Kulturë
Daniel Gazulli: Në udhëtim
E hene, 09.11.2015, 08:56 PM
Nga Fritz RADOVANI:
TRI VJETË DREJTË PAFUNDSISË !
Kështu të njoha!
Nuk dij se ke ndryshue!
Gjithnjë kur të kujtoj...
Më duket se më thue:
“Jam në udhëtim!..”
Poezia Yte më ban me t’ “Besue”...
O Miku im...
NGA DANIEL GAZULLI:
NË UDHËTIM
Në udhëtimin tim,
sovran i një shpirti të çliruem nga prangat,
që shpesh të venë urrejtja dhe smira,
u përpoqa t’i jepja kuptim jetës,
ndërsa lodhesha në shkronja të pjerrta librash të vjetër,
apo përpiqesha të deshifroja vështrimin shpërfillës të yjeve
në shoqninë e një heshtjes që gdhente dhimbjen mbrenda meje;
mendimet treteshin deri atje përtej ku nuk arrijti kurrë
syni i njeriut; rrezatimi i tyne depërtonte
tej çdo rontegeni në galaktika mjegullore
dhe gjithë bota që më rrethonte tashma ishte mbrenda meje:
drita përshkonte çdo skutë të errtë
e më davariste trishtimin.
Udhëtoja në detin e jetës mes dallgëve të Fatit,
që përditë më ngushtonte horizontet
e më burgoste andërrat e shkronjat m’i ndryshkte,
përkrah udhëtarësh të tjerë me frikën e së nesërmes në bebëze,
me andërrën e Lirisë në qerpik, kthye tashma në një mirazh,
që zhdukej porsa binte mbramja
dhe mbylleshim në një dhimbje memece.
Po kurrë nuk e humba Zotin e Shpresës e të Qetësisë
dhe vazhdova udhëtimin drejt Tij pa lutje të më dhuronte
ma shumë se orët, ditët, vitet e jetës, që bujarisht më kishte dhanë,
ndërsa i gëzohesha edhe një luleje të egër
çelë në mes rrenojave të faltores së shembun nga dora e padijes;
nuk prita si ata që çdo mëngjes
presin vejushat të dalin nga shtëpia
e pastaj përhumben në ekstazë para një gote rakie pa meze
në ajrin e ndotun nga tymi i duhanit;
udhëtimin vazhdova shtegut në mes pyllit të zhytun në mjegull,
sepse e largët nuk do të ishte drita jetëdhanëse e diellit,
që ban të drejtohet e të gjelbrojë edhe atë bimëzën që nën gur
ka kalue e mardhun dhe e zbehtë dimnin.
Udhëtova bashkë me shpirtin e dhimbjes e të mundimeve
në kërkim të Zotit të Shpresës e të Dritës,
që ndriçon në thellësi të qenies së secilit.
***
Shenim nga FR: Me 12 Nandor 2012, na la një nga Figurat e Nderueme të Gazullorëve, që vetem koha, do të sjellin Vlerat e Përjetëshme të Danielit Gazullit tek brezat e rij.