E premte, 26.04.2024, 01:35 PM (GMT+1)

Kulturë

Letra intime të Bilal Xhaferrit

E enjte, 17.07.2008, 09:53 PM


Bilal Xhaferri
Mark Brunga

Një i afërm i shkrimtarit bën publike letrën kushtuar një vajze të dashur dhe një tjetër që tregon gjendjen e rrënuar në spital të Bilal Xhaferit si person “me të meta në biografi”

“Dua të bisedoj me ty. Ka kaluar shumë kohë dhe e di se tani është vonë e ndoshta s’ka kuptim që ta shkruaj këtë letër. Po megjithatë është më mirë të bisedojmë. Ti tani je bërë për mua kaqë e afërt dhe e dashur sa s’mund të hesht më duke pritur një rast takimi që s’do vijë kurrë vetvetiu. Prandaj vendosa të të shkruaj.” Është pjesë nga një letër që Bilal Xhaferi ia drejton një vajze durrsake, letër që për herë të parë bëhet e njohur për lexuesin nëpërmjet këtyre radhëve. Më tej vazhdon: “Ti nuk më njeh. Po edhe fare të panjohur ne nuk jemi me njëri-tjetrin dhe unë besoj se nuk duhet të çuditesh aq shumë kur ta lexosh këtë letër. Sidoqoftë, ti mendo si të duash, po unë nuk dua t’i gris akoma këpucët duke kaluar te rrugica jote. Në njëfarë mënyre kjo gjë duhet të marrë fund. Pres të më kthesh përgjigje.”

Data e shënuar poshtë letrës duket si e shkruar nga dorë tjetër. Duhet të jetë e personit që e ka ruajtur dhe shënon vitin 1965. Me ketë vajzë, emrin e të cilës nuk po e bëjmë publik, poeti kishte rënë në dashuri, dashuri të cilën ai, sipas miqve të tij, e ndërpreu vetë më vonë, pasi i parashikonte fat të keq vetes dhe s’donte që hija e destinit të rrokulliste në humnerë edhe vajzën që e kishte adhuruar dhe dashur me pasion. Mbase këtë vendim Bilali e mori kur për t’i shpëtuar persekutimit komunist, vendosi që të arratisej nga Shqipëria.

Për poetin dhe shkrimtarin i cilësuar “disident” në të shumtën e rasteve, por jo në tekstet e shkollave ku ai hyri pas nëntëdhjetës, është shkruar shumë. Pas rënies së regjimit e deri më sot, vepra letrare dhe biografia e tij është pasuruar me botime dhe kujtimet nga studiues dhe bashkëkohës. Megjithatë, rrënjët e jetës së tij kanë patur zgjatime të nëndheshme të cilat dalin herë pas here në sipërfaqe edhe rastësisht.

Kështu kanë dalë në dritë edhe dy poezi të viteve 1966 dhe 1967, të botuara nën emrin e kushëririt të Bilal Xhaferrit, Edip Hoxhës i cili së fundi dha mundësinë të njiheshim edhe me 2 letrat personale për jetën intime të poetit. Fragmenti i letrës së parë na njeh me një histori dashurie në rininë e Xhaferit, ndërsa letra e dytë është shkruar kur autori i saj ndodhej në spital dhe tregon për gjendjen tejet të varfër të poetit.

Në këtë letër shkruan:

“I dashur Edip,

po të shkruaj nga spitali. Kam disa ditë që jam shtruar. Përpara se të shtrohesha erdha në Durrës të të linja pantallonat dhe takova xhaxhi dajko Bidon (një fëmijë i vogël-sqaron Edipi - me të cilin Bilali luante) që natyrisht në radhë të parë më kërkoi lekë. Ai më tha se Memeja është në shtëpi, po unë e gjeta shtëpinë mbyllur dhe meqenëse më ikte treni nuk qëndrova. Shkurt që mos ta zgjat, më fal që t’i kam mbajtur pantallonat.

Të shtunën do vinte Halili në Tiranë te ca njerëz ë tij. Në qoftë se letra ime të vjen përpara të shtunës, të lutem jepi Halilit furçën e (rrojës?) e të dhëmbëve dhe kolinozin, e po deshe, për nja (pak )? ditë sa të jem unë këtu jepi edhe makinën time të rrojës. Jam shtruar në pavionin e dermatologjisë, spitali nr.2. Të bëj shumë të fala.”

Halili, sqaron Edipi, për të cilin jepte porositë Bilali, ishte arkeologu i shquar nga Durrësi, Halil Myrto të cilin letërdërguesi e kishte djalë teze. Halili para vdekjes pati hapur dhe udhëhoqi fakultetin e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Leçes, në Itali.

Bethoveni

Edipi ka një foto të Bilalit që e ka mbajtur për shumë kohë me vete. Asaj i është ngjitur një pullë postare me portretin e Bethovenit. “Kështu e mbante gjithmonë foton e tij, - thotë Edipi, - dhe unë për këtë e mbaj të pandarë në portofol, siç e mbante Bilali dikur në Shqipëri e më pas, kur u arratis në Amerikë. Bet’hoveni është i dubluar dhe i ngjitur pullë më pullë, me sa duket dhe kjo ishte një ndër manitë e tij, ashtu si dhe lapsat e shkurtër që përdorte për të shkruar, lapsa plumbi shumë të shkurtër… “Kurdo që ecte fishkëllente melodi të Bethovenit, sidomos kur kishte ndonjë hall dhe meditonte”,- thotë kushëriri i tij Edip Hoxha.

Poezitë ilegale

Mund të quhen edhe poezi apokrife, por është një realitet i deklaruar edhe nga miqtë e hershëm të Bilal Xhaferit botimi i poezive të tija nën emrin e tyre. Në materialet e kushëririt Edipi, janë tri poezi të botuara në gazetën “Zëri i Rinisë” më 1967, me emrin e Edip Hoxhës, por që ishin shkruar nga Bilal Xhaferi. Poezitë titullohen “Mendoj”, “Eskavatoristi” dhe “Mamia”, kjo e fundit, sipas Edipit, e ribotuar më 1993 me emrin e autorit të vërtetë.

“Mendoj” ai e mbyll me vargjet: Rrugë me shpirt ndër dhëmbë/ Duke kaluar përmes vdekjes dhe urisë/ Përmes përpjekjesh dhe mundimesh/ Dhe … në të hallemadhes tokës sime/ Agimet boreale po duken në horizont.

Vargu i fundit “Agimet boreale po duken në horizont” janë komentuar nga kritika letrare e Realizmit Socialist e cila ka parë tek këto agime një “diell alegorik” por pa e ditur që autori i tyre, autori që shkruante edhe për “Diellin buzë perëndimit” ishte ai që më vonë u arratis për të gjetur diellin e idealeve të tij.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora