E premte, 26.04.2024, 08:18 AM (GMT+1)

Mendime

Sabri Godo: Koha e fjalëve të qarta për Kosovën

E diele, 20.07.2008, 02:56 PM


Sabri Godo
Koha e fjalëve të qarta për Kosovën
 
Nga Sabri Godo

Shtetet kryesore të Evropës dhe NATO kanë njohur pavarësinë e Kosovës. BE-ja dhe SHBA-ja i dhanë një ndihmë të fuqishme financiare. Delegacioni kosovar u prit në Washington në nivelet më të larta, presidenti Bush po i rezervon delegacionit takim të veçantë. Amerika qëndron në krah të Kosovës me vendosmëri të plotë. Banka Botërore po shqyrton anëtarësimin e saj, por jo çdo gjë është tërësisht e gjelbër. Nuk jam nga ata që prishin festat por duhet të them se disa zhvillime brenda dhe jashtë Kosovës përbëjnë një shqetësim serioz për të ardhmen e afërt të saj.
Kryeministri i Serbisë, Mirko Cvetkoviç, shpalli në Parlament më 7 korrik se nuk do ta njohim kurrë pavarësinë e Kosovës, që do të thotë se do të vijojnë ta shohin atë si krahinë të ndërvarur. Beogradi nuk e pranon EULEX-in në të njëjtën kohë deklarohet pro hyrjes në Evropë. Qëndrimi i Beogradit mbështetet plotësisht nga Rusia që e do Serbinë si bazë për ekspansionin në Ballkan. Serbët po krijojnë në Kosovë struktura lokale paralele që do të theksohen përditë e më tepër.
Duke interpretuar keqas të drejtat e tyre të autonomisë lokale gjashtë komunat serbe do të vendosin vetë cilat ligje e urdhëresa të qeverisë së Prishtinës mund të zbatojnë dhe si t’i zbatojnë, kurse Prishtina duhet të bëjë kujdes për të mos shkelur në vijat e kuqe të këtyre gjashtë komunave që përbëjnë afërsisht 17 për qind të territorit të saj. Kështu Kosova pushon së qeni shtet unitar, duke i shëmbëllyer lëkurës së leopardit siç ka thënë Shesheli vite më parë. Kështu Kosova kthehet në një konflikt të ngrirë që serbët mund ta nxehin kur të duan. Dhe ky është vetëm fillimi. Në vitet 1990-1991 serbët ndoqën të njëjtën strategji në Kroaci e Bosnjë duke nisur me pushtetin lokal për të dalë pastaj tek pavarësia. Tuxhmani i rrafshoi me luftë ngrehinat lokale serbe kurse në Bosnjë mbiu e u rrit Serbcka Republika.
Çfarë po bën Komuniteti Evropian përballë një kërcënimi të tillë në Kosovë dhe cili duhet të jetë kundërveprimi i vetë liderëve kosovarë?
Ministri i Jashtëm i Francës, Kushner, njohës i thellë i Kosovës dhe rajonit thotë se, EULEX dhe UNMIK duhet të shtrijnë veprimtarinë e tyre mbi gjithë territorin e Kosovës, por kjo do të bëhet me elegancë e pak nga pak.
Ndërkohë do të bëjë rrugë edhe separatizmi serb dhe s’mund të thuhet me saktësi se cila nga palët do të fitojë garën. Komuniteti ndërkombëtar ka krijuar një konkluzion lidhur me organizmat që duhet të mbikëqyrin Kosovën. Me shpalljen e pavarësisë nga Parlamenti i Kosovës, aty duhej të hynte EULEX dhe të dilte UNMIK.
Ndërsa duket se këto dy organizma do të bashkëjetojnë aty për një kohë të pacaktuar e me një ndarje të funksioneve jo dhe aq të qarta.
Sot UNMIK edhe është edhe s’është, kurse policët e paktë e të ndrojtur të EULEX-it do t’u mënjanohen në çdo rast provokacioneve dhe arrogancës serbe.
Praktikisht Kosova mbetet ndërmjet OKB-së dhe Bashkimit Evropian si një zonë e askujt. Ndër të tjera duhet të qartësohet nëse është në fuqi paketa “Ahtisari”, e mënjanuar nga OKB-ja dhe për të cilën punojnë vetëm në Prishtinë, meqë s’mund të bëjnë ndryshe. Për konsolidimin e paqes në rajon komuniteti ndërkombëtar duhet t’i japë fund njëherë e mirë gjendjes ekuivoke në Kosovë. Për sa u takon liderëve kosovarë ata s’mund të shtyjnë ballafaqimin me problemin për një kohë tjetër duke i thënë vetes “bëje o Zot ëndërr”. Ata duhet të ngrenë zërin fort për të kundërshtuar sakatimin e pushtetit qendror dhe minimin nga brenda.

* * *
Përsëritet shpesh se nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Do të thotë se dikush mendon që edhe mund të ketë. Primakovi, ish- kryeministër i Rusisë, ka thënë me kohë se ndarja është e vetmja zgjidhje për Kosovën. Edhe personalitete të tjera kanë thënë aty- këtu se ndarja nuk është opsion për t’u përjashtuar. Ndarja e Mitrovicës është sigurisht edhe synimi i serbëve me kusht që në të njëjtën kohë të forcojnë autonominë e komunave të tyre brenda Kosovës. Këtë ende nuk e thonë me zë të lartë as Beogradi, as Moska. Po do të vijë dita që ta thonë pasi ta kenë gatuar punën nga brenda me tentakulat e strukturave vendore paralele. Lëshimin e Mitrovicës duke marrë në kompensim Luginën e Preshevës e ka përfol edhe ndonjë personalitet nga Kosova.
Eshtë koha të konfirmojmë edhe njëherë se s’mund të ketë kurrsesi ndarje të Kosovës. Ekuilibri i brishtë në Ballkanin Perëndimor është ruajtur disi duke respektuar kufijtë territorialë të republikane të ish-Jugosllavisë që vendosi Tito në kohën e vet.
Lëvizja sadopak e këtyre vijave kufitare do të shkaktonte një reaksion zinxhir në tërë rajonin. Vetë Serbisë do t’i hapeshin telashe në pika të tjera. Këtë kishte parasysh edhe grupi i kontaktit në rezolutën e nëntorit 2005 që theksoi ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës. Rezolutë, e rikonfirmuar, edhe një vit më pas. Nëse në një kohë të volitshme për ta, serbët shpallin befas pavarësinë e Mitrovicës Veriore duke e vënë komunitetin ndërkombëtar para një fakti të kryer, liderët e Kosovës duhet të bëjnë të qartë që tani se ata do të reagojnë për vetëmbrojtje e mbase dhe duke kërkuar alternativa të tjera. Zhvillime të tilla të padëshirueshme bëhen të mundshme në Kosovën e sotme, që ende nuk lihet e lirë të vetëqeveriset. OKB-ja nuk po e lëshon Kosovën dhe Evropa s’mund të thotë se po hyn vendosmërisht në rolin e vet. Ky realitet i rrezikshëm duhet të shihet siç është.
* * *
Sipas burimeve të huaja në njëqind vjet, serbët kanë ushtruar genocid dhe spastrim etnik në Kosovë me 120.000 të vrarë dhe 750.000 të shpërngulur. Genocidi dhe spastrimi etnik i shtrirë në kohë ka qenë i programuar me platforma të bëra publike duke nisur me atë të Garoshanit të vitit 1884, të pasuar me strategji të tjera të zbatuar në përshtatje me rrethanat historike. Megjithatë falë vitalitetit të saj Kosova mbijetoi dhe tani ajo meriton pavarësinë si dhe pak qetësi. Aty 92 % e popullsisë është thjesht shqiptare, megjithatë Kosova u cilësua shtet multietnik, ndërsa gjithë shtetet e Ballkanit kanë minoritet disa herë më të mëdha se Kosova dhe nuk quhen të tilla. Për të treguar vullnet të mirë kosovarët e pranuan edhe këtë cilësim.
Sot as që përmendet e kaluara e llahtarshme nga e cila ka dalë Kosova. Duket sikur kujdesi i të gjitha kancelarive përqendrohet në atë se çka mund të bëjmë më tepër për njëqindmijë serbët e atjeshëm, që ata të ndjehen sa më të privilegjuar, përtej normave ndërkombëtare. Serbi që dëshiron të hyjë në Parlamentin e Kosovës e ka vendin të siguruar se i mjaftojnë edhe 100 vota të bashkëkombësve për t’u zgjedhur deputet. Pagat e dyfishta, milionat që derdh Serbia për institucionet në Mitrovicë e gjetiu, e të tjera privilegje i vënë serbët në pozitën e një kaste krejt të veçuar dhe kjo nuk çon drejt integrimit të tyre, siç flitet çdo ditë. Duhet të ndalet veçimi i serbëve nga shqiptarët ndryshe këto komunitete nuk do të kenë të ardhme të përbashkët. Sigurisht Evropa i ka bërë llogaritë afatgjata për Kosovën dhe duket se mbizotëron filozofia që gjërat të lihen disi në rrjedhën e tyre, duke qenë vetë koha rregullonjësja më e mirë. Por ka të ngjarë që koha të punojë edhe në të kundërtën. Dhe nëse Kosova do të ndihet si e vënë me shpatulla në mur, detyrimisht ajo do të shikojë anash. Zhvillimeve të tilla duhet t’u pritet rruga.
* * *
Ne në Tiranë dhe ata në Prishtinë u lodhëm duke u thënë të huajve se, të ardhmen e dy shteteve shqiptare në Ballkan e shohim të njëjtë me atë të Gjermanisë dhe Austrisë. Në këtë pikë politikanët tanë janë të bindur e të sinqertë, sepse kjo u duket zgjidhja më realiste, por mbase edhe ngaqë përputhet me rehatinë e tyre. Për të qenë të vërtetë deri në fund duhet të pohojmë se një pjesë e qytetarëve të thjeshtë sidomos në Kosovë nuk heqin dorë nga ideja e bashkimit, por këtë kufizohen ta mërmërisin me vete. Zakonisht politika përpiqet të jetë në unison me vullnetin e qytetarëve për efekte elektorale.
Por ka edhe raste të interesit madhor kur politika duhet të kundërvihet. Këtë politika në Shqipëri e në Kosovë është duke e bërë me sukses dhe nga kjo anë komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë krejt i qetë. Veçse nuk duhet të lejohen rrethana kritike.
Miqtë tanë të huaj na këshillojnë të mos ngremë zërin përtej asaj që thonë ata vetë për Kosovën sepse kështu do të zgjatnim agoninë tonë për hyrjen në Evropë. Por njeriu i arsyeshëm s’mund të heshtë kur sheh te fqinji më i afërt fjolla tymi nën të cilat fshihet zjarri. Ne kemi me Kosovën një kufi prej 112 km dhe s’mund ta mohojmë se jemi i njëjti popull. Ne do të kontribuojmë me sa të mundemi që Kosova të forcohet dhe të përparojë si shtet i lirë e sovran. Po shtrëngojmë dhëmbët fort për rrugën Durrës-Kukës, vepër madhore dhe bosht i kombit që do ta bëjë Kosovën me dalje në det. Duhet përshëndetur orientimi i Berishës që synon bashkëpunim të gjithanshëm e të plotë me Kosovën. Por nuk duhet të neglizhohet më gjatë plotësimi i përfaqësisë tonë në Kosovë e trajtuar dobët që në fillim. Aty na duhet një ambasador me personalitet politik dhe përvojë në fushën e diplomacisë.
Zhvillimet e mundshme negative lidhur me Kosovën që nënvizova në këtë shkrim mund të mos vërtetohen. Kjo varet kryesisht nga ajo që do të bëjë komuniteti ndërkombëtar dhe fare pak nga vetë kosovarët. Unë besoj se ajo që ecën mbuluar në Kosovë duhet të jetë në qendrën e vëmendjes të qeverisë sonë. Të jemi të informuar mirë dhe të rrisim aftësinë e parashikimit që në çdo rast të mos jemi të papërgatitur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora