kisha shkruar në “Udhëkryqi” dhe nxora tregime që më vonë u botuan edhe në përmbledhjen “Kumbonaret” e që unë nuk e kam pasur në dorë, jo deri para disa ditësh kur miku im, Jonuz Fetahaj, shkrimtar, ma dhuroi nga biblioteka e tij. Po flas për versionin e parë. Ndërkaq versionin e dytë të botuar para dhjetë vjetësh, ma dhuroi bashkëbiseduesi im. Që të dytë i falënderoj. Ndërkaq, si Udhëkryqi ashtu edhe shumë vepra tjera mbetën të pabotuara, po presin. Do të pyesni pse nuk i botoni. T’u them të drejtën, botimi nuk është i rëndësishëm, problemi është të shkruhet e botimit i vjen koha.

NT: Një popull që nuk është i lirë, nuk ka të drejtë të ëndërrojë

Perspektiva: Si duket, juve ju ka interesuar më tepër proza...

R. Rexhepi: Po. Ç’është e vërteta tregimet e gjata, përrallat... Unë i quaja “përralla  pa mbret”. Pa mbret, ngase aty ku nuk ka mbret, ka popull, ka njerëz. Tani mund të pyes veten, a isha i gatshëm të shkruaja? Isha, por jo edhe sa duhet. Në ato kushte u kristalizua ideja e fshehtë se një popull që nuk është i lirë, nuk ka të drejtë të ëndërrojë. Në këto anë, aso kohe, fshehurazi, shpërndaheshin idetë e Metush Krasniqit. I dëgjonim në heshtje se ishte kohë e vështirë. Këto më inspiruan, por, s’dija si t’i shprehja. Kështu filloi ideja e të shkruarit  “Udhëkryqi”.

Ju ëndërronit një shoqëri pa sundues, pa mbret...?

R. Rexhepi: Gjithkush ëndërron kur është i ri. Por, ëndrra... dhe realiteti... Sikur të mos e kishim ëndrrën, jeta do të ishte e kotë. Ëndrra është ajo që ka nxitur njeriun të evoluojë. Të shkruheshin vepra patriotike nuk ishte e lehtë. Shoqëria e atëhershme shtirej si revolucionare, por për ne ishte e ndaluar të botoje diçka të tillë. Të ëndërroje për lirinë e madhe nuk ishte lehtë. Në ato tregime që shkruanim duhej të nxirrnim një farë vegëze të mos vërehej kritika, ngase nuk botohej. Duhej gjetur forma për të nxjerrë në pah të vërtetën. Ishte kohë e vështirë.

Perspektiva: Pse mendoni kështu?

R. Rexhepi: Sepse, duhet të jesh i lirë për të ëndërruar diçka të madhe. Ishte koha kur nuk duhej të dorëzoheshim. Në këtë trevë, aso kohe, kishte të burgosur politik. Po, kishte. Më kujtohet mirë, derisa rrija një ditë në bahçen tonë, pashë policët kur sollën Ali Aliun, (ekonomist në pension nga Presheva, sh. a)  me pranga. Më vonë ai u dënua me tetë vjet heqje lirie. Këto mbresa i mora me veti edhe në Prishtinë.

Perspektiva: Keni fjalën për fillimin e viteve gjashtëdhjeta?

R. Rexhepi: Po. Fundi i viteve pesëdhjeta e fillimi i viteve të gjashtëdhjeta. Më kujtohet agu i vitit 1963, duke vizituar Ohrin me një grup shkrimtarësh nga Kosova, arrita të kuptoja se malet përtej liqenit i takonin Shqipërisë. Ndjeva një mall të çuditshëm. Aty ishte toka arbërore. Atdheu ynë, e ne nuk kishim të drejtë të dilnim e t’i zgjatnim dorën vëllezërve tanë. E kuptova që ka një kufi që po na ndan nga vëllezërit tanë, siç po na ndan sot me Kosovën. Aty më lindi ideja se pa bashkimin e kombit, ecja jonë do të ishte e vështirë, mu si ecja e të verbëtit i Radoje Domanoviqit. Kuptova që një popull që nuk gëzon të drejtat e veta, duhet të luftojë dhe të kërkojë ato. Kësisoj u politizova dhe u ndava nga arti për një kohë, por nuk pendohem.

Perspektiva: Po gjuha?

R. Rexhepi: Në gjuhë ishim gjysmak. Më mirë e njihnim serbishten se shqipen. Ne lexonin serbisht. Libra shqip nuk gjendeshin lehtë. Librat shqip që mund të siguroja, i fusja nën sqetull dhe i lexoja në mal. Në Kosovë, patën filluar të botoheshin librat e parë në gjuhën shqipe. Por, vështirë i siguroje. Këtu pari vërtitej Mirko Gashi. Ai ishte shumë i motivuar por nuk e zotëronte mirë gjuhën. Andaj edhe po të dëshironim të shkruanim shqip, nuk e zotëronim fjalën. Fjala është fuqi ka thënë Strinbergu.

Perspektiva: Thatë që ishit gjysmak në gjuhë, por sot sipas informatave që kemi, ju jo vetëm që zotëroni mirë gjuhën shqipe por edhe shumë gjuhë të tjera të botës.

R. Rexhepi: Po, është e vërtetë. Gjuhën shqipe e ruajta me xhelozi. Përdorja teknikën e të incizuarit të tregimeve dhe i dëgjoja shpesh. Ngase në kohën kur unë emigrova, thua se në Suedi nuk kishte shqiptarë. Ose edhe kishte, por, nuk shiheshin. Pastaj ndodhi unifikimi i gjuhës shqipe. Unë edhe si i ri isha i interesuar për gjuhë. Atëbotë jepja mësim në gjuhën frënge edhe pse studioja anglishten. Më vonë në Suedi mësova gjermanishten, spanjishten, rusishten, suedishten etj. Unë kujtoj që sa më shumë që njeriu di gjuhë, për aq është më i pasur dhe më komunikativ. Andaj do të ishte mirë të mësohen gjuhët e popujve tjerë.

Perspektiva: Sot, pas dyzet e pesë viteve, sheh ndonjë dallim?

R. Rexhepi: Tani, po konstatoj që pjesërisht i keni realizuar ëndrrat e pjesërisht edhe disa nga aspiratat e këtij populli. Por, mbetet edhe shumë për të bërë. Një pjesë e popullit tonë doli nga robëria. Kufiri më nuk është në Slloveni, por, në Austri, Gjermani, Belgjikë. Edhe Presheva ka hyrë në Evropë. Edhe Shqipëria ka hyrë në binarët e demokracisë. Ne, aso kohe, nuk guxonim të shkonim në Durrës. Tani shumë bujanocas, preshevarë e kumanovarë shëtisin lirshëm nëpër plazhet e Shqipërisë. Por kjo nuk do të thotë që të ndalemi e të kënaqemi me kaq.

Perspektiva: Është ky mesazh për lexuesit tanë, apo mbase, keni edhe më, për të thënë?

R. Rexhepi: Unë kujtoj që shkrimtari ka këtë rol. Të jep mesazh. Unë, gjithnjë mundohem të jem fjalë pakët. E thashë edhe më herët, ëndrra njeriun e ka ushqyer që të lëviz. Tani meqë m’u dha rasti, do të përshëndes të gjithë lexuesit, profesorët, arsimtarët dhe nxënësit e kësaj ane. Mesazhi im, e theksova edhe në fillim të bisedës, nuk do t’i ngjasojë atij mesazhi “patriotik”, por do t’i kisha sugjeruar lexuesit tuaj që të lexojnë sa më shumë, sepse vetëm me lexim do të ruhet dhe pasurohet gjuha.

Perspektiva: zotëri Rexhepi, faleminderit për kohën e ndarë me ne.

R. Rexhepi: Ishte kënaqësi për mua.



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora