E diele, 10.11.2024, 05:51 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: 40 vjetori i vdekjes së Ernest Koliqit

E diele, 14.06.2015, 07:17 PM


BESOJMË NË SHQIPËRI DHE NË VIRTYTET E KOMBIT SHQIPTAR

(Me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së Ernest Koliqit)

Nga Frank Shkreli

Këtë vit janë mbushur 40-vjet nga koha kur ndërroi jetë Ernest Koliqi, njëri prej shkrimtarëve më të njohur shqiptarë për periudhën që jetoi, pjesën më të madhe e të cilës ai e kaloi në mërgim, në Romë të Italisë, ku pat botuar edhe rëvistën Shëjzat për një periudhë 20-vjeçare.  Nepërmjet revistës Shëjzat si dhe veprave të tjera në perëndim, Ernest Koliqi vazhdoi të bart trashëgiminë e autorëve dhe shkrimtarëve më të njohur shqiptarë të para Luftës së Dytë Botërore, të cilët para se të vriteshin ose të detyroheshin të merrnin rrugën e mërgimit, qenë kritikuar dhe denigruar nga mbështetsit fanatikë të regjimit komunist të Enver Hoxhës.  Me veprimtarinë e tij letrare në mërgim, përfshirë botimin e revistës Shëjzat, Koliqi jo vetëm që u siguroi një platformë shkrimtarëve kundërshtarë të regjimit komunist shqiptar, por sipas albanolugut të njohur Robert Elsie, Ernest Koliqi, “shërbeu edhe si një zë i largët opozitar ndaj shkatërrimit kulturor të Shqipërisë nën qeverisjen staliniste”.

Mbledhës dhe studiues i njohur i traditave kulturore dhe folklorike të shqiptarëve, Ernest Koliqin, për fat të mirë, e kisha takuar disa herë në Romë gjatë qëndrimit tim atje si refugjat, por edhe në Amerikë në fillim të 1970-ave, ku vinte për tu takuar me komunitetin shqiptaro-amerikan, para se të ndërronte jetë në vitin 1975.

Për mua dhe për ata që e kanë njohur për së afërmi, profesor Ernest Koliqi ishte atdhetar i flakët, njeri i thjeshtë, i ndershëm dhe i afrueshëm me të gjithë.  Këtë atdhetarizëm ai nuk hesitonte ta ndante me të tjerët në biseda shoqërore të rastit, nepërmjet komunikimit me letra dhe në artikujt e botuar, sidomos kryeartikujt e tij në revistën Shëjzat, por edhe me anë të librave dhe veprave të ndryshme letrare, përfshirë edhe poezinë.  Veprat e Koliqit janë një trashëgimi e pasur kulturore dhe me vlerë atdhedashurie për brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm të shqiptarëve, sepse Ernest Koliqi i përkiste atij grupi patriotësh shqiptarë, të urtë e të shkolluar në perëndim, të cilët nuk kursyen asgjë dhe bënë çdo gjë të mundur për të lartësuar vlerat shpirtërore dhe kombëtare të shqiptarëve, jo vetëm në radhët e vet shqiptarëve, por edhe në arenën ndërkombëtare.  Ai i përkiste atij brezi patriotësh që besonte se jeta shqiptare përmbante në gjirinë e sajë një bukuri shekullore që e bën të denjë jetesën.  Por, sipas Koliqit, duhej që këto bukuri morale të shqiptarit të viheshin në dukje nga dikush për vet shqiptarët dhe për botën rreth tyre. Ai pohon se Fishta, Naimi dhe Mjeda ishin ndër ata që bënë një gjë të tillë duke pasqyruar këto velar shekullore të trashëgimisë shqiptare.  Koliqi ka shkruar se, “Fishta kërkoi nji gozhdë ku me varë arsyen-qenjeje (ubi consistam) të kombësisë shqiptare.  E gjeti ndër vetitë stërgjyshore të malsorvet.  Naimi na paraqiti Skanderbegun e bashkluftarët që e rrethojshin si bosht të nji Shqipnije gjallnike, motër me kombet europiane.  Mjeda e valviti kreninë e fisit n’avullime të prarueme të lashtësisë illyre”, ka shkruar profesor Ernest Koliqi.

Është kjo lashtësi mijavjeçare e kombit shqiptar, të cilës Koliqi i ka kushtuar poemthin me titull, “Symfonija e Shqipevet”-- një prej veprave të tija që frymëzon atdhetarizmin dhe lartëson shpirtin e lexuesit edhe sot.  Aty ai parashtron në këtë hartim poetic, “vargun e ngjarjeve ma të spikatuna, nga zanafilla e largët e deri në Rilindje të vonë, nepër të cilën u përshkue gjindja e gjakut shqiptar”.   Ngjarjet në këtë poemth fillojnë me kohën e Ilirëve e përfshijnë periudhat deri në ngritjen e flamurit në Vlorë.  Koliqi shkruan se qëllimi i këtij poemthi -- të cilin e kishte hartuar së pari heret në jetën e tij, gjatë 1930-ave, “në një moshë entuziazmi”, e të cilin e ka korigjuar më vonë në mërgim siç shprehet ai, “në muzg të jetës s’eme ku prej flakës e prushit të entuziazmit rinuer gjithnji tepruan do gaca nepër shpuzë”, është për të forcuar besimin në atdhe me një krijim mitesh shqiptare, të cilat sipas tij, dëshmojnë se asnjë pengesë dhe shkatërrim gjatë historisë nuk mundi të shuante palcin gjallnues të rodit tonë.  Qëllimi tjetër i botimit të kësaj simfonie valvitëse fjalësh fantastike, sipas autorit, ishte “për të ndjellë agime ma të këthjellta popullit shqiptar”, në të ardhmen.

Kur fliste e shkruante për Shqipëri, Ernest Koliqi nuk kishte në mend vetëm Shqipërinë e kufijve të sotëm, por një Shqipëri që përfshinte shqiptarët e të gjitha  trojeve autoktone në Ballkan. Nepërmjet tre poetënve imagjinarë në “Symfoninë e Shqipevet”, ai shprehë besimin e tij në një Shqipëri e cila megjithë, “errësitë e natës” -- ndërkohë që ky besim në Shqipërinë dhe në kombin shqiptar mungonte në kohën e tij dhe disa mund të thonë se mungon edhe në ditët e sotëme – ai prapseprap shpreson dhe beson se virtytet e mëdha të kombit shqiptar, do t’i mbeten trashëgimi brezave të tanishëm dhe të ardhëshëm anë e mbanë trojeve shqiptare, duke shprehur besimin e tij me tre poetënit e “Symfonisë së Shqipevet” për një Shqipëri të lirë dhe me drejtësi, në vëllazërim dhe hare, drejt agimeve të reja dhe më të drejta, duke deklaruar se:

"BESOJMË në Shqipni edhe në virtytet e mshefta që ruen gjaku illyro-thrak i bijve të saj.

BESOJMË në misjonin e naltë që Perendia, siç do kombit në botë, i shënjoi edhe kombit të vogël shqiptar, mot e sot në vallen e shekujve të palindun.

BESOJMË në vëllaznimin e madh të Shiptarëve që tue u forcue, ka me i falun fisit t'onë agime ma të drejta.

BESOJMË në punën e Shqiptarëve të vëllaznuem e në lumninë që ka për t'i sjellë kombit parmenda e bujkut, veli i detarit, penda e dijetarit, kullma e farkatarit, buza e poetit, spata e druvarit, mësimi i fetarit, kur këto të lëvizin e të kumbojnë tue veprue n'emnat e ngjitun e të pandamë të Perëndisë e të Shqipnisë.

BESOJMË në fisnikinë e gojdhanave stërgjyshore dhe në lulzimin e ri të këtyne, ndër breznina që ecin prej territ kah drita.

BESOJMË në Flamur t'onë edhe në frytin e vuejtjeve që për Të u bajten në dobinë e gjakut, që për Të u derdh.

BESOJMË në drejtësinë vëllaznore që Flamuri i Shqipnisë ka me sugurue tue rrah i lirë në qiejt që presin diella ma të ndritshëm and'e kand n'atë tokë, ku na përkundi në djep kanga e nji nane arbnore dhe në gji të së cilës shpresojmë me u dhanë pushim këtyne eshtënave të lodhun."

Në këtë 40-vjetor të vdekjes së Ernest Koliqit kujtojmë njërin prej pjesëtarve më të shquar të një “çete të re” të shkrimtarëve më të dalluar të kombit shqiptar të fillim shekullit të kaluar, të cilët ka shkruar ai, mendonin se vetëm duke njohur vetveten dhe duke zbuluar vlerat etnike dhe duke zgjuar fuqitë e fshehta në gjirin e thellë  të kombit shqiptar, mund të përgatitej sheshi për rindërtimin e atdheut mbi themele të shëndosha drejtësie dhe lirie.  “Symfonija e Shqipevet”, thotë vetë Koliqi, është një poemth që nuk përpiqet të bëjë gjë tjetër veçse të jetë një përpjekje për të “këndue lavditë e motshme” në kohët e sotëme, me shpresë dhe me lutje “për nji ngadhënjim të ndiesisë së vëllaznimit arbnuer” të rindërtimit të të atdheut, sidomos për shqiptarët  e brezit të sotëm, në këtë periudhë të historisë vendimesh shpëtimtare dhe historike për kombin shqiptar, të cilin ai e donte shumë dhe të cilit ia kushtoi gjithë jetën dhe veprat. I vetdijshëm ndaj  historisë kobzezë të shqiptarëve gjatë historisë, autori pranon se ndjesitë e tija për një të ardhme më të ndritur për kombin shqiptar, mund të jenë një ëndërrë krenare e shprehur me trajta letrare të ekzagjeruara, dhe i kërkon më në fund fund lexuesit se “Nëqoftse nuk i pëlqen trajta” e paraqitjes së këtij poemthi, atëherë i lutet lexuesit që “Të mos përbuzet ndiesia që më nxiti me ia hy hartimit të këtij poemthi. Kaq mujta, kaq bana”, përfundon ai.

Për trajtën për të cilën fletë autori, unë si lexues nuk mund të gjykojë pasi nuk kam përgatitjen as aftësinë të vlerësoj një vepër të tillë nga një letrar i këtij kalibri, por  për ndjenjat atdhetare të Ernest Koliqit unë nuk kam asnjë dyshim.  Këtë e dëshmojnë të gjithë ata që e kanë njohur dhe të gjithë ata që kanë lexuar shkrimet dhe veprat e tija.  Mendoj se është me vend që në këtë 40-vjetor të vdekjes së Ernest Koliqit ka ardhur koha që jo vetëm të mos përbuzen ndjesitë e tija atdhetare, por që vepra e tij të studjohet dhe kontributi i tij në letërsinë dhe në kulturën e kombit shqiptar të bëhet pjesë e programeve mësimore anë e mbanë trojeve shqiptare, me qëllim rëngjalljeje të idesë kombëtare të shqiptarëve e cila gjatë shekullit të kaluar u shpartallua nga influencat e ideologjive të huaja dhe nga fqinjtë, pasojat e të cilave fatkeqsisht shihen edhe sot e kësaj dite.

 

Faqja e parë e Symfonisë së Shqipeve, dedikuar nga vet Ernest Koliqi –një kujtim dhe dhuratë e paçmueshëme!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora