E premte, 26.04.2024, 03:38 AM (GMT+1)

Kulturë

"Live to tell" ose "Rrno për me tregue"

E shtune, 09.08.2008, 12:34 AM


Kathleen Schank/ Përkthyesja "Rrno për me tregue", në gjuhën angleze, tregon emocionet dhe vlerat e veprës së At Zef Pllumit

"Kam komunikuar me At Zefin nëpërmjet telefonit e në shumë prej këtyre rasteve unë i lexoja pjesë nga përkthimi që isha duke i bërë veprës së tij. Gjithashtu kemi shkëmbyer edhe një sërë letrash me njëri-tjetrin. Ishte gjithmonë një kënaqësi të komunikoje me atë njeri të madh, ishte një privilegj i lartë... Ai më mësoi se "jeta është si një lule që ka përherë nevojë për t‘u kultivuar, për të njëjtën gjë ka nevojë edhe dashuria. Ajo kërkon shumë durim".

Kathleen Schank ndihet krenare që i është dhënë mundësia të përkthejë në gjuhën angleze një vepër të të tilla përmasave, si ajo e At Zef Pllumit. Për të, fillimisht interesi për të përkthyer "Rrno për me tregue" lindi nga dëshira për të njohur më nga afër një vend kaq të vogël si Shqipëria, i cili për një kohë të gjatë ka qenë i izoluar nën diktaturën komuniste. Vepra nën përkthimin e Katheelin Schnak, prej disa ditësh ka dalë në qarkullim edhe në sitin në internet, Amazon.com. Vetë përkthyesja e pohon këtë fakt si dhe interesin e lexuesit ndaj njërit prej librave më tronditës shqiptarë që trajton historinë e komunizmit në një përvojë të dhimbshme personale, atë të priftit françeskan At Zef Pllumi. Parathënia mbi librin e përshkruan vëllimin si një prej librave që jep një anatomi të asaj çka ndodhi me Shqipërinë pas vitit 1944, pas ardhjes së komunistëve në pushtet.

 

Znj. Schank, ju keni përkthyer në gjuhën angleze veprën e At Zef Pllumit, "Rrno për me tregue" ("Live to tell"). Prej sa kohësh jeni marrë me të?

Me përkthimin në anglisht të librit unë jam marrë prej disa vitesh.

A ka qenë e vështirë ta përktheni, përshtatni në anglisht, duke qenë se ai në origjinal është shkruar në gegërisht, e jo në shqipen letrare?

Në fillim ka qenë e vështirë, por mbas pak kohe i kalova ato vështirësitë e fillimit. Natyrisht "gegërishtja" është një dialekt sa i bukur, aq edhe i vështirë i gjuhës shqipe. Më ka ndihmuar shumë edhe zoti Petro Zheji, për t‘ia dalë mbanë në realizimin e veprës në gjuhën angleze.

Si ndodhi që zgjodhët pikërisht veprën e At Zef Pllumit?

Që në momentin që më ra në dorë për herë të parë vepra e At Pllumit, unë kuptova se ishte një histori jo vetëm me shumë rëndësi për ato që ajo përshkruan, por edhe pse ajo vinte nga një vend shumë larg Amerikës, dhe sepse ishte shumë larg mendimeve tona të zakonshme. Për ne, në vendin tonë, këto janë të reja që nuk i hasim çdo ditë. Isha e frymëzuar të bëja përkthimin për lexuesit anglisht folës.

Si është pritur libri në SHBA?

Libri është pritur shumë mirë, dhe pak nga pak po gjen interesin e popullit, në universitete dhe kisha të ndryshme. Po shiten kopjet jo vetëm nëpërmjet librarive, por edhe nëpërmjet internetit ka nisur të shiten shumë kopje. Ka shumë njerëz të interesuar për t‘u njohur me historinë e At Zefit.

Cili është mendimi juaj për veprën dhe sidomos për një personazh si At Zef Pllumi?

Vepra tregon një histori të vërtetë, që një njeri i guximshëm si At Pllumi ndërmori ta tregonte. Ne tani, dhe në gjithë botën, kemi shumë dëshirë të dimë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë ka ndodhur në periudhën e Luftës së Dytë Botërore dhe në Shqipërinë komuniste. At Zefi është një personazh jo vetëm simbolik, që ka jetuar një jetë antikomuniste, dhe ka rezistuar për fenë katolike në Shqipërisë. Si At Zefi kanë vuajtur edhe shumë besimtarë e klerikë të tjerë, por një personalitet si ai ka ndihmuar shumë në përpjekjet për të mbajtur kishën katolike, si dhe lirinë fetare në Shqipëri.

Keni ndërmend ta vizitoni Shqipërinë, të njiheni më shumë me të?

Jam shumë e lumtur që tani kam librin e botuar. Shumë shpejt, në muajin shtator, së bashku me tim shoq do të vizitojmë Shqipërinë, vendin tuaj të bukur. Do të shkojmë patjetër edhe në Shkodër, në vendin ku ka jetuar At Zef Pllumi, dhe ku kanë ndodhur shumë nga ngjarjet e "Rrno për me tregue". Po vijmë në një moment kur të gjithë e kujtojnë dhe tregojnë një respekt të veçantë për At Zefin. Për mua është fat i mirë që do të kem rastin të takohem me disa nga kolegët e tij, dhe për të parë vendlindjen e tij. Natyrisht më vjen keq dhe trishtohem se po vij në një kohë kur At Zefi vetë nuk po më pret në Shkodër, por besoj se do të jem e mirëpritur nga shpirti i tij.

Sa e njihni ju Shqipërinë?

Në vitin 1997, kur ishim në universitet në Milwaukee, unë jam takuar me Vlash Drobonikun. Kur u njoha me familjen e tij, pata edhe kontaktin tim të parë me Shqipërinë. Unë kam vizituar Tiranën dhe Beratin, dhe duhet të them se më kanë pëlqyer mjaft.

A keni në plan që t‘i kushtoheni një tjetre vepre në gjuhën shqipe?

Unë kam në plan të vazhdoj me librin "Rrno për me tregue", me vëllimin e dytë dhe të tretë të veprës së At Zef Pllumit. Gjithashtu mendoj se do t‘i kushtohem edhe një studimi të Petro Zhejit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora