Kulturë
Qazim Shehu: Rrënjët e psherëtimës
E diele, 26.07.2015, 10:50 AM
RRËNJËT E PSHERËTIMËS
QAZIM D. SHEHU
+++
Vallëzojnë gjethet në freski,
Drejt orëve të shkurtra,
Minutat.
Një valle hedh dora ,
Për tek dora,
Syri vallëzon brenda syrit,
Toka në orbitë
Vallëzon me yjet…
E gjithë jeta një vallëzim ,miku im,
Një rend e çrend pafund,
Herë me ngazëllim e herë trishtim,
Rruzuj të trishtë nga supet shkund…
URNAT E URISË
Ca fije shiu i qepin çorapet,
Ca rreze dielli zemrën
Ia qepin me plagët.
Dorën shkathtëson uria,
Në kupë të saj farë e fjalës së mekur,
Me ironinë e një leku.
Si një diell rrokullisur në hon,
Uria në gjymtyrët e tij gjëmon…
MOTIVET
Nga viset e instiktit vijnë shpesh,
Dhe nga një ndërgjegje e nakatosur,
Fryma jonë si ajri xhamin vesh,
Ngroh kryeneçësinë e tyre të pasosur.
Si do i nënshtrojmë?Bukuroshet e paepura
Që na kalojnë pranë e s`na hedhin sy?
Mbetet t`u rrimë gati, t`ua gjejmë mendjen e fjetur,
Ndonjë portë që s`u kanë vënë dry…
BUTËSI
Prej maleve duhej të merrja vrazhdësinë,
Çuditërisht butësinë mora.
Këta tempuj me kokën në re tek u thinjën,
Ngaqë deshën diellin tek i ftohte bora,
Gjithë çfarë ëndërruan ma lanë tek dora…
RRËNJËT E PSHERËTIMËS
Humbet një psherëtimë në kraharor
Mermer shkëlqyes dridhet e feks,
Ç`ndjenjë u ndrydh ,u bë theror,
Kur u hepuan sytë e zes?
Ec e mendo dhe dysho,
Për vlimin tënd të shuar,
Rrënjë e psherëtimës është ajo
Që çel një lule të përmalluar…
BURIMI
Me gishta currilash përkëdhel
Fije
Me etje mendja aty më ngel
Se jam bir i kësaj ujëdhishte.
Zjarrin e ujit tek dëgjoj
Që digjet në thellësi,
I zgjas duart, i bashkoj
Me gishtat e tij…
NYJE
Ajo që duhej të ishte kaq e thjeshtë
Papritur lidhet nyje,
Dhe as Antika, as të mëdhenjtë
S`e thonë këtë farë historie…
Pse në tokë pasuria
Shkon në drejtim të zhdrejtë,
Dhe pse herë herë dashuria
Thahet si përrenjtë?
Dhe besime kaq të thjeshta
Vijnë e rroposin fate,
Seç lidhet nyje nyje jeta
Si lëmsh në tehe shpate…
Në prehër të ditëve përkundet
Dëshirë e paktë e kundërshtimit,
Dhe nga qielli e ardhmja ulet,
Për të dhënë një shpresë prej fillimit…